Kreu Letërsi Bibliotekë Cikël poetik nga Ermira Mitre Kokomani

Cikël poetik nga Ermira Mitre Kokomani

TË PISH ME CHARLES BUKOWSKIN

Ai më përshëndet.
Jam e vetmja spektatore në sallë.
Koka e tij, me venat e fryra
që shquhen në tëmtha,
peshon shumë,
rënduar nga vargjet
që herë këndojnë, herë qeshin
e përleshen.
Heshtja pi birrë me Atë,
ndërsa unë pi verë me heshtjen e tij,
dhe shetis mëndjes të gjej shtegun
për të thyer perden e akullt mes nesh:
“Ç’shije ka birra juaj, Charles?”
“Të dëshpëruar,
nga debati presidencial natën e shkuar. “
“Po vera jote, Vogëlsi?”
“Të thartë,
prej rrushit të prushëzuar në Kaliforni”
“Charles, a e keni shigjetën tuaj atje lart?
“Po, Vogëlsi, po, e kam,
por jo për ti gjuajtur Perëndisë.
E kam mprehur të shënjoj
racën e prishur atje poshtë, tek Ti “.
“Vogëlsi,
dua të të them se
nuk i kursej këshillat e mia,
ti kursesh ato, i bën inegzistente.
Edhe kur nuk jam aty
ofroj pjesën time të shpirtit që larg,
për të mos i bërë gjërat shtrembër.
Si për shëmbull:
të bini përsëri në dështim,
në dëshpërim,
në regres elektoral,
të bëni një tjetër Hiroshima,
apo të ndodhë një tjetër Pearl Harbor.
Pastaj
të rrokulliseni nga maja tëposhtë
e si një zar i humbur
të përplaseni diku, në vetmi.

Nëntor 2020


IKJA

E lashë Durrësin.
Ikja këputi në mes melodinë
e erës që më harbonte flokët,
sirenat e anijeve, lëvizjen e trenave,
që i ndiznin gjakun ujit edhe tokës.

Ikja më ndau me trokitjen
e korit të hapave në kalldrëm,
me spektatoret e trotuarëve që digjeshin
në afshin e mbrëmjeve muzgjezjarrta.
me dallgët e të qeshurës së hazdisur në plazh,
me kalatë e rërës që mi shëmbte vala,

Ikja më vodhi një mik të ujshëm,
që më ftonte të vallëzoja,
të tretesha në trupin e tij si kripë,
ku herë bëhesha dorëvalë përkëdhelëse
mbi bedenat e kalasë që kish përpirë,
tek pyesja etërit ç’u ngeli peng më shumë.
Herë-herë bëhesha rrymë e fortë,
që humbisja thellësive,
të gjeja ç’mister fshihte
në trupin e ujshëm ai mik.

Të gjeja ku e ka zemrën?
Ç’farë e lumturon, e zemëron atë,
ku i fsheh dhimbjet, po lotët,
dashuritë ku i fsheh?
Po gjerdanet e florinjtë
pse ja rrëmben gjoksit të vajzave,
pse çifteve ja nxjerr prej gishtit unazat,
mos vallë kështu i shpreh dashuritë?
Në ç’stomak i bluan tragjeditë,
po mëkatin e dhimbjes së të mbyturve?
Varret e tyre vallë ku i fsheh,
a mundem të ndez për ta nën ujë një qiri?
Po peshqit, algat, koralet, ku i rrit,
po gjarpërinjtë, peshkaqenët
në ç’hulli të barkut i fsheh para sulmit?

E lashë Durrësin,
ikja më vodhi një mik të ujshëm,
që më ftonte të vallëzoja
të dëfreja, të ngazëlleja si delfin,
e të harroja rënkimet.

Ah, ikja është si gur i ashpër,
ngado që ta kthesh të gërvisht,
një pjesë zemre ma vari hajmali
në farin tek Kodra e Vilës.
Ajo akoma më pret, si fari,
derisa unë shtegtari
edhe me gjysëm anije,
të kthehem në Durrës përsëri.

Gusht 2021


RRËFEN ME BINDJE

Kumbulla e purpurt të shikon,
e zhveshur nudo,
e paturpshme, në lakuriqësinë e saj,
qëndron aty,
ngulur mbi pëllëmbë
si statujë shtatzënë,
gdhendur nga majat e gishtrinjve,
endur ndër damare,
tuli ndihet i pjekur,
i ëmbël, i freskët, i ngazëlluar.
Ajo është vetvetja,
brenda trupit të saj të paprekur.

Në pikëllim,
ngre krye uria,
ndjesi gërryese,
në heshtje, zvarritet
mbi trupin e purpurt,
me qetësi i ngul dhëmbët ethshëm,
në kërkim të atij intimiteti,
sa të lashtë aq dhe të virgjër.

Ajrit kumbojnë thela zhurme,
lëngu vërshon me vrull,
të derdhet në boshësinë e gojës së uritur,
si ujërat e mitrës në praglindje,
ndërsa tuli bëhet instrumenti
që stomaku yt i ndryshkur,
të këndojë ekstazë psikodelike,
e Uria, kjo monarke e heshtur,
të dorëzohet tërësisht,
si lehona pas lindjes.
Ndaj, rrëfen me bindje,
Uria: ndjesi që mund të zhbëhet.

Janar 2022


PASQYRA KONVEKSE

Të jesh bashkë me ty në një dhomë,
është si të shihesh në pasqyrë konvekse.
Të kërkoj shpesh të ndryshosh sjelljen,
fokusin tënd prej valësh negative
që largojnë dritën.
Edhe muret pajtohen me mua,
dëshmitarë të lojës tënde dinake.
Shikimi yt shpues si majë shpate
e mprehur mirë, ngutet të presë
kordën e neuronit në tru,
që më lidh gjuhën e mendimin,
vetëm për ti mashtruar
të shthuren e bien në kurthin e ngritur
prej dërdëllitjesh absurde.

Ndryshe,
si grua Viktoriane në kohët moderne,
thërras në subkoshiencë rezistencën,
të m’i burgosë mendimet
në kafazin e mëndjes,
në mushkëri të paraburgosë frymën,
të më prangosë lopatën vozitëse të mishit,
midis mure nofullash
për të mos nxjerrë goje korrupsion.

Prapa pasqyrës që përpara shndrin,
ngre kokën ana e errët dhe e zymtë
e zhivës helmuese të mendimeve të tua,
që ma deformon, ma devijon fytyrën,
dhe nënçmon bukurinë e virtytshme.

E shoh hijen tënde të lëvizë,
gjurmë montazhi të karakterit tënd,
fshehur pas xhamit të pasqyrës konvekse,
është “fuqia e syrit të tretë”, intuitë
që ti vështirë se mund ta rrokësh.

Fatkeqësisht,
Ti kalon çdo ditë para meje,
e unë të vështroj qetësisht dhe kokën tund,
thelbin tim mbështjell në monolog heshtjeje,
si mundet të shkëlqejë Egoja kaq shumë,
me tërë honin e mbrapshtisë së pafund,
e si mollë t’ju hajë, kafshatë pas kafshate,
derisa të mos mbetet më pulp,
por veç thelbi i fortë që mbron farat,
në prag fundosjeje.

Por, dhëmbëve të tua egoiste
u mungon guximi
për të thyer thelbin,
këtë substancë të fortë.
Ata mbajnë brënda kaq shumë frikë,
Unë jo!
Thelbi mbetet Rezistencë ndaj Korrupsionit!

Mendimet e tua të baltosura,
frenojnë reagimin tim, të pafjalë,
ndaj të ofroj kullën time të forcës,
kridhem brënda vetes heshtjerëndë,
dhe ty të shoqëroj bashkë me të.

Ajo lëviz në drejtim të kundërt nga ti,
han përbrënda cipet e qetësisë,
sikur ha mollën e humbjes,
në skaj të ekzistencës,
pak nga pak, përtypje pas përtypjesh,
derisa arrin thellë të zbulojë veten,
të prekë thelbin tim të fortë,
që mban ngjizur brënda
farat njërëzore të rilindjes dhe shpresës.

Lukthin tim prek dhe dëgjoj
t’ iu përgjigjet mendimeve të tua përçmuese,
“kjo bërthamë mbetet e paprekur për të rikrijuar”.
A e dëgjon? Nëse jo, mbaj vesh:
heshtja ime është kështjella e fortë
që të bën ty të dështosh,
ti nuk mund ta shembësh,
ta rrahësh heshtjen,
apo ta shprishësh shpirtin tim të hollë.

Egoja jote nuk mund ta zhbëjë shpirtin kurrë,
thelbi im i paprekur të refuzon zëlartë,
edhe nëse guxon lëkurën të më rjepësh,
dhe kockat në pluhur të mi bluash,
apo lëngun e kuq të venave të mia ta pish,
si vera më e rrallë që të ka shijuar,
në filxhanin prej porcelani japonez,
me të cilin ti ujisje trëndafilat
të vetmet qënie që je kujdesur gjer më sot.

Edhe sikur të guxosh të më kthesh në hi,
shpirti im i dlirë do të ngrihet përsëri
do të fluturojë si feniks
të djegë shikimin tënd përvëlues,
e të shkrijë metalin e helmët të pasqyrës.
Pastaj, do të ketë qetësi në dhomë,
muret do të gëzohen dhe do të buzëqeshin
ndërsa ti mungon.

Prill 2020


BRENDA HESHTJES

Mëngjes,
jashtë ndihet fishkëllima e erës
brenda
zien ibriku i çajit mbi stofe,
midis nesh ngrihet
një shtëllungë ajri e ftohtë.

Frymojmë,
brenda heshtjes së njëri tjetrit;
lëvizim nëpër kuinta
si somnanbulë të hershëm
heshtja
hedhur trupit, zhgun murgu,
grryen muret e përbrendeshme.

Ndez sërish një cigare,
hirin e heshtur e te pajetë,
ia shkund aty për aty,
flas me të, për shoqeri,
nuk është aspak kapricioze si ty,
nuk kërkon asgjë,
veç shkak për të bërë dritë.

Fjollat e tymit,
flegra shpirti që shpërvilen
herë me mbysin,
herë me përmendin sfidën e instiktit,
mbi buzë,
vetëm ajo mbetet besnike,
m’i bën dritë shpirtit.

Shkurt 2023


EJA VALËZ

Eja valëz luaj me tharmin e shpirtit,
që piklon guaskash,
eja përkëdhelmë, si farfurimë drite,
aty ku rrekemi, shtegtarë të përhershëm,
mes detesh, kontinentesh,
shpirtin ngima me një gotë verë të vjetër.

Eja valëz, shkumbëzo mbi mua,
lëmoma gjoksin,
me freskinë e shkumës, rend arteriesh,
shpërthe me plazmën e zemrës,
eja zgjomë në ag dashurie,
e përkundmë me afsh të epërm.

Eja valëz, mbuloma trupin,
me puthje bulëzash,
le të dridhet halë pishe,
në sqep të harabelit humbur stuhive,
me shkumën tënde mbështille,
të kridhet, përgjërohet
në membranë afshi dashurie.

Derdhu valëz dejeve të mia,
si vera e vjetër derdhur butit,
qiellin harkoje brënda një bulëze,
por mua mos më përpij, mua lermë,
të kthehem në Pulëbardhë,
të harlisem pafundësive,
mes Tokës e Qiellit,
jam Pulëbardha që ulem e ngrihem,
në sinkroni me dallgën.

Janar 2020


PA TITULL

Jam nji grue,
nji nanë, nji lule e vogël,
n’kopshtin tem.
Nuk jam
“Lulja e Vogël” Karmelitë,
Shenjt“Terezë e Lisieksit”,
prej Francet,
por prej burimit t’shpirtit saj,
njom buz’t e mija
kur m’rreshken.

Laj duert,
ftyrën laj,
n’mirsin, n’butsin e saj;
n’melhem shpirti
e njyej penicën,
kur n’leter
du fjalën me shpërvjelë,
n’ përulje t’ shpirtit.
Jam veçse nji grue,
nji nanë,
nji lule e vogël sa nji sy,
ku shtrihen, përplasen,
tanë detnat e oqeanet e Tokës,
e un mbetem njashtu,
nji shkam, tuj durue.

E ti udhtar i Zotit,
falju nanës tande,
qi t’fali njato sy,
për me shikjue
nji grue t’pa faj,
nji nanë trandun dhimet,
nji lule, t’ vocërr,
sa njai sy,
e përmes synit saj,
me kqyr ndër vedi,
e me kuptue,
me zbulue,
njat qi asht hyjnore,
ndër ty,
e me ju fal
nj’asaj, qi t’ asht falun ty!

Maj 2019


PRITJA

Prisja,
çdo mëngjes,
si një lot i paçelur
mbi qerpik;
prisja agimin
të griste çarçafin e natës,
e të zbardhte
ndarjen mes nesh.

Prisja,
si pret qielli
të mbushë gjoksin
plot me re e yje;
vetminë pikturoja,
me shiun e tyre
gurpritjen lëmoja
me durim
të heshtur gruaje.

Prisja,
si pulëbardhë e trembur,
strukur
në uturimën e erërave,
me ankth,
mes tyre kërkoja timbrin e zërit tënd,
ti pëshpërisja
se pritja është zbehur.

Dhe Ti, u shfaqe,
ashtu puhizë zgjimi,
i paqtë
nëpër mugëtirën e heshtjes,
kënga
shkruar në pentagramet e syve,
treste
shkretëtirën e pagojë të ndarjes.

Ah, e rëndë Pritja,
kreshmë e pakohshme,
pakuptuar na rikthen ad hoc,
vizionet e humbura,
me koshiencë hyjnore!

Mars 2020


PA ÇMIM

Dy brigje falen në një det,
dy pole lidhen në një aks,
hënën e plotë ngjitur mbi retë,
ta adhurosh nuk është mëkat.
Nuk ish e thënë të ndizej zjarr,
as zjarr, të shuhej në vënd tjetër,
janë vetëm diejt që mbajnë zjarr
hënat kokëulur ndriçojnë veç terret.
Baticë, zbaticat, janë derte shpirti.
Ç’thellësi e detit, ç’mister i sjell?
Kur hënë e plotë ngrihet në qiell,
dielli në krahë kërkon ta marrë.
Akrep i orës titanike,
nuk dihet se në ç’kohë godet,
nga syri hënës lart në qiell,
një lot u derdh e u bë det.
Nuk ish lot zije, as lot gëzimi,
ai sy lotoi në pafajsi,
por nuk ka çmim jo adhurimi,
nuk merr dënim shënjtëri e tij.

Maj 2019


NJË GRUSHT SHPIRT

Plasaritet muzgu si pasqyrë,
brigjeve thërmohen rrezet prore,
shkuma e frymës s’ mbrriti kurrë,
qiejve u shuan sërish meteorët.

Muajt, vitet, humbën s’di se ku,
të tjera shtigje, gjurmët na i fshinë,
pranë të ndjej kur rrugën humbas,
“Eja këtej,” thua, “je më mirë.”

Larg jemi, akoma malli mbeti shtysë,
meridianët hartës zgjaten, duart lusin,
më jep një grusht shpirt, në faltore të pyes,
A e ndriçojnë sytë misterin e padukshëm?

S’zhbëhen shpirtrat, koha s’mbaron,
sëbashku në një aksiomë rrimë ngjizur,
më kot pres të pyes kohën që s’ ndalon,
vallë, dy pole, ç’mister i mban lidhur?

Gusht 2019

Exit mobile version