Thelbi i rimarrjes, megjithatë dhe veçmas si përkujtesë librore, përftoi dhe lartoi praktikën shkrimore Borgesiane. Një përvojë shkrimi, që ka joshur me dhjetëra shkrimtarë të shquar të letërsisë botërore, duke u bërë një dukuri estetike e përveçme, madje hartografia letrare, gjithëkohore dhe gjithëhapësinore, gjithnjë e më shumë dëshmon se realizmit magjik nuk i përket vetëm ngjyra amerikano-latine. Shkrimtarë të tillë si Chingiz Aitmatov, Umberto Eco, Sally Gearhardt, Herman Hesse, Peter Hoeg, Janette Hospital, Herbert Read etj., gjithnjë sipas studimeve letrare (Evelyn C. Leeper, kritik amerikan i kësaj kohe), kanë të shkruar dhe ligjëruar së paku nga një libër me tonet dhe ngjyrat e realizmit magjik. Listës së gjatë, të shkrimtarëve të këtij modeli letërsishkrimor, mjaft interesant, natyrshëm u rri pranë edhe Franz Kafka me “Metamorphosis”. Esenca letrare, veçmas ajo e trilluar në tregimtari, ngjashëm me formulimin gjasime kujtesash, siç e pati përcaktuar Borges-i, si një përftesë autoriale dhe domethënëse e formatimit të shkrimit të prozës, ku noton pjesa më e madhe e prozës së Kutelit, njëherit fsheh dhe zbulon prani arketipale, të cilat integrohen edhe në materien e prekshme fantastike dhe magjike, pra më shumë si një dysi letrare, e ngjeshur në ngjyrimet fantastike dhe magjike. Megjithëse, pranëvënia kaq ndërliqshëm dhe fuqishëm nga ana letrare e universit (real) të çuditshëm me Universin (imagjinar) të mrekullishëm, siç e sugjeron Plasari, mbetet në gjendje të pezullt dhe që pret të lexohet dhe zbulohet pambarimisht. Në thelbin e shprehësisë letrare trillimnaja e imagjinares e presupozon fantastiken dhe, madje edhe mundësohet si realitet letrar nëpërmjet kozmogonisë së saj, aq të bukur dhe të larmishme. Pra, në përpjekjen e suksesshme për ta larguar vargonjësh të leximit sociologjik, e ngushtojnë krejt pakuptueshëm rrethin e shqyrtimit dhe të verifikimit të prozës kuteliane, duke i vënë ca më tepër dhe vetëm mëgojëzën e formatit fantastik.
Ndërsa në prozën e mirëfilltë autoriale, tregimet dhe novelat e tij, por edhe rrëfimet dhe rrëfenjat, pjesa më e madhe e tyre, padyshim që përqarkëzohen edhe nga principet fantastike, si dhe pikëpërkimet e tyre rastësore me realizmin magjik. Prozat e këtilla si: “Vjeshta e Xheladin Beut”, “E madhe është gjëma e mëkatit”, novela të qarta këto, “Qysh e gjeti Ago Jakupi udhën e Zotit”, “Fshati im e pi rakinë”, “Lumi i madh”, “Xha Brahua i Shkumbanores”, tregime të pastra, si dhe rrëfenja “Rinë-Katerinëza” e ndonjë tjetër, në shpalimin e ndodhive dhe të shprehësisë letrare, i përkasin në njëfarë mënyre edhe ngjyrimeve të realizmit magjik. Ato, përgjithësisht dhe veçmas, ofrojnë një botë reale të përvijuar mjeshtërisht nga shkrimtari, personazhe realiste si Xheladin Beu, Ago Jakupi, Xha Brahua, Kalia etj. Gjithashtu, po aty, vërejnë se mesazhet që përcillen në tekstet e këtyre krijimeve, bartin gjurmë të një moraliteti të paqartë dhe të mjegulltë, si dhe pasqyrohen dhe përndriten edhe konflikte të brendshme personale, si dhe ndërpersonale. Shenjë tjetër, që bartin tregimet dhe novelat, rrëfimet dhe rrëfenjat e shkrimtarit, por edhe teksti romanor, është edhe margjinalizimi dhe portretimi i pasioneve vigane. Burimësia e prozës së shkrimtarit, nga ana e leximeve dhe studimtarisë së shqipes, me shpeshti kërkohet:
– Në krijimtarinë gojore, aq e larme në letrat shqipe.
– Në pasazhet biblike, më të prekshme sidomos në tekstin e novelës mbi mëkatin e trupit.
– Në shfrytëzimin e teksteve biblike, tashmë të përkthyera, nga Kristoforidhi dhe Noli.
– Në fitimin e përvojës shkrimore të këtij tipi shkrimor dhe patjetër edhe të nivelit artikulues dhe letrar, nga më të dalluarit në letrat shqipe, sidomos pas përkthimit të Gogolit etj.
– Në shfrytëzimin e një përvoje të dyfishtë dhe të dyzuar, edhe mitike, pra sipas mitit rumun, edhe librore, kryesisht simbas romanit “Drakula” të Braun Stoker etj.
Gjer më tani, nga ata që e kanë studiuar dhe pranuar vlershmërinë e paratekstit, gjithnjë në marrëdhënie me tekstin parak, pra me tekstin pasardhës dhe madje edhe me situatën e hipertekstuaslitetit, pra të situatës së plotë të një rrjete të pranishme tekstuale, në trajtesat teorike ose shqyrtime analitike, të kryera me këtë rast, nuk ka ngjarë ende, në asnjë kohë dhe rrethanë, në asnjë letërsi dhe autor, të madhe apo të vogël, që ky i fundit, pra parateksti hipotetik ose edhe i argumentuar, si ndërlidhni dhe prejardhje, të përmbysë dhe të përzërë tekstin autorial. Nëse mund të ngjasë, atëherë do të duhej konsideruar Letërsia si Histori e Parateksteve, pra do të duhej të shembej ngrehina e Historisë së Letërsisë Botërore, e po ashtu edhe çdofarë Histori Letërsie e tjetërsojshme, dhe të niste procesi i shqyrtimit dhe i shkrimit të Historisë së Parateksteve Letrarë. Sugjerimi i hedhur kohë më parë rreth kësaj çështjeje të mirëfilltë teorike, por po kaq edhe praktike, nga Northrop Fraj në librin “Anatomia e Kritikës”, teksa shprehet: …përpjekjet për ta krahasuar Banionin dhe Spenserin pa iu referuar Biblës, ose për të gjurmuar ngjashmëritë e tyre në një origjinë të përbashkët me romancën laike janë disi të pavend…(1990: 264), përndrit jo pak prej humbellave të pranishme. Si me çdo fushë tjetër, edhe në marrëdhënie me letraren dhe verifikimin e saj, edhe në shekullin e njëzet e një, ne vijojmë të dëshmojmë vonesën e fazës, në kapjen dhe trajtimin e kësaj dukurie me mjaft vlerë. Në periudhën pasmoderne, mënyra e verifikimit krahasimtar, paraqitet si një optikë më tepër në tërheqje e sipër, se sa në fushëveprim, prandaj vrundullimat e fundme i ngjajnë më shumë një suferine pas tufanit ose revolucionit të vonuar në një gotë uji. Vepra e letrare e shkrimtari ka kaluar në tri periudha pranie dhe mospranie:
A – Të shkëlqimit, si shkrimtar dhe intelektual i dorës së parë, me veprimtari të gjerë botuese dhe studimore, që përfshin një periudhë të ndritur të historisë së ekzistencës së kombit shqiptar, si dhe të letërsisë së viteve ‘30 dhe ulet sipari i saj në nëntor të vitit 1944.
B – Periudha e dyzuar, e heshtjes së gjatë dhe vrastare të emrit, figurës dhe veprës së gjerë letrare, një heshtje tronditëse dhe shkatërrimtare.
C – Rizbulimi i Dhimitër Paskos, në të gjitha përmasat përfaqësuese, si intelektual dhe shkrimtar, e sidomos i krijimtarisë dhe kontributeve të vyera të tij.
Shqyrtimi krahasimtar, kryer me jo pak ngut, u bë rishtas shkas për të evidentuar edhe prirjet kryesore në trajtimin e krijimtarisë, në ndërkohësi:
Së pari: Një lexim sociologjik dhe i metodës letrare që në fakt, pa shumë zhurmë ka arritur që ta zbehë veprën e tij letrare
Së dyti: Leximi i përqasjes së veprës së autorit, përgjithësisht me letraren librore. Burimet, kryesore dhe të dëshmuara, varësisht mënyrave të leximit dhe shqyrtimeve, janë kundruar në disa pamje:
– Si një përvojë e huamarrë nga krijimtaria gojore, kryesisht e popullit shqiptar, së paku po të nisesh nga pohimet e vet shkrimtarit, i cili ka përndjekur dhe parapëlqyer krijimtarinë gojore.
– Si një huamarrje që lidhet, dukshëm dhe qartësisht me artin libror, ku edhe tentohet të shpërfaqet alternativa e përqasjes, qoftë me Biblën, librin e shenjtë, por edhe me letraren autoriale, qysh me Gogolin, Tolstoin, Borgesin, Markesin, Kristoforidhin, Nolin etj.
– Së fundi dhe kryesisht rasti i novelës “E madhe është gjëma e mëkatit”, siç është lënë që të kuptohet se paskërka ndikesa të dyfishta, edhe librore, posaçërisht me romanin “Drakula” të shkrimtarit irlandez, Braun Stoker, botuar në vitin 1847, si dhe orale, pra nga miti rumun mbi drakulën.
Fakti i novelës “E madhe është gjëma e mëkatit”, veçmas kjo e fundit, që Kuteli, e shkruan dhe e pohon vet qartazi se është mbështetur vetëm në gojëdhënat e vendlindjes së tij, pra të Pogradecit, e ndërlikon jo pak situatën e trajtimit dhe verifikimit të atij teksti, të krahasimit me tekstin parak të mitit rumun, e mandej edhe me tekstin e romanit të Stokerit, gati të pagjasshëm në tekstin e novelës, (Në mos qoftë si qëllim parak që në fillim të lidhet novela me mitin rumun, e mandej jeta dhe origjina e vet shkrimtarit me rumunët, çka ditën për diell ka ngjarë me Migjenin duke rrëmihur në gjurmë të pa baza lidhur me origjinën e tij serbe, me pa të drejtë dhe pa asnjë argument shkencor), kryesisht në kuptimin e një hamendjeje, përgjithësisht po hipotekë përqasjeje, të artikuluar si krahasim:
– Si shenjë e padiskutueshme e shtrirjes dhe pranisë së mitit edhe në folklorin shqiptar.
– Si dëshmi e rishkrimit të saj nga ana e shkrimtarit, çka në fakt gati e pamundëson përputhjen e mitit, si mit i pastër rumun apo i përpunuar në romanin e Braun Stoker.
– Si detaj ndërlidhës i nevojshëm dhe i pashmangshëm, pra ku shfaqet dhe shpërfaqet elementi që lëviz nga njëri popull te tjetri.
– Si lodrim qëllimor dhe funksional i autorit, natyrisht një lojë e dyfishtë dhe e dyzuar.
Fillesat e diskutimit të dhënie-marrjes të kërkohen qysh me “Epin e Gilgameshit” dhe sidomos mjaft të prekshme me veprën poetike të Homerit, e cila është mbështetur në mitet dhe mitologjinë e lashtë greke përmbi Luftën e Trojës. Në këtë kuptim, krejt të ngushtë dhe vetëm shqyrtues dhe verifikues, poemat homerike, pra “Iliada” dhe “Odisea”, kanë si paratekste mitin e Trojës dhe padyshim edhe dhjetëra mite të tjera të antikitetit. Po ashtu, moria e teksteve të tragjedianëve të antikës greke (Eskili, Sofokliu, Euripidi, por edhe komediani Aristofani), kanë si paratekst veprat fondamentale të Homerit, si dhe mitologjinë e lashtë greke. Mjaft interesante dhe domethënëse paraqitet gjurmimi i parateksteve të veprave shekspiriane, të cilat natyrshëm të çojnë, në kuptimin e mjeteve dhe frymës dramatike, tek tekstet e Eskilit, sidomos tek gojëdhënat anglike dhe padyshim edhe te gjeneza Biblike. Prapë Shekspiri mbetet Shekspir. Për të kërkuar paratekstet e pamënjanueshme ndihmon edhe sugjerimi i dhënë prej Erich Fromm: Edhe pse është e vërtetë që përmbajtja e mendimeve tona, kur jemi zgjuar, nuk i nënshtrohet kufizimeve të hapësirës dhe të kohës, kategoritë e mendimit logjik janë ato të hapësirës e të kohës. (1998: 23), tek libri “Gjuha e harruar”, diç sqaron dhe kthjellon nga makthi përjetues i përqasjeve të burimësisë paratekstuale dhe të teksteve origjinare dhe të origjinës. Këtij rregulli të prianshëm të ekzistencës dhe evoluimit të letrares, ose siç e sugjeron Teodorov tek “Poetika e prozës”, ndërsa nënvizon: Ligji i mospërsëritjes (sado e vështirë që të jetë për t‘u besuar se mund të imagjinohet një ligj i tillë estetik); një tekst autentik nuk ka përsëritje.(2000: 16), nuk ka shanse t‘u shpëtojë as ligjërimi letrar i shqipes, i çdo hapësire dhe kohe. Mjaft domethënëse në pikëpamje të tekstit dhe paratekstit, të vlerës dhe situatës që ngërthen tekefundit situata tekstologjike është ideja e U. Ecos: …teksti është një makinë e keqe që kërkon nga lexuesi shumë vëmendje dhe bashkëpunim.(1997: 66), e hedhur në librin “Gjashtë udhëtime nëpër pyjet narrative”. Situata e teksteve që mbindërtohen si paratekste, nuk prek ase tanon tekstin kutelian:
Së pari: Dyfishimi mbindërtues, si tekst i mbivënë apo si një mbishtresim i pashmangshëm, është kapilari i pandërprerë i letërsisë si univers i mëvetësishëm dhe i vetvetishëm.
Së dyti: Sprova letrare, e çdo letërsie, pra edhe e letrave shqipe, përtej kohore dhe hapësinore.
Së treti: Si ligjësori e brendshme, pavarësisht gjuhës, pavarësisht hapësirës dhe kohës, e magjisë letrare, e cila nuk mund të kuptohet, pa praninë e mbindërtimit të zanafillës.
Prandaj, që të shmanget ajo çka paralajmëronte më herët tek Leksione Amerikane Italo Calvino: …se sa shokantë, janë ata që mendojnë ta anatemizojnë tekstin, ata që e teprojnë me close reading (1997:37), si për të shpëtuar nga makthi i kërkimtarisë së tepruar, i kërkimtarisë së pambarueshme dhe madje të pambërritshme të letrares, të artit që i tejkalon zakonisht përmasat e matshme. Dija teorike i qaset tekstit, pa harruar se: Fjala poetike i shpjegon gjërat, por asgjë s‘mund ta shpjegojë fjalën poetike dhe fjalën në përgjithësi.(1996: 22), siç e sugjeron U. Eco te libri “Struktura e Papranishme”. Tekembramja materia poetike, së pari do parë në raport me vetveten, ose siç e formulon Xhonatan Culler: …se kuptimi i tekstit është përvoja e lexuesit (një përvojë që përfshin mëdyshjet, hamendjet dhe vetëndreqjet).(2001: 71), në librin “Teori Letrare”. Teksti letrar, pra proza e Kutelit, nuk ka gjasa t‘u mëshihet dy situatave:
– Kontekstit shkrimor, të fiksuar dhe ta pandryshueshëm, që bart vulën reale dhe mbetet e palëvizshme.
– Kontekstit receptiv (marrës), po aq i rëndësishëm.
Ngjashmëria formale apo më gjerë se sa kaq, shpërfillet qysh prej lashtësie, nga Aristoteli kur thosh: Kështu, Sofokliu nga një anë është imitonjës i ngjashëm me Homerin, se që të dy imitojnë personazhe me karakter më të mirë, por ai nga ana tjetër është i ngjashëm edhe me Aristofanin…(1998: 54), duke e parë kështu ngjashmërinë si ndërlidhje dhe marrëdhënie e pashmangshme.