Lundrimi rreth e përqark botës nga Ferdinand Magelani (Fernão de Magalhães) s’do qe i mundur pa ndihmën e shokut të tij, Rui Faleiro. Megjithatë, emri i tij është i panjohur për shumicën e njerëzve; të gjithë kanë dëgjuar për Magelanin, rrallëkush për Faleiron.
***
Ferdinand Magelani (1480-1521), pasi i ishte refuzuar kërkesa për financim, disa herë me radhë, nga mbreti i Portugalisë, Manueli I[1] – i bindur se do të gjente ishujt e largët e të pasur me erëza të llojllojshme – u detyrua të kërkojë ndihmë nga mbreti i Spanjës, Karli I[2]. Portugalia dhe Spanja, atëbotë, ishin armike të njëra-tjetrës. Konkurrenca për të zbuluar e pushtuar toka të reja ishte e madhe. Sidoqoftë, pas shumë keqkuptimesh e dyluftimesh, arritën te një dakordësim: tokat e reja do të ndaheshin mes dy mbretërive përgjatë një meridiani prej 370 ligash në perëndim të ishujve të Kepit të Verdhë, në brigjet perëndimore të Afrikës. Tokat në lindje do t’i përkisnin Portugalisë, ato në perëndim, Spanjës. Të dyja respektuan marrëveshjen.
Për t’u kthyer te Magelani: ai s’ishte vetëm kur ra në gjunjë para mbretit të Spanjës, një akt “tradhtie” ndaj vendit të tij të lindjes, duke iu lutur që ta ndihmonte për t’u nisur në lundrimin e gjatë përreth globit, me premtimin se tokat dhe erëzat e llojllojshme që do të gjente do ta rrisnin famën dhe pasurinë e Spanjës. Atë ditë me të ishte edhe miku i tij, Rui Faleiro, i cili kishte shërbyer në oborrin mbretëror në Portugali qysh në vegjëli. Të dy bashkë i ishin lutur mbretit Manuel disa herë që të financonte ekspeditën e tyre. Përgjigjja ishte përherë “Jo”. Faleiro-n, për më tepër, e kishte refuzuar edhe kur ky kishte kërkuar që të ngjitej në detyrë e të bëhej astronomi mbretëror.[3] Kësisoj, të dy u detyruan t’ia kthejnë shpinën atdheut dhe u shpërngulën në Sevilla të Spanjës.
Rui Faleiro njihej nga të gjithë si “shkollari” ngaqë, siç thuhet, ishte student ose punonte si profesor në një universitet. Ai lindi në qytetin Covilha të Portugalisë. Data e tij e lindjes nuk dihet. Ai shquhej për njohuritë e thella për çdo gjë që kish të bënte me matematikën e astronominë: Faleiro ishte një nga të parët që aplikoi metodën më rigoroze shkencore të përcaktimit të gjerësisë dhe gjatësisë gjeografike. Për më tepër, ishte edhe shpikës shumë i zoti.
Më 22 mars 1518, mbreti i Spanjës miratoi kërkesën e Faleiros dhe Magelanit për ekspeditën, dhe i emëroi bashkëkapitenë. Të dy do të kishin të drejta absolute për gjithçka i përkiste ekspeditës. Ndërkohë, u bënë gati pesë anije. Shumica dërrmuese e anëtarëve të ekuipazhit ishin spanjollë: ekzistonte një dozë mosbesimi ndaj Magelanit e Faleiros ngaqë ishin portugezë.
Megjithatë, për fat të keq, planet pësuan ndryshime në çastet e fundit. Mbreti ishte njoftuar se Faleiro s’ishte mirë nga mendja. Ai kishte luhatje të skajshme humori: s’flinte për net të tëra, ndihej në siklet, bëhej i dhunshëm e nganjëherë e kaplonte një melankoli e thellë. Faleiro, sipas të gjitha gjasave – edhe pse të dhënat e gjetura janë të pakta – vuante nga çrregullimi maniako-depresiv (bipolar). Rrjedhimisht, mbreti vendosi përmes një shkrese zyrtare që Faleiro të mos nisej në ekspeditë. Ekzistonte frika se do të humbte arsyen gjatë kohës që do të ishin në det, do bëhej i pakontrollueshëm, dhe kësisoj do rrezikonte suksesin e ekspeditës. Për të mos ia lënduar ndjenjat, i thanë se do nisej disa ditë më vonë, mirëpo ajo s’ndodhi asnjëherë. Në enciklopedinë “Britannica” thuhet se ishte vendimi i vetë Faleiro-s për të mos u nisur në ekspeditë pasi kishte lexuar yjet dhe besonte se po të hipte në anije do të përfundonte tragjikisht.[4] Megjithatë, faktet flasin për të kundërtën. Sebastián Álvares, p.sh., i shkruan sovranit të tij disa ditë para nisjes së ekspeditës: “Kam folur me Ruy Faleiro-n në dy raste, mua më duket se ai është si një njeri që ka humbur arsyen. . .” Një tjetër i njohur shprehej se Faleiro irritohej shumë shpesh dhe ecte kuturu si i çmendur.[5]
Kështu, ekspedita e la qytetin spanjoll Sevilla pa Faleiron më 10 gusht 1519. Megjithatë, flota mbante, me një kujdes të veçantë, në një kasafortë të mbyllur me dry, mjetet më të fundit të lundrimit që i kishte shpikur Faleiro, duke përfshirë busullat, astrolabët, orët e rërës dhe hartat. Nga 24 hartat e marra në udhëtim, gjashtë u krijuan personalisht nga Faleiro. Të tjerat u bënë nga kozmografi Nuño Garcia (shtatë nën mbikëqyrjen e Faleiro-s). Në detyrat e tij si astronom i ekspeditës, Faleiro u zëvendësua nga kozmografi spanjoll Andrés de San Martín.
Faleiro u kthye në Portugali, u arrestua për tradhti ndaj mbretërisë, dhe u dënua me burg. Thuhet se atje pësoi një krizë tjetër mendore por e mori veten pas pak kohe. Edhe ky fakt vërteton se ai vuante nga çrregullimi bipolar, i cili është çrregullim episodik. Pasi u lirua, u kthye fshehurazi në Spanjë, s’u dëgjua më dhe i kaloi ditët e fundit i vetmuar.
***
Çrregullimi bipolar është një sëmundje mendore episodike që karakterizohet nga luhatje të skajshme humori. Individët bipolarë ciklojnë nga melankolia (depresioni) në mani gjatë gjithë jetës, episod pas episodi. Simptomat e depresionit përfshijnë: rënien e libidos, ndjenja pikëllimi që shfaqen pa ndonjë arsye, humbjen e interesit për çfarëdolloj pune a aktiviteti, mendime për vdekjen (apo për t’u vetëvrarë), mendime negative për veten dhe lodhje. Simptomat e manisë, në krahun tjetër, përfshijnë: ndjenja euforie, rënie të nevojës për gjumë, mendime që rrjedhin shpejt dhe duken sikur garojnë, nervozizëm, vetëbesim të lartë etj. Sëmundja s’ka shërim por mbahet nën kontroll me antidepresantë dhe me ilaçe antipsikotike.
Qysh para më se dy mijë vitesh mjekët e filozofët kanë vërejtur se ky lloj çrregullimi ciklik prek më shumë individët me prirje artistike dhe intelektuale. Kjo hipotezë ka mbijetuar gjatë mesjetës, Rilindjes, dhe është temë për të cilën diskutohet edhe sot. Kay Redfield Jamison, profesoreshë në Johns Hopkins University, ka shkruar më 1993 librin e saj më të famshëm “Touched with Fire” në të cilin flet për jetën dhe veprën e disa prej artistëve më të shquar që kanë vuajtur nga ky çrregullim (Robert Schumann, Lord Bajron, Vincent van Gogh, Ernest Hemingway, Robert Lowell etj.) Hulumtimi i saj – në vijë me mendimin e filozofëve të lashtë të Greqisë, si Aristoteli e Platoni – shpërfaq se çrregullimi bipolar, edhe pse shpeshherë vdekjeprurës, i bën njerëzit e prekur më të aftë për të shkruar poezi, për të kompozuar muzikë, për të zgjidhur probleme matematikore apo për t’u marrë me shkenca të tjera të natyrës.
Pas Jamison-it (1993), për këtë ndërlidhje është shkruar e debatuar edhe në qindra punime e konferenca të tjera shkencore gjithandej nëpër universitetet perëndimore. Sidoqoftë, nga ato që kam lexuar, në asnjë prej tyre s’përmendet emri i Rui Faleiro-s. Rrjedhimisht, më 2017 vendosa që të udhëtoj në Spanjë dhe Portugali për të zbuluar më shumë për këtë njeri brilant por të harruar, pa hartat e të cilit flota e Magelanit s’do të kishte pasur asnjë mundësi për të qenë e suksesshme. Ishte udhëtimi im i parë solo. Udhëtova nga Gjermania, ku studioja, në Madrid, pastaj në Valencia e Sevilla, për të vazhduar në Faro dhe Lagos. Të dyja gjuhët, spanjishten dhe portugalishten, i flisja rrjedhshëm qyshkur. Njerëzit që kam takuar, pa përjashtim, kishin dëgjuar për Magelanin, asnjëri për Faleiro-n. Për aq ditë sa ndenja, s’gjeta ndonjë dokument që më hynte në punë për të mësuar më shumë për sëmundjen e Rui Faleiro-s. I vetmi libër që kam gjetur e i cili përmend shumë herë Faleiro-n është “Over the Edge of the World” nga Laurence Bergreen. Nëpër biblioteka s’gjeta dot as ndonjë punim shkencor të shkruar veçanërisht për të. Të gjitha flisnin shumë shkurt vetëm për hartat e për llogaritjet matematikore që kishte bërë gati për ekspeditën. Emri i Magelanit të famshëm, me sa duket, e ka eklipsuar plotësisht emrin e mikut të tij fatkeq. Portugalia, përfundimisht, e ka harruar djalin e tij brilant. Duhet të jetë ky fati i atyre që, pa ndonjë faj të tyrin, vuajnë nga sëmundjet mendore?!
Prishtinë, 2023
[1] Mbret i Portugalisë nga 1492 deri më 1521.
[2] Mbret i Spanjës nga 1516 deri më 1556.
[3] Edhe më keq, këtë pozitë ai ia ofroi një rivali të përbetuar të Faleiro-s.
[4] Gjasat që Faleiro të vdiste në ekspeditë dolën të ishin vërtet të larta. Nga 270 burra që ishin nisur në ekspeditë, vetëm 18 u kthyen gjallë. Nga pesë anije, u kthye vetëm një. Ndër të vdekurit ishte edhe vetë Magelani, i cili u vra nga populli vendas gjatë një përleshjeje në Filipine.
[5] Sipas manualit diagnostik të sëmundjeve mendore (DSM-V) acarimi i vrullshëm dhe ecejaket kuturu janë shenja se një individ bipolar po kalon një episod maniak.