Kreu Letërsi Bibliotekë Besa Kalaja: Kthehet gjithmonë (tregim)

Besa Kalaja: Kthehet gjithmonë (tregim)

Gjumin e kam të thellë, të rëndë, duhet të ndodhë diçka e pazakonshme që të më nxjerrë prej tij. Edhe këtë herë ishte kështu. Më thanë se kishin provuar për rreth tri orë t’më zgjonin, por pa sukses. E ndjeva një dorë të akullt që më hyri në qafë dhe nisi të më lëkundte.

-U çua jerm, hapi derën me forcë dhe doli jashtë. Qe tri orë jam duke e pritur dhe nuk po kthehet. Nuk dëgjove gjë?- më pyeti një zë i trembur, shumë i frikësuar.

-Kur? Kush?- thashë duke u përpjekur të mblidhja veten.

-Shoku ynë i dhomës.

Edhe pse zhdukej herë pas here, tri orë ishin shumë. Zakonisht e dija ku mund ta gjeja. Për një çast mendova se duhej të bëja një plan, por i ftohti i dhomës nuk më linte të përqendrohesha.

-Vishu,- i thashë. -Duhet të shkojmë në dy vendet ku zakonisht e gjej. Shpjegimet dhe planin do t’i bëjmë gjatë rrugës.

– Është shumë herët, ora ende s’është 05:00,- ma ktheu.

-Mirë, po as këtu s’mund të presim. Shihe veten si je nxirë, i thashë.

Në një kryqëzim rrugësh u ndamë. Ai dridhej më shumë se unë. Kur ia zgjata dorën, nuk ma lëshoi menjëherë, ma shtrëngonte fort.

-Kthjellu!-i bërtita.- Të premtoj se do ta gjejmë.

Më tha se gjendja e tij ishte shumë e keqe.

-U zgjua, përshkoi gjithë dhomën, doli në korridor, u kthye prapë, u përpoq të hapte dritaren me forcë. Kur s’ia doli, u drejtua nga dera, rrotulloi çelësin dhe doli jashtë. U mundova ta ndal, por është shumë i fortë. Më rrëshqiti nga duart dhe u zhduk në natë.

I rashë në krah për ta qetësuar.

-Shko te kafja dhe prit. Ndoshta vjen aty, i thashë pa qenë shumë i bindur as vet.

Duke mërmëritur nën hundë, u bind.

Më duhej të shkoja në vendin më të gërditshëm që më kishin parë sytë. Kohët e fundit shkonte shpesh atje, takonte një grua. Shtëpia ishte pak më larg, po ecja me shpejtësi. Edhe pse pak më parë mendoja se gjithçka ishte nën kontrollin tim, fillova të dyshoja. Herë të tjera e gjeja shpejt, por jo pasi çohej jerm.

Mendimet më vërshuan njëra pas tjetrës. Nuk e dija nëse ishin vetëm ato dy vende që i frekuentonte. Ende herët për të parë nëse kishte njeri brenda. Vetëm njëherë shkova me të në atë shtëpi. Më pati marrë me zor e prezantuar njërën prej grave. Ishte shumë e shëmtuar. Era e thartirës e përzier me duhan më patën bërë të ikja me vrap. As ftohti, as vrapimi nuk ma hoqën neverinë. Në qoshen e një shtëpie pata vjellë për gati gjysmë ore. Disa ditë më pas pata ethe dhe temperaturë.

Trupi mu dridh.

Nuk e di pse mu kujtua tani. Njeriu nuk e ka luksin që në kushte të tilla të përfshihet nga kujtimet çfarëdo qofshin ato. U mbështeta te muri dhe prita. Pas gati dy orësh, disa burra në moshë dolën prej andej, të kënaqur. Çfarë kishin për të humbur? Qejf në fund të jetës.

Prita edhe pak. Ai nuk po dilte. Vendosa të hyja. Hapa derën jo pa frikë. Një grua në moshë, që shqeponte, hapi duart dhe, duke e prishur fytyrën, më tha se orari kishte përfunduar, se vajzat ishin lodhur dhe do të shkonin në shtëpi. U përpoqa t’i shpjegoja se nuk kisha shkuar për atë punë, por shikimi i saj mosbesues dhe forca me të cilën më nxori jashtë më bindën që s’do më lejonte të hyja brenda.

Isha gati i bindur se aty do ta gjeja.

M’u kujtua shoku tjetër. Më priste te kafeneja ku pinim kafen e mëngjesit. Një vend i ndotur, por ku ne humbnim në biseda që kurrë nuk na dhanë shenjë se diçka nuk shkonte me atë djalë.

U nisa drejt kafenesë. Shoku ishte brenda. Më tha se ishte mërdhirë, buzët i ishin nxirë, gishtat nuk i lëvizte dot.

-Nuk erdhi, duhet të njoftojmë policinë, nuk guxojmë të humbasim kohë. Dhe s’e kuptoj pse nuk na kanë treguar, apo pse ai vetë s’na ka thënë që çohet jerm- më tha i shqetësuar.

Fliste me ndërprerje. Gjuha i përdridhej, sytë i rridhnin lot.

I thashë se ishte herët për policinë. Duhej së pari të gjenim të afërmit.

-Po ne nuk njohim askënd, – tha.

Ishte e vërtetë, më erdhi ideja që të kontrollonim gjërat e tij. Edhe pse iu duk absurde, më ndoqi.

Në dhomë hyra zbathur njërën këpucë, tjetrën mbathur. Gjërat e tij ishin shpërndarë gjithandej. Fillova me librat dhe fletoret. Shfletoja shpejt. Gjeta vetëm disa fotografi erotike të prera nga revistat.

-Numrat!-bërtiti papritur.

U drithërova.

Çfarë?

-Numrat.

Ishte një fletë me numra telefoni dhe përshkrime të çuditshme. Në kllapa kishte shënuar emra si, tezja, nipi, nënë ziliqarja.

Nënë ziliqarja? Një nga njerëzit më të marrë që kam takuar. Ky numër duhet thirrur, mendova. Mora frymë thellë dhe shtypa numrin.

Nuk e di çfarë i thashë. Nga frymëmarrja e saj e ndërprerë e kuptova se nuk i interesonte.

-Ai kthehet gjithmonë,- tha dhe ma mbylli telefonin.

-Ai kthehet gjithmonë,- ia përsërita shokut, i përhumbur.

Sa herë e thërrisja, e njëjta përgjigje. Kurrë nuk e kuptova mungesën e dhimbjes për të birin. Mendimi për të shkuar për ta takuar atë grua më paralizonte.

Në telefon e thërrisja shpesh. E bezdisja me qëllim. I kërkoja hollësi, e pyesja nëse kishte ndodhur më parë, çfarë bënte ajo në këto raste. Gjithmonë e njëjta frymëmarrje e rëndë.

“Nënë ziliqarja”, më mbeti në kokë si jehonë. Nuk hyra kurrë në teori për ta shpjeguar, pse e thërriste dhe shënuarkështu në fletë. Nuk e biseduam kurrë as më shokun tjetër të dhomës. U pata çuditur si nuk e pati komentuar sepse ai gjeti fletën me numra të telefonit. Zaten i tillë është, kurrë nuk i komenton gjërat. As fakti që po e thërrisja gruan shpesh në telefon nuk e kureshtonte. Në njëfarë mënyrë me këtë sjellje mabëri të qartë që nuk do të merrej me këtë punë. Mbeta vetëm në kërkim.

Vetëm dhe i frikësuar. 

Edhe gruaja më hoqi lehtë qafe.

Herën e fundit që e thirra m’u përgjigj një zë tjetër. Më tha se gruaja ka vdekur para disa ditësh dhe të mos telefonoja më. Lajm vështirë i besueshëm po çfarë mund të bëja.

Luftën në kërkim të tij e vazhdova. Policinë nuk e lashë rehat asnjëherë.

Shkova drejt zyrave të policisë. Një polic trashaluq më priti. Pantallonat i vareshin, dorën e mbante mbi revole. Dukej i përgjumur.

-Nuk do të heqësh dorë. Ka kaluar mjaft kohë. Shoku yt e paraqiti rastin dhe vazhdoi jetën.

-Janë zhvilluar hetime?- e pyeta.

– Sipas dosjes, po. Disa pista, asnjë rezultat. E kishin parë afër kufirit.

– Mund ta kenë vrarë?

-Pse të vritej? Nuk ishte i rëndësishëm.

Ia ktheva se edhe njerëz të parëndësishëm vriten çdo ditë.

Ai qeshi. Pastaj foli gjatë për rastet me të cilat merren, për një djalë të varfër që kishte vjedhur një pulë, për shenja të lëna me qëllim nga kryerësit, për krimin që nxjerr njeriun nga anonimiteti. Në fund e mbylli dosjen, pa më shikuar asnjëherë në sy.

Me zhurmën e dollapit, u mbyll edhe rasti në zemrën time.

-Çohu, shkoi ora! Duhet të nisemi.

Dora e ftohtë në qafë më çoi. U ngrita shpejt.

-Ku është ai? A e keni gjetur?

Exit mobile version