Kreu Letërsi Shënime mbi libra Bekim Lumi: Shekspiri dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit

Bekim Lumi: Shekspiri dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit

Hyrje

Falë përsosmërisë, gjenialitetit dhe gjithanshmërisë së saj, vepra dramatike e William Shakespeare-it (1564 – 1616) mund të lexohet, shestohet, zbërthehet, shkoqitet dhe shpjegohet në mënyra të ndryshme dhe nga këndvështrime të ndryshme. Kjo, natyrisht, nuk ka të bëjë vetëm me mënyrën e as vetëm me mundësinë e leximit e të trajtimit regjisorial të tragjedive, dramave historike e të komedive të Shakespeare-it, të cilat, sidomos tashmë në rrethanat dhe në përvijimet bashkëkohore, varësisht nga prirjet regjisoriale, përmes shfaqjeve të ndryshme teatrore i gjejmë në forma, versione e “motërzime” nga më të çuditshmet, por edhe me vet rrafshin e gjerë e të gjithanshëm të studimeve shakespeareologjike, të cilat, që prej disa shekujsh, varësisht nga autorët, nga qasja, metodologjia, motivet, prirjet, idetë apo qëllimet e tyre, variojnë dhe shpërfaqen në formën e shqyrtimeve, shkoqitjeve, zbërthimeve, kritikave, vlerësimeve dhe përfundimeve nga më të ndryshmet. Edhe pse të gjithanshme e të shumta në numër, pjesshme apo gjithëpërfshirëse, shqyrtimet, kritikat dhe studimet e deritashme jo vetëm që nuk i kanë shterruar dot të gjitha mundësitë e studimit të veprës Shakespeare-it, por, me vet thellimin dhe zgjerimin e tyre të vazhdueshëm, i kanë vënë në pah edhe më shumë përmasat e saj të skajshme e, bashkë me këtë, edhe nevojën e pashmangshme të gjurmimit dhe të studimit të saj të mëtutjeshëm nga këndvështrime të ndryshme. Jo rastësisht, poeti, dramaturgu, eseisti dhe kritiku britanik T. S. Eliot (1888 – 1965) thotë se “Kritika për Shakespeare-in do të ndryshojë gjithmonë bashkë me ndryshimin e botës” (“Shakespeare criticism will always change as the world changes.”)

Por, gjithsesi, është e qartë se jo gjitha shqyrtimet, shkoqitjet, shpjegimet dhe studimet e ndryshme, shpesh edhe për shkak të njëanshmërisë së autorëve të tyre, përputhen gjithmonë me krejt atë që, në të vërtetë, e jep, e paraqet, e pasqyron dhe e nënkupton vepra dramatike e Shakespeare-it. Madje, në raste të caktuara, ato, ka të ngjarë, të jenë pjesërisht apo krejtësisht të njëanshme, ashtu siç janë të njëanshme apo madje edhe spekulative, bie fjala, shumë nga të ashtuquajturat “teori” dhe “zbulime”, të cilat, në rastet më të skajshme, në mënyrë bukur të zëshme, e mohojnë edhe vetë qenien e Shakespeare-it. Pavarësisht nga kjo, Shakespeare-i dhe vepra e tij jo vetëm i kanë bërë ballë kohës dhe prirjeve për keqkuptimin, keqinterpretimin apo edhe mohimin e tyre, por, gjithashtu, falë magjisë, prirjes dhe fuqisë së saj të përhershme letrare e artistike, me kalimin e kohës, ashtu si mosha e venës qindvjeçare, sa më shumë që janë lexuar dhe studiuar, e kanë shtuar edhe më tepër etjen, afshin, dëshirën dhe nevojën për leximin dhe studimin e tyre të mëtutjeshëm e të vazhdueshëm.

Nuk themi diçka të re nëse pohojmë se vepra dramatike e Shakespeare-it, edhe më tutje, vazhdon të jetë një lëndë e begatshme dhe e pashterrshme sidomos në fushën e studimeve krahasuese. Brenda këtij përvijimi, ashtu siç mund ta kenë vënë re shumë më herët studiuesit e shumtë, një nga përparësitë dhe prirjet e saj të dukshme është edhe ajo , duke qenë e gjithanshme, gjeniale e monumentale në artin dhe në përmasat e saj, ajo, përmes temave, ideve, fabulave, motiveve, ngjarjeve, vetave etj., veç tjerash, përputhet, flet e bashkëvepronlirshëm edhe me gjuhët, traditat dhe kulturat e kombeve e vendeve të ndryshme. Si e tillë, ajo, përmes krahasimit, jo vetëm që mund të lexohet, studiohet, shqyrtohet, zbërthehet dhe shpjegohet, por, në raste të caktuara, në krahasim me traditat e ndryshme kulturore, edhe të kuptohet më ndryshe. Një mundësi të këtillë na e jep, bie fjala, krahasimi i saj me kodin zakonor shqiptar, përkatësisht me Kanunin e Lekë Dukagjinit.

1. Shakespeare-i, ky “mysafir” i vonuar ndër shqiptarët

Përkundër karakterit shumështresor dhe mjaft të gjerë të studimeve shakespeareiane në rrafshin botëror, në të cilat, veç tjerash, vepra dramatike e Shakespeare-it është shqyrtuar dhe trajtuar nga këndvështrimenga më ndryshmet e më çuditshmet, kur jemi te përkimet apo te krahasimet ndërmjet saj dhe traditës kulturore shqiptare, ajo, të paktën me gjendjen e deritashme, në studimet albanologjike, të autorëve shqiptarë apo të huaj, ndoshta për shkak të vet karakterit të tyre më të kufizuar, më “ishullor” dhe më të “profilizuar”, nuk është prekur (pothuaj) fare. Aq më pak në këto studime janë pasqyruar apo trajtuar përkimet e shumta dhe mjaft interesante ndërmjet Shakespeare-it dhe Kanunit të Lekë Dukagjinit. Mungesa e studimeve të kësaj natyre, edhe pse e pakuptueshme, pjesërisht mund të shpjegohet me ardhjen e vonuar të Shakespeare-it në botën shqiptare, por, ashtu sikundër edhe në fusha të tjera të ngjashme, edhe me mungesën e ndjeshme të shakespeareologëve shqiptarë.

Zaten, në krahasim me gjuhët e kombeve dhe vendeve të tjera të Europës, në të cilat vepra e tij dramatike ishte përkthyer shumë më herët, Shakespeare-i, thënë me gjuhën kanunore, ishte një “mysafir” i vonuar ndër shqiptarët. Për një vend si Shqipëria dhe një komb si shqiptarët, cilët, për shumë se pesë shekuj, ishin nën robërinë e gjysmëhënës osmane, gjatë cilës, përveç shtypjes e shfrytëzimit të egër, nuk e gëzonin as të drejtën për t’u shkolluar e as për shkruar në gjuhën e tyre, e ku librat e shkruar në shqip e të botuar jashtë vendit, gjithë deri me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, më 1912, shpërndaheshin ilegalisht, ardhja e vonuar e Shakespeare-it është e kuptueshme. Është, gjithashtu, prandaj, po aq e kuptueshme pse, edhe kur është fjala për inskenimin e tyre, dramat e Shakespeare-it në botën shqiptare, në Shqipëri dhe në Kosovë, dy vende ku teatri, në kuptimin e mirëfilltë profesionist, zë fill vetëm mbas Luftës së Dytë Botërore (1945), u vunë në skenë shumë vjet më vonë nga koha e përkthimit dhe e botimit të tyre.

Në të vërtetë, aventura interesante e shqipërimit të Shakespeare-it zë fill në vitin 1915 me përkthimin e Othellos (Othello), për të vazhduar më tutje, në dhjetë vitet e ardhshme, me tri kryeveprat e tjera të tij. “Unë ia pata filluar me Othellon, që u botua në gjuhën shqipe në vitin 1916 dhe, dhjetë vjet më vonë, përkthimet e mia të Hamletit (Hamlet), Jul Cesarit (Jul Cesar), dhe Makbethit(Macbeth)u botuan në Belgjikë”, shpjegon shumë vjet më vonë, më 1964, tashmë në moshën 82 vjeçare, përkthyesi i Shkrimit të Shenjtë dhe përkthyesi i parë i Shakespeare-it në shqip, poeti, historiani, politikani, muzikanti, themeluesi dhe kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Fan Stilian Noli (1882 – 1965), përndryshe, në vitet ’20 të shekullit të kaluar, edhe shef i opozitës parlamentare dhe, për një kohë të shkurtë, edhe Kryeministër i Shqipërisë. Krejt shkarazi, është për t’u vënë re se, nga katër përkthimet e tij të kryeveprave shakespeareiane, Fan Stilian Noli e shquan sidomos përkthimin e tij të Makbethit. Ai, pra, thotë: “Duke i lexuar sot versionet e mia të përkthimit në gjuhën shqipe, mendoj se Makbethi ka qenë përkthimi im më i mirë, sepse ka qenë i fundit dhe asokohe e pata mësuar punën e rëndë të përkthimit pak më mirë.”

2. Autorësia, mbledhja, kodifikimi dhe botimi i Kanunit

Me formatin e tij juridik, etnologjik, antropologjik, letrar, gjuhësor dhe, përgjithësisht, kulturor, Kanuni i Lekë Dukagjinit, i cili ngërthen në vete shumë nga traditat, doket, zakonet, sjelljet, shprehitë dhe ritualet e vjetra shqiptare, me të drejtë njihet dhe vlerësohet si një vepër monumentale e kulturës popullore shqiptare.Në të vërtetë, kur është fjala për autorësinë, Kanuni, ashtu sikundër edhe njihet me titullin e tij, i atribuohet princit mesjetar shqiptar, Lekë Dukagjini (1410 – 1481), zotërimet e të cilit, me emrin “Principata e Dukagjinëve”, shtriheshin në Shqipërinë e Veriut, duke përfshirë Lezhën, Zadrimën e disa toka tjera në veri e verilindje të Shkodrës, gjithë deri në Prizren e më tutje deri në Ulpianë. Përkundër disa shtresimeve të mëhershme apo edhe të mëvonshme, ky kod zakonor, i cili mëton të jetë pjellë e vendit dhe e kohës në të cilën jetoi dhe veproi Lekë Dukagjini, kur është fjala për versionin e tij në formë të shkruar, është mbledhur, kodifikuar dhe botuar me një vonesë bukur të konsiderueshme. Duke qenë një kod, apo, siç e quan një nga njohëset e tij më të thella, skocezja Margaret Hasluck (1885 – 1948), ligj i pashkruar, i cili u transmetua dhe u trashëgua përgjatë shekujve në formë gojore nga ithtarët, praktikuesit dhe zbatuesit e tij, Kanuni i Lekë Dukagjinit, në fund të shekullit 19 dhe në fillim të shekullit 20, në kohën kur ende, kryesisht në Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë, ishte në kulmin e fuqisë së tij, u mblodh nga goja e popullit dhe u mbarështrua e u përgatit për botim nga shkrimtari, arkeologu, etnologu dhe prifti françeskan shqiptar, Atë Shtjefën Gjeçovi (1874 – 1929), një burrë mendjendritur, të cilit, siç shkruan një nga miqtë e tij, shkrimtari, publicisti dhe diplomati Faik Konica (1875 – 1942), askush nuk mund t’i afrohej në diturinë e këtij Kanuni. Dhe, ndonëse në mënyrë të pjesshme apo fragmentare u botua më herët, fillimisht, në vitet 1897 – 1899, në Bruxelles, në revistën Albania e, më pas, në vitet 1913 – 1924, në revistën e françeskanëve shqiptarë Hylli i dritës, Kanuni i Lekë Dukagjinit, në edicion të plotë, u botua nga Shtypshkronja Françeskane në Shkodër (Shqipëri) më 1933, disa vjet mbas vrasjes tragjike të kodifikuesit të tij, Shtjefën Gjeçovit, në një pritë (pusi) të organizuar qëllimisht nga xhandarët serbë.

Përkundër mbledhjes, kodifikimit, botimit dhe publikimit të tij të vonshëm, si dhe përkundër ndikimeve, ndërhyrjeve apo mbishtresave të mëvonshme, qofshin ato me karakter anësor e, ndonjëherë, edhe qenësor, në raport me materien e tij të hershme nga koha e zanafillës, e ngjizjes apo e formësimit të tij, falë, ndoshta, karakterit, fanatizmit dhe mendësisë jashtëzakonisht tradicionale, fisnore, patriarkale e konservative zbatuesve të tij (malësorëve shqiptarë), thelb, gjithë deri me mbledhjen dhe kodifikimin e tij nga Atë Shtjefën Gjeçovi, Kanuni i Lekë Dukagjinit, ashtu siç vlerësojnë disa nga njohësit dhe studiuesit e tij, në ashtin, apo në disa nga motivet dhe kaptinat e tij kurrizore, kryesisht nuk është prekur, por e ka ruajtur natyrën, formën dhe origjinalitetin e tij. Pikërisht këto kaptina të hershme, këto motive të lashta kanunore, me pamjet e tyre arkaike, të hirshme, të bukura, të madhërishme, por edhe të ankthshme e tragjike, janë ato përmes të cilave, në disa nga ngjarjet kthesë dhe më domethënëse, përmes përkimeve dhe krahasimeve, mund të shqyrtohen, të shkoqiten dhe, ndoshta në një mënyrë të veçantë, edhe të zbërthehen dhe shpjegohen disa nga motivet, ngjarjet dhe veprimet në disa nga kryeveprat tragjike shakespeareiane.

Në të vërtetë, një lexim më i vëmendshëm i veprës së Shakespeare-it, sidomos i disa tragjedive të tij, në rrethana apo në krahasim me kodin dhe traditën zakonore shqiptare, vë në spikamë se Kanuni i Lekë Dukagjinit, përkatësisht disa nga kaptinat apo copëzat e këtij kodi zakonor, të tilla si: Miku, Të premt e mikut, Të sjellunt e të zot’t të shpis me miq në shpi, Ndera vehtjake, Gjaku, Vrasa, Prita, Dorërasi, Besa, Deka etj., mund të shërbejnë jo vetëm për shkoqitjen, por edhe për zbërthimin, në një mënyrë tjetër, të disa veprimeve të kryepersonazheve të pinakotekës së përgjakshme shakespeareiane, tablotë e errëta, dramatike, ngjethëse e tragjike të të cilës, çuditërisht, në shumë nga ngjyrat, dritëhijet dhe motivet e tyre, shëmbëllejnë kaq shumë me tablotë monumentale e të makthshme të peizazhit të përgjakshëm e po aq tragjik të botës kanunore shqiptare.

Exit mobile version