Kreu In memoriam Baba Ali Tomori, fryma naimiane e një bektashiu

Baba Ali Tomori, fryma naimiane e një bektashiu

Nga Prof. as. dr. Myrvete Dreshaj – Baliu & Prof. dr. Begzad Baliu

Flamur! Ja ku bëhet beja!
mblidhe, mblidhe popullsinë!
përparo! zgjerò Shqipërinë!
mer Kosov’ e Çamërinë!
të ndih Zoti në beteja!

Baba Ali Tomori

Hyrje

Zbulimi i dorëshkrimeve të Baba Ali Tomorit (1893-1948), paraqet një nga ngjarjet më të rëndësishme në trashëgiminë tonë shkencore, kulturore, fetare, shpirtërore dhe intelektuale të dekadave të fundit. Ç’është e vërteta, zbulime të tilla më të mëdha apo më të vogla, ka pasur në dekadat postkomuniste të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë etj., por zbulimet e tilla zakonisht janë përcjellë me komente të karakterit politik dhe madje ideologjik. Praninë e veprës dhe mundësisht dorëshkrimeve të tij prej rreth një çerek shekulli e kishte vënë re njëri prej editorëve, hulumtuesve dhe studiuesve më të përkushtuar të burimeve të historisë së popullit shqiptar dhe kulturës së tij, Mehmet Gëzhilli, kërkimet shteruese të të cilit tashmë janë vlerësuar jo vetëm në Tiranë, Prishtinë e Shkup, por edhe në Harvard (në SHBA).

Duke parë dosjen letrare të Baba Ali Tomorit, zbulimi nënkuptonte tri rrafshe dhe nënrrafshe njohëse:

Baba Ali Tomori ishte një nga postrilindasit, i cili me veprën e tij intelektuale dhe shpirtërore, vinte nga fryma naimiane e historisë dhe i jepte brezit të tij një kulturë të re europiane të formuar fillimisht në Zosimea, e të përfunduar në Europë, atje ku Naim Frashëri theksonte se lind dielli: “Dielli lind nga perëndon”.

Baba Ali Tomori ishte një nga intelektualët shumë aktivë në zhvillimet politike, kulturore dhe fetare të kohës, i cili edhe me ato pak tekste për gjuhën, letërsinë, kulturën, folklorin, trashëgiminë kulturore, materiale e shpirtërore, historike, fetare dhe çështjet e tjera me interes kombëtar, të botuara, përfaqësonte trashëgiminë kulturore të proviniencës kulturore dhe shpirtërore të kohës.

Baba Ali Tomori, ashtu si edhe postrilindasit e proviniencës fetare katolike dhe ortodokse, u vu në shërbim të atdheut kur Shqipëria ishte e rrezikuar nga fashizmi, nazizmi dhe madje nga ideologjia staliniste që po i vinte, duke u vënë në shërbim të lirisë së saj.

Baba Ali Tomori dhe koha e tij

Ali Abaz Skëndi, i njohur më vonë si Baba Ali Tomori, vinte nga një familje e shkolluar dhe me formim kombëtar e fetar njëkohësisht. Angazhimi i të atit në jetën ekonomike, politike dhe kombëtare e fetare sigurisht ndikoi edhe në formimin e tij shkollor, intelektual, fetar e kombëtar. Shkollën fillore e mbaroi në Berat, për të vazhduar pastaj në Zosimea, atje ku kishin mbaruar studime shumë nga etërit e Rilindjes Kombëtare, për të vazhduar në Kazan të Greqisë, dhe në Francë.

Gjurmëve të babait, Aliu do të kthehet në Shqipëri në vitet e Pavarësisë, që të merrte në dorë Teqenë e Prishtës, por krimet greke në këtë fshat më 1914, ku u dogj fshati dhe u vranë edhe gratë e fëmijët, bënë që ai të largohej në Egjipt, ku do të vazhdonte krijimtarinë e tij filozofike dhe kombëtare në gjuhën shqipe.

Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore dhe sidomos pas Kongresit të lavdishëm të Lushnjës (1920) Baba Ali Tomori kthehet në Shqipëri dhe i bashkohet djalërisë shqiptare me gjithë përkushtimin e tij: duke u vënë në krye të njërit prej institucioneve fetare të Jugut, asaj të Kulmakut; duke marrë pjesë në lëvizjen më progresive qytetare; duke shkruar artikuj jo vetëm me karakter fetar po edhe kulturor, filozofik e intelektual; dhe së fundi, duke marrë pjesë edhe në organizimin e institucioneve politike-ushtarake kundër pushtimit të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Duke u vënë në krye të institucioneve fetare  ai përmbushte një prej ëndrrave të tij e të babait të tij, që t’i shërbente komunitetit bektashi në Jug të Shqipërisë, duke dërguar atje frymën vëllazërore të këtij besimi. Me ligjërimet e tij në institucionet fetare, me tekstet e tij të botuara në shtypin e kohës, me diskutimet e tij në rrethet kulturore dhe shkencore ai krijonte një paralele gjithkombëtare të këtij shërbimi për fe e atdhe, madje do të thoshim ai krijoi një përmbysje për atdhe e fe, që në përmasa gjithëpërfshirëse ishte organizuar në Veri të Shqipërisë nga komuniteti katolik.

Baba Ali Tomori ishte  intelektual i njohur i brezit të tij, i formuar në shkollat më të mira të kohës, në Shqipëri, në Greqi, në Egjipt dhe në Francë. Ai njihte thellësisht dhe diskutonte gjerësisht për letërsinë greke e romake duke i krahasuar ato edhe me traditën lindore e perëndimore. Ai njihte mirë dhe e vlerësonte e analizonte poezinë perse, prej të cilës ishte frymëzuar aq shumë bardi i tij Naim Frashëri; ai njihte dhe diskutonte me kompetencë letërsinë greke dhe në mënyrë të veçantë veprën e Homerit, një këngë të së cilës e kishte përkthyer edhe idhulli i tij Naim Frashëri; ai kishte studiuar me përkushtim dhe njihte filozofinë iluministe e letërsinë franceze, veprat themelore të së cilës vazhdonte t’i shihte si referencë për zhvillimin e krijimet me karakter kombëtar; ai kishte studiuar, e njihte me kompetencë dhe vazhdonte ta studionte kulturën e dijen bashkëkohore franceze duke e funksionalizuar atë edhe në tekstet e tij mbi probleme të gjuhës, kulturës, besimit dhe komunikimit; ai njihte dhe adhuronte veprën e Shekspirit dhe letërsinë angleze e europiane përgjithësisht.

Baba Ali Tomori ishte intelektual i veçuar i brezit të tij, që me punën baritore vazhdonte traditën e frymës jetësore, krijuese dhe kombëtare të Naim Frashërit në institucionin fetar ku shërbente. Me ligjërimet e tij sa të karakterit fetar ashtu edhe të karakterit kombëtar, me ligjërimet e tij pranë varrit të Avni Rrustemit dhe të Naim Frashërit, me angazhimet e tij prej babai sa me karakter shoqëror aq edhe me karakter politik në vitet e vështira të atdheut gjatë Luftës së Dytë Botërore, me gazetën “Reforma” të cilën e drejtonte, ai e kreu misionin e atdhetarit të frymëzuar nga tradita e trashëguar e Rilindjes Kombëtare dhe e lëruar nga brezi i tij i viteve ’20-’30.  

Baba Ali Tomori gjatë viteve ’20-’30 me jetën e përditshme baritore dhe me krijimtarinë letrare, të cilën e shkruante kohë pas kohe, me tekstet për çështje të gjuhës, kulturës, letërsisë, folklorit dhe shoqërisë shqiptare, me të cilat merrte pjesë në diskutimet mbi filozofinë kombëtare që duhet ta ndiqte populli shqiptar për kombndërtimin dhe shtetndërtimin e tij, bashkohet me personalitetet më të shquara të brezit të tij, si: me At Anton Harapin për diskutimet e tij mbi çështjet filozofike e etike; me Ndre Mjedën për çështje të njohjes së teorive mbi gjuhësinë bashkëkohore europiane; me Tajar Zavalanin, Vangjel Koçën, Branko Merxhanin e Ismet Toton për dikutimet e tij mbi çështjet filozofike, etike e sociologjike të mendësisë shqiptare etj., me Migjenin, Petro Markon e Nonda Bulkën mbi konceptet ideologjike të së majtës, gjë që do ta dëshmojë me angazhimin e tij në Luftën Nacionalçlirimtare 1939-1945 dhe doemos konceptet e Eqrem Çabejt mbi konceptet Lindje – Perëndim të kulturës shqiptare.

Vepra intelektuale, kulturore, shpirtërore dhe postrilindase e tij

E parë në tërësinë e saj, korpusi i trashëgimisë letrare të Baba Ali Tomorit përbëhet nga nëntë libra: të botuara nga autori, të përgatitura nga dorëshkrime, apo të sistemuara nga editori dhe zbuluesi i dorëshkrimeve z. Mehmet Gëzhilli. Sigurisht as kjo nuk është gjendja përfundimtare. E pazbuluar mbetet Dosja e dënimit të tij, në vitin 1948, “si bashkëpunëtor i anglezëve”, brenda së cilës përveç vendimit për pushkatim pritet të gjenden edhe dorëshkrime të tjera me karakter kulturor, socio-politik e letrar, mbështetur në porosinë e tij të fundit: “M’i ruani dorëshkrimet!”.

Vëllimi i parë i veprave të plota të tij tani përfshin katër vepra: 1. Poezi; 2. Nefeze dhe gazele; 3. Poezi (përkthime); dhe 4. Këngë popullore. Vëllimi i dytë përbëhet nga katër vepra: 1. Për gjuhën, për folklorin, për letërsinë, kujtime, publicistikë dhe tregime; 2: Naim Frashëri; 3: Xhevre ose mendime, dhe Aforizma bektashinjsh të vjetër; 4: Përkthime. Vëllimi i tretë përbëhet nga dy vepra: 1. Për bektashizmin dhe 2: Historia e Bektashizmit shqiptar.

Për natyrën shkencore të dijes dhe dhuntinë krijuese të tij në studimin tonë kanë peshën e tyre të gjitha veprat e tij letrare, kulturore, historike, shkencore dhe shpirtërore. Për gjuhën shqipe dhe leksikun e saj ato përfaqësojnë një korpus të bashkuar të intelektualit, i cili gjuhën shqipe e përdorte dhe e njihte në kontekstin kombëtar, në kontekstin e formimit shkencor në institucionet më të larta shkencore të kohës dhe në kontekstin e përdorimit të saj gjatë në një periudhë përpjekjesh të veçanta të djalërisë shqiptare për shtetin, kombin, gjuhën dhe identitetin europian të tyre.

Vjershëtori

Vepra e parë hapet me një fjalë hyrëse të Kryegjyshit Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe e gjithë vepra përmbyllet me një përkujtimore nga editori i këtij botimi z. Mehmet Gëzhilli. Në të parën sillet një kujtim e vlerësim brezash, përfshirë këtu edhe Baba Ali Tomorin, ndërsa në të dytin një sintezë e shkurtër e personalitetit të tij të madh, e dijes dhe koncepteve intelektuale e diturore të tij. Vëllimi i parë hapet me krijimtarinë poetike të tij, poezitë për Flamurin, Gjuhën shqipe, Atdheun, besimin, misionin e bardit shpirtëror e fetar, Shqipërinë, ngjarjet historike, dëshmorët etj.; si: Flamurit të Shqipërisë, Hymni i Flamurit, Kombësija, Feja,  Shpresa rron!, Gjuha jonë, Përfundimi i robërisë, Zot i vërtetë, Jeta ime, Dituria e duhure, Qerbelaja, Qëndrimi ynë, Jam fajtor, Himne kombëtare në vend të huaj, Kthyerja Atdhe, Presidentit të Shqipërisë, Shpirti i vjershëtorit tonë, Jo për fe po për Atdhe, Dasma e kombit, Bilbili, Për dëshmorë lirisë Kristaqi e Margarita Tutulani, Konferencës së Pezës etj.

Në kontekstin historik e shoqëror krijimtaria letrare e tij ashtu sikur edhe mendimi intelektual e diturak i tij na e sjellin mesazhin e kohës, të asaj djalërie shqiptare, që me përkushtim punonte për shtetin e ri shqiptar, për identitetin europian të kombit dhe për gjuhën e pasur e të pastër të tij, prandaj nuk është e rastit që edhe përmbledhja e poezive të quhej “Vjersha për djalërin e urtë”. Prej motiveve që sjellin, në plan të parë krijimtaria e tij letrare mund të quhet poezi postrilindase, poezi e ndikuar ndjeshëm nga poezia e Naim Frashërit. Në poezinë e Baba Ali Tomorit krijimtaria letrare e Naim Frashërit ka ndikuar jo vetëm me motivet atdhetare, dhe madje jo vetëm me sfondin filozofik të tyre, po edhe me organizimin e strukturës së vargut, rimariumit të tyre dhe madje përzgjedhjes leksikore të saj.

Se pushtet ke ti o flàmur!

shënj’ e shënjtë je, o flàmur!

(…)

Zoti madh në këtë baltë

më ka bërë Shqipëtar,

gjuhën shqip t’ëmbël si mjaltë

mà ka fal për kombëtar.

(…)

Kombëtar të jem gjithmônë

kur se feja s’më ndalon,

“shqiptarizmën” pasha-Zônë

zemra e shpirti m’i pohon.

E shkruar në një gjendje të re shoqërore dhe kulturore dhe e ndikuar edhe prej krijimtarisë letrare të brezit të ri, krijimtaria poetike e Baba Ali Tomorit, sigurisht është pasuruar edhe me struktura të reja rrokjesore, të vargut, të rimës dhe të leksikut.

Shum’ i shënjt’ është ky flàmur,

shum’ i shtrënjt’ është ky flamur.

Apo, poezia që të kujton një nga mesazhet e Naim Frashërit për hapësirën shqiptare te “Bagëti e Bujqësia”, një porosi kjo e cila përcjell edhe te disa krijues patriotë të brezit të tij, Aleksandër Stavre Drenova – Asdreni, Hilë Mosi, Mihal Grameno, etj.:

Flamur! Ja ku bëhet beja!

mblidhe, mblidhe popullsinë!

përparo! zgjerò Shqipërinë!

mer Kosov’ e Çamërinë!

të ndih Zoti në beteja!

Apo, krijimi model i ndërndikimt të krijimtarisë së brezit të tij, Andon Zako Çajupi, Ndre Mjeda, Fan Noli, Lasgush Poradeci etj.:

Ajo mëndje gjuhë-ëmbël tha:

Kjo jetë është e vëngër

ha e pi sa të jesh gjallë,

kur të shkosh të mos i kesh mallë;

Nga majë e Sharrit, majë Tomorrit,

N’atdhen’ e bukur të arbnorit,

Dhe nga Preveza deri në Shkodër

Fushë më fushë e kodër më kodër.

Një nga poezitë e fundit të tij është ajo për dëshmorët e lirisë Kristaq e Margarita Tutulani, të rënë në Luftën Nacionalçlirimtare. I motivuar prej aktit të flijimit të vëllait dhe motrës dhe simbolikës së tyre që rrezatoi atdhetarisht në rininë shqiptare të kohës,  ai paraqiti këtu edhe pikëpamjet e tij për një kohë të re dhe për një angazhim të veçantë për Shqipërinë e lirinë e saj, ashtu sikur i kishte shfaqur dikur në krijimet letrare dhe oratorinë e fillimeve të tij krijuese dhe intelektuale për Avni Rrustemin dhe atdhetarët e tjerë të kohës së tij.

Mbledhësi dhe studiuesi i këngëve historike

Në vëllimin e parë të veprave të plota të Baba Ali Tomorit një vend të rëndësishëm zënë edhe dorëshkrimet, në të vërtetë tekstet nga fusha e folklorit. Në punën e tij përkushtuese ndaj kulturës së popullit Baba Ali Tomori, një pjesë të krijimtarisë ia ka kushtuar edhe identifikimit, mbledhjes e botimit të folklorit, të cilin e kishte ideuar duke vendosur edhe parathënien. Për këtë ai kishte arritur në vlerësimin: “Një folklor përbëhet prej këngësh, proverbesh dhe legjendesh, ku pasqyrohet shpirti i Kombit që e zotnon; pjesa e këngëve popullore të Kombit tonë kësi mënyre, çfaq me madhështi si një pasqyrë tejndritëse (transparente) trimërinë, besa-besën, dhëmbshurinë dhe virtyte të tjerë, që përbëjnë karakterin arbnuer”.

Prej koncepteve teoriko-letrare që kishte për folklorin dhe trashëgiminë kulturore, materiale shpirtërore; prej përkushtimit në mbledhjen e kësaj trashëgimie; dhe prej mënyrës se si e kishte përgatitur dorëshkrimin e saj, mund të themi se Baba Ali Tomori me komentet, me kërkimet mbi bazën historiko-dokumentare të këngëve, me gjurmimin në etnogjenezën e tyre, me ligjërimin mbi karakterin etnik të paradigmës së tyre etj., e bëri kalimin nga mbledhës dhe botues i letërsisë popullore në botim të specializuar të saj.

Le të theksojmë këtu disa nga këngët e këtij vëllimi që më parë se sa një botim rasti përfaqësojnë një studim rasti a një histori me rëndësi për vetë trashëgiminë e popullit shqiptar. Nëse disa prej këngëve ishin edhe më parë të njohura apo të botuara edhe në vëllimet e mëvonshme të kulturës shqiptare, si Kënga e Çerçis Topullit, Spiro Bellkameni, Smail Qemali n’Evropë etj., për veprën e tij dhe për vlerësimin tonë ato kanë rëndësi për komentet me të cilat janë shoqëruar në botimet apo dorëshkrimet e gjetura.

O Çerçis ç’e bëre mirë

që lëftove Osmanllinë;

mblodhe djemt’ e Shqipërisë

– i dhe shkelmin rrobërisë.

Një pjesë tjetër e këngëve posaçërisht të njohura nga historia, sikur është kënga Prishja e vitit 1914, në botimin e tij zë vend të rëndësishëm për faktin se historinë e këtij krimi të bandave greke e kishte parë dhe përjetuar vetë ai, prandaj e njihte dhe e komentonte secilin varg të regjistruar sigurisht më vonë, pas kthimit nga Egjipti.

Fshatratë qajnë me lot,

me dyfek s’ia dalin dot,

ne me pushk’ ay me top,

ne më pak, ay më plot.

(…)

Sot armiku ësht’ i shumë,

ne përrua, ay lumë,

ne në shtigjet e kufisë

ay në prag të shtëpisë.

sadoqë fëmija dhëmben

Skraparasit nuk trëmben:

me dyfek, pa xhephane

turren grekut si rrufé.

Në ndonjë poezi tjetër, si ajo Kongresi i Bektashijve më 1921 në Prishtë, do të shquhet ashtu besueshëm edhe për mesazhin që jep, me faktin se ai ishte njëri prej organizatorëve, prandaj nuk është e rastit që ai do të jetë edhe autori i këngës.

Në këtë rrjedhë, ku më pak e ku më shumë të komentuara dhe ku më pak e ku më shumë të plota e me rëndësi historike, letrare e kulturore për trashëgiminë tonë kanë edhe këngët: Kënga e Tiranës, Kënga e shkrimit shqip:

Qëkur dolli Abeceja

dolli në shesh mëmëdheja.

(…)

 Shpirtmëdhenj ata q’e nxuarë

mëndje-lart’ ata q’e shkruanë,

në Stamboll kuvënd’ e bënë

shkruan libra gjuhës tënë

Vaso Pasha, Sami Beu,

Vretoja dhe Naim Beu…

Të tilla, me shënime kryesisht në fusnotë, për përhapjen e tyre gjeografike, si dhe me shënime kryesisht të karakterit leksikografik e dialektor, janë edhe këngët ku më të reja e ku më të vjetra: Kënga më e vjetër e Rilindjes t’onë Kombëtare, Kënga e pleqve, Kongresi i Lushnjes, Kongresi Kishëtar i Orthodhoksis Berat më 1921, Kënga e Baba Tomorit, Smail Lezo Progonati, Lufta e Salih Butkës, Fejzo Arëza, Kënga e Tafil Buzit, Baba Meleq Shëmbërdhenji etj.

Të kësaj natyre, por të vendosura në një shtrat të gjerë kërkimi, vlerësimi e studimi janë edhe dy tekste të tij me shumë interes jo vetëm për përmbajtjen po edhe për natyrën e kërkimit shkencor: Këngët e popullit dhe Një këngë, një histori, të përfshirë në vëllimin e dytë të veprës së plotë. Teksti i parë paraqet një kërkim sistematik me karakter monografik, krahasues dhe identifikues të ngjarjeve historike; ngjarjet më me ndikim në jetën kombëtare (Periudha e Skënderbeut, Periudha e Ali Pashë Tepelenës); temave më me ndikim në historinë e përbotshme (Periudha homerike) etj. Po kështu mund të thuhet edhe për tekstin emblematik Një këngë, një histori,  një model ky kërkimi, i cili fillon me kujtesën popullore për Ali Pashë Tepelenën  dhe vazhdon më tej, me mundësi përsiatjeje e kërkimi ndër errësira të kujtesës kombëtare.       

Formimi europian i dijes linguistike të tij

Vëllimi i dytë i veprave sigurisht paraqet pamjen më të plotë të vlerave krijuese dhe intelektuale të Baba Ali Tomorit. Nëse në vëllimin e parë janë përmbledhur tekstet letrare (poetike dhe popullore, si dhe tekstet e shkruara në frymën e letërsisë së bejtexhinjve, qofshin ato të shkruara qofshin të përkthyera), në vëllimin e dytë është përfshirë gjithë përmasa intelektuale dhe shkencore e  kulturës së tij. Nëse me krijimtarinë letrare, si dhe përkthimet e vëllimit të parë, ai dëshmonte natyrën krijuese të tij, dhuntinë letrare të tij, si dhe njohjen e kulturës popullore, historisë kombëtare dhe letërsisë botërore të Lindjes (kryesisht perse), në vëllimin e dytë janë përfshirë tekste, diskutime, vlerësime, kumtime dhe madje studime të shkollës europiane të dijes së tij.

Studimet hyrëse të këtij vëllimi të shkruara madje gjatë gjithë gjysmëshekullit të Pavarësisë (1912-1945), përfaqësojnë vlera të dorës së parë edhe për kohën tonë. Ato janë shkruar me përkushtimin e atdhetarit, sikur shkruanin pothuajse pjesa më e madhe e djalërisë shqiptare, por janë shkruar njëkohësisht me kërkesa të larta dijeje të shkollës europiane, të cilën nuk e kishin zënë pjesa më e madhe e bashkëkohësve të tij. Mjafton të lexohen artikujt Mbi gjuhën shqipe, Gjuha shqipe, Reth Fjalorit Shqip, Ta njohim mirë gjuhën tonë!, Pak fjalë mbi gjuhën, dhe të kuptojmë përmasën intelektuale, shkencore dhe kulturore të tij.

Prej diskutimeve  mbi çështje të caktuara të leksikut dhe pasurinë e saj popullore, mbi trashëgiminë tonë gjuhësore dhe mbi përdorimin e saktë të saj në letërsinë artistike, mbi shtrirjen dialektore të fjalëve dhe mbi rrafshet semantike të përdorimit të tyre; mbi nevojën e përgatitjes së një fjalori të madh kombëtar dhe detyrat e tjera të institucioneve kombëtare në këtë fushë, mbi përparësinë e botimit të një fjalori kombëtar dhe ndikimin që do të kishte fjalësi i tij në ngritjen estetike të shkrimit të veprave letrare etj.

Pasi kujton një deklaratë shpesh të përsëritur të gjuhëtarëve, letrarëve dhe intelektualëve përgjithësisht, se: “Shqipja nuk është edhe gjuhë shum’ e pasur”, vazhdon me një kundërtezë: “…nga ata që do të na dalin përpara në këtë arsye nuk është çudi se disa nëpër ’ta, mos shtojnë arsye tjetër: “Shqipja e pazhvilluar si gjuhë letrare përmes kush-e-di sa mijëra vjet, duke u lëmuar me shkrim në epokën e sotshme, ka hyrë jo-keq në fushën e zhvillimit”. Pra, sikur mund të shihet prej diskutimit të tezave të pro dhe kundër atyre që shqipen e shohin si një gjuhë të varfër dhe atyre që te gjuha shqipe shohin një pasuri të madhe kombëtare, Baba Ali Tomori, jep një mbështetje shumë të rëndësishme, madje edhe për kushtet dhe rrethanat tona të sotme. Ai i mëshonte idesë se gjuha shqipe është “latuar disa mija vjet”, pra ishte e pranishme, kishte përdorim të gjerë popullor, identifikonte mjetet e përdorimit të përditshëm, shërbente për lutje dhe përmes saj janë krijuar e ruajtur mendime të mëdha filozofike nga kohërat më të largëta deri në ditët tona.

Në këtë rrjedhë është me shumë interes të lexojmë diskutimet mbi reflektimin dialektor, semantik dhe përmbajtjesor e krahasues të fjalëve kombëtare “lëneshë”, “plakonjë”, “këndqetëz”, dhe “pjeshënim”; në vend të fjalëve të huaja “virigjinë”, “kallogre”, “manastir”, dhe “kësmet” ose “nasip” ose “destination” etj. Në këtë diskutim, si edhe në tekstet e tjera të kësaj natyre, autori reflekton me gjithë njohuritë e tij historike mbi trashëgiminë tonë gjuhësore, si dhe me gjithë diturinë e tij shkencore të nxënë në institucionet vendore e sidomos europiane. Në gjuhësinë shqiptare, tekstet e Baba Ali Tomorit sjellin një pamje të re edhe në këndshikimet shkencore të dijes shqiptare të kohës. Njohja e teorive shkencore të kohës, duke përfshirë këtu me gjasë edhe shkollën sosyriane të sapodalë në rrethet linguistike të Francës, Zvicrës etj., na bënë të kuptojmë se studimi i fjalës mbi rrafshet semantike të folësve, nuk ishte i rastit.

Megjithëse vinte nga një trashëgimi letrare dhe diturake e jashtëzakonshme e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe sidomos e asaj trashëgimie letrare e diturake e Naim Frashërit, e asaj diturie didaktike dhe filozofike e oratorike e Jani Vretos, e asaj dijeje enciklopedike të Sami Frashërit, e asaj dijeje historike, ushtarake e diplomatike e Pashko Vasës dhe sidomos e asaj dijeje të trashëgimisë popullore të Thimi Mitkos, Baba Ali Tomori e vlerësonte lartë, shumë lartë, trashëgiminë linguistike të Konstandin Kristoforidhit, prandaj e konsideronte shumë të rëndësishme që fjalori i tij të ishte botuar që më parë, madje për natyrën shkencore të tij, para veprave letrare të bashkëkohësve të tij.

Prej artikujve të Baba Ali Tomorit për gjuhën, për trashëgiminë historike të saj, për pasurinë leksikore e semantike të saj, sot mund të krijohet një ide e plotë e përpjekjeve atdhetare, kulturore dhe diturake të tij, për rëndësinë e forcimit të shtyllës së parë të kombit pas ndarjes nga Turqia: gjuhës, identitetit dhe shtetit. Në këtë numër të vogël artikujsh, po me shumë interes për risitë që sjell, kryet e vendit e zë lista e propozimeve të tij të emrave kombëtarë, me titull Fushata për emrat kombëtar,  te gazeta ”Drita”, 4 prill 1937, f. 4. Intelektual me kulturë të gjerë kombëtare, me formim kulturor e shkencor për Ilirinë (që në të vërtetë ishte formim i dijes europiane) me formimin rinor për kulturën e antikitetit grek e romak, apo pellazgjik, sikur thuhej në periudhën e Rilindjes Kombëtare, me njohjen e kulturës dhe letërsisë europiane në përgjithësi dhe letërsinë frënge në veçanti, me njohjen  e trashëgimisë mesjetare shqiptare që ishte formim i tij i vonë por mjaft bashkëkohor, pra me njohjen e kulturës sa të Lindjes aq edhe të Perëndimit, Baba Ali Tomori, në korpusin e propozimeve ka sjellë pasqyrën emërtuese më të rëndësishëm të kohës për brezin e ri të shqiptarëve, i cili bënte përpjekje që antroponiminë dhe toponiminë kombëtare ta vendoste si një shtyllë bashkimi e formimi etnik.

Përcaktimin e tij shkencor ndaj trashëgimisë ilire, që përfaqëson edhe një shkallë intelektuale të ngritjes së tij kulturore, ai e ka theksuar, te manifesti i tij Gjuha shqipe: “Në kohën e robërisë së urrejtur, kur çdo njeri ndiqej pa mëshirë vetëm po të zinte në gojë fjalën Shqipëri, disa idealistë të çlirimit të popullit shqiptar nga zgjedha shekullore, këndonin larg vendit të tyre melodit e gjuhës së Ilirëve” (V. II: 14)

Le të sjellim vetëm disa shembuj, të cilët jo vetëm atëherë po edhe në vitet ’60-’90 u bënë emra emblematikë, sidomos në Kosovë e ish-Jugollavi:

Emra të periudhës antike: Akil, Ulis, Piro, Omir, Perdik, Lekë, Klito, Amind, Granik, Arjan, Mollos, Atintan, Dasharet, Dardan, Libur, File, Taulan, Dalmat etj.

Emra të periudhës mesjetare: Muzak, Aranit, Perlat, Mois, Uran (ose Vrano), Arbanas, Golem, Tanush etj.

Emra nga formimi i leksikut vetanak: Parmend, Shpat, Gurro, Petrit, Jetosh, Shqipo, Dijar, Mëndshor, Mundëtar, Agim, Kujtim, Shkëlqim, Dritush, Djellush, Lufto, Fortash, Bredhosh, Lisak, Ditan, Tufar, Pjellak, Njoftar, Urash, Malo, Fushan, Gazmen, Dhurash, Vërtik, Emblem, Ushëtim, Dritho, Gjakmer, Mjaltor, Kreshnik,  Dorplot, Hekur etj.

Po të bëhet një tipologji e prejardhjes së emrave sipas periudhave historike (antike, mesjetare, kohës së re etj.,); sipas hapësirave etnografike (mesdhetare, kontinentale, krahinore etj.,), dhe sidomos sipas strukturës gramatikore dhe leksikore të formimit vetjak të shqipes, nuk është vështirë të kuptohet përmasa intelektuale dhe linguistike e dijes së tij.

Kërkimet historiko-letrare

Po kështu mund të thuhet edhe për tekstet në fushë të letërsisë. Në qoftë se në librin e parë kishim artikuj kryesisht të karakterit popullarizues dhe të fazës së parë të shkrimeve të tij, në librin e dytë janë botuar tri studime me karakter eseistik dhe monografik, të cilat paraqesin njëkohësisht edhe përmasën intelektuale, kulturore, letrare, sociologjike dhe madje filozofike në letrat shqipe të viteve ’30. Në këtë vëllim dalin në pah dy njësi: Duke kënduar një librë dhe Mbi dorëshkrimin shqip-bektashian të Abdyl Saidit. Studimi i parë është një diskutim brilant për intelektualin Ismet Toto, që ishte bërë shembull i madh për djalërinë shqiptare dhe librin e tij Mystika e re, e cila u bë objekt diskutimi dhe vlerësimi e polemike në shtypin e kohës. Studimi tjetër Mbi dorëshkrimin shqip-bektashian të Abdyl Saidit, është një kërkim me interes jo vetëm për lexuesin e një gazete, po një hulumtim me i thellë dhe shumëdimensional për historinë e letërsisë shqipe edhe për kohën tonë. Pa dashur të merrem gjerësisht me të dhënat që sjell autori për dorëshkrimin e Abdyl Saidit në studimin e tij, sot mund të themi kërkimi i këtij niveli këmbëngulës i mungon dijes historiko-letrare shqipe. Ky studim jo vetëm mund ta quajmë një xhevahir të rrallë në studimet historike letrare, por ajo që ka rëndësi dhe vlerë unikale është aktualiteti i sotëm që ka ai studim për cilindo, shtetar apo qytetar i thjeshtë qoftë.

  Një hapësirë të gjerë të vëllimit të dytë të Baba Ali Tomorit përfshin publicistika, e cila më shumë se prej tekstesh bashkëkohore përbëhet prej tekstesh me karakter historik. Në të vërtetë për aq sa publicistika e tij është memoaristike ajo është njëkohësisht edhe e letrarizuar dhe për aq sa është publicistikë bashkëkohore ajo është e pasuruar me përbërës dokumantarizues e historik. Në këtë vëllim publicistikën në të gjitha rrafshet e bashkon dhe e integron kultura dhe diskutimi intelektual i saj.

Theksojmë këtu artikujt Diogjeni Haritos nd’ Athinë, Kur erdhë grekërit Prishtë, Fjala e At Ali Tomorrit, Një vizitë përmbi Fronin e Nalt’ të Shqiptariës, Për monumentin e Themistokli Gërmënjit, Fati i kombeve, Kujtime t’ ëmbla e të hidhura pas tridhjet e një vjet!!, Kur do të flasin psikologët, Shtegëtime rrezikshme, Mbi edukatën shoqnore bektashiane, Kujtime të kohës 1914–1932, Një bisedim mi ngjarjet e Shqipërisë nër vitet 1821-1852, Kujtime nga vitet 1914-1916Letër Mit’hat Bej Frashërit etj., në të cilat shfaqet një anë tjetër e komunikimit të Baba Ali Tomorit me bashkëkohësit dhe historinë.

Vepra për apostullin e shqiptarizmës

Në vëllim e dytë botohet edhe kryevepra e tij e karakterit letrar dhe filozofik për Naim Frashërin, e cila ndonëse nuk e ka strukturën e një monografie mund të quhet një vepër e kësaj natyre. Vepra për Naim Frashërin hapet me një poezi kushtuar Naim Frashërit, vazhdon me studimin sigurisht më të mirë të kësaj natyre deri më tash Spiritualizma shqiptare, një ese kjo brilante për Naim Frashërin; trajtesën Naim Frashëri dhe bektashizmi, brenda të cilës si rrallë kund trajtohen raportet e tij me filozofinë panteiste bektashiane; si dhe përmbyllet me fjalimin e tij pasionant e nderues për misionarin e kombit, babain e gjuhës moderne, me titull Apostulli i shqiptarizmës, lëronjësi i gjuhës amtare, predikonjësi i vëllazërimit Naim Frashëri,

Në pjesën e dytë të kësaj vepre naimiane  Baba Ali Tomori ka botuar gjashtë studime të përqendruara në gjashtë poezi të zgjedhura, në të vërtetë në gjashtë poezi, të cilat atë kohë dhe më vonë, deri në ditët tona do të përfshihen pothuajse në të gjitha antologjitë më të mira të letërsisë shqipe. Zor të gjenden studime më shumë për poezinë e Naim Frashërit sa për poemthin “Bukuria”. Poezitë e zgjedhura për studim në veprën e Baba Ali Tomorit përfaqësojnë shembuj tipik për kërkimet naimiane atëherë dhe përfaqëson shembuj të tillë edhe për kërkimet e sotme.

Në këtë vëllim sikur mund të shihet, janë përmbledhur studimet: Naim Frashëri duke kënduar “Jetë”-n te “Lulet e verësë”; Naim Frashëri këngënDita e reteLulet e verës, Si shprehet te këngaBesojmë librinLulet e verësë”; Naim Frashëri Lulet e verësë” si e këndon “Bukurinë”; Naim Frashëri Lulet e verësë” qysh ligjëron te kënga “Zëmëra”; Naim Frashëri si e hymnon “Ujët e bekuar” në “Lulet e verësë”, kënga “Fyelli”; Naim Frashëri dhe kënga e shënjtë “Perëndija” në “Lulet e verësë.

Le të kujtojmë këtu se portreti i parë i Naim Frashërit dhe poezia e parë e botuar në Kosovë (1949) është “Bukuria”, ndërsa studimi i parë i thelluar mbi filozofinë letrare dhe raportet e tij me bektashizmin është bërë nga Profesor Rexhep Qosja në vitin 1961. Nuk e dinte autori i këtij studimi (Profesor Qosja) atëherë dhe nuk do ta dijë më vonë kur e botoi monografinë më të mirë të Naim Frashërit (1986) deri më sot, se poezitë “Zëmëra”, “Jeta” dhe “Bukuria” ishin zgjedhur poezi përfaqësuese për studim në veprën e tij për Naim Frashërin, kur i zgjodhi t’i përfshinte në rrethin e nëntë poezive më të bukura për Antologjinë e lirikës shqipe (1970) dhe nuk e dimë nëse Baba Ali Tomori, i ka studiuar dhe i ka përgatitur për botim edhe poezitë e tjera të kësaj natyre.

Prej kohës dhe revistës ku janë botuar nuk është vështirë të vihet re edhe një veçori e tyre: të gjitha të botuara në revistën autoritative “Tomori i vogël” dhe të gjitha gjatë vitit 1942. Nuk e dimë nëse artikuj të tjerë të kësaj natyre do të ketë shkruar edhe për poezi të tjera dhe nuk e dimë nëse kishte planifikuar të shkruante artikuj të kësaj natyre dhe për poezi të tjera të veprës  më të mirë të Naim Frashërit “Lulet e verës” apo për vepra të tjera me karakter filozofik, sikur janë Fletore e Bektashinjvet  dhe sidomos poemën e madhe “Qerbelaja”.

Edhe sot, pas shumë studimeve, Naim Frashëri dhe vepra e tij hyjnë në rrethin e shkrimtarëve me bibliografinë më të pasur studimore, është vështirë të gjendet një autoritet shkencor, që e ka sjellë në veprën e tij zanafillën krijuese të poezive dhe veprave të Naim Frashërit, në ato përmasa që e ka bërë Baba Ali Tomori. 

Misionari  

Në vëllimin e tretë janë botuar dy veprat e tij: Vepra Për bektashizmin dhe vepra  Historija e Bektashinjvet Shqiptarë.  Në të parën ashtu si edhe në të dytën, Baba Ali Tomori ka sjellë pasuri të madhe intelektuale dhe kulturore për trashëgiminë botërore të bektashizmit si lëvizje historike, kulturore, materiale e shpirtërore në Shqipëri dhe në botë.

Vepra e parë Për bektashizmin përfshin kryesisht artikuj të botuar për zhvillimet historike, kulturore dhe fetare të bektashizmit në Shqipëri, në Ballkan dhe madje Europë e Azi; për organizimin e tij institucional, sikur është artikulli Kongresi i Përgjithshëm Bektashian në Teqe të Prishtës;  për personalitetet e saj më me ndikim në jetën shpirtërore të vendit; për orientimet konceptuale të disa prej personaliteteve dhe institucioneve bektashiane; për reformat fetare e institucionale brenda kësaj lëvizjeje; për dokumentet dhe veprat më me ndikim në jetën shpirtërore të besimtarëve të saj etj. Mjafton të theksojmë këtu artikujt e shkruar me kompetencë profesionale dhe përkushtim prej bardi të këtij besimi për shërbimin e madh të bektashinjve shqiptarë në Turqi, kontribut të cilin vetëm tash së fundi e kanë vënë re madje më shumë studiuesit e huaj se ata shqiptarë; artikullin mbi vendin e myslimanizmit në Orient, një artikull krahasues mbi bektashizmin në shoqërinë turke dhe atë shqiptare, tekstin për rolin e besimeve në botën anadollake, dhe atë ballkanike; për rëndësinë institucionale, shpirtërore dhe kombëtare të riorganizimit të bektashinjve të Shqipërisë; për rolet e besimeve në jetën ballkanike; për përhapjen e bektashizmit në Europë dhe Afrikë; për institucionin fetar të kishës, xhamisë dhe teqesë në jetën shqiptare; për rëndësinë e reformave fetare, me theks të veçantë riorganizimin e bektashizmës shqiptare dhe pavarësisë së saj; për misionarët e bektashizmës shqiptare: Gjyshin Ahmet Baba Turanin, Mymin Dedejen e Qerbelasë, Shemim Babanë e Krujës, një misionar i madh ky në përhapjen e bektashizmit në Shqipëri, si dhe rolin patriotik të klerit në Shqipëri etj.

Pjesa e dytë e vëllimit të tretë të veprave të Baba Ali Tomorit paraqet edhe një vepër të përmasave pak të njohura dhe pothuajse të papërsëritshme edhe në kushtet dhe rrethanat e reja të kohës sonë. Bektashizimi, si lëvizje e madhe kulturore dhe shpirtërore ka pasur historinë e tij dhe ka lënë gjurmë të rëndësishme jo vetëm në Shqipëri po edhe në Europë dhe më gjerë. Vepra Historija e Bektashinjvet është pothuajse e vetmja vepër e tij e përmbyllur në përmasa të një monografie. Ajo hapet me disa studime thelbësore të cilat paraqesin karakterin kombëtar të bektashizmit si doktrinë, institucionin e organizmit kombëtar, reformën dhe rolin e saj në Shqipëri, perspektivën, etj.

Pjesa e parë e kësaj vepre ka karakter historik dhe paraqet anën e brendshme të organizimit të Bektashizmit si lëvizje dhe si ide universale. Pjesa e dytë, Historia e Bektashinjvet përbëhet prej hyrjes, njëmbëdhjetë krerëve dhe një shtojce mbi gjendjen e bektashizmit dhe institucioneve të saj pas Luftës së Parë Botërore. Vepra përfshin një format të gjerë të dhënash historike, kulturore dhe shpirtërore të bektashizmit si rilindje e brendshme dhe si strukturë e organizimit të jashtëm. Mjafton të shihen kapitujt mbi periudhat para lindjes së bektashizmës, mbi faqen spirituale të historisë së Haxhi Bektashit, mbi përhapjen e bektashizmës në Europë dhe Afrikë, mbi bektashizmën në Gjirít dhe në Shqipëri, mbi përmbysjen e madhe të bektashízmës në kohën e Sulltan Mahmutit, mbi gjendjen e bekashizmës pas vdekjes së Ali Pashë Tepelenës, mbi qëndrimin nacionalist të bektashinjve shqiptarë, mbi aktivitetet e teqeve pas mbledhjes së Frashërit dhe krimet greke të vitit 1914 etj. Le të thuhet gjithashtu se në këtë vepër janë përmbledhur, janë sistemuar dhe janë ridizajnuar idetë filozofike, diskutimet e karakterit historik dhe publicistik, konceptet shpirtërore dhe fetare të autorit, të cilat ku më pak e ku më shumë i kishte thënë në disa nga artikujt e ligjëruar apo botuar edhe më parë.

Përfundime 

Përmbledhja e veprave të plota në tri vëllime, të njohura deri më tani, që na e jep zbuluesi dhe editori i shtëpisë botuese “Argeta” z. Mehmet Gëzhilli paraqesin një ngjarje të veçantë në jetën tonë kulturore në disa rrafshe:

e para, brenda këtyre veprave krijohet portreti kryesisht i panjohur i njërit prej intelektualëve të rëndësishëm të gjysmës së parë të shekullit XX;

e dyta, e njohur kryesisht përmes disa artikujve të botuar në shtypin e kohës, vepra e tij tani shfaqet me gjithë përmasën gjuhësore, oratorike, polemizuese, letrare, intelektuale, krijuese, historike, fetare dhe shkencore;

e treta, studimet e tij mbi apostullin e shqiptarizmës, sikur e quan Naim Frashërin, në këto vepra paraqiten të plota. Në këto vëllime ajo reflekton njëkohësisht edhe vlera të larta shkencore.

e katërta, studimet mbi bektashizmin dhe lëvizjen kulturore e shpirtërore në Shqipëri dhe në botë, të njohura kryesisht në artikujt e botuar në shtypin e kohës, tani paraqiten si një tërësi problemore dhe madje monografike.

Për të gjitha këto dhe arsyet e sipërthëna, vepra e Baba Ali Tomorit sot paraqet sa një monument të karakterit fetar po edhe kombëtar. Autori, me jetën dhe veprën e tij, në këtë vepër plotësojnë njëri-tjetrin, ashtu sikur plotësonte dikur e jep shembullin e tij edhe sot, apostulli i tij e apostulli i shqiptarizmës, Naim Frashëri. A nuk është kjo arsyeja pse vepra e tij, ashtu si edhe jeta e tij, në këtë vepër shfaqen si frymë naimiane e kohës së tij, e njëkohësisht edhe kohës sonë.

Prishtinë, më 18 gusht 2021

Exit mobile version