Kreu Histori Aurel Plasari: Zotërit e Perlatit – Një përkujtim historik

Aurel Plasari: Zotërit e Perlatit – Një përkujtim historik

Këtë 29 tetor u bënë 560 vjet nga ngjarja diplomatike e Rodonit, vend historik ku nga Skënderbeu dhe kancelarët e tij u hartua, u nënshkrua e u vulos me vulën e tij vetjake, si dhe me vulën e një noteri publik shtetëror, një akt prokure ndër më të rëndësishmit e diplomacisë së heroit. Nëpërmjet një prokure të tillë, Arbëria përfaqësohej me një status juridik në kolegjin e kardinalëve që do të mblidhej nga Piu II në realizim e sipër të projektit të tij luftarak kundër ekspandimit turko-osman në pjesën juglindore të Europës. Në koncistorin në fjalë, ku do të merrnin pjesë fuqitë e krishtera të kohës, prokuratori do ta përfaqësonte Skënderbeun përkrah “mbretërish të tjerë ose ambasadorësh të tyre”, siç saktësohet në vetë aktin.

Abati Pjetër Duka, ndryshe Perlati, i shfaqur në legalizimin e aktit ndër kancelarët diplomatikë të Gjergj Kastriotit, – krahas kryepeshkopit Pal Engjëlli dhe një oratori e nunci apostullor në Arbëri të quajtur Vlash etj., – mund të përbëjë rast kërshëror në historinë e fisnikërisë arbërore të Mesjetës: pikërisht një figurë historike si e tija ndihmon të hidhet dritë mbi një familje fisnike arbërore. Fjala është për Zotërit e Perlatit, “Die Herrn von Perlat” i quajti më se një herë Šufflay, ende sot njëra ndër familjet e mëdha arbërore pak të studiuara.

Ndër shkaqet që mund të kenë penguar ndriçimin e historikut të kësaj familjeje, njëri mund të jetë kamuflimi i tyre nën emrin e madh të Dukagjinëve, pjesë të të cilëve dhe Zotërit e Perlatit të Mirditës përbënin. “Dukagjinët, – i ka regjistruar z. Ducange në gjenealogjinë përkatëse, – që mbajtën gjithnjë primatin ndër fisnikët arbërorë”. Situata bëhet e kuptueshme për këdo që është orvatur të përcaktojë zotërimet e Dukagjinëve, sa të ndërlikuara, aq edhe të lëvizshme. Një tablo të tyre e ndërtoi Hopf-i, duke kombinuar njoftimet e kronistit Muzaka me të dhëna të burimeve dokumentare nga arkivat e Venedikut, të Napolit etj. Një tjetër tablo të tyre ndërtoi konsulli Ippen. Një orvatje për të përcaktuar zotërimet e Dukagjinëve shihet edhe në hartën bashkëlidhur vëllimit I të përmbledhjes Acta et diplomata (1914). Të tjera orvatje kanë pas bërë Jakova-Merturi, Sirdani, Šufflay deri te një Ivan Božić. Duhet mbajtur parasysh, padyshim, që mund të jetë fjala për periudha të ndryshme të zhvillimit të dinastisë së Dukagjinëve dhe, prandaj, për zotërime që kohë më kohë kanë ndryshuar.

Po lidhur me zotërimet e Dukagjinëve, e ndërlikuar është edhe gjenealogjia e tyre, veçan degëzimi i tyre. Muzaka i ndante në “Dukagjinë të vërtetë” dhe “Dukagjinë të tjerë”. Për Šufflay-n ata e patën ruajtur karakterin e “shtëpisë së madhe” dhe të “vëllazërisë” deri në kohën e Turqisë, ashtu si në traktatin e dorëzimit të Lezhës venedikasve më 1393, në të cilin përmenden me shumë “vëllezër, kushërinj e farefis”. Më pranë së vërtetës rezulton Paolo Petta, që i karakterizoi Dukagjinët jo si një familje të vetme të madhe, por si një rrjetë e gjerë fisesh me më shumë se një degë. Për ç’i takon shënjesës së tyre heraldike, studiuesit kanë menduar – më sak: hamenduar – që të ketë qenë shqiponja me një kokë, sipas një basorelievi guri të inkastruar në kishën e Shën Mërisë së Ndërfandës, i gjetur nga Ippen-i. Sirdani, për shembull, pohoi: ”Dukagjinët patën për stemë nji shqype të bardhë”.

Shtatore e Pjetër Dukës – Perlatit. “Kështjella Duka”, Perlat. Foto e autorit.

Që Perlatajt, siç i quajtën Hahn-i, Ippen-i, Šufflay e të tjerë, përbënin një nga degët e Dukagjinëve e vunë re të parët autorët e Acta-ve (II, 1918) duke lexuar një akt dokumentar venedikas të 27 majit 1402. Me anë të tij Senati i Republikës ka miratuar propozimin e kont-kapitenit të Shkodrës për të marrë në shërbim Pal dhe Tanush Perlatin (Paulus et Tanusius Perlat), të cilët rezultojnë të fisit të Dukagjinëve: Pal Perlati i biri i Lekë Dukagjinit. Botuesit e Acta-ve i dalluan Perlatët si “familje e fisit Dukagjin, vartës (vasalë) të tyre, me sa shihet” (“familia de stirpe Dukagin, suboles, ut videtur”), ndërsa dy personazhet në fjalë, Palin dhe Tanushin: “banues në Perlat” (“in Perlat residentes”). Duke regjistruar të njëjtin akt në Sprovën e tyre për një regest historik të Shqipërisë (1937-1940), edhe Cordignano e Valentini e pranuan këtë identifikim për të përmendurit Pal dhe Tanush duke i shënuar ata si Dukagjini-Perlati.

Kjo rezidencë e Dukagjinëve në Perlat të Mirditës duhet të lidhet me dukurinë e tërheqjes së një numri dinastësh arbërorë nga qytetet e fortifikuara (Durrësi, Lezha etj.) nëpër fshatrat e krahinave të brendshme, një zhvendosje që e ka vënë në dukje Šufflay. Për të, në këtë tërheqje që rezulton të ketë filluar prej fundit të shek. XIV dhe që ka për shkak edhe rrezikun nga depërtimi turk në Arbëri, dinastë të tillë vendoseshin në ato ndërtesa banimi që Barleti i quan “oppidula”, njëfarë kështjelle e vogël, prototipi i pirgjeve në jug ose i kullave në veri. Ka shtuar Šufflay:

“Një degë e Dukagjinëve banonte në vitin 1402 në Perlat (sot Perlataj), në kufirin e veriut të Matit, ku ishte sigurisht një kështjellë e vogël (eine kleine Burg)”.

Në vitet ’30 dhe ’40 të shek. XV personazhi historik më i spikatur ndër “Zotërit e Perlatit” rezulton Pjetër Perlati, emër që shfaqet në burimet tregimtare dhe ato dokumentare herë si komandant ushtarak, herë si abat (pra klerik) dhe herë si diplomat. A është i njëjti? Që komandanti të cilit Skënderbeu i kishte besuar mbrojtjen e qytetit të Sfetigradit në qershor-korrik të 1448-s, dhe që i priu qëndresës së guximshme të banorëve të qytetit ndaj rrethimit turk, ishte njëherësh edhe klerik, kjo konfirmohet nëse lexohet me kujdes Barleti kur shkruan për të:

“Ishte ky burrë nga Emathia [Mati, -A.P.], kryeprift që ata i quajnë protosingjelë, kurse ne në gjuhë popullore i quajmë zakonisht abatë, me një jetë fort-shembullore dhe një pastërti të madhe në zakone; përveç shkëlqimit në dije, edhe mjeshtëria në të folur tok me peshën e viteve ia zbukuronin pjesën tjetër të virtyteve”.       

Në kohën kur Perlatin e vizitoi konsulli Ippen, rreth 1900-s, e gjeti fshat dhe që përbënte një famulli. Konsulli albanolog ka vënë re:

“Fshati i përmendur më parë Perlataj, i cili është një famulli, zë vend në historinë e Shqipërisë si vendlindja e një mbrojtësi trim të Arbërisë nga pushtimi turk, Pjetrit të Perlataj (sic), bashkëluftëtarit dhe gjeneralit të Skënderbeut […]. Ky Pjetër i Perlataj ishte mbrojtësi i Svetigradit, qytet të cilit iu desh të përballonte një rrethim të paharrueshëm nga sulltan Murati II më 1449 (sic)”.

Pasi ka përmendur edhe Gjon Perlatin, si një nënkomandant (Unteranführer) të Skënderbeut dhe një ndër tetë kapedanët që u zunë rob e u rropën të gjallë me urdhër të sulltanit më 1464, Ippen-i ka bërë kujdes të shënojë që Perlati është shumë afër Matit të kohës së tij dhe, përveç kësaj, e gjithë zona e Kthellës llogaritej më parë si Mat, kështu që ai nuk pa ndonjë kontradiktë që Barleti ka përmendur Matin si vend prejardhjeje të Pjetër Perlatit. Gjatë hulumtimeve të tij Ippen-i gjeti në Balldren rrënojat e një kishe në stilin romanik; prej një mbishkrimi që lexoi në të, mbërriti në përfundimin që në shekullin XV kisha në fjalë kishte qenë “nën patronazhin e zotërve të Perlatit”.

Në funksionin diplomatik “abati Pjetër” shfaqet në burimet dokumentare për herë të parë – me sa dimë deri sot – më 1439 në një akt prokure në të cilën përmendet si prokurator i Gjergj Kastriotit dhe “ambasador i zonjës Jellë, të vesë së zotit Gjon Kastrioti”. Arsyeja që “abati Pjetër” të ketë qenë njeri kaq i besuar i Kastriotëve edhe në çështje aferash tregtare familjare do të kuptohet në shfaqjen e tij në burimet dokumentare për herë të dytë.

Shfaqja e tij e dytë i përket vitit 1447, në një mesazh diplomatik të mbretit Alfons të Napolit drejtuar më 14 dhjetor Gjergj Kastriotit, ndryshe Skënderbe, në të cilin “abati Pjetër” përmendet si njëri ndër dy ambasadorët e dërguar prej Skënderbeut në oborrin e mbretit të Napolit. Me rëndësi në mesazhin e mbretit ndajshtimi për abatin në fjalë duke e cilësuar “i një gjaku me ju”, d.m.th. me Skënderbeun: “abate Petro, consanguineo vestro”. Nga teksti i përgjigjes së Alfonsit kuptohet që Skënderbeu të ketë dërguar një të afërm të tijin sepse do të trajtonte me mbretin e Napolit jo vetëm çështje të përgjithshme të qëndresës dhe të luftës kundër turqve, por edhe çështje familjare, çfarë kuptohet nga përgjigjja e mëposhtme e Alfonsit:

“Sa për strehimin që na kërkoni në tokat tona të Apulisë, sidomos për ju, fëmijët tuaj dhe familjen, në rast se, Zoti na ruajttë, ju vë poshtë armiku, ne ju pranojmë me gëzim, e qysh tani kemi urdhëruar që të dërgohen letrat e duhura, të cilat kanë për t’jua sjellë të njëjtët të dërguar”.

Në këtë lidhje gjaku ka shumë gjasë të bënte pjesë edhe tjetri komandant ushtarak i Skënderbeut, Gjon Perlati, njëri ndër tetë kapedanët e përmendur që u zunë rob u rropën të gjallë me urdhër të sulltanit më 1464. Për t’u vënë re që ndër ta kishte jo vetëm komandantë shumë të besuar të Skënderbeut, si Mojsiu i Dibrës, Nikollë Erizi ose Berisha, Gjergj Kuka dhe Gjin Maneshi, por edhe ushtarakë madhorë në lidhje fisnie ose krushqie me Skënderbeun: Vladan ose Vlash Gjurica, që shënohej “i një gjaku” me të; Muzaka i Angjelinës, që ai e kishte nip prej motre; Gjin Muzaka, të cilit i kishte dhënë të motrën Vlajka etj. Schirò-i, në një rezymé të dhënash nga burime napolitane, e ka regjistruar Gjon (Giovanni) Perlatin edhe ndër ambasadorët e dërguar nga Skënderbeu pranë mbreti Alfons më 1454 për t’i kërkuar ndihma për marrjen e Beratit, bashkë me një Pal Kuka dhe një Nikollë Erici ose Erizi.

Shfaqja e tretë e rëndësishme e abatit Pjetër është kjo e këtij përvjetori: në nënshkrimin e një akti dokumentar, prokurë, dalë prej kancelarisë së Skënderbeut më 29 (XXVIIII) tetor 1463. Si ka marrë relacionin prej ambasadorit të tij Martin Muzaka, Skënderbeu, “nga Rodoni në vendin e Shën Mërisë”, në prani të “Pal Engjëllit të Durrësit dhe të rajonit ilir”, të Pjetër Dukës “abat i S. Aleksandrit [Shën Lleshit] të Mullirit në dioqezën e Arbnit në Arbëri”, me “Vlashin (Biagio) prior i domenikanëve të Kuvendit të Shkodrës, orator dhe nunc apostullor në Arbëri”, si dhe në prani edhe dëshmitarësh të përshtatshëm dhe një noteri, i ka dhënë Martin Muzakës mandatin si prokurator i tiji i posaçëm për ta përfaqësuar në Kolegjin e Kardinalëve thirrur në koncistor nga papa Piu II dhe për të trajtuar çdo çështje lidhur me sipërmarrjen e planifikuar luftarake kundër turqve. E kam trajtuar për herë të parë këtë akt të rëndësishëm në një shkrim me titull Me kryqëzatën e Piut II, mbështetur në kopjen e aktit origjinal të riprodhuar nga Lorenzo Tacchella (“55”, nr. 130, 29 shtator 2002).

Ka pasur më vonë edhe një lexim të ndryshëm të vitit të këtij akti: 1458 (MCCCCLVIII) në vend të leximit 1463 (MCCCCLXIII) nga Tacchella. Në rastin e vitit 1458 do të ishte fjala për thirrjen prej Piut II të kuvendit të përgjithshëm të princave të krishterë të Europës, jo në Romë, por në Mantua; kardinalëve, peshkopëve, ambasadorëve dhe gjithë autoriteteve të kurjes papnore ai ua kishte shpallur idenë e një kuvendi të tillë më 10 tetor të atij viti. Në Komentarët e tij Piu II e ka treguar edhe praninë e arbërorëve mes të dërguarve të pranishëm në Kuvendin e Mantuas: “Ndërkaq janë paraqitur legatë nga Qiproja, Rodi, Lesboja, si dhe disa nga Azia. Mandej edhe arbërorët (Tum vero Albani), epirotët, boshnjakët dhe nga çdo vend i Ilirisë kanë dërguar oratorë për të kërkuar ndihmë; dhe tanimë nëpër gjithë qytetin bien në sy njerëz nga Lindja, që kërkojnë me ngulm përforcime kundër turqve”. Leximi 1463 i vitit ngjan të integrohet më mirë në kontekstin historik, duke u lidhur me mbledhjen e re të përfaqësuesve të fuqive italike që Piu II organizoi më 22 shtator të atij viti. Në atë koncistor Piu II parashtroi edhe projektin e sipërmarrjes antiturke, i cili do të bëhej publik një muaj më vonë, më 21 tetor 1463, në një bullë historike në të cilën përmendeshin veçan edhe arbërorët si potencial bashkëpunues luftarak: “Do të jenë me ne edhe arbërorët…” (Erunt & Albani nobiscum…”). Këtij projekti duket t’i përgjigjet teksti i prokurës së Rodonit, në të cilën edhe merren përsipër një sërë detyrimesh në atë bashkëpunim. Gjithsesi, në historikun e Perlatajve dhe të abatit të tyre emërmadh, nuk ndërron gjë thelbësore çështja e vitit të aktit të prokurës, që mbetet për t’u hulumtuar.

Pyetja që mund të shtrohet lidhur me këtë akt të 29 tetorit: Përse në të abati Pjetër shfaqet me mbiemrin Duka?

Mbiemri Duka ka qenë në Perlat mbiemër i një fisi, me sa duket, me pozicion të spikatur, qoftë edhe “vartës” (suboles) i Dukagjinëve, siç e menduan autorët e Acta-ve. Hahn-i, që e vizitoi Perlatin gjatë hulumtimeve, duke përshkruar situatën e tij të gjysmës së parë të shek. XIX e tregoi Perlatin të përbërë nga katër fise (përdor shq. fis për gjerm. Geschlechter: Dodaj, Hiloj, Dukaj, Boçjaj. Përdorimi në këtë rast, nga ana e abatit Pjetër, i mbiemrit Duka dhe jo Perlati, mund të ketë të bëjë edhe me një arsye politike: me distancimin nga lidhja me Dukagjinët, të cilët – të mos harrohet – qenë ndër të parët zotër arbërorë që u morën vesh me turqit, qysh pas sulmit të parë turk në Arbërinë e veriut më 1387 kur këta depërtuan deri në grykën e Drinit, çfarë kuptohet nga rënia në ujdi me ta e vëllezërve Lekë dhe Pal. Edhe më vonë, ndërsa Pjetër Perlati, Gjon Perlati dhe ndoshta edhe të tjerë Perlatë mbështetnin Skënderbeun në qëndresën antiturke me armë e me diplomaci, Dukagjinët u dëftuan refraktarë, madje shpesh edhe sabotues të asaj qëndrese, çfarë do ta detyronte ndonjërin nga papët t’i kërcënonte deri me nxjerrje nga kisha, me shkishërim. Një arsye më shumë kjo për një benediktin, si abati Pjetër, për t’u distancuar jo vetëm nga politika e Dukagjinëve, por edhe nga lidhja me emrin e tyre si Perlatë-Dukagjinë duke t’iu kthyer mbiemrit fisnor Duka të Perlatit.

Mbetet një pyetje e fundit: Përse ky veprim i rëndësishëm i kancelarisë së Skënderbeut është kryer pikërisht në Rodon dhe jo, siç mund të pritej, në Krujë?

Përgjigjja gjendet te rrethanat që lexohen në vetë dokumentin. Pikësëpari, thuhet aty që vendimi është marrë dhe mandati Martin Muzakës i është dhënë pasi Skënderbeu ka dëgjuar relacionin e tij prej ambasadori të dërguar pranë Piut II. Ky Martin Muzakë është në historinë e Skënderbeut një diplomat disa misionesh, si para këtij të Rodonit kur emërohet prokurator i posaçëm, edhe pas tij si ambasador, legat etj. Vetë Skënderbeu, në aktin e prokurës, ia lavdëron me të madhe meritat. Njëri ndër misionet e tij më delikate, pra me peshë të veçantë, ka qenë i vitit 1460, kur Skënderbeu e ka dërguar si “legat ushtarak” po pranë Piut II për t’i kërkuar lejë për një armëpushim me Mehmetin II, si dhe për ta lutur atë që, edhe nëse nuk ia pranonte kërkesën, të dërgonte në Arbëri një legat papnor për t’ia besuar atij qeverisjen e vendit gjatë mungesës së atij vetë në ndërkohën që do të ndërhynte në Itali në luftën për trashëgiminë napolitane.

Kësaj here kuptohet që ambasadori në fjalë është kthyer nga Roma dhe nuk ka ndonjë dyshim që të ketë zbarkuar në Rodon. Rodoni ishte porti funksional i Kastriotëve në rrethanat e atëhershme; Durrësin e mbanin venedikasit dhe qëndrimi i tyre ndaj sipërmarrjes antiturke në gatitje e sipër ishte i dyshimtë, më e pakta. Mundet që aty në Rodon ambasadori i ka relatuar Skënderbeut, i cili të ketë dalë për ta pritur po aty. Pas relatimit, veprimi me dhënien e mandatit ambasadorit tanimë si prokurator i posaçëm le të kuptohet që këtij t’i jetë dashur të nisej pa vonesë për t’u kthyer në kurjen e Romës, ku ishte atashuar dhe ku do të mblidhej koncistori i përmendur në akt. Dhe kjo nisje po nga Rodoni mund të kryhej.

Ngjarja historike e Rodonit paraqet interes edhe për të dëshmuar se kalanë e Rodonit, të njohur në harta të Adriatikut si “Fortezza di Scanderbech”, Gjergj Kastrioti e ka përdorur jo vetëm si rezidencë të së motrës Mamicë, e cila ka gjasë të ketë pretenduar edhe trashëgimi të atij territori duke qenë nga burri e Thopiave, që qenë zotër të Arbnit, ku edhe Rodoni bënte pjesë. Skënderbeu e ka përdorur atë rezidencë edhe si kancelari alternative, edhe kishën e atyshme të Shën Mërisë e ka përdorur, si në rastin e këtij akti. Porti i Rodonit, sikundër kuptohet nga marrëveshjet e viteve të fundit të Skënderbeut me Republikën e Venedikut, kishte edhe një funksion strategjik: ishte pika më e lehtë për ikje në një rast mundjeje të mundshme. Nga ana tjetër, të vihet re që Barleti na tregon se kepi i quajtur Rodon (que Redoni dicebat) ishte vend i parapëlqyer për Gjergj Kastriotin, si në rastin e verës së vitit 1457 kur heroi paskësh vajtur aty për të kaluar bashkë me zonjën e tij një pjesë të verës dhe ku kaloi edhe një pjesë të madhe të vjeshtës me gjueti dhe me “pasione të tjera këso dore”, e thotë vetë Barleti. Një rast ky për të kujtuar që edhe Rodoni do ta meritonte t’i rindërtohej një historik dhe të rivlerësohej në trashëgiminë kulturore të Arbërisë.

Foto kryesore: Kalaja e Skënderbeut në Kepin e Rodonit, Arbëri. Nga: Città, Fortezze, ed altri Luoghi principali Dell’Albania, Epiro, e Livadia, e particolarmente i posseduti da Veneti descritti e delineati dal P. Coronelli, In Venetia [1688].

Exit mobile version