Kreu Letërsi Shënime mbi libra Behar Gjoka: Jetësorja dhe imagjinarja të shkrimtarit Namik Dokle

Behar Gjoka: Jetësorja dhe imagjinarja të shkrimtarit Namik Dokle

Refleksione mbi trilogjinë “Atje ku dielli lind dy herë”, “Toena”

“Saga e Gorës” e shkrimtarit Namik Dokle është një dëshmi letrare që shfaqet pashmangshëm edhe si fat dhe frymë ekzistence, si ngjyresë dhe prani në tekstet e të tri romaneve të saj dhe ku vendlindja shndërrohet në identitet. Megjithatë, në lëvrimin e letërsisë, ka raste kur shenjat identifikuese të vatrës së lindjes, e tejkalojnë ngjyrën përveçuese, e prandaj gjurma e këtillë, receptohet si shenjëzim estetik. Në romanet e botuara pas viteve ’90 të shekullit të kaluar, e sidomos në shekullin e njëzet e një, si shqiptim i qartë i vendlindjes, i koloritetit origjinar, janë edhe tri romanet e shkrimtarit Namik Dokle. Shqyrtimi i pranëvënë i teksteve, e kuptimëson hetimin e shenjave përbashkuese dhe veçuese, që pasohen nga njëri libër në tjetrin. Ligjërata mbi gjurmimin e vendlindjes, në secilin prej romaneve dhe kundrimin përbashkues të tyre, do të ndalet në disa çështje tipologjike:

A            – Triptik apo trilogji

B             – Dyzimi i kohës reale dhe letrare

C             – Zhanri i romanit postmodern

D            – Materia letrare në mes jetësores dhe imagjinares

Tri romanet e N. Dokles, veçmas krijimtarisë së endur në dramatikë dhe në prozën e shkurtër, pak më herët, përfaqësojnë hapësirën e sugjeruar, si shenjëzim etik dhe estetik, ndonëse janë tregues identitar të vendlindjes, të Gorës, ku takohen kufijtë, besimet, etnitë dhe gjuhët e ndryshme. Pikërisht në kapërthimin e ndërliqshëm, ku pasqyrat përputhen dhe përplasen, marrin dhe japin, në hapësirën tekstologjike, të shtrirë në tri romane, ia ka mbërritur me ngjiz tharmin artistik, që ka në qendër vendlindjen. Pranëvënia e tyre, e të tri librave, që kanë plazmuar vendlindjen, vatrën e frymimit të shkrimtarit, ka bërë që nga njëra anë, të shihen si të ndarë, si tri tekstet që kanë në qendër Gorën, djepin ku u përkundën ëndrrat fëminore të autorit. Nga ana tjetër, janë tri pamje, të ndryshme dhe të përafërta, që ndërkaq kanë  epiqendër Gorën. Në leximet e gjertanishme, këto tekste janë parë në një situatë të dyzuar, janë trajtuar edhe si të shkëputura, por edhe si tekste që kanë vijimësinë e imazhit të vendlindjes, jo vetëm si identifkim, por edhe si shenjë e rrokshme artistike. Në leximet dhe rileximet e këtyre teksteve, ka mbizotëruar shqyrtimi si vijimësi, pra me i pa tekstet e romaneve si të ndërlidhura, që madje pasojnë njëri-tjetrin, duke e përcaktuar si triptik apo trilogji. Në procesin e leximit dhe zbulimit të realitetit letrar, që bartin romanet, herë kundrohen si tripik, e herë si trilogji, pavarësisht se jam lëkundur midis të dy përcaktimeve, tashmë jam i prirur të përqafoj përcaktimin trilogji. Në librin Fjalorth Termash Letrar, me autor Gjergj Zhejin, ndër të tjera theksohet: Trilogji-a (gr. Trilogia). Tri vepra letrare të karakterit dramaturgjik ose narrativ, të bashkuara nga e njëjta ide e autorit (1968: 219, Rilindja, Prishtinë). Ky formulim, me ndonjë nuancë ndryshe, ripërcaktohet në librin Fjalor i gjuhës shqipe: Trilogji-a, seri prej tri tragjedish a dramash, subjektet e së cilave janë vazhdim i njëri-tjetrit (2005: 574, Botime Çabej), ndërkohë që formulimi tripik nuk haset në këtë fjalor.

Dyzimi i kohës reale dhe letrare

Kundruar brenda teksteve romanore, pra, pikërisht në atmosferën e kohës si pakohësi, e dëshmisë si shenjë artistike, lënda e shtrirë në tri tekste, si gjendje e përveçme shpërfaqet në dy rrafshe:

Së pari: Koha konkrete, që në romanin e tretë, Ditët e lakuriqëve të natës, sjell për lexuesin gjendjen e viteve ’60, të shekullit të kaluar, pra është më e largët. Ndërkaq romani i parë, Vajzat e mjegullës, në materien letrare, përshfaq klimën e viteve pesëdhjetë, që përkon më dyzimin e qenies, pothuajse me tëhuazimin e plotë të saj. Romani i dytë si radhë botimi, Gora pa zogj (Lulet e skajbotës), ndërkohë sendërton kohën e tanishme, diçka më në brendësi, fatin e hidhur të njeriut si mërgimtar.

Së dyti: Koha letrare, në pjesën dërrmuese të hapësirës tekstologjike, përgjithësisht e ka përmbysur kohën jetësore, dhe më së shumti ka endur Gorën gati magjike, të përthyer në tri pamje thelbësisht imagjinare, e ku fillesa shënohet me “Vajzat e mjegullës”, dëshmi e kredhjes së autorit në shkrimin e prozës. Zhanri i hapur letrar, pra romani, ku rrëfen fëmija përmes dyzimit të kujtesës, që më tepër i vë në përleshje dy kohët, pagëzoi lëvrimin e romanit nga ana e autorit. “Kthimi i dytë”, me gjasë si vijim malli, në gjirin e vendlindjes, tanimë si dhimbë dhe ankth, skicohet në disa përthyerje të befta në hapësirën e tekstit Gora pa zogj (Lulet e skajbotës), një pasqyrë e dyfishtë, ku e sotmja zbulon shpërfytyrimin e frikshëm, që ndodhi dje dhe ngjet edhe tani. Megjithatë, rrathët e ferrit, rrënjët e shkatërrimit të humanes, të shtjelluar vetëm në gjashtë ditë, vizatohen me penelata të shpejta, por edhe me vija të thella rembrandiane te romani “Ditët e lakuriqëve të natës”, që në shijen time shenjon pikën më të lartë të vëllimit si marrëdhënie me vendlindjen, e po kaq si vlerë e shpaluar artistike.

Kuptohet se koha reale, është vetëm si sfond, ka të bëjë me kontekstin jetësor, që megjithatë shkërmoqet ditë pas dite në vetëdijen tonë, ndërsa në tri tekstet, në tri pasqyrat, është shpalosur mishërimi  estetik, ku imagjinata ka tejkaluar konkreten, si dhe ka stampuar marrëdhënien e qenies me kohën gri, të fasadës shkëlqyese, në përmbysjen e plotë kohore, tanimë si tmerr i pasojës. Endur në dyzimin  kohor, letrarja e teksteve, sugjeron mosharrimin, sepse e keqja përsëritet pambarimisht, ashtu siç e përmend Kundera marrëdhënien me kujtesën, e po kaq, koha letrare, e fton lexuesin, qenien njerëzore, që të largohet prej makthit kohor, ku madje vrasja e dashurisë valëvitet si fitore. Romanet e autorit, tri tekste të të njëjtit zhanër, kanë fiksuar kohën letrare, përthyerjen imagjinare, me kahje fantastike dhe magjike, si dëshmi dhe çlirim shpirtëror, si dhe shenjë estetike, e derdhur në një formë të ndryshme që e kapërcen realitetin, siç e formulon H. Bloom, pra vendlindja është hapësira reale dhe imagjinare e realitetit letrar. “Rikthimi” në vendlindje, përmes shkrimit letrar, pra vetëm si projeksion imagjinar, e cila ka në mes distancën e kohës dhe të moshës, nuk e ka penguar autorin për të endur tekste, që anësohen nga tharmi fantastik, e përpos tjerash buron nga kapërthimi ndërkohor.

Romanet postmoderne

të shenjuara si trilogji

Tri tekstet e autorit, përveç përafrimeve të pranishme, si vijimësi e “ndriçimit” të vatrës së vendlindjes, ndërkaq përveçohen në tipologjinë e zhanrit, si romane. Kapërcimet kohore dhe hapësinore, që shqiptojnë protagonistët dhe ngjarjet, narrativa dinamike dhe detajet përshkrimore, të vendit dhe kohës, kanë përtheksuar tipologjinë e romanit, të shpërfaqur si sendërtim i trilogjisë, në kuptimin e plazmimit të skicës së trefishtë të Gorës, vendlindja e shkrimtarit. Megjithatë, përbashkësimi në brendësi, në gjasat e projektimit të trilogjisë, si vizatim i Gorës në tri pamje, lidhet pashmangshëm me atmosferën e shkrimit letrar, ku ndërthuret realizmi me fantastiken, e mbi të gjitha aty sendërtohet ngjyresa postmoderne, si një rikthim në të djeshmen e kujtesës së autorit, e po kaq në të dikurshmen e qenies njerëzore. Ikja në kohën tjetër, në romanet “Vajzat e mjegullës” dhe “Ditët e lakuriqëve të natës”, është realizuar si një rikthim imagjinar, në kohën që e kemi lënë pas, gjë që dikur është sugjeruar nga U. Eco, si tregues i pastër i ironisë intertekstuale, e cila përkon me poetikën postmoderne, si shkrim i risemantizuar. Nga ana tjetër, romani Gora pa zogj (Lulet e skajbotës), krahas ndërthurjeve të pranishme kohore, sugjeron arratinë hapësinore në ndërkohësi, si përplotësim i ngjyresave postmoderne, e rizbuluar në hapësirën e tekstit. Vetë akti i rikthimit në vendlindje, çka e rizbulon botën që e ka bartur si kujtesë të rikujtuar, kuptimëson mallin dhe nostalgjinë, prej nga nuk mundesh të ikësh kurrë, vendlindjes së ngulitur në mendje dhe zemër, është formësim i një reflektimi të kujtesës dhe rizbulimit, që e plason fatin e qenies, në klimën e postmodernes, si një proces vetëdije.

Në mes jetësores dhe imagjinares

Realiteti letrar, thurur në tri imazhe, që e vizatojnë trilogjinë e vendlindjes, pavarësisht përthyerjeve kohore dhe narrative, sendërtohet përmes dy elementëve thadrues:

– Konkretes, si hapësirë e Gorës, e vendlindjes, e pamjeve të saj të larmishme, në dy kohë, së paku në motet e monizmit dhe në gjoja demokracinë, ku më tepër notojmë si të dehur. Jetësorja mishërohet në përshkrimin e mjedisit, e bukurive mahnitëse, e po kaq në praninë e leksikut të përdorur nga protagonistët, që anësohet nga riaktivizimi i frazeologjive, si dhe i ligjërimit të figurshëm.

– Imagjinarja në trilogjinë e autorit, madje në secilin tekst të saj, është thelbi endës estetik, pavarësisht një situate paqëllimore për ta thurur si të këtillë. Anësimi kah imagjinarja, lidhet me sjelljen në kujtesë të gojëdhënave, siç ngjet me shkallët e dritareve të dashurisë, që shpaloset në romanin “Ditët e lakuriqëve të natës”. Imagjinarja me tharm të dukshëm fantastik, ngjet edhe si proces legjendarizues, pra si mëveshje me tis legjende të përditshëmrisë, e cila shpallet në romanin “Lulet e skajbotës”, ku Gora projektohet si pasqyrë e dyfishtë. Kurse për romanin “Vajzat e mjegullës”, i cili plazmon kujtesën e kujtesës, ka vlerë pohimi i Zija Çelës: “Ndërkohë që mjegulla ngrihet, pas grisë së saj shfaqen ngjyrat e një tabloje që, ndonëse aq e veçantë për autenticitetin e vet, e përjashton spekulimin me ekzotiken.” Përveç treguesve të jashtëm, të shenjuar në secilin tekst të trilogjisë, imagjinarja/fantastikja, sendërgjohet nga prania e narrativës dhe dinamikës shpaluese dhe të subjektivizuar, së paku në dy kohë. Universi letrar, plazmuar në tri romane, që përbëjnë fondamentin e trilogjisë, të endjes së tablosë së vendlindjes, të Makondos së autorit, parësisht lidhet me shkrimin e ndërliqshëm:

·  Të kohës së largët, si kujtesë e fëminisë, ku zbulohet vendlindja dhe shkruhet e gdhendur në vetëdijen e përhekimit dykohor.

·  Të kohës së shkrimit letrar, si një distancë e gjatë kohore, ku malli i mungesës nuk ka gjasa që të zëvendësohet me pamjet e shkëlqimit të kujtesës.

Shkrim i gërshetuar, tashmë si kohë e kujtesës, ku pikojnë legjendat dhe gojëdhënat, me shkrimin e kohës letrare, ku mbishtresohet prania dhe mungesa, ka bërë të mundur thurjen e një realiteti letrar të përveçëm, me tharm fantastik, që nganjëherë anon kah poetika e realizmit magjik. Gora nuk është shpikur, ajo ka qenë dhe është aty, një realitet konkret. Gora, thelbësisht imagjinare, në tekstet e autorit, megjithatë është rishpikur dhe përthyer, në magjen e shkrimit letrar. Mbase diçka dinim, ose kishim dëgjuar, ndonëse fytyrën dhe shpirtin e Gorës, me shkëlqimin e plotë, ose ajo gjendje unike, siç e formulon J. Asensio, “historia e përjetshme e njerëzve”, i zbuluam në tri pamjet e mishëruara në tri romanet e Namik Dokles, botuar së fundmi në vëllimin Atje ku dielli lind dy herë – Saga e Gorës.

Exit mobile version