Kreu Letërsi Bibliotekë Aroma e pendimit

Aroma e pendimit

Përktheu në shqip Dashamir Malo

Shkëputur nga vëllimi poetik “Ylber Ndjesish” (7 poetë)

MARAM AL-MASRI, SIRI (FRANCË)

*

Natën rroke prej beli.
Puthi gushën si më puthje mua
dhe mbaj në duar lodhjen
e ditës së saj shterpë.
Thuaji asaj nga ana ime
se është kaq e bukur dhe e dëshirueshme
siç ishte ditën kur e njohe për herë të parë.
Bëj dashuri me të
siç bëje dashuri me mua
deri sa zogjtë e saj të heshtur
të fillojnë të çuçurijnë,
me gruan që është armikja ime.

Një bashkëshorte kthehet në shtëpi
me aromën e një burri të huaj.
Lahet hedh parfum
veçse e athët mbetet
aroma e pendimit.

Sa budallaqe!
Sa herë që zemra ime
dëgjon një rrahje,
hap flatrat e saj.


JORGOS HRONAS (Giorgos Chronas), GREQI

ODE PËR MARILYN MONROE-N

Vizatoni mbi trupin tim
gjithë krateret e vullkaneve të tokës.
Bekimin e dokerëve të Nju Jorkut.
Vizatoni mbi trupin tim eunukët e Perandorit të ri.
britmën e lejlekëve të Ivikut.
Vizatoni mbi trupin tim nënën time Ethel,

Ethel nuk e quanin? Të dashurin tim të fundit,
që vdiq me motor në Çikago.
Vizatoni mbi trupin tim pjesëtarët e xhazit,
të Rock and roll-it, të hashashit dhe barbituratit,
vizatoni mbi trupin tim orgazmat e pavullnetshme
të homoseksualëve të Kinsei-t,
dhe të zuskave të Nju Jorkut.
Stolisni mbi trupin tim,
atë zonjë në televizor e cila thotë :
“Kërpudhat e Tibetit preferojini
për gjellën e së Mërkurës .”
Stolisni mbi trupin tim,
zërin tim në diskun 78 PPM,
duke kënduar himnin kombëtar
të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pastaj portreti im të qakullojë natën
në Pennies, në letra tualeti,
në fletore shkollash
dhe në të brendshme që kushtojnë lirë.
Këto tha atë mëngjes Marylin Monroe,
duke hyrë në WC-të e Nju Jorkut,
duke mbajtur në duar qerpikët fallco
dhe kokën e saj.


GEMA BOCARDO CLAVIJO, SPANJË

ARTI I LUFTËS

Unë do të të mund në të gjitha betejat,
por në fund ti do ta fitosh luftën,
sepse strategjia ime është e pagabueshme,
veç ti nuk ndien dhimbje.
Edhe pse të kam shkaktuar plagë
në gjithë trupin,
ti ngul kamën
në zemrën time.

STERILE

Mbolla lule
në dunat
e shkretëtirës sate;
dhe oriz
në valët
e oqeanit tënd.

LETËR E NJOMUR

Përvoja ime është
një artikull i dobët gazete,
një skenar bajat,
një dorëshkrim i rremë,
një mashtrim në poker,
një poezi plagjiaturë,
duartrokitje në një konkurs televiziv,
letër e njomur.


DUSKA VRHOVAC, SERBI

SHI MISTIK

Natën e shkuar me ty kam mbledhur
lulegjaku përgjatë lumit të turbulluar Bistrica.
Nga qielli mbi ne binin petale të bardha,
nga duart e shpirtrave të cilët nuk kanë gjetur paqe.
Nga bari mund të dëgjohen pëshpëritjet e dashnorëve antikë,
poterja e trokëllimave të kalorësve duke ardhur nga rruga,
si në poezitë e Nazim Hikmetit.

Ndërsa pikat e shiut mistik ngjyrosnin fytyrat tona,
balsam për shpirtin xixëllimi i syve të tu
dhe me një sinergji të mallkuar,
fryma jote e nxehtë në buzët e mia të zhuritura
u shndërrua në pika të kuqe vese.
Çdo gjë ishte joreale përveç natës,
përveç lotëve tanë dhe bekimeve të Zotit tonë.

Tani e di që je ky që je dhe ky që nuk je,
që je agimi blu i vdekjes sime të qetë
dhe muzgu i dhimbshëm i rinisë sime të mërguar;
që je zëri i ndrydhur i një klithme të lashtë,
ëndrra e arratisur nga streha e një engjëlli të përgjumur,
i cili u lodh nga një zell i tepruar
dhe dëshironte të pushonte mbi shpatullat e mia.


JULIJANA VELICHKOVSKA, MAQEDONI E VERIUT

POESIA BLUE

Flokët e mi kundërmojnë smog
Oh, shpirt,
më tha:
Flokët e tu kundërmojnë Shkup.
Më tha:
Flokët e tu kundërmojnë smog Shkupi.
Oh, shpirt,
më vjen keq,
i thashë.

DASHURI VJESHTE

Do të doja që të vije
si grabitqar
pas shpinës sime
të sulmoje!
Si luan
të kafshoje qafën time.
Të më bëje të shijoja tokën
barin
shiun…
Të ikje mandej
pa asnjë shpjegim.


NANSI DHANELI (NANCY DANELI), GREQI

TJETRI

Pikëlluese. Të ndiesh kaq vetmi
në mes të turmës.
Ngushëlluese. Të dish si
të njëjtën vetmi
të ndiejë edhe turma.
Thua që je ti dhe të tjerët.
Thua që je ti ai tjetri,
që ecën i vetëm,
që bie të flerë i vetëm,
që shtyhet mes turmës i vetëm.

ÇADRAT

Bie shi.
Shiko si loti i shiut
shpëlan
rrembat e gjetheve
krahët e zogjve
çadrat e pluhurosura.
Bie shi.
Do të kishim mundur ta përzienim
në heshtjen e emocioneve.
Nëse çadrat
nuk ishin
për vetmitarët.


ZDRAVKA STOYANOVA SHEYRETOVA, BULLGARI

UNË TË DUA TY

Këto fjalët e tua
do t’i ruaj si të shtrenjta
midis buzëqeshjes
dhe vështrimit tënd të dhembshur.
Këto fjalët e tua
do t’i ruaj mënjanë –
përqafuar me zell,
besnikërisht
të pluhurëzuara me naftalinë,
të vendosura në sirtarin e poshtëm,
ndërmjet ditës dhe natës,
të sëndukut të kujtesës sime.
Dhe kur prej librit të stinëve
vetëm një fletë e herbariumit të jetë larguar,
unë do t’i hap –
këto fjalët e tua.
Dhe atëherë hëna do të jetë ngritur lart,
mbi fytyrën time duke rrezëlluar,
ku shumë yje do të jenë shfaqur
në sytë e mi të ngrysur.
Unë rishfaq
përsëri atë vajzën e bukur –
të rinisë –
falë këtyre fjalëve të tua.

Exit mobile version