Kreu Letërsi Shënime mbi libra Alisa Velaj: Poezia si shenjë ringjalljeje (Vepra poetike e Sadik Bejkos)

Alisa Velaj: Poezia si shenjë ringjalljeje (Vepra poetike e Sadik Bejkos)

Vërshimi lirik i poetit Sadik Bejko, ashtu si rrjedha natyrale e një lumi të rrëmbyer, do të shpërfaqej i tillë që në ciklet e para botuar në shtypin e kohës. Vëllimi Rrënjët do të shenjonte për lexuesin e viteve ’70 të shekullit të kaluar një përmasë të qenies, të palëvruar deri atëherë në lirikën tonë: tjetrin brenda vetes. Tjetri brenda vetes, apo uni lirik si përthyerje unësh, që do të pulsonte në krejt opusin poetik të mëpastajmë, ka zanafillë të vetën poezinë Rruga në vëllimin më të parë Rrënjët.

Jam i zhveshuri,

i grinduri i vetes me tjetrin tim,

me veten që më ha pjesën e njeriut,

ha pjesën e asaj fytyre që duhet jem unë.

Në mënyra që nuk kanë nevojë të jenë doktrinale, poezitë e forta janë gjithmonë shenja të ringjalljes.[1] Lirika e Bejkos, përgjatë një periudhe gjysmëshekullore, ngjizet si një tëhuajëzim trajtash e himnesh. Një lloj tëhuajëzimi që ka në thelb dramën e vetes që i ha pjesën e njeriut dhe njeriun që thur e shthur himne të rrezikuara prej të papriturave të udhës. Uni lirik herë përthyhet në kufijtë e vetes e herë në kufijtë që vetja prek/rrezikon/rrezikohet prej tjetrit. Vetë poeti e përshkruan në këtë mënyrë këtë proces: “Ekzistenca e vënë në tehun më të fundmë, deri në perin e hollë jetë a vdekje, më ka ndjekur.”[2]

Shenjat e ringjalljes, kur ekzistenca shtrihet në tehun më të fundmë, patjetër se përpiqen të robërojnë vdekjen. Përmendim në këtë kontekst lirikat Ura mbi terr, Hone të mëdha, Drita e parë, Degë  thyera, Në mjegull, Pusi, Muzgu i murosjes, Sy të vdekur, Fëmija lakuriq, Binjaku, Rendim pas frymës, Në ballkonin e natës, Shtyllë dheu, Profeti i pasmesnatës, si edhe plot të tjera të ngjashme me to për nga fryma ekzistenciale dhe vegimet ngjethëse. Lexuesi model thith lartësi e humb peshë pas çdo rileximi. Asgjëmangut përtej shtegtimit në fjalë, uni lirik shpërthen nga kraharori gjëmën e thërrmuar të shpirtit dhe rrëfen secilën vete përballë vetes tjetër. Të rrëfyerit ka një funksion të dyfishtë; të rrëfyerit e shpirtit poetik për shpirtin e lexuesit dhe rrëfimin si akt shenjtërimi të tjetrit brenda nesh.

Tjetri brenda nesh në lirikën e Bejkos ka trajta të llojllojshme dhe disapak prej tyre janë: ky unë në padritë, në pagjumë, në pazë (Ura mbi terr), unë dhe ishulli me hone të mëdha në gjoks[3] (Hone të mëdha), njëra vete që merr në shenjë veten tjetër, kur ajria të mpaket aq tepër, sa ty s’të takon më as vetja (Hije apo kufomë), shtangimi mes të ndjerit të unit herë njeri e herë burg (Në mjegull), odiseja e mbartjes së pambarimtë të një fëmije lakuriq askurrë të parritur, varur në gjoks, alegori e unit sizifian (Fëmija lakuriq), vetja binjake si vetreflektim i unit kohor dhe tejkohor (Binjaku dhe Në ballkonin e natës) dhe vetja e vërtetë (Profeti i pasmesnatës).

Shenjat e ringjalljes na rrëfejnë unin e përthyer në një seri unësh të tjerë, njësoj si një ekzistencë e sheh vetveten të trashëguar në ekzistenca të tjera të ngjashme apo të largëta në ngjashmëri. Me një të parathënë të pandryshueshme se edhe ngjashmëritë e tjera, sado të largëta qofshin, janë në fund të fundit pjesë e të njëjtit gjen që gjallon mbi të njëjtin truall. Bejko shtron dilemën e njeriut-gur apo gurit-njeri.[4] Të dyja janë në thelb një tëhuajëzim i trajtës. Njeriu-gur apo njeriu drejt gurëzimit është uni pa shpirt, apo në humbje/përhumbje të shpirtit. Guri-njeri mbart në hovin e britmës së gëzimit rikthimin nga bota e të vdekurve, por ama me një vdekje të hershme brenda tij. Njeriut-gur i dihet udha e nisjes, por jo pika e mbërritjes. A do të ketë përherë bekimin e ringjalljes? Më shumë sesa imazhe statike, lirika e Bejkos ndjell vegime flurore në kujtesën e lexuesit të tij. Vegime që për çdo herë që i rikthehesh tekstit gjen aty, falë vallëzimit e pjalmimit të fjalëve, një tablo ku çdo detaj të avullon sapo bën përpjekjen e parë për ta fiksuar me sytë ngultas në të.

Dua  të prek, në ngulç ulërij,

nën këtë verbëri mugu

drunjëzohesh: flokët gjethe, lëvorja prej trungu.

Folmë, folmë, të them, njeri a burg,

zemrën ta nisa si një kalë

të verbër si rrugë pa rrugë.

Poezia kurrë nuk e harron plotësisht se si gjuha po përdoret, përmbushet, zhvlerësohet. Duhet të flasim më shpesh për procesionin e poezisë, i cili rikthen pafajësinë e gjuhës, që e bën gjuhën të jetë e dukshme përsëri.[5] Bejko e përdor përherë gjuhën si për-mbushje të një gropimi diku atje tej me mjegull fjalësh. Për të zhvlerësuar gjithçka duket se ka një vlerë sublime në shkreptitjen e parë fare të syve në tekstin poetik, por që në fakt nuk e ka. Duke i rifunksionalizuar fjalët, duket se i bën më të mjegullta kuptimet. Brenda këtij iluzioni optik ndodh tëhuajëzimi i trajtës. Për pasojë dhe tëhuajëzimi i himneve, si kredoja shpirtërore e trajtës. Tëhuajëzimi si drunjëzim, gurëzim apo zgjim fantazmagorik (“unë dhe ai prej fantazme”),[6] nis si metamorfozë me një dialogim të pakuptueshëm dhe të mjegullt mes dy unëve. Pamundësia e kryerjes së misionit të komunikimit si akt njohjeje sjell mjegullimin e situatës brenda poezisë.

Folmë, folmë, të them, njeri a burg.

S’flas dot, thua, e tretesh si  makth-mjegull.

Sapo poezia kodon heshtjen dhe misterin e efektit mjegull,[7] pikërisht atëherë fjalët rifitojnë një tjetër konotacion. Thënë ndryshe, zhvlerësohet kur lexuesit fillon t’i shpërndahet tymnaja mjegullore dhe sheh se pamjet ishin të ndryshme nga ç’i kishte përfytyruar. Është ky çasti kur nis drama në perin e hollë jetë-vdekje. Ky lloj uni që ka gëlltitur një shufër dielli kthjellohet dhe gjuha fiton pafajësinë. Tashmë gjuha e re, krejtësisht e zhveshur dhe e rrezitur prej gëlltitjes, na zbulon pamjet reale. Gjendja e makth-mjegullës është gjendja e unit që vetëm arrin të burgoset. Në pamundësi absolute për ta shpëtuar veten nga mjegullimi si akt flijimi, me qëllim që ne qeniet e tjera bashkëvuajtëse të kuptojmë nga na vjen kërcënimi. Vargjet më lart, si jehona e zërit të një orakulli, apo uni të mbijetuar, na rrëfejnë se cila metamorfozë do të na ringjallte.

Ekzistenca e unit lirik të poetit e arrin pikën e saj më tragjike në kufirin hije-kufomë, ku vritet vullneti për të kundërshtuar dhe njeriu është larg lirisë së tij të vetëndriçimit. Njeriu-gur, i murosur jo prej etjes së vetëflijimit nën gurë, është një vete që shpërndan dhimbje dhe frikë.

Po vjen muzgu, po vjen i tunxhtë, i betontë,

në gravurën e tij na fikson

mua, dridhjet e ajrit, blegërimën e deles,

parashikimet e reve

dhe zogun  çerdhen e njomë. “Muzgu i murosjes”

Këtu nuk është më vetja që po ha pjesën e njeriut, por njeriu që i kanë ngrënë veten pa kuptuar. Simbolika e gurit shfaqet kështu sa e larmishme, aq përjashtuese. Guri si kujtesë, ndërsa uni lirik fiket te një gur nën urën-muzg, guri si proces gurëzimi, duke ngjizur njeriun-burg, guri si truall ekzistence, guri si shpëtim dhe guri si mallkim. Përjashtimi më i thekshëm në gjuhë dhe në gjendje ndodh kur koha të muros pa kuptuar. Uni i kohës dhe uni i ajrit që të mbërthejnë jo sikur të jenë shëmbëlltyra abstrakte, trupa fizikë realë. Koha dhe ajri janë ekzistenca jote. Janë tjetri, jashtë e brenda qenies. Një jashtësi që projekton brendinë dhe një brendi e kushtëzuar nga kumtet e qenieve alegorike kohë dhe ajër.

…binjaku im, ajri im, ajri me gjembat-iriq.

Bejko shpirtëzon kohën, ajrin dhe gjithçka tjetër, me të tillë lehtësi që përshkruan një situatë poetike më pak “të komplikuar” apo situata të tjera, ku mesazhi i poezisë është më i drejtpërdrejtë. Gjendjet në poezinë e tij kthehen në shpirtra dhe shpirtrat trupëzohen me një alkimi fjale krejt spontane. Tjetri brenda nesh në lirikën e Bejkos përshkruan betejën e përjetshme të njeriut me të kundërtat e egos dhe shpirtit të tij. Poezia Në ballkonin e natës ka në thelb të saj dy koncepte të trajtuara gjerësisht nga filozofia dhe Shkrimet e Shenjta.[8] Vargu “luftonte me dy që ishin një”dhe përcaktimet “unë dhe ai prej fantazme” japin trajtat e dy shëmbëlltyrave tek e njëjta qenie. E gjithë lirika e poetit në pjesën tjetër të saj është ose rravgim i njeriut për gjetjen e lirisë së vetëndriçimit,[9] ose jehonë e tjetërsimit të trajtës, himneve dhe psalmeve në kakofoninë e tmerrshme të korit të fantazmave. Bejko nuk është aspak sarkastik me dilemat ekzistenciale. Përkundrazi, ai i merr ato të mirëqena prej fillimit. Vegimet ngjethëse projektohen para lexuesit me një paanshmëri aq “të qetë”, sa habia filozofike e një mendjeje subjektive e me përjetime emocionale, në leximin e parë të poezive mund të jetë shpesh jo e vogël. Poeti ka imunitet të plotë ndaj të ngjethurave që japin vegimet.

Një shtyllë dheu – vegim ngjethës –

[…] Është rrënjë e lashtë e zbuluar ajër,

është unë, është ti, është askushi? “Shtyllë dheu”

Dilemat ekzistenciale janë konteksti ynë “normal”. Tragjikja qëndron në mahnitjen pas tyre, humbjen e vullnetit për të kundërshtuar dhe marrjen e vetes në shenjë. Kjo lloj qenieje shndërrohet në fantazmë dhe rrezik për tjetrin. Jo në tjetrin brenda nesh, por në qenien tjetër, si tjetrin brenda species sonë humane. Pikërisht këtij çasti qenia fiton peshë faji dhe pushon së thithuri lartësi.

Pa sy qielli përsipër kisha mbetur.

Sa sy më paskan vdekur,

në sa sy të tjerëve qenkam i vdekur! “Sy të vdekur”

Zgjidhja e dilemës mes njeriut-gur apo gurit-njeri, lirisë së vetëndriçimit apo burgut të qenies, njeriut apo fantazmës, e merr “përgjigjen” e plotë në lirikën Profeti i pasmesnatës. Është lirika ku shenjat e ringjalljes janë më të forta se askund tjetër nga krejt lirikat që janë alegori e unit lirik si përthyerje unësh në rrezik tëhuajëzimi. Te kjo apologji poetike “ndokur greminë e vetes del mbi rrugë” dhe “vetja e vërtetë është kokëposhtë”. Sërish syri i ftohtë dhe të vetëmësuarit me rravgimin mbi tehun më të fundmë në kufirin jetë-vdekje, që këtu jepet si një rrëfim në kohën ëndërr-realitet. Njeriu i vetëndriçuar i ëndrrës (si përmasë ekzistence transhendentale) i jep kumte profetike trajtës së tij fantazmagorike, ogurligë dhe të ankthshme. Janë gjendjet e greminta të vetes nën diellin e jetës dhe vetja e vërtetë në përmasën jashtë reales. Profeti që i shpifet në xham unit lirik është njëri prej atyre të dyve që luftojnë tek e njëjta qenie. Është gremina e vetes, së cilës i profetizohet se cila duhet të jetë vetja e vërtetë. Ajo vete e përmbytur dhe e ligështuar e përditshmërisë.

Profeti apo kumtet profetike vijnë në mesnatë. Sërish tehu më i fundmë mes dy kohërave. Pas mesnatës, sapo ajo kalon, lind mëngjesi i ditës tjetër dhe zgjimi real i zërit që na e rrëfen ngjarjen ndodh sinkron me lindjen e ditës tjetër. Një zgjim alegorik i vetes së vërtetë dhe i së vërtetës. Te koncepti i tjetrit brenda nesh, me betejat brenda unit, vetes greminë dhe vetes së vërtetë, Bejko ka jehona (jo fort të dukshme) të vizioneve mesianike gjithashtu. Mjaft të përmendnim se Mesia paraqitet në Testamentin e Ri si njëqind për qind njeri dhe njëqind për qind perëndi.[10] Nëse veten profetike do ta analizonim si veten e vërtetë apo të perëndishme, në kuptimin e vërtetësisë dhe vetëndriçimit, ndërsa veten greminë si atdhe dilemash ogurliga, pa dyshim se poeti ka ndikimin e intertekstit biblik në poezinë Profeti i pasmesnatës.

Koha si realitet metafizik

Çdo poet ka në ashtnorin e universit poetik një raport të caktuar të unit lirik me kohën dhe anasjelltas. Një raport që nuk ruan asnjëherë të njëjtën kahe, sidomos kur poeti rreket ta ngjizë kohën si realitet metafizik. Në këtë kontekst, Bejko pozicionohet në poezinë bashkëkohore shqipe si një poet shumë modern. Kjo e fundit referuar më së shumti lëndës poetike në funksion estetik dhe psikologjik. Lirika e tij më përfaqësuese përkap çastet kohore që rendin përtej një vdekjeje dhe përtej një zgjimi. Vdekja mundet të jetë faktike, simbolike dhe alegorike, ndërsa zgjimi mbetet përherë vetëm alegorik. Në fund të fundit, asnjë poet modern nuk është unik, pavarësisht nga bindjet e tij të deklaruara. Poetët modernë janë domosdoshmërisht dualistë të mjerë, sepse ky mister, kjo varfëri, është pika fillestare e artit të tyre.[11] Misteri i përtejvdekjes dhe i përtejzgjimit ndërtohet përmes tri rravgimesh: së pari, qenia në një fragment kohe, së dyti, koha në një fragment të qenies dhe së treti, fragmente kohësh e qeniesh në një gjithësi ekzistence pandalshmërisht të pjerrët, honeve të shpirtrave njerëzorë.

Qenia në një fragment kohe tkurret në lirika të natyrës: Zogu mbrëmje, Nata e fundit e deles, Babai mbrëmje, Murgu i rrugës së madhe, Plak grykë lumi, Rob në muzgje, Delet dimër, Lepurushat bar marsi etj. Uni lirik shëtit nga një ankth në tjetrin, jo duke u ligështuar prej tragjikes, por me një të tillë et për mosvdekje pas çdo elegjie të deklamuar, sa të duket se ajri i rralluar mbyll një cikël jete, për t’i hapur portat një dimensioni tejkohor. Qenia tkurret e tkurret aq sa duket se humb krejt, deri në çastin fatlum, kur ajri i rralluar bymehet saora dhe përtejvdekja çapitet jo pa mundim drejt përjetësisë.

Erërat ta bëjnë daulle

mbi mal lëkurën prej reje. “Nata e fundit e deles”

Nëse koha gjen kuptimin e saj te përjetësia, atëherë duhet kuptuar duke u nisur nga kjo e fundit. Me këtë, përfytyrohet pika e fillimit dhe rruga përpara në këtë hetim: nga përjetësia në kohë.[12] Tkurrja e qenies alegorizohet përmes udhëtimit të një frymori në ajrinë mes dy botëve, ose në atë shkreptitje çasti që kryen kalimin prej një gjendjeje në gjendjen tjetër, e cila kur nuk qëllon të jetë “përjetësi reale” (si në vargjet e lartpërmendura), është patjetër një përjetësi alegorike. Kemi përgjithësisht një qenie reale (babai, murgu, plaku, robi), apo simbolike (zogu, delja, lepurushat), në një kohë kufitare (mbrëmja, nata e fundit, muzgu, dimri) dhe vendndodhje disi të paadresuara nga pikëpamja e koordinatave të prekshme me shqisa konkrete (rruga e madhe, gryka e lumit, bari i marsit). Këto të fundit janë alterego po e kohës kufitare. Rruga, sado e madhe, herëdokur do të mbarojë dhe ka për ta shpënë murgun drejt një porte që e pret krahëhapur: dashurisë në formën më të epërme (Në krahë  thatë, krok-krok korbi/ kam vënë dashuri). Dashuria sfidon kështu vdekjen dhe fragmenti kohor ka bymyer qenien dhe kohën. Lumi nënkupton një kredhje heraklitiane ujërave të tij. Asnjëherë nuk kridhemi njësoj, por në mbarimin e kohës (qenia drejt fundit të kohës tokësore) kredhja jo vetëm se merr një kuptim të ri, por duke kaluar nëpër grykën e lumit rravgimi përmes një përfytyrimi fantastik bën që ajo, gryka, të jetë kufiri mes kohës dhe përjetësisë. Udhëtimi i plakut nëpër grykë është pika e fillimit të tij, çasti fatlum kur përjetësia e kap për dore në pikën e fundit të ajrit të rralluar dhe e përkund në një tjetër ajri plot oksigjen të rinuar. Sintagma “bar marsi”përcakton gjithashtu një kohë kufitare, kalimin nga dimri në pranverë, nga vdekja e natyrës në përtëritjen e saj.

Bejko i shëtit ankthet prej kohës në pakohësi, prej vdekjes në jetë, prej tokës në qiell, por asnjëherë në drejtim të kundërt. Andaj tragjikja në lirikën e tij e ndal sulmin e saj në atë çast të rravgimit, kur duke ecur bie në honet e zgjimit.[13] Rënia në këto hone, herë ndodh ashtu si pa kuptuar, herë duhen rravgime të tëra të unit lirik, deri në harxhimin absolut të jetës së prekshme nga syri i vdekshëm. Përtejzgjimi fanepset ose si një vegim ngjethës përgjatë odisesë torturuese në kohën e trupit, ose në formën e një të ardhmeje profetike, të ndjellë prej tragjikes dhe vdekjes së pohuar faktike, apo asaj të nënkuptuar metafizike. Gjithësia poetike zvetënon çdo çast të qenies në një fragment kohe, duke shmangur plot kokëfortësi qenien fragmentare. Fragmentarizimi kohor (mbrëmja, nata e fundit, muzgu, dimri) shndërrohet në kundërfragmentarizim të unit lirik. Ky fragmentarizim “i prekshëm” kohor përplaset pa kuptuar me kohën kufitare, me këtë të panjohur të papritur, e cila e çon po drejt një të panjohure tjetër. Për të cilën duket se lexuesi nuk është fare i papërgatitur, për sa kohë i është dëshmuar hapur se para syve të tij gjendet një frymor që përherë nxiton për diku.

Koha në një fragment të qenies ngjizet në atë pikë fillimi, kur përjetësia hyn në jetën e qenies apo në ajrinë e unit lirik. Kjo kohë plotnie bymehet në lirika të llojit: Odise i malit, Dy orë blu, Rendim pas frymës, Djegagur etj. Poeti rrok thelbet ekzistenciale duke i mbjellë si rrënjë të brishta në truallin e poetikës së tij dhe korr prej tyre këngë, në të cilat herë monologon “me zë të lartë” për t’u dëgjuar thekshëm prej lexuesit, herë dialogon me lexues-dëgjuesin e tij si me tjetrin brenda vetes. Koha e bymyer në këtë lloj lirike rrjedh e tillë prej fillimit. Aspak duke qenë më parë e mpakur dhe pastaj të fillojë procesin e të bymyerit. Është çasti kur uni lirik ka prekur themelin e së kaltrës së errët, ngjyrimin mbështjellës të qenies në fragmentin e saj të dhimbjes së skajshme, ku “si një odise i vetmuar në male, në skajin e tejmë të dhimbjeve”,[14] nuk di më se nga t’ia mbajë. Gjithçka di është se koha është më sublimi lajtmotiv, “përtej një vdekjeje dhe përtej një zgjimi”.[15]

Vetëm sot, vetëm sot

preka themelin e së kaltrës së errët,

një blu  pastër nate,

qiell ngjashëm me ujin-det i kthjellët. “Dy orë blu”

 Këtë prirje për të funksionalizuar e për të sendërtuar artistikisht ashtet apo thelbet ekzistenciale të jetës gjithësisht Sadik Bejko e pati shfaqur qysh në krye të herës[16] në krijimtarinë e tij poetike. Funksionalizimi dhe sendërtimi poetik ndërthuren me njëri-tjetrin si lënda me frymën, për të na e dhënë qashtërsisht e lakuriq shëmbëlltyrën e rrënimit në krejt çastet kohore kur lënda (qenia, uni lirik) e braktis frymën/rend pas frymës, apo vuan paplotninë si shkak i kohës së pamjaftueshme të blusë. Lirikat Rendim pas frymës dhe Dy orë blu janë ndër ato lirika fort të mrekullueshme që e rrokin katërçipërisht konceptin e kohës si realitet metafizik. Në lirikën Rendim pas frymës, e gjithë simbolika kuptimore sendërtohet mbi funksionin e sintagmës që i referohet “pamjaftueshmërisë së drunjtë” dhe trivargëshit[17] “në shartimin e një shtylle qielli/ mbi një pemë/ a mbi dy këmbë njeriu”. Rrënimi vjen për shkak se shartimi ynë nuk kryhet me një shtyllë qielli, por me shtylla dheu. Qenia në alegorinë e pemës bëhet edhe vetë pamjaftueshmëri, duke u tkurrur në një fragment dhimbjeje të padurueshme, kur mpaket ajri i pane dhe themeli i blusë së thellë zëvendësohet me themelin e një peme në vyshkje, që ka ajër sa për një qukapik. Sintagma “vetëm sot, vetëm sot” në lirikën tjetër Dy orë blu përforcon idenë se ne qeniet që rendim ta kapërcejmë frymën para nesh,[18] në vend që ta mbartim përbrenda, zgjohemi në perin e hollë mes jetës a vdekjes. Ekzistenca jonë rreh përherë në këtë hapësirë. Fluturime të tilla që rendin drejt plotnisë si “dy orë blu” (dhe jo tri orëve blu), pas ishujve të vetmuar, që veç një rrip toke do t’i kthente në gadishuj, janë alegori e ajrisë së ekzistencës si antipod i vetmisë. Janë ambiguiteti i shenjuesit “mal”, i cili herë shenjon një kufi kohor e hapësinor mes tokës e qiellit dhe herë tempullin ku mediton e dëshmon uni lirik.

Fragmente kohësh e qeniesh në një ekzistencë të pjerrët honeve të shpirtit shfaqen në lirika, si: Sy të vdekur, Zbehja e zogjve, Fytyrë e panjohur deri  qiell etj. Ajo që sheh është lëvizje, diçka si gjendje transite drejt dekompozimit a, të paktën, shndërrimit në diçka tjetër, krejt tjetër nga ç’ka qenë dikur e që ti rrekesh me mendimin se nuk ka për të ndodhur me ty dhe e ndien se ndërkaq je bërë njësh me të, madje, se keni qenë gjithnjë kështu, pa e ditur.[19] Mosdija nuk të bën as më të mirë dhe as më të keq. Të bën thjesht më tragjik. Koha fragmentare del e projektuar si e tillë prej një uni lirik po aq fragmentar. Kemi njeriun që ka ikur tepër larg kohës dhe kohën që nuk njeh më veten. A është kjo koha që njeriu humbet, apo koha që e ka harruar njeriun dikur diku dhe nuk i kujtohet dot më? Koha e vërtetë është ajo balonë flu prej bryme ngrohtë,që zgjeron kufijtë e shpirtit me et të pangishëm për mosvdekje. Gjendja transite drejt dekompozimit të lë mënjanë kësaj kohe dhe kur ti e ndien se je bërë njësh me zvetënimin, nuk di më se ku të kapesh. Ky është procesi i zbehjes së ngjyrave, zbehjes së botës dhe zbehjes së kuptimeve. Koha është aty, por jo më për ty, në kuptimin e vetofrimit. Je ti që duhet të përfshihesh larg ajrisë së dekompozimit, të çash veten në dysh, pasi je bërë një me vyshkjen tënde. Është qenia që duhet të rilindë nga e para për të njohur fytyrat e tjera të ngjashme me veten. “Sa vjet dritë duhen për një sy të verbër?”[20] – klith uni lirik në monologimin dhe dialogimin e tij me të ngjashmit e vet të trishtë.

Koha e zvetënimit është gjendja transite që refuzon tranzicionin në një rravgim torturues për të njohur tjetrën e saj të vërtetë. Hyn këtu koha e panjohur, e cila në lirikën Fytyrë e panjohur na vjen në formën e kohës mjegullore[21] dhe në trajtë reale e të prekshme (anipse të pagjendshme). A thua se shtegtimi i qenies në kohë e bën të perceptueshme edhe kohën si trajtë reale.

Ka një grimëherë bosh kur bie dita.

[… ] Fytyrë e panjohur gjer  qiell.

Frymë e ajërt, që  josh, të ndjell. “Fytyrë e panjohur”

Poezia përmbyllet me lutjen e unit lirik: “Lutem, lutem, shfaqmu prapë, prapë!” Lutja si nevojë shpirtërore për shfaqjen e pandërprerë të një fytyre të panjohur nga toka në qiell nuk është gjë tjetër veçse dashja me afsh e sublimes për përmbushjen e një shpirti që është bjerrë nga drita dhe është hijezuar aty, “buzë më buzë me humnerën”.[22] “Grimëkoha bosh kur bie dita” është ajo koha kufitare, nëpër të cilën ndodh akti transhendental i përndritjes së honeve të errëta thellë nesh. Honeve me të cilat jemi bërë një person dhe deri pak më parë nuk ishim në gjendje as të kuptonim. Hapësira transhendentale bëhet edhe më e afërt në komunikimin mes unit lirik dhe Zotit në lirikën me atmosferë tejet ogurzezë Zbehja e zogjve.

Zot, thashë, janë  mbaruar,

s’i hanë më qiejt e vjeshtës

me sqepat dhe me krahët e harkuar.

Fytprerë i gjen  ag. “Zbehja e zogjve”

Jemi tashmë në një kohë të ngrirë. Njësoj si me ngrirjen e kohës në epos, kur ngrijnë krushqit, u ndalet kënga dhe udha popullohet me qenie as të vdekura dhe as të gjalla. Frymorët e ngrirë këtu janë zogjtë, simboli më i bukur i lirisë. Zbehet jeta dhe ngjyrat e saj i kalojnë vdekjes. Jeta është pa ngjyrë, ndërsa vdekja është e etur për këngë e hare zogjsh. Në këtë çast uni lirik merr rol mesianik në komunikimin që vendos me Zotin dhe përmbushjen e misionit për t’i komunikuar Krijuesit se deri në çfarë shkalle vdekja ka vrarë lirinë. Qeniet në alegorinë e zogjve kanë humbur peshën e jetës dhe mbartin atë të vdekjes, sepse kanë humbur aftësinë e të thithurit ajër lartësie. Duhet përherë qiell e ajër prej themelit të blusë më të thellë, që ekzistenca e qenieve të jetë kuptimplote, plot ngjyra jete dhe jo e mbushur me jehona të elegjive që ndjellin hijen e vdekjes dhe zvetënojnë shpirtrat.

Sadik Bejko[23] ka një prirje gjenetike për të zbuluar shenja dhe kumte transhendentale edhe te dukuritë më të zakonshme të botës.[24] Në gjithë opusin poetik kemi një konfigurim të kohës së barit. Bari është jo vetëm bimësia që mugullon e vyshket nga një stinë në tjetrën, por edhe përkohshmëria tokësore që ringjallet në forma e kohë nga më të llojllojshmet. Poeti i thur psalmet e veta për njerëzit e tokës dhe bash në tokën e njerëzve iu këndon drithërimave të barit. Atyre të brishtave dhe të paepurave, tek shpërthejnë pareshtur, plot guxim dhe ethshëm në toka pjellore dhe djerrina nga më të palumturat. Bari është jeta, vdekja dhe rilindja jonë shpirtërore. Koha e barit si alegori e çasteve të njerëzve të tokës është shenjuesi tokësor i asaj çka mundet ta pagëzojmë si transhendenca tokësore në këtë lirikë. Kumtet e transhendencës hyjnore i kanë farërat e tyre të mbjella pikërisht në këtë truall paraardhës. Në këtë lloj soditjeje të barit si gjenezë ekzistence në hapësirën mes tokës e qiellit, Sadik Bejko na vjen në letrat shqipe si një sivëlla shqiptar i poetit amerikan Walt Whitman.

Simbolika e zjarrit

Një nga simbolikat më shenjuese në lirikën e Bejkos është ajo e zjarrit. Për zjarrin shkruhet se kuptimet simbolike të tij në letërsi janë po aq të shumëfishta sa forma mund të marrë një flakë.[25] Në varësi të metamorfozës së kësaj flake, dritëhijet e fjalës herë e krijojnë botën sipas perceptimit të poetit dhe herë e shpërfaqin në gjithë dimensionet e bjerrjes së saj para shqisave të lexuesit. Këtu do të detajojmë vetëm disa shqisa: zjarri i Zotit në Bibël, zjarri i purgatorit, zjarri i Prometeut, i kulturës ose intelektit, dhe zjarri i pasionit (epshit dhe zemërimit).[26] Zjarri hyjnor përndrit shtresat kuptimore të lirikave të tilla, si: Kënga e fundit për zjarrin, Drita e parë, Nga e nesërmja, Letër Hamurabit, Maja mbi Luzat, Djegagur, Thirrja e udhës etj. Zjarri i diturisë, ashtu në pamundësinë e tij absolute për të mos u përzier me flakë të zjarrit hyjnor, shenjon kufijtë ekzistencialë mes kuptimit dhe moskuptimit. Kufij aq lehtësisht të ngatërrueshëm në krejt këto troje poetike. Përndriten këtyre flakëve gjendje poetike pështjelluese në lirika të llojit: Te zjarri, Hëna ime, Dhe prapë fillim, Hëna e zezë, Dritare  zjarr, Përbaltja e yllit, Psalm për atin etj. Ndërkohë, zjarri i pasionit dashuror djeg e përvëlon në lirika, si: Është dimër mikja ime, Qan një grua, Sytë e grave të gurit, Mos më lexo  mbrëmje, Magdaliní apo në plot poezi të tjera erotike, të përndezura nga dashuria në përmasën e saj shpirtërore apo në kufijtë e epshores.

Zjarri hyjnor në poetikën e Sadik Bejkos do të shfaqej për së pari më 1972, në vëllimin Rrënjët, i cilësuar si një nga kundërvëniet e pakta e të suksesshme poetike ndaj asaj furie skematizmi ku gjendej poezia shqipe e viteve ’70.[27] Kundërvënia e poezisë së Bejkos ndaj poezisë skematike të kohës do të dallohej nga prania e përmasës së shpirtërores në lirikën e tij. Në vëllimin e parë të poetit bie në sy poezia Kënga e fundit për zjarrin. Kjo këngë “e fundit” është në të vërtetë kënga e parë për simbolikën e zjarrit. Një këngë e parë që do të arrinte flakërimën e saj më të begatë në vëllimin Letër Hamurabit. Vëllimin më përfaqësues të autorit dhe një nga krenaritë e lirikës shqipe, botuar në vitin 1997 dhe vlerësuar shumë nga kritika zyrtare dhe jozyrtare gjithashtu. Poezia Kënga e fundit për zjarrin është një himn për qeniet e “përndritura nga zjarri”, ndërsa janë “të strehuara te zjarri”. Në këtë atmosferë duket se krijohen disa lloje asosacionesh. Ka pikësëpari një lloj dialogu të fshehtë me zjarrin, por që mund të merret edhe si një lloj dialogu me atë tjetrin brenda vetes. Atë tjetrin përndritur prej zjarrit.

Ja, pllakos heshtja:

[…] Heshtnin, po së thelli një këngë agimesh ti brambullije.

Ka një enigmë se nga vjen kjo lloj flake që ngroh e mban larg lëngatën e errësirën. Përmes vezullimeve të dritës qeniet parashohin “agimet fantastike” të së ardhmes. Vargu hapës i poezisë, “Zjarri digjet si një godinë e rubintë”, është një varg çelës për ta larguar vëmendjen thjesht nga ai zjarri i vatrës rreth të cilit ngrohemi sot e ngaherë. Zjarri është një lloj godine, një lloj shtëpie që po digjet për të përndritur banorët e saj. Në këtë poezi, kuptimet e zjarrit nuk janë vetëm të shumëfishta, por nganjëherë të paqarta: çfarë ngroh mund të digjet, çfarë ndriçon mund të të verbojë.[28] Zjarri ngroh, vetëdigjet dhe ndriçon/përndrit. Ky zë që digjet bashkë me zjarrin (“zëri i ndonjë gjyshi të urtë”), ky zë i zjarrtë, ky zjarr që digjet si një godinë apo kjo godinë/strehë që digjet dhe në këtë djegie përndrit qeniet rreth/brenda saj është pa dyshim zjarrmi prej një tjetër bote. Vetëm zjarri hyjnor është ai që digjet vetë për të të përndritur ty. Vetëm zjarri hyjnor “rrënohet e rrëzohet e brofëtin i guximtë”, pa mundur të shuhet si vegim. Akti i sakrificës në emër të sublimes, si një nëntekst shumë recesiv, është një nga dominantet e kësaj lirike. Për më tepër që kjo këngë për zjarrin cilësohet si “e fundit”. Ky cilësim duket se merr vlerën e një testamenti përndritjeje. Një lloj testamenti që në poezinë Drita e parë poeti e vulos me vargjet:

Ndaj ngrihem herët,

me dëshirën për t’u kthjelluar

e rikrijuar dritën e parë.

Poeti shtegton “me besim te zjarri” (Te zjarri) dhe shkruan se “mendoj për ditën” dhe se si “njeriu më i bukur se një luledielli, rrotullohet nga drita” (Nga e nesërmja). Dy janë koordinatat që e mbajnë themelin e qenies në këtë poetikë; rrënjët dhe zjarri. Rrënjët sjellin vazhdimësinë tokësore ku poeti e sheh veten “si një truall të blertë, ku rrënjët zgjaten nga të tjerë”. Po në këto rrënjë, ku njeriu dhe bari, si simbole të përkohshmërisë, përkulen duke ushqyer rrënjët e njëri-tjetrit, nuk ka kuptim ekzistenca pa një këngë zjarri hyjnor. Përndryshe, qenia pushtohet prej kobit e errësirës, nën tingujt e këngës së zvetënuar të korbave (pranojeni korb-ndivnesën). Në një kohë që ekzistenca jonë, “jeta jonë”merr kuptim“përtej një vdekjeje dhe përtej një zgjimi”.[29] Pra, në një hapësirë përtej asaj që duket. Hapësira përtej projektohet në mënyrën e saj më të përsosur në poezinë Letër Hamurabit nga murgari i shpellës Aram.

Pse më tundon, zoti im, me sjellje  kësaj bote?

Njerëzit këtu janë me nga një bodrum  zi,

me nga një hambar terri mbi shpinë dhe nën tru.

Rrëfimi i murgarit që vjen nga shpella Aram, andej nga mpaket drita e diellit dhe bubulon në tru zjarri i të vërtetave, larg zvetënimit të qenieve të tjera me dritë dielli të plotë mbi krye, por me terr në tru, është alegoria lebetitëse e njeriut pa dritë nën dritë apo njeriut pa zjarrin e të vërtetave në kujtesë. Daljen në dritën e verbër apo ditën e të marrëve, murgari e përcakton si një tundim. Kjo botë me qenie të terrta e pa dashuri është një lloj ndjelljeje ndaj paditurisë dhe ftesë ndaj zjarrit që duket se ndriçon (dritë e plotë dielli jashtë shpelle), kur në fakt ajo çfarë ndriçon, në këtë rast mundet të të verbojë. Mpakja e dritës, apo drita që verbon është një lloj habitati binjak me një tokë të shterur nga dashuria.

Zjarri i diturisë, apo shenjuesi i kufijve ekzistencialë mes kuptimit dhe moskuptimit, ka në zanafillë të tij po dashurinë. Krejt ajo pjesë e lirikës që përndritet nga ky zjarr është “një psalm për besimin e shenjtërisë së jetës”.[30] T’i përfalesh shenjtërisë së ekzistencës, do të thotë të ujisësh në honet e moskuptimit shkëndijën prometeiane. Të kuptosh se zjarri i dashurisë më të thellë nis me njohjen e vetes. Poeti “mbjell mbi buzë luledritën që s’ka të dytë” (Hëna ime), për ta filluar edhe një herë procesin e lirisë së vetëndriçimit, në atë kënd të vetes ku “sikush e ka një kënd të diellzuar” (Dhe prapë fillim). Qenia nën flakën e kuptimeve të epërme prodhon dritë e zjarr dashurie dhe për të arritur këtë liri absolute vetëndriçimi, qenia (në alegorinë e hënës së zezë) “kërkon qiellin nga i verbri vdekërim”(Hëna e zezë).

Poezi të natyrës, Dritare  zjarr apo Përbaltje e yllit, e shëmbëllejnë fytyrën e vdekjes në një formë më abstraguese, ndërsa kalojnë nga mungesa e qiellit të qenies në mungesën e qiellit brenda kohës së qenies. Dritarja, si syri i shtëpisë dhe syri i kohës, digjet nën një zjarr shkatërrimtar. Bashkë me qenien, digjet edhe koha e saj. Shkatërrimi përfshin hapësirën dhe kohën, ndërsa kataklizmi na mbjell në sy jo luledritën, por “zogj e gjethe prej një shekulli të djegur”. Bejko ndërton imazhe pikturash surrealiste me fjalën e tij poetike, aq sa lexuesi si fillim nuk e ndan dot kufirin e dritës dhe hijes. Hijet valëviten nëpër imazhe si valëvitje flakësh. Mandej, kur stuhia fashitet, trupëzohen një nga një në qenie që dalin prej hijezimit të peizazhit duke u përndritur befas. Të duket se prej të qenit spektatorë në këto peizazhe poetike shndërrohesh në një lloj shtegtari që humbjen e peshës dhe thithjen e lartësisë e fillon bash në çastin kur të ndjell zëri nga përtej pamjes.

Qiell, ati im, ti ke zogun  blu  errët,

ti ke agun, dritën

[…] Më ndjell dhe që nga mitra e honeve, nga lumenjtë. “Thirrja e udhës”

Zjarri i pasionit merr formën e shpirtërores së thellë, epshit dhe zemërimit. Në lirika të tipit Është dimër mikja ime dhe Qan një grua dashuria është zjarri, falë së cilës fillon e ngrohet një botë e ftohtë me fytyra ish-njerëzish. Kur flaka e shpirtit është mpakur si mungesa e diellit në natyrë dhe si pikëllima e thellë e mbrëmjes. Zvetënimi i humanes në çdo skutë të natyrës e shpirtit lind tragjiken në poezinë e parë, ndërsa lirika tjetër vjen e ngjizur në formën e një elegjie për nga forma dhe tharmi i saj poetik. Zjarri i pasionit pranëvë një grua shpërfillëse ndaj zvetënimit dhe një tjetër që zvetënohet nga mungesa e flakës së dashurisë, duke vetmuar dhe pikëlluar edhe të tjerët me pikëllimën e saj. “Cili qiell të ndriton, të yllëzon ty?” – monologon uni lirik me miken e zemrës. Në lirikën tjetër, poeti lutet me përdëllim e zemëratë për një flakë dashurie që duhet të ngjizet për dikë që është “mospërfillës për një fytyrë drite”,duke shkaktuar terrin e lotëve në shpirtin e gruas. Elegjia e dashurisë Qan një grua ka sërish efektin mjegull në ndërtimin e imazheve, duke ravijëzuar sa fytyrën konkrete të pikëllimit, sa gjendjen abstrakte të një pikëllimi universal, që pikon mbi shpirtin e mbrëmjes dhe lulevileve të kopshtit.

Zjarri i pasionit si zemërim bubulon e brof në lirika, si: Sytë e grave të gurit, Mos më lexo  mbrëmje, Magdaliní etj. Kemi një rrëfim në vargje dhe një dialogim shpirtrash binjakë, në të cilat lexohen hapur shenjat e ringjalljes. Mungesa e plotë e dritës në një atmosferë plot “palumturi djegaguri”,ku uni lirik skicon imazhe përvujtnie të shkëlqimit të zi në sytë e grave, ndjell zemërim dhe përvëlon dhimbje për recepientin e poezisë. Rrëfimi i unit lirik drithëron duke na shpënë drejt një realiteti real dhe surreal njëherazi. Poezia Mos më lexo  mbrëmje, Magdaliní rimerr mitin biblik, duke i qëndruar besnike vetëm brendisë faktike të mitit. Ndërsa brendinë biblike, atë që flet më shëmbëlltyrë, e lë krejt mënjanë. Ngase i intereson më tepër shëmbëlltyra që ngjiz retorika e vet poetike në rimarrjen e këtij miti. Poeti në zërin e Solomonit lutet për zjarrin e dashurisë tokësore dhe qiellore. Sulamithit, së dashurës së zemrës, i lutet ta lexojë kur t’i thotë të dua, për të mësuar shtershëm kuptimin e thellë të dashurisë, ndërsa Magdaliní-t (gruas që mësoi kuptimin e dashurisë hyjnore prej Mesias) i kërkon të mos e lexojë në mbrëmje. Mbrëmja sjell natën dhe nata kreu dikur një kryqëzim.[31] Ndaj dashuria hyjnore duhet lexuar vetëm nën dritën e diellit. Për ta ringjallur zjarrin e saj të shenjtë në çdo rilexim.

Lirika e Bejkos, prej fillimeve të saj, kur i këndonte zjarrit që digjej si një godinë e rubintë dhe deri në poezitë e vëllimit më të fundit Këngët e Solomonit kërkon shenja të ringjalljes për zvetënimet e reja dhe ato të trashëguara, në një botë ku tjetri brenda vetes, koha dhe zjarri i dashurisë qëndrojnë në kufirin mes përhitjes dhe sublimes.

Alisa Velaj

Vlorë, nëntor 2020-maj 2021


[1]   Bloom, Harold. (1997). The anxiety of influence, a theory of poetryPreface, The Anguish of Contamination. New York, Oxford: Oxford University Press, fq. 24.

[2]   Intervistë me Valdete Antonin, https://alb-spirit.com/2018/03/16/sadik-bejko-nje-malesor-brishte-kur-shkroi-rrenjet-e-denuara/.

[3]   Vramendja rrjedh natyrshëm drejt përfundimit se ishulli është tjetri brenda nesh, pasi përdoret njëjësi i shenjuesit gjoks, ndërkohë që bartësit janë dy (unë dhe ishulli).

[4]   Vargu ishte njeriu-gur a guri-njeri i poezisë “Përralla”.

[5]   Hirsch, Edward. (1999). How to read a poem and fall in love with poetry. San Diego, New York, London: The Center for Documentary Studies in association with A Harvest Book Harcourt, fq. 12.

[6]   Vargu përmbyllës i poezisë Në ballkonin e natës.

[7]   Mjegull “reale” si në këtë poezi, apo mjegull/mjegullim alegorik në poezi të tjera.

[8]   Bibla. Dhiata e Vjetër dhe Dhiata e Re. (2002).  Romakëve 7: 18-20 dhe Efesianëve 6: 1-16, Tiranë: Shoqëria Biblike Shqiptare. Për ilustrim përmendim Romakëve 7:19 ku shkruhet: “Në fakt, të mirën që unë e dua nuk e bëj; por të keqen që s’dua, atë bëj.” Vargu pasqyron luftën e veteve apo të kundërtave brenda qenies. Në tekstin poetik kjo shndërrohet në përthyerjen e disa e unëve brenda unit lirik.

[9]   Perifrazohen vargjet “Jashtë, domethënë brenda/ në lirinë time të vetëndriçimit” nga poezia Drita e parë.

[10]   Bibla. Dhiata e Vjetër dhe Dhiata e Re. vep. cit, Gjoni 20:28, 1:1, 5:18, Isaia 9:6, Mateu. 1:23, Romakët 9:5, Filipianët 2:9, 1 Timoteu 3:16, Hebrenjve 1:8. Për ilustrim marrim vargun biblik te Romakët 9:5, ku shkruhet: “Të tyrët janë edhe etërit, prej të cilëve rrjedh sipas mishit Krishti, i cili është përmbi çdo gjë Perëndi…”.

[11]   Bloom, Harold, vep. cit, fq. 35.

[12]   Heidegger, Martin. 

[13]   Perifrazim i vargut “Në ecje bija në honet e zgjimeve” në poezinë Sy të vdekur.

[14]   Perifrazim i vargjeve përmbyllëse të poezisë Odise i malit.

[15]   Perifrazim i vargut më të fundmë përtej një vdekjeje… dhe përtej një zgjimi në poezinë Djegagur.

[16]   Çiraku, Ymer. (Mars 1999). Poezi gravurë Mehr Licht, nr. 9, Tiranë: Onufri, fq. 264-267.

[17]   Marrë si fjali për efekt analize hermeneutike.

[18]   Perifrazim i vargjeve “Rendim ta kapërcejmë/ frymën para nesh-/ balonë flu bryme të ngrohtë” në poezinë Rendim pas frymës.

[19]   Spahiu. Natasha. Sadik Bejko dhe liri poetik Psalm për atin në https://alb-spirit.com/2021/05/18/natasha-lushaj-sadik-bejko-dhe-libri-poetik-psalm-per-atin/.

[20]   Varg në formën e pyetjes retorike në poezinë Sy të vdekur.

[21]   Sërish funksioni i efektit-mjegull në lirikën e Bejkos.

[22]   Varg i shkëputur nga poezia Thirrja e udhës.

[23]   Sintagma “ky poet” në citimin origjinal është zëvendësuar prej meje me emrin real të poetit.

[24]   Jakllari, Adem. (2016). Mbi kodin e dyfishtë. Tiranë: Zambaku, fq. 72-78.

[25]   Ferber, Michael. (1999). A Dictionary of Literary Symbols. USA, Cambridge University Press, fq.72.

[26]   Ferber, Michael, vep. cit, fq. 72.

[27]   Shënim i botuesit Gentian Çoçoli në përcjellje të ribotimit të librit me poezi Rrënjët më 2002 nga “Aleph”. Ky ribotim do të vinte 30 vjet pas botimit të parë më 1972 nga “Naim Frashëri”.

[28]   Ferber, Michael, vep. cit.

[29]   Kjo fjalia dhe mbyllja e fjalisë paraardhëse perifrazojnë vargje nga poezia Djegagur.

[30]   Perifrazohet vargu përmbyllës i poezisë Psalm për atin.

[31]   Teksti i referohet kryqëzimit të Jezu Krishtit në Testamentin e Ri dhe historisë së Maria Magdalenës.

Exit mobile version