Kreu Letërsi Bibliotekë “Beso”, tregim nga Bajram Sefaj

“Beso”, tregim nga Bajram Sefaj

…e u bëfsh qyqe mali atje në maje

ku zemra s’prek e syrin e ndjell lakmia

Y. Shkreli

Nis e sos!

Gjersa po shtypja rreshtat e kallëzimit katil, mbi pulën me këmbë të  verdha, apo  të ndonjë tjetri para tij, ama-na! (për shembull), mendje s’më shqitej dot, oborri i shkollës  fillore të katundit tim Anës Drinit.

*

Atë ditë, pranverore qe, më së paku i ngjasonte kësaj stine, oborri i shkollës nxinte, nxinte nga frika dhe tmerri i vogëlushëve shkollarë,  kur, si thnegla, ishin dyndur gjithkund dhe kishin pushtuar çdo skutë e birucë.

Në vend se të pushtohej nga ngarendja, nga valët e buzëqeshjeve mëngjesore të kalamajve, veç sa po nisnin të shijonin jetën, oborrin e shkollës, e pllakoste një heshtje e trashë, e frikshme, si e kobshme!

Ishte ditë vaksinimi.

Vaksinimi, duhej të ishte digë e pritë, kundër ndonjë epidemie të ligë e shfarosëse, të rrezikshme, që u kanosej fëmijëve, filizave të rinj në pranverë, sidomos…

*

Të gjithë, si trumcakët në shi, ishin strukur pas njëri-tjetrit. Tkurrur si sardele të imëta, në konservë!

 Unë, ndërkaq, nxjerr kraharorin (gjoks pule!) dhe, me mëngë të këmishës arna-arna përvjelë, i prija kolonës, triumfalisht. Isha në krye kolone!

Si një Skënderbe, miniatural.

Bash si një prijës i paepur. Sypatrembur!

Në daç beso, në daç mos beso!

*

Mantelet e bardha, infermierë e infermiere, ndanin diçka. Jepnin diçka atje. Rreth një tavoline të madhe. Qoftë edhe majë gjilpëre. E kjo ishte boll. E imët sa përbirohet përmes veshëve të gjilpërës, si përmes thimthit të gjarprit anakondë, apo të ndonjë tjetri gjarpër akoma, ende, hala…, më helmues se ai.

 E pabesueshme fare!

E pabesueshme, por e vërtetë, e vërtetë përvëluese e lakmisë së madhe,  mospërfillëse saqë i prish, i shkatërron e i drobit krejt kodet e logjikës, të mundësisë së mundshme!

*

Ec e kuptoje, në kohë të sotme, një absurditet të tillë mahnitës. Vetëflijues!

E lakmoja, e lakmoja atë helm, majë gjilpëre. Jashtëqitja, vjellja e saj, më jepej falas!

A ka fare limit kjo bimë e keqe që, keq kishte zënë rrejë në zemrën (shpirtin) e një qenieje të brishtë njerëzore, kur me ngulm lypte hise në jetë!

*

Me zë lartë i bërtas vetes, në vetminë shurdhmemece. Deshi këmishë trishtimi, i qullur në djersë vdekjeje, tash një natë frik, gjersa kujtoja këtë skenë fëmijërie, që luhej aty, në oborrin e shkollës sime fillore në fshatin Anës Drinit…

E pi një gotë ujë të ftohtë.

Veten e marr më të mirë…

*

N’daç beso, n’daç mos beso!

(Shkëputur nga vëllimi me tregime Prozë urbane, ShB “Faik Konica”, Prishtinë 2019, faqe 155-158. Ripranverohet në stinën pa lule, Corona virus). 

Exit mobile version