Romani “Të murosurat” (Onufri, 2021) ndjek udhëtimin e brendshëm shpirtëror dhe udhëtimin jetësor të protagonistes Alba Darëzezi, e cila na paraqitet në dy realitete hapësinore dhe kohore të ndryshme: në Vienë dhe në qytezën e vogël në Shqipëri ku ajo kthehet dhe ritakohet me kujtimet e saj. Kthimi, i cili është një ndër temat kryesore të romanit, është momenti që ndan romanin në dy pjesë dhe në dy kohë të ndryshme të zhvillimit të ngjarjeve.
Gjysma e parë e romanit zhvillohet në Austri, ku Alba e martuar me një austriak, përfytyrohet me fat prej familjarëve të saj në Shqipëri, por problemet e natyrës psikologjike sa vijnë e i shtohen, deri në ftohjen dhe largimin tërësor nga lidhjet e zakonshme njerëzore, bashkëshorti, rrethi shoqëror etj. Në Austri, zbrazëtia dhe largësia e kontaktit të saj me njerëzoren, e izolon prej botës së jashtme. Por kjo nuk nënkupton thellimin në problemet me veten, përkundrazi problemi që ajo ka me komunikimin, shfaqet pikësëpari me veten. Mjekimet psikiatrike shtojnë disi dozën e çlirimit të saj dhe e bëjnë më të guximshme (deri diku), por pothuaj asnjëherë ajo nuk mundet të kuptojë shkakun e problemit të saj. Përballja me traumën është e pamundur, largimi i saj prej vendit të traumës ka qenë ‘zgjidhja’ që ajo i ka dhënë këtij problemi.
Romani nënvizon diferencat mes mendësisë, kulturës, feminizmit, lirisë dhe identitetit në Austri dhe Shqipëri. Këto diferenca nuk janë gjithsesi shkaku i vërtetë i pamundësisë së saj për të krijuar një lidhje funksionale me bashkëshortin, emrin e të cilit ajo e përmend me ironi dhe cinizëm, apo deri edhe me nënën e tij, me të cilën vihet re diferenca e fortë e natyrave të ndryshme njerëzore. Në Austri ajo do të kontaktojë me një klub ku gratë ndihmojnë njëra-tjetrën, ku gjen mbështetje dhe ngrohtësi njerëzore, por nuk mundet të mos vërejë skajshmërinë, ekzagjerimin, deri diku edhe shtrembërimin e ideologjisë feministe. Rrëfimi zvarritet mes situatave ku asgjë me rëndësi nuk ndodh jashtë personazhit – kjo për ta përballur me rrëfimin në Shqipëri ku tronditja e përftuar është tërësisht për shkaqe të jashtme dhe pa asnjë shkak të brendshëm. Nga njëra anë rrëfimi i privuar nga ngjarja, i kufizuar në disa takime pa shumë dialogje me një mikeshë dhe me një tentativë për dialog me Tomasin, të shoqin, i cili më e shumta që mund të prodhojë është një shpërthim histerie; nga ana tjetër rrëfimi intensiv në Shqipëri, i mbushur plot me ngjarje tronditëse, kuriozitet për njohjen e botës, dëshirë për liri etj. Qyteti i madh ku individi ndjen vetminë e tij të skajshme e për pasojë bën çdo gjë për të luftuar frikën, vendoset përballë qytetit të vogël të lindjes, ku gjithë bota është e zvogëluar brenda ngushtësisë së mendimit të personazheve. Bota ku edhe dashuria ka skadencë, ky kapitalizëm i ndjenjave, vendoset përballë një bote ku qëndrueshmëria dhe përhershmëria e lidhjeve njerëzore mbështetet në mungesën e ndjenjave. Bota ku personalja nuk i intereson askujt është po kaq e papërballueshme sa bota ku personalja shndërrohet në kolektive, dhunshëm.
Kthimi në Shqipëri është i detyruar. Vdekja e babait është shkaku i kthimit, njësoj si në mjaft romane të autorëve shqiptarë të diasporës, që nënkupton detyrimin e kthimit dhe jo zgjedhjen e personazhit për t’u kthyer. Kthimi është më shumë një sjellje e ngulitur, saqë ngjason me gjendjen e derealizmit në fillim të romanit, ku Alba rrinte shtrirë në divan duke menduar se kush ishte ajo grua që rrinte shtrirë aty (f. 75).
Fshirja e traumës nga kujtesa dhe largimi nga vendi i traumës, duket se kanë qenë një formë e gabuar e trajtimit të problemit të saj, i cili vetëm do të thellohet me kalimin e kohës. Zbulimi i momentit kur trauma ka ndodhur, ndodh me mjaft vonesë në roman, duke nxitur fantazinë e lexuesit drejt spekulimeve nga më të çuditshmet. Zgjedhja e autores për ta vendosur mjaft vonë në skemën narrative momentin e përballjes me traumën, mban të gjallë suspansësn duke e bërë rrëfimin interesant dhe gjithashtu fuqizon natyrën përgjithësuese të mënyrës sesi shihet tema e gruas në roman. Duke tejkaluar fatin individual të protagonistes, Arapi përgjithëson përmes këtij rrëfimi fiksional, mbi dhunën ndaj gruas shqiptare, e cila është rrënjosur thellësisht në vetëdijen shoqërore, saqë normalizimi i saj duket vështirë të tejkalohet.
Vetë qëllimësia e jetës së gruas si gjymtyrë ndihmëse në jetën e burrit, jeta e të cilit është e vetmja që ka rëndësi, apo venerimi i gruas vetëm në ato raste kur jeta e saj flijohet për familjen – e lë gruan moderne në udhëkryq. Atëherë kur protagonistja është psikologjikisht e dobët dhe kërkon të kuptimësojë ekzistencën e saj, fillon të pastrojë apartamentin e saj në Vienë, edhe pse këtu askush nuk ia mat ekzistencën me shërbimin ndaj burrit. Është e qartë se këto veprime janë reflekse të ngulitura dhe e ndihmojnë atë të mos mendojë, pra të mos përballet me traumën madhore që ka ndodhur në rininë e saj.
Zhvendosja e traumës, është një zgjedhje narrative mjaft interesante që tregon ndërlikimin psikologjik të protagonistes, pasi në të vërtetë ngjarja traumatike i ka ndodhur të motrës së saj dhe jo asaj vetë. Por zhvillimi psikologjik i dy motrave pas traumës është krejt i ndryshëm, motra e madhe duket se e tejkalon traumën që në momentin e ndodhisë së saj, ndërton një jetë funksionale (brenda Shqipërisë) dhe madje gjen pasionet e saj profesionale. Ndërkaq, motra e vogël, pra Alba, shënjohet nga kjo traumë e cila mbartet me vete deri në jetën që ajo bën jashtë vendit. Natyrat e ndryshme të motrave, ndikojnë në format se si secila e përthyen këtë ngjarje, por në të ndikon mjaft edhe një faktor tjetër psikologjik, që lidhet me faktin se Alba e ka parë gjithnjë të motrën me adhurim, është rritur duke e konsideruar atë më të guximshme se veten, duke admiruar lirinë e saj etj. Jo më kot romani zgjatet fort në lidhjen e fortë deri në nevojë, që motra e vogël ka me të madhen, sidomos kur figura e nënës paraqitet e ftohtë dhe ndëshkuese.
Lexuesi do të gjejë tek “Të murosurat” gruan shqiptare në histori, në legjenda (murimi), aq edhe në bashkëkohësinë e peizazhit urban të qytetit modern europian. Ajo mbart me vete gjithmonë “murosjen” si mallkimin e saj, të cilin është kushtëzuar prej një ushtrimi shekullor që ta shohë si trofe. Romani eksploron se sa e vështirë është që një qenie njerëzore të dalë nga kushtëzimi i saj dhe të kërkojë kuptimin vetjak të ekzistencës së saj. Me një gjuhë të përkorë e të matur, larg ekzotizimit të subjektit të gruas shqiptare (sidomos po të kemi parasysh se autorja jeton në Gjermani), me një rrëfim që nuk nxitohet, Arapi arrin të na trondisë përmes romanit të saj.