Kreu Letërsi Bibliotekë Cikël me poezi nga Preç Zogaj

Cikël me poezi nga Preç Zogaj

Koha ndalon të më thotë një gjë

Sa për të më thënë një gjë mua
Koha ndalon në dritaren time,
herë si plagë në prerje vetime,
herë si panterë, herë si trendafil,
herë si marrje dhe nxjerrje fryme.

Shpejt e mbyll perden e errësimit,
pa e marrë vesh lajmin e saj në xham,
trembur njëlloj prej frikës dhe gëzimit.

Maj, 2016


Ne na njohu një e tretë, dashuria

Ne na njohu një e tretë: Dashuria.
Ajo qëndronte mes heshtjes sonë
kur shiheshim gjatë si dy të pagojë
dhe e dinim para tjetrit çfarë ka në mendje tjetri,
dhe flisnim dyshe edhe kur flisnim me vete….

Ishte më e vogël se ne, por u bë më e madhe,
Na mbarti netëve nepër rrugë ajrore
plot trëndafila të kuq maskuar si të bardhë ,
Na hoqi udhën me dritën e saj
në shtëpi të huaja maskuar si altare ,
ku pasi bënim dashuri më dorëzoje
më të çmuarin e gjërave, gjumin tend.

Dashuria, ndërmjetësja jonë,
I mbaroj një nga një punët e veta,
Dhe po bëhej gati pa u ndjerë
të jepte goditjen e fundit, të shartonte
kohën tonë me të sajën në qiell…
Kur ja, tokësor, u zgjova, u ngrita
dhe qava gjithë natën në anë të shtratit,
i keqardhur, por edhe i mirëkuptuar
që s’mund ta pranoja përjetësinë.

Kështu dhe ti dole prej buzëqeshjes
që vetë Dashuria të pati huajtur,
Dhe u nise udhës së shkretë kokulur
sikur ishe kthyer nga një yll i largët.

Dashuria- Afërdita, e treta që na njohu,
feks nganjehërë në rrugët e mia,
me sheh tangent, më sjell një kujtim,
më bëhet se të ka parë nëpër qytete,
duke u truar, duke u kastiguar.
Përpin mallin tim dhe më lë
si degë të përzhitur trotuarëve.

Maj, 2016


Vuan që është e errët nata

Si një trendafil i mbledhur në gem
Një vajzë e re po fle
poshtë dritares.

Vuan që është e errët nata.

Mars, 2017


Pjekuria

Të ulesh sytë përdhe,të mbledhësh grushtat,
të mbash me forcë në fre përbrënda kafkës
një zgjim të ri zymbylash, përgjunjen
në altarin e vashës.

Të mundesh pagjumësinë, të hedhësh armët,
Të shpallësh pa betejë kapitullimin,
Të vuash lëmshin në grykë, skuqjen në faqe,
Të presësh fundin, orën e pashmangshme
Kur i thërret mendjes dashuria,
Kur i mbledh flatrat dashuria,
Dhe fillon rënia…rënia…rënia.

Sa e turpshme, sa e panatyrshme
t’i thuash “jo” nga errësira
vajzës që të fton me ngulm te jesh
dhe të mëson sekretin si të jesh
një kokrrizë e dehur pluhuri në ajër!

Si shkëmb të mban pjekuria jote,
Qetësi guri të premton sa të jesh gjallë,
Qetësi terri sa të jesh i vdekur,
Ty që je mburrur se nuk ke vrarë një mizë,
Ty që po shkon me bisht ndër shalë, vrasës.

Qershor, 2016


Më sheh dhe largohet deti

Nuk jam vetëm unë që ndjej e vërej
vegimin tënd farfuritës bri meje
si të prerë me gërsherë në ajrin bosh
plot me vibrim…ku fillon të shndrisë
e qeshura jote si çelja e trendafilave,
fustani yt i kuq të cilin era
nuk rresht së ngulmuari
ta ketë plaçkën e vet.

Me sheh dhe largohet deti.

Për të satin gusht, për të satën verë
shkoj e vij zbathur këtyre brigjeve,
duke humbur flokë, duke provokuar
evolucionin me këtë marrje fryme
me ketë të menduar.

Përhihet një shmangie e madhe
nga boshti i species që filloi këtu.
Të tjera zanore përgatit, provon
uturima e dallgëve.

Më sheh dhe largohet e largohet deti.

Gusht, 2017


Kur kujtoj sa të kam dashur ty

Kur kujtoj se po vjen shtatori prapë,
Kur kujtoj se po mbushet vjeta tjetër,
Kur kujtoj se kam qenë mjaft i krishterë
përpara se t’ lexoja të plotë Ungjillin.
Kur kujtoj puthjen që më dhe në Korçë.

Bukuria jote
i shpëton mendjes
së kapur nga çikërrimat.
Ditët nuk bëjnë asgjë veç bien
njëmijë, dy mijë, tre mijë…. Rrotullohen,
mjergullohen, treten rreth pulpave të tua.

Përbindëshi

Ka qenë shumë e bukur fëmijëria ime-
Jeta tjetër para kësaj që kam tani.
Por sot ju tregoj për përbindshin,
që nuk e pashë atëherë, që e njoha
veç kur po jepte a kishte dhënë shpirt
Dhe mua po më dilte magjepsja e trendafilave.

Nëntor, 2016


Në qejfin e saj dashuria

Isha i rritur, trembëdhjetë vjeç,
Nata i kishte mposhtur të gjithë veç meje,
Këndonin gjelat, padisnin, tallnin
pagjumësinë time të parë, të pafund.

S’do të kem më kurrë errësirë në sy.
S’do të pushojë kurrë së lulëzuari mendja ime.
S’do të shtrihet më pa mua
pëllëmba ime nën njërën faqe,
S’do të fle më kurrë , s’do ta nxjerr nga kujtimi
fytyrën e vajzës që më mbështolli
me një shikim të ëmbël e më bëri burrë
shumë, shumë, shumë…përpara kohë.

Sytë e saj shndrisnin prapa xhamit- E dija!
Nuk kisha lexuar për Orfeun- E dija!
Do të zhdukesha sapo ti shihja- E dija!
Gjelat këndonin, këndonin, këndonin
Bota po shurdhohej përgjithmonë,
Atëherë u ngrita dhe prita agimin,
shpalosjen dritës ngjyrë trendafili
nga malet në fushë, nga fusha në det.
Në qejfin e saj dashuria
shtronte qilimin
midis fëmijërisë dhe vdekjes sime.

Janar, 2017

Njeherë tjetër

Njeherë tjetër do flasim gjatë
për pengun tend, për pengun tim.
Pres të rikthehet në gjendje të lëngshme
guri që mbaj në gjoks.

Shkurt, 2018


Tani kujtoj veç atë që s’mbaj mend

Papushim perëndojnë ngjarje të mëdha.
Shkëmbime të krahëve, buzëve, trupave,
Zgjime me ngjyra në përqafimin e dritës,
Dridhje të kaltra thellë ujërave …

Hapat e mi të kujdeshëm në rrugë
provojnë ta këndojnë si këngë
zbulimin e fundit:
Kam qenë më i dashur se sa e kam ditur.

Në këtë qytet koha ka bërë kërdinë.
Të ka hequr Ty të ecurën e lehtë,
Të ka thinjur e ngulur si një saksi
në nimin e vogël afër dritares.

Dhe të mendosh: gjithë gratë e bukura të një kohe të shkuar,
Të dashurit e tyre të një kohë të shkuar
ngulen kështu andej- këndej
në oborre, në stola, në spitale
në rrokullima ditënetësh ku kujtimet
vdesin grumbull.

Tani kujtoj veç atë që s’mbaj mend:
Zgjimin tënd si një trendafil.


Pashkë në Lezhë

Bie një shi që nuk zbret në tokë.
Kajsia e vjetër çel lule të reja lart, lart në kaltërsi!
Lulëzojnë muret e kësaj shtëpie,
Lulëzojnë shikimet e këtyre fëmijëve,
Lulëzoj dhe unë tek mbushem me frymë.

Nëna ime sheh në ëndërr nënën e saj sa një foshnje.
E zë përdore, kërkon ta marrë këndej nga ne,
gjithë kujdes se mos zgjohet, se mos rritet menjëherë,
se mos i vdes në krah sërish dyzet vjeçe…
Ja, ia doli, po e mban në gji,
Pashkën e saj- nënën e saj
sa një fëmijë.

Prill, 2015


Vdekja e nënës

Dhe kështu u bashë këtë pranverë
të numëroj me gishta e njerës dorë
ditët e saj të fundit: Pesë, katër…

Ka qenë në mëdyshje gjatë, gjatë,
Të rrinte me ne a ti shkonte pas burrit ?
Gjersa ndaloi me marrë ushqim dhe ujë.
Vetëm ajrit nuk ka çfarë t’i bëjë,
Hyjnori e gjen vetë rrugën
ta mbushë ngapak me frymë…
Tre… dy…

Sa do të mërzitet babai
Kur ta shohë të vogël, të vogël-
Qese me eshtra fildishi.
Sikur e dëgoj tek na thotë:
Çfarë i bëtë kështu gruas sime?

Erdhi ora të mbaj
në gjoks, siç e la të thënë,
shkrehjen e saj prej mjellme,
Të shoh hirin e engjëllit
duke iu hapur në fytyrë,
Ti bëhem shtyllë e kryqëzimit.

Ka gjëra që shihen para se të ndodhin.
Këtë këngë e nisa të premten,
Nëna u shua të martën.
Gishtat e dorës m’u zhduken
pasi mbaruan së numëruari
ditët e saj të fundit.

Prill, 2019


Mallkimi

Në pritje, në pritje mbuluar me natë,
Një zog i vogël a shpend i stërmadh
ofron zgjidhje. Tani është çasti
me nxjerr flatrën tende dhe me mposhtë
njeherë e mirë robërinë, gravidacionin.

Mpihet qetësia.
Heshtja e botës
rrëzohet përdhe si balonë e rrudhosur.
Dhe ja , përftohet në disa menyra,
Me kuiniforme, me hieroglife,
me germa latine, arabe, ciriklike
emri dhe pamja e engjëllit që po bëhësh.

Është brofja në këmbë e hijes tende. Ik!
Në majë të gishtave nga Pavioni.Ik!
Në daç mendar a i marrë. Ik!

Si vallë ia dolën të helmojnë të folurën?!
Leri pyetjet! Ik, ik, ik!
Por sa të gjatë e paske krahun, o mallkim!
Po shoh me kurriz njëlloj si me sy
botën pas meje që është Shqipëri,
Gojë të shqyera, fytyra të nxira,
Hapur në male, hapur në zalle,
Një turmë,një shpurë,
Po u merr erë bimëve të shejtanit,
Po mbledh,
po mbush
xhepat me gurë.

Mars, 2017


Jerm

Rudolf Markut

Qëlloi të ishim në jetën e vërtetë,
Dhe lexuar t’i kishim pothuajse gjithë librat,
Kur ia behu letra njoftuese: Ju
nuk jeni më… këtu!

Ne hodhëm plaçkat në krah dhe u nisem
krah për krah në mërgimin e ri.
Mbretëronte zagushi e madhe në qytete,
Gjuha kishte humbur mijëra fjalë,
Dhe po humbte akoma, akoma, akoma.
Nuk e dinim a kishte më dhe si i thoshnin
“Të lutem” dhe “të paça” në shqipen e re.
Flitej me zë të lartë edhe kur folësi
e donte të ulur zërin e tij,
S’kishte shpresë të gjendej mallkuesi
që mund ti jepte fund këtij mallkimi
duke iu lutur me përgjërim e ndjesë.

Njëri pas tjetrit në mërgimin e ri
mbi një loze kungulli përmes oqeanit.
Jeta e Re përpara na donte
për kurrgjë të penduar.

Ndanë tërfilishteve, ulur këmbëkryq,
Mustakët një pash, kosat në bisht,
Çibukët ndezur në gishtat e zverdhur,
Prisnim të na thaheshin këmishat e kaltra
për një shëtitje në qiellin me të afërt.

Shtator, 2019


Testament i gjyshes

Pastër e mbajtëm shtëpinë gjithë jetën,
Gjithë jetën i futem vaj kandilit
për kthimin e dytë të mbretit tonë, Jezu Krisht.

Kur të vijë
qani për ne
O ju, fatlumët.

Mars, 2014


Gratë nuk na duan më

I shkruaj këto rreshta duke u bërë njësh
me unin tim të hershëm prej poeti
kur haja pak dhe doja shumë.

Gratë nuk na duan më, o burra!
Njeri prej nesh, ai fjalëpakti, ai kokuluri, a ju kujtohet?
Ai që ndalej shumë rrallë në lokale,
Ai që kthehej herët në shtëpi,
Ai që hidhte plehrat, që gatuante,
sup me sup me gruan e tij-
Me tri të shtëna … e divorcoi,
Pastaj iu turr me breshëri
një fjollë të bardhë tymi- i shkoi mendja
se shpirti i saj po u ikte plumbave.

Gjersa e bëri se ishte mashkull,
të gjithë ne jemi vrasësit.
Po unë e di: nuk kishte bole!
Vrasësit e grave nuk kanë bole!

Spurdhjak si asnjëherë qe ndjerë
ndërsa e shihte shtrirë përdhe
mes gjakut gruan e mjerë.
Një qen i zi, thonë, iu përhi :
“Ç’bërë kështu, o qofsh mallkuar”!
Një ulkonjë ia shkundi armën:
“Çoje në fund trimërinë”!
U drodh, u mblodh, lotoi, shurroi
Po s’pati bythë t’ja hiqte vetes.

S’na duan më gratë, o burra!
Na kanë kuptuar se kush jemi.
Ca dinakë, ca gjitarë
Që sytë në zgavra thellë i mbajmë
Dhe kur i shohim nuk i njohim
Nuk e dimë të kujt janë.
S’na duan më gratë, o burra
Na kanë kuptuar se i humbim
betejat gjithë që na takojnë .
Kemi veç një për t’u ngrefosur,
si të pasoj, si burracakë:
Të thyejmë gratë.
Të vrasim gratë.


Balada e skuqjes

(Fragment)

Ulet nata me krahët e gjatë ,
Shqipëria mblidhet si zog poshtë një klloçke.
Unë mblidhem si fetus në kanape.
Panta Rei (1). Por nuk mbaron.
Dëgjoj: “Lufta vazhdon”! Skuqem.
“Jemi të pathyeshëm”! Skuqem.
“ Si Barcelona e Guadiolës”! Skuqem.
Si Barcelona!
Në këtë cep dheu!
Pikërisht këtu!
E nuk kam si t’mos them…Skuqem!
se nuk është kështu. Skuqem!
Asnjë shpresë
t’i ndërroi udhë
kësaj furie-
Digjem duke jetuar.

xxx
Por…por…
U bënë ca kohë nuk po skuqem më!
Vena ime e ndjeshme pushoi se vluari.
Vdiq Euripidi që mendoja se isha,
Kaq inerte lëkura që më mbështjell
sa nuk jep njollë në të as skena
me vithe grash që ngrihen rrufeshëm
dhe marrin me vetë historinë e epokës
kur fjalën përgatitet të marrë Udhëheqesi.

Tepër gur
lutem të më kthehet
dhuntia e humbur.
Vetëm purpurimi
ia del të thotë
diçka që s’thuhet.

Shkurt, 2018- Qershor, 2020

Exit mobile version