Kreu In memoriam Chen Fenghua: Një jetë për ndërtimin e Shqipërisë letrare

Chen Fenghua: Një jetë për ndërtimin e Shqipërisë letrare

Kadare me anë të letërsisë bëri që bota të njohë kombin shqiptar.

Ismail Kadare – Shkrimtari i detyruar të bëhej si Kafka

Kadare, shkrimtar i madh me ndikim të gjerë në Kinë.

Kadare, shkrimtar përmasave botërore.

Në vitin 1988, Kadare boton romanin “Koncerti”. Në fund të viteve 70, regjimi i Hoxhës çuditërisht zgjodhi të prishë marrëdhëniet me Kinën. Krahasuar me “Dimrin e Madh”, në të cilin ai i thur lavde regjimit të Hoxhës, këtë herë Kadare nuk bën më kompromis. Në këtë roman ai i satirizon me forcë sjelljen dhe veprimet absurde të regjimit të Hoxhës.

Veprat e Ismail Kadaresë  pjesë e programit mësimor në Kinë.

Janë këto disa nga titujt dhe vlerësimet e shtypit e medias kineze, i cili vazhdon të botojë shkrime të shumtë në përkujtim të Kadaresë.

Përgatiti: Iljaz Spahiu, Sinolog

Kadare me një kaleidoskop letrar në dorë,  shkroi  gjëra të mëdha në Shqipërinë e vogël. Veprat e tij , plot truke të fshehura, ndryshojnë vazhdimisht nën ndikimin e dritës dhe hijes së copave dhe prizmave të xhamit.

Përmbledhje e një artikulli në përkujtim të Ismail Kadares, botuar në revistën ekonomike e kulturore  kineze Caixin Weekly,  shkruar nga Chen Fenghua, Profesore e Asociuar në Fakultetin e Gjuhëve dhe Kulturave Evropiane dhe Shefe e Qendrës së  Studimeve Albanologjike në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit.


Më 1 korrik 2024, ndërroi jetë në paqe në moshën 88 vjeçare, Ismail Kadare, kolosi i letërsisë shqiptare.  “Ca pika shiu ranë mbi qelq, dhe unë për ty seç ndjeva mall….” Ishin këto vargje të poezisë “Mall” të Kadaresë, që më erdhën të parat në mendje në çastin që sapo mora vesh këtë lajm të hidhur. Vitet e fundit, shumë shtëpi botuese në vend,  e kishin hedhur vështrimin tek ky mjeshtër i madh  i letërsisë. I nominuar mbi dhjetë herë për Çmimin Nobel, ai tashmë  kishte kohë që kishte tërhequr vëmendjen e qarqeve letrare dhe lexuesve kinezë. Por mbi të gjitha, nëse keni fatin të shfletoni veprat e tij të shumta, ju me siguri të mrekulluar do vini re se ai është një “Shkrimtar i Çmuar”.

 Lexuesit që e duan Kadarenë janë fatlumë. Gjatë gjithë jetës së tij ai nuk ka reshtur së shkruari dhe së botuari vepra të shkëlqyera. Shtatë volume të trasha të “Përmbledhje e Veprave të Kadaresë” në gjuhën shqipe, janë pasuria që ai i ka lënë letërsisë botërore. Në këtë thesar të letërsisë, vepra të periudhave të ndryshme, krijojnë pamje unike dhe magjepsëse. Pavarësisht se nga cili libër e nisni leximin, ju do jeni në gjendje të kuptoni mendimet e tij të thella. Sigurisht në se ti dëshiron të njihesh me të, “Kronikë në Gur”, do të ishte një zgjedhje shumë e mirë. Romani do t’ju çojë në Gjirokastër, qytet në jug të vendit, ku edhe lindi Kadare më 28 janar 1936. Mes shtëpive dhe rrugëve të gurta, personazhet e ndryshme të lagjes janë transformuar dhe deformuar bashkë me qytetin e vogël dhe të bukur. Veçantia e familjes Kadare, kokëfortësia dhe hutimi që shquhen në pamjen e ftohtë dhe  temperamentin e çuditshëm të gjirokastritëve, ngjajnë sa reale aq edhe të dashura. Por në fakt, Kadare i cili u bë i famshëm nga krijimtaria poetike qysh në rininë e hershme, në vitin 1957 u largua nga Gjirokastra dhe u vendos në Tiranë. Disa kritikë kanë thënë se “Kadare e vështron botën me syzet me ngjyra të qytetit në gurtë, duke integruar antikitetin, mesjetën dhe shekullin e XX.”  Sipas mendimit tim, ai ndoshta është mbështetur në pafajësinë dhe ndjeshmërinë e këtij fëmije të qytetit të gurtë, për të vëzhguar dhe përshkruar me mprehtësi lloj fantazish e deformimesh të Shqipërisë, Evropës dhe madje gjithë botës, nga të cilat imagjinata e tij magjike dhe shija e hollë artistike, janë mënyra  e tij e veçantë për të përkujtuar familjen dhe vendin.

Pasi përfundoi studimet në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë në Tiranë, nga viti 1958 deri 1961, shkoi për studime në Moskë.  Në vitin 1963, Kadare u lidh me Elena Gushin, me të cilën pati dy vajza. Jeta e gjallë e Moskës kishte ndezur  tashmë pasionin për letërsinë tek Kadareja, ndërkohë që festat  e shumta dhe jeta e natës në Tiranë, periudha e kohës që kishte nxjerrë një sërë talentesh të reja letrare, e nxitën më tej krijimtarinë letrare të tij dhe çuan në lindjen e romanit të njohur “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, i cili pati një rëndësi të jashtëzakonshme për Kadarenë. Në vitin 1970, ky roman u bë famshëm në Francë, duke çelur për të dyert në botën letrare të perëndimit. Popullariteti gjithnjë në rritje i Kadaresë jashtë vendit, ndryshoi thellësisht edhe fatin e tij. Ismail Kadare në vetvete ishte një shkrimtar ambicios, i cili me një kaleidoskop letrar në dorë, shkruante gjëra të mëdha në Shqipërinë e vogël. Veprat e tij , plot truke të fshehur, ndryshojnë vazhdimisht nën ndikimin e dritës dhe hijes së copave dhe prizmave të xhamit. Legjendat folklorike shqiptare, që ai i njihte e i përdorte me mjaft zhdërvjelltësi, krijonin pandërprerë imazhin e Shqipërisë në romanet e tij. Në “Ura me Tri Harqe”,   “Legjenda e Rozafës” e shton misterin e të murrosurit që  sakrifikon veten për urën; tek “Kush e solli Doruntinën”, Besa e Konstandinit përbën rrëfimin e personazhes kryesore ndaj kapitenit Stresi; tek “Darka e Gabuar”,  “ardhja e të vdekurit në darkë, sjell një përshkrim rrëqethës në fund të romanit.

Në vitin 2005, kryetari i jurisë së Vlerësimit për Çmimin “Man Booker International”, kritiku letrar britanik, John Carey, e quajti Kadarenë “një shkrimtar që hedh në hartë një kulturë të tërë, historinë e saj, dëshirën, folklorin, politikën, fatkeqësitë. Ai është një shkrimtar universal i një tradite rrëfimi që shkon deri tek Homeri.” Dhe në fakt,  gjatë krijimit të romaneve të tij, Kadare është gjithmonë mendje hapur. Ai përfshin në to jo vetëm folklorin shqiptar, por ashtu si shumë  shkrimtarët perëndimorë, zgjedh temat drejtpërdrejt nga mitologjia greke e romake. Kjo dukuri vihet re sidomos në tregimet dhe novelat e tij të shkruara në vitet 90 të shekullit të kaluar. Sigurisht, Kadare nuk është rrëfyes në vetë të parë  i historisë dhe legjendave, por ai përpiqet të arrijë shprehjen e lirë, nëpërmjet metaforës dhe teknikave të ndërlikuara artistike. Romanet e tij zakonisht janë me ngjyrime të errëta e të përhime, shpesh ngjajnë me një pasqyrë bronzi të historisë,  duke pasqyruar në mënyrë të vagullt  mendimet e idetë e autorit të kamufluara nën hijen e muzgut.

Kadare është  mjeshtër i “sjelljes së historisë në realitet”, prandaj  tek “Pallati i Ëndrrave”, vepra kulmore e tij që satirizon realitetin e shoqërisë shqiptare, ne zbulojmë mprehtësinë e gjykimit dhe guximin e Kadaresë. 

Disa kritikë e kanë krahasuar Kadarenë me Kafkën, Faulknerin dhe Orwellin. Duke qenë shkrimtari më i njohur shqiptar në botë dhe një nga gjenitë më të shquar letrarë të Evropës Juglindore, romanet e Kadaresë kanë një strukturë epike, jashtë klisheve, imagjinatë  unike, të guximshme e drithëruese, me një shkrim elegant e konciz, që të lë një shije që nuk harrohet kollaj. Numërohen me gishta shkrimtarët në botë, të cilët konsiderohen si kolosë të letërsisë. Kadare e ka pranuar se ai është “shkrimtar i zakonshëm që ka shkruar në një sistem jo normal” dhe beson se përgjegjësia e shkrimtarit është të ketë aftësinë të krijojë pa dallim në periudha të ndryshme.” Kur shkruante, Kadare  preferonte të zhytej në ndonjë kafene ose të qëndronte anë oxhakut në shtëpinë e tij. Vitet e fundit, në një kafene mes gjelbërimit të dendur, buzë Liqenit Artificial të Tiranës,  do të dalloje shpesh siluetën e tij të ulur shpengueshëm për kënaqësinë e vet ose në takime me miq të shumtë. Pikërisht një shkrimtar i tillë me dhunti të fuqishme letrare e artistike, na bën që kur lexojmë “Prillin e Thyer”, të trishtohemi për Gjorgun, të cilit ia përpiu gjakmarrja mishin dhe gjakun, të shohim shkurtësinë dhe brishtësinë e jetës si dhe pastërtinë dhe bukurinë e lules së dashurisë që ka lindur nga vdekja; ose kur lexojmë “Aksidentin”, të trullosemi nga jeta e Rovenës dhe Besfortit, këtij çifti të  dashuruar që përballen me trysninë e dashurisë dhe pushtetit, si dhe të ndiejmë realisht jetën e gjallë të njerëzve të zakonshëm në Gadishullin Ballkanik. 

Në Shqipëri ka një fjalë të urtë që thotë se “Monedha ka dy anë”. Në njërën anë kemi Kadarenë, fitues të Çmimit Man Booker, të Çmimit Princi Asturias, të Çmimit  Jeruzalem në letërsi, të Çmimit Ndërkombëtar Neustandt dhe të titullit “Kalorës i Legjionit të Nderit” të Francës,  Kadarenë, veprat e të cilit duhet të jenë patjetër në bibliotekën e çdo shqiptari; nga ana tjetër kemi Kadarenë, veprat e të cilit dikur janë censuruar herë pas here, dhe ende edhe sot vazhdon të ngjallë polemika. Nuk e ekzagjeroj të them se, ata që e duan Kadarenë e shohin atë si një thesar, ndërsa ata që e përçmojnë nuk rreshtin së shari e kritikuari. Sidoqoftë, mjeshtërit  e letërsisë e gjejnë gjithmonë rrugën për të mbijetuar. Kadare ka lindur dhe ka jetuar për letërsinë. Dikur një mik shqiptar më pyeti, nëse mendoja se për të lexuar veprat e Kadaresë, është e nevojshme të njohësh Shqipërinë? Unë u mendova një çast dhe u përgjigja, edhe pa e njohur Shqipërinë, do ta duash Kadarenë. Sigurisht, nëse e njeh Shqipërinë do ta shijosh më tepër leximin dhe shumë detaje do të të duken më të gjalla, por energjia letrare e Kadaresë e ka kapërcyer tashmë hapësirën shqiptare. “Shqipëria letrare” që ai ndërtoi gjithë jetën me anë të letërsisë, i përket tashmë gjithë botës. Përkthimi në mbi 45 gjuhë të huaja i veprave të tij, e dëshmon më së mirë këtë gjë. Shumë përkthyes që kanë shijuar magjinë letrare të tij, ndjehen të lumtur që kanë pasur mundësinë të prekin mendime e ide të përbashkëta të njerëzimit dhe të bisedojnë  hapur me to. Është pikërisht kjo forca e pashtershme që letërsia e Kadaresë ju ka dhuruar njerëzve.  Për shkak të Kadaresë, viti 2024 pati disa të veçanta. Në mars ai u dominua sërish për Çmimin Man Booker International; në prill Shtëpia Botuese Yiwen në Shangai, ribotoi tre nga veprat e tij kryesore , “Prilli i Thyer”, “Pallati i Ëndrrave” dhe “Aksidenti; më 1 korrik ai na la lamtumirën dhe u nis për në botën e përtejme, për të cilën ai kishte shkruar shpesh herë. Sjell në mendje vitin e largët 1990 , kur gjatë largimit drejt Francës, shkroi nxitimthi poezinë “Koha e Pamjaftueshme”: I menduar gjer në çast të fundit,  Nga mosthënia, nga pengu tragjik,  Një shenjë ndoshta të pakuptueshme,  Do t’ju bëj të gjithëve e do ik” – që ngjan si kthim pas në kohë.

Exit mobile version