Kreu Letërsi Bibliotekë Besnik Rama: Valixhja (tregim)

Besnik Rama: Valixhja (tregim)

U bëra me valixhe kur m’u desh të lija shtëpinë e fshatin për të udhëtuar drejt pedagogjikes së Elbasanit. Të mbushur me ato pak sende të domosdoshme, e ndërroja shpesh nga njëra dorë në tjetrën, i ndihmuar dhe nga xhaxhai që më përcolli deri në shkollë, aty ku vite më parë kishte qenë edhe vetë nxënës i sh-normales së famshme. Si të mos mjaftonte pesha e atyre me çfarë e kisha mbushur, rrugës ngjesha dhe ca gorrica e ndonjë mollë zaborgjeje. Atë ditë, dhe kohë më pas, as që e mendoja se kjo kuti dërrase e lyer me bojë do të mbetej bashkudhëtarja ime. Shkova në pedagogjike dhe u ktheva katër vite më pas me këtë valixhe, e cila në rrugën e kthimit të fundit mbante brenda dëftesën e pjekurisë, kënaqësinë dhe krenarinë e mësuesit të sapodalë, zarfe me letra të prindërve e të afërmve, bllokun e kujtimeve, fotografitë e sa e sa shoqeve e shokëve pedagogjikas, fletushka me krijime letrare, rroba trupi (me pakicë, se mezi i kisha dhe ato), libra (por jo të gjitha, se nuk i nxinte, ndaj m’u desh t’i mbaja në shpinë në një çantë sportive).

Çfarë nuk mbajti në pedagogjike kjo valixhe e vogël, që nxinte shumë! Gjëja më e rëndësishme që ruante, ishte dhjetëlekëshja (me të reja), që e fshihja midis kompensatës së poshtme dhe gazetës së shtruar, qysh çdo janar a shkurt për ta pasur për biletën e kthimit në një a dy korrik. Ato para nuk duhet të më binin në sy, se, po t’i shikoja, do të nxitesha për t’i shpenzuar dhe më zinte frika se mbetesha pa asnjë qindarkë për kthim.

Kjo valixhe ka mbajtur gjëra të rëndësishme, por jo sekrete. Sa herë më ndodh që ta vështroj, më krijon ndjesinë e “inventarit”, pa pasur nevojë për ta hapur, pasi dryni, roja e përhershme, mbetet siguria se, gjersa është valixhja, brenda janë të gjitha që kam futur e ka nxënë. Gjithmonë, në valixhe kanë zënë vend sende që më janë nevojitur rrallë, për shembull, diploma dhe lista e notave, ndonjë bllok i mbushur deri në faqen e fundit, dokumente që, nëse i vë diku tjetër, më marrin kohë sa t’i gjej, ose nuk i gjej kurrë, se mund t’i degdisur me të tjera të panevojshme, të dala jashtë kohe.

Valixhja nuk është nga sendet që mbahet sa në një vend në një tjetër. Ajo nuk e duron ndërrimin e vendit, gati njësoj si njeriu që, kur ndërron shtratin, nuk gjen rehati, ngrihet si i përgjumur. Meraku i valixhes fle vigjilent në trurin tim. Jo për ndonjë kursim të vogël që ka mundur të “strehohet” për një kohë të shkurtër apo më të gjatë, po për vlerat që mbart ajo si shoqëruesja ime e pandarë që nga adoleshenca.

Valixhja ime nuk ka bërë shumë ecejake. Vetëm vajtje-ardhjet shtëpi-shkollë-shtëpi dhe “transferimin” nga fshati në qytet. Ajo nuk ka pasur fatin e çantë-valixheve gjithë shkëlqim që i bien botës rreth e rrotull nëpër avionë charter, mbushur me veshje firmato e këpucë lustrafine, me parfume që mbajnë aromë dyzet e tetë orë, me aparate fotografike apo smartphone të shtrenjta, me atlete adidas e ku ta di unë. Valixhja ime nuk është rehatuar ndonjëherë as në makina luksoze. Fati më i madh i saj ka qenë të varet e të lëkundet në samarin e ndonjë kafshe ngarkese, duke ma lehtësuar peshën mua.

Eh, sa e lehtë është kjo valixhe kur e mbaj në duar, por sa e rëndë bëhet kur e hap! Veçse pesha që mban ajo, është plot me kujtime të ëmbla, me një jetë që çdokush nuk do të pendohej, nëse do t’i jepej mundësia ta rijetonte, qoftë dhe me të njëjtat të mira e vuajtje.

Exit mobile version