Kreu Letërsi Bibliotekë “Dashuria si një tel me gjemba”, poezi nga Mihail Soare

“Dashuria si një tel me gjemba”, poezi nga Mihail Soare

Përktheu Oana Glasu

Mihail Soare është një autor rumun me mbi 17 libra me prozë dhe poezi, për të cilët kanë shkruar kritikët më të rëndësishëm rumunë. Është një poet bashkëkohor që ka kaq shumë zëra të ndryshëm, që adopton kaq shumë formula në kompozimin e poezive të tij, që lëviz me të njëjtën lehtësi mbi ritmet klasike dhe post-moderne pa asnjë hezitim. Mihail Soare ka edhe poezi meditative në të cilën të jep përshtypjen se po përpiqet të sqarojë një problem ekzistencial ose nëse jo, sepse mund të mos jetë detyra e poetëve të sqarojnë diçka, të paktën ta përshkruajë, ta vënë seriozisht përpara mendjeve tona. Bëhet fjalë kryesisht për çështje fati, domethënë “kush jam unë”, marrëdhëniet mes meje dhe të tjerëve.

Poezi me engjëjt në kuti

“Ti je plot ëndrra”, më tha sikur të isha plot me zgjebe.
“jam,” iu përgjigja, “prandaj notoj ashtu, si një lopë e fryrë si ato nga reklama”.
“dhe paradokse perfekte”
“dhe plot zbrazëti,” shtoj unë duke buzëqeshur,
kisha të drejtë, megjithëse asaj nuk i pëlqente fare: “Epo…”
Kështu fillonte gjithmonë sherri ynë
një lloj lufte njëqindvjeçare,
më qortonte se i vendos fjalët aty ku nuk i prisje
dhe kërkon me javë derisa të më thotë diçka,
se shpesh largohem pa pritur
duke lënë një karton nga një kuti këpucësh të mbështetur në dritare mes barbarozave rozë
duke përshkruar një figurë të pasigurt ku lexohej “Unë”
se e ledhatoj macen, Montaigne, më shpesh sesa atë,
acarohet shumë kur gjen të fiksuar me magnet në formë mollëkuqe në derën e frigoriferit
një shënim letre të verdhë të shkruar artistikisht: “Jam me Servantes për një pije,”
“një ditë do ta nxjerr këtë frigorifer të mallkuar në rrugë
në të cilin i mban të vdekurit e tu nga ato romane që nuk i bën më”
meqë ra fjala, unë jam autori më pjellor i librave të pashkruar
dhe ajo ka një mijë arsye të tjera pse më qorton
se jam më shumë një vonesë se çdo gjë tjetër
“po të kërkoj marrëzisht nëpër pyjet e tua me pemë të infektuar me parazitë nga likenet gënjeshtarë
sikur kërkoj tartufin, nga qentë e gjakut tim vetëm lëkurat kanë mbetur.”
“mendoj se duhen regjur”, bëj shaka.
“kur ndodh që të jesh në shtëpi dhe kjo ndodh shumë rrallë
e tëra çfarë bën është të shikosh me orë të tëra atë engjëll të mallkuar nga kutia”
(një lloj insektari, por me engjëj)
“ripagëzon dhe rishpik gjithçka vetëm për të më bërë inat
të rrëfeva se jam e lumtur kur,
aq rrallë
dëshiron të shtypësh pasiguritë e mia,
dhe ti më the se lumturia është vetëm iluzioni i përmbushjes
dhe se e vetmja përmbushjeje e rëndësishme është vdekja
të gjitha shoqet e mia kanë një të dashur,
vetëm unë jam e dashuruar me një mori mendimesh me emra rrugësh.”
Nuk gabonte shumë, kam aq shumë të meta sa ndonjëherë dukem si një botë e tërë…


Doja të isha dimër

Ai do të jetë poeti i vetë oborrit të tij
parashikonte profeti nga barku i peshkut të ngopur
një i vogël, i ushqyer me kokrra të mbetura nga joshja e fundit
para përmbytjes
dhe kështu ka qenë
fillova të shkruaj himne lavdërimi për veten time
lëshonin një aromë të bukur që të bënte të mendoje se kishin lulëzuar fjalët e mia
dhe se jeta lind nga një tufë fluturash lozonjare
(por nëse kanë krahë dylli, po ankohesha)
pastaj zbriste ngrica, e butë si një figurinë plumbi

isha i pushtuar nga dëbora e të gjitha epokave
dhe kisha aq ftohtë sa mungonin vetëm ujqërit për të qenë një dimër i përshtatshëm

sepse nuk doja të më merrnin si një copë mish dreri të ngrirë
kam shpikur dashurinë
kam gjetur edhe dhëmbë, mendova me vete atëherë
dhe pjesa tjetër do të vinte natyrshëm
më duhej të zgjidhja një të dashur nga një varg i gjatë femrash që do të grumbulloheshin
gjoja,
në portat e palyera të vetes

lehtë të imagjinohet:
me sytë në pëllëmbë duke pritur si një lypëse shkëlqimin e fjalëve të mia të mallit
dhe duke mbajtur një engjëll lakuriq në vend të një karfice zbukurimi
më fal që deri dje isha dashnori i vetmisë, i kërkova
dhe ti se i kam velat e grisura, i dashuri im
ajo mendonte se kisha një oqean dhe vërtet kisha

por nuk ishte i tërë vetëm me një breg
atë përtej
ku njerëzit e tjerë rriteshin pa turp si pisha

ajo ishte e vetmja grua, përndryshe nuk do të rrëshqiste lakuriq nëpër ujërat e mia të ftohta
edhe unë duhej të dashurohesha me dikë
ngushëllova veten

me një fjale, një lloj rulete ruse
të dua si plumbi i fundit, i rrëfeva atëherë

për shkak të saj, kisha humbur fatin për t’u bërë dimër dhe ujqërit kishin mbetur pa dhëmbë
dhe kujtimet nuk më përgjonin më nëpër qoshe


Dashuria si një tel me gjemba

Të dua – kjo shprehje e thënë nga të gjithë nga mëngjesi deri në darkë
nuk më thotë asgjë – tingëllon si një fuçi e prishur, bosh
prej mijëra vjetësh njerëzit i thonë këto fjalë budallaqe
me buzë të ngjeshura si një bori bronzi e rëndomtë
siç thonë mirëmëngjesi dhe mirëmbrëma dhe mirupafshim
për të mos u tallur dhe për të qenë njësoj si të gjithë, e kisha shkruar edhe unë në një karton
një kapak i një kutie këpucësh për të vdekurit
sapo u shfaqeshin të dashurat e mia në dritare
ato të pamishëruara si xhinde që mundojnë ëndrrat të cilat s’bëjnë dy para
u tregoja kartonin
dhe u bëja shenjë se nuk mund të dilja duke u treguar njollat e vogla të bëra me laps të kuq
i shkreti, ky ka skarlatinë, mendonin ato
dhe iknin të kërrusura nga inati
duke mërmëritur çuditërisht: sëmundje e mallkuar, kush ta dashurojë këtë
nga mbrapa grilave të verdha si hëna po qeshja me djallëzi
por me të dashurën e fundit nuk më doli,
mori formën e një flete letre në të cilën ishte shkruar një kondak kishtar
dhe hyri nën derë
ma rrëmbeu lapsin e kuq nga dora dhe bëri dhe ajo
njolla të kuqe si skarlatina
tha diçka për kundërshtimin
për gjakun tim të butë në venat e saj
për pakuptimin e botës tjetër që u bë befas e padukshme në sytë e saj të qelqtë
rreth nuk e di se çfarë mrekullie
nuk kam idenë se nga erdhi, ndaj mos më pyesni
edhe më tha se i kishte lënë gjellët në zjarr
dreqi t’i marrë, patëllxhanë do të gjej unë në jetën tjetër,
por një laps të kuq si ky askund
ngatërrohem në këmbët e saj kur shkoj tek frigoriferi dhe dukem
si një gaforre e lezetshme
dashuria e saj m’u ngjit këmbës si tela me gjemba
dhe kush e ka pësuar me ndonjë tel me gjemba e di se nuk mund të shpëtosh
është një lloj dashurie absolute
dhe këtu nuk e thua më atë të dua të ngushtë
që ngjan me mirëmbrëma dhe mirëmëngjesi dhe mirupafshim
nuk thua asgjë
thjesht mban në krah ato pika të bëra nga lapsi i kuq
dhe mrekullohesh sikur të jetë skarlatinë e vërtetë


Poemë për një dashuri si nuk është parë më

U kisha kushtuar poema të gjitha grave të botës
por ato vraponin të trembura
kur u thosha që duke u dashuruar me mua do të bëhemi një qenie me katër sy
vetëm njëra s’donte të dinte për këtë pamje të çuditshme
ajo kishte humbur të gjitha trenat në botë
dreqi t’ju marrin me makinat tuaj të zhurmshme
stacionet e trenit ku arrinte nuk i shkonin, këmbët e saj gjithnjë dilnin jashtë
kështu kam ngecur mbi to
(unë nuk e di se ku po shkoja, siç nuk e kam ditur kurrë,
duke menduar se njerëzit mund të nxitojnë vetëm në dyqanin e qivureve
ca budallenj, është i hapur gjithmonë)
dhe e mbusha platformën me të gjitha fjalët që kisha
aq sa ajo teta që fshinte aty bëri kryq
udhëtarët e tjerë të gjithë u larguan të frikësuar për në stacionet e tjera
ajo qeshi dhe më tha se që e vogël kishte vizatuar një të dashur që më ngjante mua
me duart aq të gjata sa mund ta përqafonte nga kudo
dhe nga bregun e kundërt të një oqeani
për të më dërguar letra në shishe nuk kishte asnjë kuptim
shikova duart e mia – ajo kishte të drejtë, ishin disa vjet më prapa
derisa të arrinin tek ajo do të kalonin ca net të Vitit të Ri
dhe do të ishte tashmë e plakur
pastaj më tha se ishte bërë prej kohe
dhe jo prej mishi që tkurret me kalimin e kohës
unë kurrë nuk kisha ledhatuar gjinj të bërë prej kohe dhe isha kurioz
për të ndjerë butësinë prej anijeve ajrore
që gjithashtu mund të kishin një nacelë si një shportë peshkimi, si një rrjetë me erë thellësie
e shihja veten e ngjitur atje lart në atë shportë, duke vështruar përreth saj
nga ku bota do ishte parë vetëm ashtu siç është
me horizontin e shtrembër si një rreth fuçie të pa fiksuar mire
dhe me burra e gra të vegjël që nuk kishin as çmendurinë time, as gjinjtë e saj
vetëm pak dëshira me shijen e hirit të ferrës së sapo shuar
pas një dashurie si nuk është parë më


Gabimet e mia

Gabimet e mia janë të shumta,
disa quhen pasiguri, të tjerët komplote,
grumbuj dhimbjesh kanë lanë,
pak të gjakosura, të durueshme si i ftohti i humbur në mars,
por, i ngarkuar kështu, apo i gatuar, nëse dëshiron,
nuk mund t’ia fal vetes naivitetin për të menduar se më takon
vjeshta,
njësoj siç më takon vuajtja.


Qeverisja e shpirtit tim

Dielli kishte harruar të lindte prej disa muajsh
(ishte dhe nëntori mes tyre, prandaj thashë muajsh)
kështu që kolltuku ngjyrë mustardë i ujitur nga lotët e lumturisë së fundit që erdhi papritur
(ti hape çadrën duke menduar se po binte shi)
ende nuk ishte tharë
gjithsesi, lotët e lumturisë thahen, mësova nga shenjtorët, me vështirësi
era e mykut ishte përhapur mbi të gjithë jetën
aq sa kishte mbetur, jo kush e di çfarë
gështenjat përgjatë rrugicës kishin baltë
mbi lëvore,
por edhe mbi gjethet si pëllëmbë me gishta të shpërndara,
akacja gjithashtu,
postieri me trastë lëkure prej nuk e di çfarë fantazmë,
gazetat dhe letrat që e mbushnin atë
dhe të gjitha historitë në to, gjithashtu
bashkë me kalldrëmin e rrugëve,
arsye për të cilën te gjithë ishin të lodhur
sikur kërkonin një gjë të vogël
askush nuk mund të qëndronte në këmbë
të gjitha këto duke u bërë gjëra pa kuptim
fakt për të cilin marangozi
(çfarë këmbësh që premtonin qiejt bënte i çmenduri!)
vrau veten, si ndryshe
varur nga një thupër e bardhë si një agim
dhe qyteti u harrua në një cep melankolie, ende të lagësht
dhe që atëherë e ndjej gjithmonë erën e keqe të arkivit
dimri erdhi menjëherë me heshtjen e tij kumbuese
dhe pemët u thyen nga zhurma
disa dashuri ishin internuar në qeverisjen e shpirtit tim
një tufë me madhësi të mesme,
të sjellë nga një tren nate
ngrica zotëronte gjithandej
dhe gjithçka ishte ngrirë


I huaj

Mund të thuhej që jam një i huaj për veten time
sepse mishrat që më zbukurojnë janë shumë të panjohura për mua
si t’i dija
mishra si të gjithë mishrat
si ato nga kasapi, si ato të fqinjës nga kati i tretë
mishra si ato të mbretit, si ato të armëtarit, si ato të nallbanit, si ato të pianistit
është e vërtetë që i kam parë shpesh kur i laja
kur i lyeja me pomada të bëra nga barëra të panjohura
kur i braktisja në ledhatimet e një gruaje që nuk kishte mace
se nuk ke asgjë për të përkëdhelur, i thoja, duke i lënë në kujdesin e saj
dhe pastaj nxitoja në tavernë
me tufën e kockave që kërcisnin të mbetura pa zot
atje, të tjerë si unë
pa e ditur nëse mishi i tyre ishte lënë për t’u përkëdhelur
dhe me kocka që kërcisnin njësoj
jam vërtet një i huaj për veten time
sepse të gjitha ëndrrat me të cilat zura miqësi për aq dimra
më shikojnë shtrembër tani
duke mos më njohur
kështu që përqafoj foshnjën e fundit që do të isha
sikur të mos isha më
dhe tregoj histori të vjetra
por zëri im tingëllon si një gramafon me një pipëz të thyer
dhe ajrin në të cilin janë shpërndarë tingujt
duke pasur pamjen e ndarjeve të të dashuruarve të mallkuar
është i rëndë nga kaq flutura të vrara padrejtësisht
aty-këtu rruaza drite prishin rendin e kësaj ngrice
ndoshta i huaji që është i huaj për mua
është gjithashtu i huaj për të tjerët
është fazani i vrarë me plumb nga natyra statike të një burri flamand me emër lumi
është konserva e zbrazët e rrokullisur nga era
është gjithmonë vdekja e dikujt tjetër për të cilin po flasin gazetat
është kofsha e harruar e të dashurës së parë
është treni i natës që bredh pagjumësitë e mia
është pema e shtrirë për tokë nga stuhia


Poemë për fundin e botës

Të gjithë më njihnin shumë mirë
dhe jo nga veshët prej llamarine të kullës së kambanores
ishin si hinka dhe nganjëherë zgjohesha me gjithë qiellin në kokë
dhe e gjithë toka mbetej në errësirë
njerëzit ishin të hutuar si të verbër, qentë po ashtu,
macet e zeza, derrat, të gjitha insektet
kuptohet qe lotët e mi ishin shi
një lloj foleje për shpendët e ujit me gjuhë bronzi
që bënin një ndalesë aq sa të dëgjohej zilja e këmborës
më vizitonin shpesh gjatë rrugës së tyre për në askund
edhe as nga sytë si llamba rruge të vjetra nuk me njihnin
(disa mendonin se një fanar si ky do të ishte im atë)
ndoshta unë po dridhesha si ata në djegien time
dhe mëngjeset më vëzhgonin me dhëmbë të dalë nga mbrapa mureve të heshtjes
për të gëlltitur nostalgjitë e mia
thithur njëkohësisht me qumështin
dhe as nga rënie të rënda dhe të shpeshta
të ushtruara vazhdimisht
të gjitha çatitë duke pasur një vrimë në formën e trupit tim
përndryshe do të kishe thënë: shiko atë çfarë veshë ka, sa qesharak
ose çfarë sysh
mos është meteorit, gur, dhe jo njeri, na ka prishur tullat
por ata më njohën nga fatkeqësia e fundit
nga lartësia e së cilës shikoja shtrembër shpirtrat krejt të rinj të njerëzve
borxhli kësaj heshtjeje
e mbaja me krenari të bie në sy si një dekoratë lufte
siç kishte dhe gjyshi
edhe pse gjyshja dyshonte se mund ta kishte fituar në poker
dhe jo me bajonetë
përndryshe çdo njeri normal e mban të fshehur pakënaqësinë e tij
si një mëz i pjell me të meta, mbrapa buzëqeshjes sarkastike të jetës
e cila është një sënduk për hipokrizitë e konsideruara të detyrueshme
ku bën pjesë përkëdhelja e trupave të ngrëna nga drita
madje edhe dashuria
ishte pakënaqësia e të kuptuarit se vdekja është hakmarrja e kujtimeve
mishi i tyre rritet fuqishëm si një brumë e çmendur
dhe mban erë temjani
mua personalisht më ndodh ashtu çdo mëngjes
dhe asnjë rrënim nuk më njeh më
i dashuruar me sirenën e anijes së fundit mësova gjuhën e saj
vetëm për të tjetërsuar largimin e doganierit të fundit të mbetur rojë në portën e parajsës
vetëm atëherë më rrethon një luzmë famullitarësh me gjinjtë në erë
kanë thitha të lagura për të ditur se nga vjen stuhia
kush s’do të donte foto me fundin e botës
thonë ato kur janë marrë në pyetje

Exit mobile version