Kreu Letërsi Bibliotekë “Dashuri siberiane”, poezi nga Drita Çomo

“Dashuri siberiane”, poezi nga Drita Çomo

PËR VETEN

22 vjet
Sa pak dhe sa shumë
Sa pak për të njohur kaq shumë dhembje,
Sa shumë për të bërë kaq pak në jetë.

22 vjet mund të ishin
Vite pasioni, kënge, rinie
Mund të ishin vite librash e kërkimesh,
Ngarkesa ëndrrash e poezie.
Shumë gjëra mund të ishin
Po mbyllur në guackë si kërmilli
22 vjet si t’i zvarrisësh?

Si t’i durosh për tërë këta vjet
Buzë hekurash, të shkurtrat takime,
Minutat që ikin aq shpejt, aq shpejt,
Ndarjen, mallin dhe dhembjen,
Që të rëndojnë mbi shpinë.

Si të ecësh kaq pranë vdekjes,
Ta zhveshësh veten nga më e thjeshta ëndërr
Dhe të studiosh qetësisht në bibliotekë
Literaturë që flet për vdekjen tënde.
Ta prekësh vdekjen rastësisht
Një mëngjes pas gjumit,
Strukur rrëzë kofshës në një gjëndër.

Në sipërfaqe asgjë e veçantë nuk duket,
Në sy pranvera vend ka zënë.
Ndodh që rrugës qesh me fëmijë të bukur
Dhe e di që kurrë s’do bëhesh nënë.

Dhe të gjitha janë krejt të zakonshme,
Nën këmbë toka, lart qielli dhe re,
në mars sythet çelin dhe stinët ndërrohen.
Kot të ankohesh
Klith po deshe pa fund: “Përse?!”

Kot të gjitha… Po jetën e dua shumë
Dhe shpesh gëzohem ashtu kot, pa ditur,
Gëzohem që dua dhe që më duan,
Për një copë diell, për diçka të bukur.

Mars 1980


NËNËS

Atë ditë ajo dukej krejt e thinjur.
Sytë e errët,
Si gjithnjë fshihnin dhembjen.
E kish harruar atë ditë zemërimin.
Atë ditë ajo ishte
Vetëm nënë.


PËR TY

Lëkunden pishat nën retë që ikin,
Ikin e ikin retë nëpër shi…
Unë pres të shoh pas reve pak qiell,
Ashtu siç pres pasditeve, të më telefonosh ti.
Po ti s’dukesh gjëkund. Ku paske humbur,
Ka kaq ditë që pres. Dhe bie shi…
Si mund të jetoj, pa pak qiell të kaltër,
Si mund të jetoj, pa zërin tënd, pa ty.
Ti do vish, unë e di, do vish patjetër,
Po unë dua të vish tani, nëpër shi,
Pastaj retë do të ikin dhe do të dalë dielli
Po unë dua diellin të ma sjellësh ti.

24 mars 1978


DASHURI SIBERIANE

Po bie shi… dhe ti je kaq larg
Po ndoshta dhe s’dua të jem me ty
Ky qiell gri… Në shpirt – kaq akull,
Kaq ftohtë në shpirt. Si në Siberi.

E megjithatë, unë të dua.
Dhe të dua shumë, çuditërisht
Po qe se të urresh është njësoj si të duash,
Të urrej dhe të dua njëkohësisht.
Të urrej për atë, që më prishe qetësinë
Të urrej, pse erdhe tek unë,
Për çdo gjë të vërtetë dhe çdo gjë të dyshimtë
Të urrej dhe të dua kaq shumë.

Dhe në shpirt kam dimër, gjithnjë dimër,
Një ftohtësi pa fund dhe pa anë
Në sa gradë nën zero paske lindur,
Dashuria ime siberiane.
Në të tërë qënien time bie shi
Dhe ti nuk je. Dhe ti je aq larg
Kam dëshirë për ty, kam nevojë për ty
Dhe prapë s’dua të jemi bashkë.

9 shtator 1978


CA LULE

Ca lule të bardha këputa në kopsht,
Si pikëllim i bardhë kanë ulur kokën
E duket se më thonë, po përse,
Ç’faj kishim ne, ç’faj kishim ne…
Ç’bëra, them me vete, veten shaj,
Po ja dhe unë vuaj dhe pa faj…
Petalet e bardha nis i shkund,
Si dhembje të vogla në dhembjen e pafund.
Po unë e dija, them me vete, veten shaj,
Se ç’do të thotë të vuash, kur s’ke faj.

12 prill 1978


PËR ATA QË DO VINË

Në pafundësinë e qiellit
dhe mbi ashpërsinë e tokës
Hodhëm hapat e parë.
Dy qenie të vogla, mizorisht të vogla.
Në tragjedinë e paanë të botës,
Nga më të zakonshmit udhëtarë.

Ecëm.
me një të kaluar që s’e kishim jetuar
Dhe pa të ardhme.
Megjithatë jetuam.
Pikërisht për të kaluarën
Dhe pikërisht për të ardhmen.

E deshëm jetën. Thjesht.
Dhe e duam.
Në humbëtirën e kohës shtyjmë monotoninë
e ditëve.

Pa asgjë të re.
Ata që do vinë, të mos pyesin
përse jetuam:
jetuam, që ata mos jetojnë si ne.
Që ata të kenë ëndrra të lira,
si deti;
Të mos e njohin ngushtësinë
makabre të qelive,
Që ata ta duan diellin dhe njëri-tjetrin
Dhe të mos u besojnë kaq shumë perëndive.
Që ata ta dinë çdo të thotë DHEMBJE
Çdo të thotë të njohësh frikën dhe lotët
Dhe ta kuptojnë se… “Partia” dhe “Revolucioni”
Nuk mjaftojnë për ta bërë më të mirë botën.

Gusht 1977

Exit mobile version