Kreu Letërsi Bibliotekë Bashkim Hoxha: Vito (fragment nga romani)

Bashkim Hoxha: Vito (fragment nga romani)

1

– Mos më qani mua, qani veten tuaj!

Pas këtyre fjalëve, Vito buzëqeshi hidhur, tundi një herë kokën dhe u kthye në brinjë e nuk u ndie më. Nuk u ndie as frymëmarrja e rëndë që kishte pasur ato ditë, si fëshfërimë gjethesh të plakura vjeshte.

Dy gratë e moshuara që vigjilonin mbi të kujtuan se e zuri gjumi, por kur njëra prej tyre, Dafina, i preku lëkurën e rreshkët të faqes, e ndjeu atë të ftohtë akull. E alarmuar, e ktheu trupin e Vitos nga vetja. Trupi i ngrirë lëvizi i rëndë si një trung dhe u lëshua mbi minder.

Kishte vdekur.

Tërë ditën Vito kishte folur për vdekjen, sikur e kishte parandier.

– Kam disa amanete për varrimin tim.

– T’u thaftë goja, hesht! – e kishte kundërshtuar Dafina. – Nuk ke muhabet tjetër? Ç’punë ke ti me vdekjen? Ka kohë për të vdekur.

Vito kishte buzëqeshur, ja kështu siç i kishte ngrirë në buzë një e fshehtë, një e fshehtë hokatare tinëzare.

– Të trembin fjalët? Mos u bëni të marra. Herët apo vonë askush nuk i shpëton vdekjes. Fshihu sa të duash, ik e mbyllu në shpellë, mbyllu po të duash me shtatë palë çelësa, po të pati ardhur ora, ajo do të të gjejë. Do të hyjë si ajri nga vrima e çelësit. Vetëm se, kam ende edhe një kërkesë. Dua të iki në heshtje.

– Po përse në heshtje? – e kishte pyetur Varvara.

– Kështu them unë. Dhe po jua lë amanet. Amanetin nuk e tret dheu, – tha Vito prerazi.

– Ti ke përcjellë me ligje kaq shumë njerëz, të njohur e të panjohur. Përse për vete dashke të ikësh kështu në heshtje? – e pyeti Varvara, duke përfytyruar grumbullin e njerëzve me arkivol në krahë që ecnin në majë të gishtave në mënyrë që heshtja të ishte e thellë.

– Ju thashë, varrimin e dua të heshtur dhe kështu të ma bëni.

– Nuk ke muhabet tjetër? Prapë fillove me vdekjen? – ndërhyri Dafina, por ajo bëri sikur nuk e dëgjoi.

– Mos lajmëroni në fillim njeri të largët. Le të më përcjellin vetëm njerëzit që kanë mbetur në fshat. Pasi të më keni hedhur edhe grushtin e fundit të dheut mbi varr, njoftoni kë të doni. Le të vijnë kur t’u bëhet mbarë. Filloni me Saimirin, tim bir që jeton në Kanadanë e largët dhe vazhdoni pastaj me time bijë, Doruntinën, që është në Tiranë. Por vetëm me një kusht, lajmërimet do t’i bëni vetëm atëherë kur unë të kem ikur.

– Ata do të na zemërohen, – tha Varvara. – Kur ta marrin vesh, do të na shajnë.

– Do të bëni si ju them unë. Nuk dua të më lini gjatë në pritje sipas orareve të aeroplanëve apo autobusëve. Nipi i Kanadasë, Danieli, që nuk di shqip dhe dy mbesat e Tiranës, Monaliza dhe Luela, le të vijnë kur t’u bëhet mbarë. Nuk ka rëndësi se kur. Mund të kalojnë këtej edhe kur të jenë rritur. Por dikur duhet të kalojnë me patjetër të më përshëndesin nga afër, jo nga WhatsApp -i. WhatsApp-i ua shtrembëron fytyrën. E pres prej tyre nga një trëndafil. Kushdo tjetër që do të më respektojë, mbi varr mund të hedhë një trëndafil. Vetëm se trëndafilat duhet të jenë të bardhë. Kurdo që të vdes, dua të më varrosni në agimin më të afërt, atëherë kur ka zbardhur dita, në rrezen e parë të diellit, tamam atëherë kur edhe bilbilat dhe laureshat nisin të këndojnë. Ju të gjithë dua të jeni të heshtur që të më përcjellë kënga e tyre. E more vesh përse më duhet heshtja?

Varvara dhe Dafina mbetën si të shushatura tani që ajo kishte vdekur.

– Po tani? Çfarë do të bëjmë? – tha Varvara.

– Si çfarë do të bëjmë? Çfarë bëhet kur një njeri ka vdekur. Do ta përcjellim, – iu përgjigj Dafina.

– Ajo na vuri kushte.

– Do të ketë folur përçart.

– Ajo i quajti amanete.

– Ose ka bërë shaka, – këmbënguli Dafina. – Na tha të mos lajmërojmë njeri. E kupton sa kot ka folur? Njeriu kur ikën kërkon ta përcjellin sa më shumë njerëz. Ajo nguli këmbë si mushka që të ikte vetëm.

– E çuditshme kërkesa e saj.

– Prandaj them, ose shaka, ose përçart. Nuk është e lehtë të ndahesh nga kjo botë për të shkuar në një botë tjetër. Atje nuk e di ç’të pret.

– E frikshme duhet të jetë, – tha Varvara.

– E frikshme. Dhe frika është e pamundur të kalohet vetëm.

– Po edhe ajo fjala amanet na vë në siklet. Është e rëndë të mos mbash amanetet e tjetrës në shtratin e vdekjes.

– Amanet i paarsyeshëm. Kështu quhen fjalët e saj. Po varrin, kush do t’ia hapë varrin? Unë, ti apo ata pleq që kanë mbetur në fshat e që mezi lidhin ushkurin dhe tërheqin këmbët zvarrë kur ecin? Nuk ishin amanet fjalët e saj. Ishin shaka. E pe që kur fliste ajo qeshte me vete?

– Ajo derisa ka dhënë shpirt ka qenë duke qeshur. Shiko. I ka ngrirë në buzë e qeshura. Mos ndoshta ka ikur duke u tallur me ne? Se ndryshe ç’kuptim do të ketë pasur kjo qeshje.

– Ku i dihet?! Ajo tërë jetën e pamarrë vesh qe. Qani për veten, na tha.

Erdhën vërdallë pa ditur se çfarë të bënin më parë.

Në murin e dhomës ishte një pasqyrë e vogël e futur në një kornizë. Varvara e mori nga muri dhe e afroi te buzët e Vitos. Kishte dëgjuar se po të krijohej avull, kjo do të thoshte se njeriu është gjallë, në të kundërtën, kishte vdekur.

Nuk pati asnjë shenjë.

– Kot e ke. Është e sigurt që ka vdekur. Po si t’ia bëjmë? – tha Dafina.

– Unë s’ia them fare në këto raste, – tha Varvara duke lënë mënjanë pasqyrën e vendosur në kornizë. – Edhe kur më vdiq im shoq, me varrimin e tij u morën të tjerët. Vito e qau. T’i themi priftit, papa Kozmait.

– Mirë e ke. Ai e di se si veprohet në këto raste.

– Po për ta larë, mund ta lajmë. Tim shoq e lava vetë kur më iku, – tha Varvara. – Ti vetëm më ndihmo ta ngremë.

E ngritën të dyja dhe e vendosën në mes të dhomës. E zhveshën lakuriq trupin e saj të vyshkur, por të bardhë, sikur asnjëherë nuk e kishte parë dielli.

Vito i kishte lënë të gjitha gati.

Në dollap, të vendosur në këmbë, gjetën një arkivol druri me lule të gdhendura, që kushedi kur e kishte blerë.

– Pa shiko! E ka ditur që do të ikte. Paska blerë edhe arkivolin, – tha Dafina.

– Asnjeri nuk i shpëton vdekjes. Fundi i rrugës atje është, – tha Varvara. – Por Vito qenka përgatitur për së mbari.

Brenda në arkivol ishin palosur rrobat e hekurosura, fringo të reja, ndërresa të bardha borë: një fustan i bardhë me lule të vogla të verdha të zbehta, çorape mëndafshi të bardha, një rrip mesi në ngjyrë të lehtë lulelimoni, me një tokëz të florinjtë në trajtën e një breshke që sjell fat me kurriz smeraldi të gjelbër, një palë këpucë lustrafin në ngjyrë të bardhë dhe sipër të gjitha këtyre, një tufë trëndelinë e tharë, e verdhë në kafe, që mbushte me aromë dollapin ku vareshin rroba të shumta që më parë Vito i kishte veshur, të gjitha të zeza.

– Mos më thuaj se këto të bardhat janë rrobat e vdekjes.

– Ato duhet të jenë. Shiko me sa kujdes i ka palosur brenda arkivolit. Rrobat e tjera janë të gjitha të përdorura.

Preku në kremastar një fustan të zi e fustani u lëkund si ta kishte prekur era.

– Ja, këtë fustanin këtu e ka veshur kur vdiq djali i Anetës. E mbaj mend mirë, sepse kishte këtë xhepin e madh ku ishte futur një pëllumb që e lëshoi kur nxorëm xhenazen nga shtëpia. Edhe këtë trikon e zezë e mbaj mend kur vdiq burri i Nurijes. E vërtiste gishtin te kjo vrimë komçe, shiko si është çarë. I ka veshur për së gjalli rrobat e zeza. Këto rrobat e bardha nuk i ka lënë kot të palosura në arkivol. I ka lënë që t’ia veshim kur ta përcjellim, – tha Dafina.

– Oh, jo. Çdo gjë që i takon vdekjes duhet të jetë serioze, edhe rrobat. Vetëm ngjyra e zezë i shkon vdekjes.

– Mundet që Vito të ketë mbajtur shumë zi tërë jetën dhe ikjen e do të bardhë. Nuk vihen në diskutim dëshirat e një të vdekuri.

Pasi e lanë dhe e veshën me rrobat e ruajtura kasten për këtë rast, ato e ngritën me vështirësi dhe e shtrinë në krevat përsëri.

– Pa shiko! Sa e bukur na ka dalë Vito.

Lëkura e bardhë, rrobat e bardha, pak fërfëllima floriri në tokëzën e rripit dhe ajo pak e gjelbër në kurrizin e breshkës së fatit, gjithçka me dritë.

– Nuk thonë kot se lumturitë ndodhin në ikje, – tha Varvara duke e soditur, e magjepsur nga bukuria që rrezatonte Vito.

Vito e kishte kaluar gjithë jetën e veshur me të zeza, ose të paktën kështu e kishin parë ato në shumicën e rasteve, sepse ajo bëhej e rëndësishme vetëm në raste vdekjeje të të tjerëve. Si vajtojcë profesioniste, ajo kishte pasur gjithmonë të mbivendosur në rroba dhe fytyrë shëmtimin e zymtë që të jep zija. Sa ishte gjallë, në këto vaki, Varvara vështrimet mbi të i kishte pasur të shkurtra, i largonte frikshëm dhe nuk kishte mundur asnjëherë ta sodiste si tani që rrezatonte kaq bardhësi nga shtrati ku e kishin vendosur të vdekur.

– Paska qenë e bukur Vito, – i tha Dafinës.

– Vërtet e bukur. As unë nuk e kisha vënë re. Përherë e kam parë serioze e të fisme, pa shiko se sa me dritë po na ikën.

– Kur e shoh kaq të bukur, më duket e lumtur. Edhe buzëqesh, pa shiko. Me sa duket, e dinte se do të ikte me kaq dritë dhe prandaj na tha të mos e qanim.

– Ajo na tha të qajmë veten, – kujtoi Dafina.

– Po veten pse? E kishte një kuptim ajo fjalë. Nuk na e tha kot. Iku pa na e thënë sekretin.

– Ç’sekret zeza, – tha Dafina dhe shkoi te korridori të vishte këpucët. – Po shkoj të lajmëroj të tjerët. Sa mundëm, bëmë. Më tej nuk bëjmë dot gjë vetëm.


2

Varvara e soditi për një kohë të gjatë Viton, qëndroi ulur përballë saj.

“Ja, kaq është njeriu”, – mendoi ajo. – “Për herë të parë ma kanë zënë sytë nuse të veshur me të bardha kur erdhi në fshat dhe po me të bardha po e shoh tani që po ikën. Nga e bardha në të bardhë. Në mes është shkruar jeta”.

I dukej sikur po shihte një njeri tjetër nga ajo që kishte takuar më parë.

Vito erdhi nuse në vjeshtë. Varvara kishte ardhur para saj, në pranverë. Para se të bëhej dasma, në fshat ishte përhapur lajmi se do të vinte ajo, vajtojca që e thërrisnin nëpër vdekje.

– Vdisni të qetë. Tani do ta kemi vdekjen dy hapa larg, – tha vjehrra e Varvarës, që atëherë ishte gjallë.

– Shenjë e keqe. Nuk rrohet me vdekjen në një fshat, – tha vjehrri i Varvarës, që vdiq pas dy muajsh dhe që Vito e qau.

Një nga gratë e fshatit, atëherë nuse të reja, tha te kroi se ajo që vinte ishte magjistare. Ajo shpjegoi se ka dy lloje magjistaresh. Ka nga ato që të plotësojnë dëshirat kur i takon në rrugë apo në pyll si plaka të drobitura që kërkojnë duke rënkuar t’u japësh një gotë ujë se u është tharë buza ose t’i ndihmosh të këpusësh për to manaferra. Po t’i ndihmosh, t’i plotësojnë dëshirat. Ajo që vinte nuk ishte e tillë. Ishte një magjistare e çastit të fundit që nuk merrej me dëshirat, por me pengjet e rënda të jetës, i nxirrte në shesh për të lehtësuar rrugën e mundimshme për t’u ngjitur në qiell. Si mund të jetë një njeri që ka për zanat vdekjen e të tjerëve?

U habitën kur Thanasi, burri i saj i urtë, ngriti duvakun dhe panë një vajzë të re, me lëkurë të bardhë dhe që nuk të kujtonte asgjë nga plakat magjistare, siç i përshkruanin përrallat.

Më pas, Varvara u bë shoqe me Viton dhe nuk gjeti tek ajo asgjë prej magjistareje. Më shumë gjeti një vjershëtore, që magjinë e bënte me fjalë dhe me mundimet e heshtura që ua merrte të tjerëve e i mbante për vete. Vito krijonte skena që donin shumë fantazi dhe përjetim, e bënte çdo gjë të dukej si e gjallë, edhe pse përpara gjithmonë kishte një të vdekur. Varvara filloi ta shihte me dhembshuri se çfarë zanati të vështirë kishte zgjedhur.

Po të mendoje se sa vdekje kishte kaluar duke qarë, tani Vito duhej të ishte si një trung i vjetër peme, i rrudhur e i gërryer.

Por, jo. Ajo shkëlqente.

Varvara u ngrit dhe hyri në banjë të lante duart. Hapi çezmën dhe ndërsa uji filloi të rridhte, ngriu, duke parë veten në pasqyrë. Ngaqë kishte qenë gjithë mbrëmjen duke vigjiluar dhe ngaqë ishte lodhur ca si shumë duke e zhveshur, duke e larë dhe duke e veshur të vdekurën, në pasqyrë Varvara pa një njeri të lodhur. Kishte dy qeska të zeza nën sytë e pagjumë dhe në përgjithësi, fytyra kishte ngjyrën e rreshkur të dheut. Për më tepër, edhe pasqyra ishte e vjetruar dhe i shtonte njollat e errëta.

“Sikur kam vdekur unë dhe jo Vito. Ajo po ikën duke buzëqeshur”, – mendoi Varvara.

– Dafina! Përse të na ketë thënë të qanim veten? – tha me zë të lartë.

Dafina nuk iu përgjigj dhe Varvara vazhdoi të vëzhgonte veten ndërsa uji i çezmës rridhte.

Ajo nuk e kishte vënë re më parë se sa shumë rrudha kishte. Në pasqyrë asnjëherë nuk ishte ndalur gjatë prej kohësh, që kur kishte hequr të kuqin e buzëve tridhjetë e ca vjet më parë, kur i kishte vdekur Leonidha.

Leonidha kishte qenë sharrëxhi, me një motosharrë priste trungjet e pemës për llogari të një ndërmarrjeje të qytetit. Ai thoshte se në trungjet e pemëve ka nga një rreth që shënon çdo vit që ikën dhe aty janë shkruar të gjitha: thatësirat, shirat, vetëtimat…

“Pemët kanë rrathët, njerëzit kanë rrudhat”, – mendoi Varvara.

Në jetën e saj ajo kishte shumë pak fotografi, gjithsej nja tri a katër. Po në vend të fotografive kishte rrudhat. Aty ishte fiksuar e gjithë jeta e saj. Si shënimet e viteve, rrathët në brendësi të trungjeve të pemëve.

Varvara vuri re se rrudhat në ballë nuk zgjateshin njësoj, disa prej tyre ndërpriteshin, disa ishin më të cekëta dhe disa më të thella, si gjurmë qerresh.

Kishte edhe një gjurmë të thellë që nuk zgjatej askund, si gjurmë kali.

Ah, kjo duhej të ishte gjurma e kalit që e kishte sjellë nuse në këtë fshat. Tingëllonin mbi gurët e rrugës atëherë potkonjtë e kalit, të cilit i kishin vënë yzengji zbukuruar me lule. Varvara nuk shihte asgjë nën duvak, vetëm ndiente erën e trëndelinës që rritej me shumicë këtyre shpateve dhe nën ritmin e ecjes së kalit, përfytyronte peizazhet më të bukura malore. Fytyrën e Leonidhës e pa kur i ngritën duvakun. Ishte i bukur Leonidha. Një trung peme e zuri nën të shumë vite më pas. Atë ditë iu shënua një rrudhë tjetër, e thellë, e zezë sterrë, ja këtu në cep të lotit.

Njëra rrudhë ishte e djalit, profesor në Selanik, e gjatë, e gjatë… ja, deri tek tëmthat. E gjatë si udha për të shkuar herë pas here tek ai ose si rruga e zbrazët kur ai nuk vjen.

Kjo rrudhë e shkurtër dhe e thellë, atëherë kur përcolla vajzën.

Sa qejf e kanë pasur këta të mitë fjalën larg. Në fillim Bora ishte tri fshatra larg, tani ende edhe më larg, iku me lotarinë amerikane në Çikago. Ikin dhe harrojnë se lënë gjurmë, ja në këto rrudha të ngatërruara si rrugët me baltë të fshatit.

Varvara u sapunis, por edhe nën bulëzat e tretshme të shkumës përsëri rrudhat nxinin.

Hodhi disa grushte ujë në fytyrë për të larguar ngjyrën e dheut të errët, por hoqi vetën sklepat.

“Po edhe Vito ka pasur po kaq halle, – vazhdoi të përsiatej me veten Varvara, – dhe ka kaq pak rrudha”.

Viton ajo e adhuronte edhe më parë, kur nuk ishte kaq e bukur dhe e bardhë.

Vito i kishte ngjallur djalin. Ajo ishte magjistare.

Fliste me qiellin dhe ndonjëherë ia dëgjonin fjalën. Dhe kjo një herë kishte ndodhur me djalin e saj. Gomonia me të cilën ishte nisur Gazi për në Itali ishte mbytur nga dallgët dhe në fshat hapën dyert e zisë. Vito tha se djali mund të ishte gjallë, por zemra e nënës jeton më të keqen. E qanë. Vito e thërriti djalin të vinte, të takonte edhe një herë nënën zemërzhuritur dhe pastaj, po të donte, le të ikte prapë. Pas tri javësh djali u shfaq në derën e shtëpisë. Kishte mbetur gjallë.

“Rrudha mbeti”, – vuri re Varvara duke u fshirë me peshqirin që gjeti varur.

– Dafina! – thërriti Varvara, por ajo nuk iu përgjigj.

Kur doli nga banja, vuri re se dera ishte hapur dhe Dafina kishte mbathur këpucët dhe kishte marrë rrugët e fshatit.

Exit mobile version