Kohët e fundit shtëpia botuese “Erik” publikoi monografinë “Petrit Gaçja, kirurgu i zemrës” të autorit prof. dr. Lluka Heqimi.
Libri kompozohet në gjashtë pjesë.
Pjesa e parë i kushtohet qytetit të lindjes së protagonistit, fëmijërisë e rinisë së tij, arsimimit të tij në shkollën Normale të Elbasanit dhe, më tej, në shkollën e lartë të mjekësisë “A.P. Pavllov” në Leningrad të ish-Bashkimit Sovjetik, si dhe diplomimit kandidat shkencash në atë institut.
Pjesa e dytë merret me vitet ’60-’70, specializimeve jashtë shtetit, pajisjes së sallës së operacionit për kirurgjinë e zemrës.
Pjesa e tretë bën fjalë për hapat e mëtejshme të kirurgjisë në vendin tonë nën drejtimin e profesor Gaçes në vitet ’80 dhe krijimit të Departamentit Universitar të Anestezisë dhe Reanimacionit.
Pjesa e katërt tregon për qëndrimin e prof. Gaçes gjatë dhe pas ngjarjeve politike të lëvizjes studentore dhe në vitet e vendosjes së Demokracisë, krijimi në vetësi i shërbimit të kirurgjisë kardio-vaskulare te ne.
Pjesa e pestë përqëndrohet në jetën familjare të profesorit, në sëmundjen e tij dhe lamtumirën e këtij njeriu human.
Në pjesën e fundit, të gjashtën, jepen kujtime të kolegëve dhe të shokëve për këtë figurë të shquar të mjekësisë shqiptare.
Në çdo pjesë lënda më së shumti është organizuar në sythe, duke u ndalur në vite të shënuara në të cilat protagonisti, mjekësia shqiptare a botërore ka hedhur hapa përparimi me një sukses të ri në fushën e kardiologjisë. Ja disa të tilla për repartin e kardiologjisë:
– Viti 1960. Profesor Gaçja realizon komisurotominë digjitale transaurikulare
-1967. Paisja e sallës së operacionit për kirurgjinë e zemrës dhe enëve të gjakut
-1969. Instalohet aparati i parë angiografik në QFR
-1971-72. Operacionet me zemër të hapur
-1980. Protezat valvulare të zemrës
-1985. Bypass aorto-koronar
-1992. Vizita e mjekut amerikan G. Berg
-1996. Shërbimi i kirurgjisë kardio-vaskulare sistemohet në godinë të re
– 1999. Klinika kardio-vaskulare mban emrin Petrit Gaçja etj.
Sythe të tjera, qysh në titull ngandonjëherë, i kushtohen X apo Y mjeku, shqiptar ose të huaj, për të renë që ka sjellë në shkencën mjekësore për të cilën flitet.
Pas titullit të çdo sythi jepen së pari citate që simbolizojnë përmbajtjen e lëndës që trajtohet, si:
-Bëje hapin e parë me besim. Nuk është nevoja të shohësh të gjitha shkallët (Martin Luter King), f. 84;
-Diferenca, zotërinj të nderuar, mes meje dhe jush është pikërisht kjo: ju mund ta kishit bërë, kurse unë e bëra (Kristofor Kolombi), f. 85;
-Nuk jam aq i ri sa të di gjithçka (Oscar VVilde), f. 93;
-Pa vlerësimin, ekzistenca do të ishte lëvozhgë boshe (Neitzche), f.205;
-…I zgjuar është ai që di atë që nuk di (Sokrati), f.217 etj.
Ajo që të bie në sy në këtë monografi është pasuria e fakteve, informacioni i pasur biografik për prof. Gaçen. Dhe jo vetëm për jetën e tij. Ky informacion shtrihet edhe për të gjithë mjekësinë shqiptare, sidomos në fushën e shërbimit kardiologjik. Jepen hapat e përparimit të tij nën drejtimin e mjekut Petrit Gaçja dhe të kuadrove që përgatiti ai.
Lexuesi njihet kësisoj me figura të shquara mjekësh shqiptarë:
Kirurgët që kishin filluar të ndërhynin në toraks në Shqipëri e kanë zanafillën me Shirokën, Ndroqin, Polenën, Canin e Papariston… (f. 73). Më tej jepet biografia edhe për mjekë të tjerë, si Rushen Golemi, Gazmend Velçani, Avdi Bala, Maks Çela etj. Midis tyre, shpaloset mirë shkolla ruse që solli në Shqipëri mjeku Petrit Gaçe, por edhe përparimet e mëtejshme me specializimet që ai bëri në Perëndim.
Informacioni vazhdon më tej edhe për përparimin e mjekësisë në shkallë botërore, psh.: “Kirurgjia e zemrës lindi në Gjermani, në vitin 1896 kur Ludvig Rehn qepi me sukses një plagë të ventrikulit të djathtë në një pacient të goditur me thikë në zemër.” (f. 81).
Lexuesi njihet edhe me personalitete të shquara të mjekësisë botërore, si:
Aleksandër Vishnjevski, që “ishte babai i operacioneve me anestezi lokale dhe pionieri i kirurgjisë pulmonare dhe kardiovaskulare ruse”(f. 56);
Akademikun rus Fjodor Ugllov që ishtë “një nga kirurgët më me famë në Bashkimin Sovjetik, i ashtuquajturi motori i kirurgjisë ruse, njeriu me bisturi në dorë […] dhe që u tërhoq nga mjekësia praktike në moshën 102-vjeçare“ (f. 61, 62);
Pietro Veladoni, babai i kirurgjisë moderne italiane (f. 88);
Diku autori na njeh me mjekun Christian Barnardit, që i vuri zemrën e dikujt një të sëmuri rëndë (f. 135);
Diku na njeh më gjatë me jetën e arbëreshit prof. Guido Chidichimo, i cili “ishte pionieri i kardiologjisë së zemrës së hapur…” (f. 146) etj. etj.
Vepra që shqyrtojmë është një monografi që mund të shkruhej vetëm nga një njohës i mirë i shkencës së mjekësisë në përgjithësi, i profesionit të mjekut, pra nga një njeri me arsim e kulturë mjekësore, nga një ish-koleg i prof. Gaçes. I tillë është edhe autori i kësaj monografie, Lluka Heqimi. Ai ka përfunduar studimet në fakultetin e mjekësisë të Universitetit të Tiranës. Ka punuar mjek kirurg, madje i atashuar në ekipin e profesor Gaçes. Ka qenë i vlerësuar nga ai, qoftë si student, qoftë si mjek. Më tej u specializua në Vjenë për mjekësinë sportive, shërbeu për një kohë të gjatë mjek i përfaqësueses sonë të futbollit, duke u bërë figurë e shquar e mjekësisë sportive shqiptare. Ka fituar titullin “profesor” e gradën shkencore “doktor” në mjekësi. Dhe, krahas profesionit si mjek, ka patur edhe interesa për veprimtari të tjera, sportive e kulturore. Atlet i shquar dhe mjeshtër sporti, ka shkruar artikuj të ndryshëm shkencorë, 10 tekste për studentët e mjekësisë e të sporteve, 4 vëllime me monografi sportistësh dhe 6 monografi mjekësh tanë të dallueshëm.
Vetëm pas kësaj përvoje i hyri punës për të shkruar e botuar këtë monografi për profesor Gaçen, me të cilin ka kaluar një pjesë të mirë të jetës së vet. Kësisoj mund të themi se libri është një monografi e shkruar me njohje të jetës personale e shkencore të protagonistit, një vepwr e shkruar me përkushtim e me zemër për një mjek mjeshtër të kirurgjisë së zemrës. Autori e ndriçon figurën e mjeshtrit të vet, personalitetin e tij njerëzor e shkencor, edhe me kujtimet e ngrohta të shokëve e kolegëve të tjerë. Vlerësojmë që ky libër është një punë e rëndë studiuese e përkushtuar, mbështetur në një literaturë të pasur të historisë botërore të mjekësisë, në historinë e Fakultetit shqiptar të Mjekësisë, si dhe në arkivat personale të vetë autorit apo edhe të familjes së profesorit protagonist. Teksti gjithashtu ilustrohet me një pasuri të tërë fotosh e dokumentacioni për lëndën që trajtohet.
Me këtë libër vlerësojmë që autori arrin kulmin e veprës së tij krijuese. Se nuk është e lehtë të përshkruash jetën, me luftë e përpjekje të një mjeku shkencëtar, të cilit i rreh zemra për njeriun, për përparimin e popullit të vet të vogël, që të arrijë përparimet e prekura nga njerëzimi.
Vepra nuk është monografi e letrarizuar. Stili është i larmishëm: herë i lirë, herë gazetaresk, herë i rënduar me terma shkencore, herë autori ndërfut kujtimet e veta me dr. Petritin. Kësisoj, rrëfimi herë është në vetën e tretë e herë në të parën, herë i lihet dikujt tjetri që të tregojë po në vetën e parë (f.122)
Libri është një jetëshkrim monumental, me pasuri faktesh reale të një shkencëtari të mjekësisë, me punën dhe ngjitjen shkallë-shkallë të tij, që në fakt është ngjitja e kardiologjisë shqiptare sipas viteve të shënuara me arritjen e çdo suksesi të ri të bisturisë mjeshtërore të mjekut Petrit Gaçe e të ekipit të tij.
Megjithatë, nuk mungojnë edhe pasazhe të ndryshme artistike. Ja, një shembull i rastësishëm, si shprehet diku autori për protagonistin e tij:
Dr. Petriti kishte një ëndërr “të kirurgjisë së mushkërive dhe të zemrës. Ëndrra e tij ishte e bukur, një rrugë e re për të cilën kishte shumë nevojë vendi i tij. Ai e shikonte këtë specialitet si një metal të çmuar, të rrallë, që e kishte vendin bosh në tabelën e Mendelejevit në kirurgjinë shqiptare.”(f.62)
Ose, kur Gaçja do të mbronte desertacionin në Moskë, autori thekson se mjeku shqiptar:
“…vuri re një mal të madh mbushur me dëborë. Ishin mjekët e studentët që kishin ardhur ta dëgjonin në sallën e amfiteatrit, të veshur me bluza të bardha.” (f. 66)
Duke përfunduar, kemi mendimin që në një ribotim të mundshëm në të ardhmen të kësaj monografie, redaktori mund të përdorë ca gërshërët në disa dorëlëshime, qoftë në narracion, qoftë në kujtimet e kolegëve, qoftë në ilustrimet fotografike, gjë që do ta bënte veprën më kompakte e më të ngjeshur, duke evituar përsëritjet; gjithashtu edhe dora e korrektorit duhet të jetë më e kujdesshme dhe më e saktë në anën drejtshkrimore.