Kreu Letërsi Bibliotekë Cikël me poezi nga Xhelal Tosku

Cikël me poezi nga Xhelal Tosku

* * *

kush e duron gjithë këtë vetmi
heshtjen e thellë gjithe këtë qetësi
gjersa të vijë një korb tjetër i zi
të ulet në majë të shkëmbit
dhe të klithë fort.

* * *

gjithmonë do të ketë flutura që digjen
duke përplasur krahët me dritën
bukuria e dritës apo drita e bukurisë

* * *

e bardhë e bardhë e butë e ngadaltë
dëborë e parë po zbret ndër pyje
dhelpër e ballsamosur
sikur bukuria të mos qëndronte në lekurë.

* * *

kam qëlluar të jem në gjumin tim
ti kushedi
ka ardhë dhe ka ikur pa u ndjerë
shiu që dikur na pat lagur të dy
në një tjetër natë

vetëm kur u zgjova
pashë përroin tim që kish vërshuar
ti kushedi

* * *

e gjithë errësira e asaj nate
është tek unë

ti qeshje e qeshje
duke pirë shampanjë dhe verë

unë të desha
sikur të isha i dehur
me shampanjë dhe verë
dhe ende jam tek ajo natë.

* * *

manushaqe e bukur përse në ferrë
për shkakun tënd zotëri

* * *

Diogjen, shko në ndonjë katund tjetër
këtu kanë ikur pas parasë.

* * *

pas murit me duart lart tradhëtarët
pas murit me duart në pranga armiqtë

po ata që qellojnë me plumba
kush janë

* *

unë fija e barit që i shpëtoi kosës
burrat patën tjetër fat

* * *

nga lart poshtë vetëm molla e Njutonit bie vetë
çdo gjë tjetër duhet ta rrëzosh ti

* * *

fiku im i egër
gjethet tuaja nuk mjaftojnë
bota është zhveshur krejt

* * *

javën tjetër
të martën ose të enjten
kam ndërmend të vij në qytetin tënd
a thonë më atje
se njeriu është ujk për njeriun

* * *

në kodrinat e mia të buta të ngrohta diellore
mbrriti prap
parmenda prej druri e Romës së lashtë
e njohu kali

* * *

nga njeri mëngjes në tjetrin

herë bie Hamleti
herë ngrihet në fluturim Don Kishoti

i rrëzuam ata që do ndërtonin njeriun e ri
të tjerë thanë do sjellm lirinë

zgjerohen rrathët e ferrit
si rrathët e ujit zgjerohen rrathët e skllavërisë

ku është prometeu

* * *

o Zot ku e ke hedhur gurin
o Zot ku e ke fshehur zjarrin

* * *

koha është e pashpirt
pranvera vjen për barin lulet dhe pemët
çuditërisht ata që me zor e presin të vijë
janë njerëzit

* * *

mbrëmë vonë më solle një lule nate
çdo çast dëgjoj si jam duke vdekur
nesër thjeshtë çasti i fundit
aromë gjineshtrash dhe fustani yt i zi

* * *

e vetmja dritë në qiellin tim
të vdekurit e katundit
nuk e dinë shijen e shtegut
që hëna hap natën në pyll

Exit mobile version