Kreu Letërsi Bibliotekë Arian Leka: Dy fjalë hyrëse mbi poezitë e Natasha Lakos

Arian Leka: Dy fjalë hyrëse mbi poezitë e Natasha Lakos

Na kanë mësuar që më të mirën e poezisë ta gjejmë larg ose të presim në heshtje, derisa të tjerët të na pohojnë se ajo çka kemi pikasur si të rëndësishme në poezinë tonë është me të vërtetë e tillë. Kjo pasi sa herë që mbajmë në dorë hartën poetike, gishti e mbulon krejt një vend të vogël si Shqipëria, duke e bërë atë thuajse të padukshëm, kur bëhet fjalë për poezinë që niset t’i bashkohet denjësisht rrjedhave më të mëdha.

Natasha Lako është rasti kur poezia që, veç bukurisë, ka fituar edhe forcë, duhet kërkuar më afër. Jo e ëmbla jo, por e pjekura. Lirizmi – brenda një kohe dhe një autoreje të pa qetë – ky e ka mbrojtur krijimtarinë poetike të Natasha Lakos si përherë edhe tani.

Ky lirizëm ruan jo vetëm autoren, por edhe lexuesin nga vulgariteti, nga pajtimi me shijen dhe aromën e keqe të banales. Por vargjet e këtij libri, që i drejtohet qytetërimit të inteligjencies (atij që nuk po arrin të dallojë se dy palë çizme dhe dy palë atlete të njëjta mund të ndodhen pranë jo për shkak të globalizmit, por ngaqë duhet të ndajnë qeranë e një dhome të vogël, apo koston e diçkaje mbi të cilën shënohet për dy paguaj vetëm një) mund të na ndihmojnë të kthejmë mendjen drejt vëzhgimeve që bën poezia, asaj më të mirës, që vlerëson lartësinë dhe tregohet e pavëmendshme ndaj masave të tjera dhe numrave rendorë, që mëtojnë t’i vënë poetët në rresht. Natasha Lako është dalja nga rreshti. Nuk mendon të jetë e para apo e rëndësishmja e poezisë. Çdo lavd mbi poezinë e saj do të tingëllonte si të gjitha gjërat e ëmbla që nuk na bëjnë aq mirë.

Janë kundëpërfytyrime dhe jo thjesht poezi, ato me të cilat do të përplasemi në lexim. Dhe kemi qenë të paralajmëruar. Që në titull. Nuk është një libër që sjell hare dhe paqë. Do të kthehen të uritur nga leximi edhe ndjekësit e hershëm, sidomos ata që e kanë mbërthyer autoren pas vargjeve 20 qindarka për të folur me ty… 30 qindarka për të qenë të dy. Kjo pasi poezitë e këtij libri nuk ushqejnë askënd me ëmbëlsinë e më të bukurës së jetës.

Vargjet janë ndërtuar prej furisë së përfytyrimeve aq të forta sa jo gjithkush do të ishte i gatshëm t’i pranonte si të vetat, veç autorit që e di se i shton botës së vet ujëra të reja e të kreshpëruara dhe ajër të harlisur qiellor. Ato vargje kanë shijen e athët të skandalit që shkaktojnë ngjarjet apo fjalët kur vendosen për herë të parë pranë e pranë. Na zënë befasisht, na gjejnë të papërgatitur dhe na kujtojnë se për të qenë autor i tyre duhet paguar shpagë. Autori paguan me të njëjtën kokëfortësi që paguan edhe jetën. Por një gjë dihet dhe mund të merret me mend: prej poezive të tilla jeta e shqiptarëve mund të mos bëhet më e mirë, por poezia e tyre, sigurisht që është më e mirë.

Natasha Lako nuk ia ka lejuar poezisë së saj romantizimin e imazheve, të fjalës apo vargut, por kjo nuk na bën të harrojmë se vijmë nga ajo trashëgimi që kërkoi dhe kërkon nga poeti himnizonjësin apo disidentin. Heroin domethënë, pavarësisht se mes vargjeve të librit shënohet se nuk dimë ende asgjë mbi heroizmin apo lëshimin e zemrës dhe se të magjishmen duhet ta zhveshim trupi çdo mbrëmje. Ndryshe, mes nesh do të mbetej po ai paradoksi i vargjeve me rima, i kadencave me rima të puthura, i metrikës së rregullt dhe i ritmeve triumfale që poetët shkruan në kohën kur vendi rroposej dhe rrokullisej në heshtje dhe në krim.

Mëse një herë poezinë e Natasha Lakos e kanë kufizuar brenda një bote gruaje, madje prej Safoje ndonjëherë, vetëm e vetës se aty gjenden vargje mbi të dashurin që kalon përmes apo ngaqë ka përkëdhelje, fustane, botë dallëndyshesh, puthje, komça xhakete, fjollë dëbore, trupa që i ngjajnë një dhome të fresket plot me jastëkë e nime dhe shumë luledele, lulekumbulla e lulebore.

Edhe vetëm me këto kjo autore do të ishte e përveçme, nëse do të kuptonim se bota floreale në poezi bëhet mjet për të menduar se çfarë mund të bëjmë me dashurinë e tepërt. Por çdo krahasim me poetet e temave të përjetshme apo me poeteshat e motiveve të përditshmërisë sjell hare, pasi nën këto perde e dantella ruhen të fshehtat e një gruaje dhe një burri që mund të krijojnë një njeri të ndryshëm nga vetja / buzë një rruge plot agjensi udhëtimesh dhe spitalesh për zemrën, ku një viç i sapotherrur varet kokëposhtë në qetësi, shfaqen historitë e nënave me bijtë dhe bijat ose thënë shkurt janë marrëdhëniet e atyre që mund ta zbulojnë dritën, duke hedhur pas shpine diçka.

Duhet ta gjejmë një përgjigje edhe për lirikën që mbijetoi jo tek të gjithë poetët, në motet kur bora nuk lejonte të shihje as çatitë e kuqe dhe as pemët e zhveshura, por të ndjeje se nën të pranverën që lëvizte, siç i gjejmë të shkruara që kohë më parë në poezinë e Natasha Lakos. Ndaj dhe poetët si ajo nuk e shmangin shikimin as nga dashuria, kohët e bukura të trupit dhe drita e Mesdheut e as nga të uriturit shqiptarë, plaga që shkohet në pe, aplikacioni për punë të rregullt në Gjermani, lajmi se nuk e ke fituar llotarinë amerikane, kredia e madhe dhe puthjet edhe më të mëdha të një të dashuri të fshehur në dallapin e shtëpisë, duke ndenjur përballë lexuesit drejt e drejt, njëlloj si lauresha që këmbehet në shteg me gjahtarin, në atë “qytetin femëror”, që shfaqet dhe zhduket brenda këtij libri.


Kur avitet bota

Kur avitet bota, trupi hap gjinjtë,
kërmilli më përshëndet me samar lulëkuqesh.

Me gërmat më të vjetra e më të pakuptueshme,
shkruajnë thneglat, një letër që më do.

Mua më ze malli për lloj lloj perëndish,
si për drerin që vrapon në zemër.

Si t’ia bëjmë me dashurinë e tepërt,
ndërron rrugë e së vërtetës, nga jargavan në jasemin,
në përzgjatimin e luleve.


Flutur e papërdorshme

Edhe agimi po ngrihet,
si flutur,
prej ajri të bardhë,
dhe ajri të zi.

Ca qenie të ikura,
poshtë meje,
kanë zbritur,
si poshtë ditës,
pa krahë engjëlli.

Poshtë dhe më poshtë,
të tjera qenie frymore,
si sy dhe veshë,
me krahët e tyre,
më nxjerrin në krye.

Një flutur e papërdorshme,
kthehet në panjeri,
gëzimi më ka rënë në pjesë,
por duhet të agojë.


Asaj që të gjithë i thonë pranverë

Të pamundurën kërkon,
ajo që të gjithë i thonë pranverë,
pret edhe pak,
të dalë pastaj edhe prej trupit.

E thua me pranverën të pamundurën,
di të presësh dhe pak,
të gjesh atë që në mendje të vjen dhe të flet.

Të ikësh, të shpërthesh përtej trupit,
të nevojshme janë fjalët kaq,
nuk kanë lidhje as me kostumet dhe xhaketat,
që i mbyllin të gjitha brenda.

Dhe pastaj një shtesë lind, as det, as magji,
një eko e pathënë që nxjerr zë,
deri në kërcëllimën e një dere.
Ka lindur njeriu t’i verë fre,
asaj që të gjithë i thonë pranverë.


Në orën dymbëdhjetë të natës

Në orën dymbëdhjetë të natës,
njeriu që nuk ka marrë pjesë në krim,
i ngjan krimbit të mëndafshit,
dhe errësirrës.

Në orën dymbëdhjetë të natës,
të mbyllyra janë magazinat e mëdha,
por rruga e mëndafshit është e hapur,
përtej rrugës nga Korça në Elbasan.

E pamundur të mbulohen gjithë trupat me mëndafsh,
megjithëse ai ekziston si krimi,
në orën dymbëdhjetë të natës,
nis nga e para butësia.

Jashtë historisë mbetet njeriu që nuk ka marrë pjesë në krim,
vetëm në mëndafsh dhe gurë,
nis numërimi i orëve, i të lumturve, të vrarëve, të dashuruarve,
nga e para, në orën dymbëdhjetë të natës.

Mes-natë, mes-minutë, mes-sekondë, fjalë goje,
njeriu që nuk ka marrë pjesë në krim,
dhe krimbi i mëndafshit që kërkon flutur dhe paqe,
në orën dymbëdhjetë të natës, por nuk i mjafton koha.


Larg

I mban fëshfërimat e pemëve të mia të largëta zbrazëtia,
e pluhurit të palmave të ndenjura si peshq,
në guximin e diellit lëviz edhe nepërka ime prej guri,
që të gjallë, reale dhe të freskët më bën,
larg maleve të mi dhe detit tim.

Si këpucët që më mbajnë përditë,
është ky vend i largët, i huaj,
por shumë i rehatshëm,
plot e përplot me një zbrazëti të ëmbël,
të mbushur me plasaritje të tjera të hapura,
ku këmba mund të mbjellë humnera plot.


Vazo

Limoni i mbjellë në vazo,
kapërxen çdo triumf për të treguar,
arsyen dhe përmasat,
që mund të japin fruta dhe lulëzim,
përbetimin tregon, kalkulacionin më të vetmuar,
përjashtimin e çdo prove tjetër.

Gruaja dhe burri po kështu,
vendosen në një familje,
por tarraca është tjetër, s’pjell,
shkenca të lavdishme, as tradhëti,
të ardhmen e ka poshtë.

Të dëbuara prej plagëve,
janë këto vazo të vogla,
që përsërisin plot sukses,
mëmën dhe dheun.


Balta

Kur zemërohem, zemërohesha,
këpucët më shpinin dje.

Kur zemërohesha, zemërohem,
këpucët më shpinin sot.

Biblike, simfonike, akademike, butaforike,
skelektike, satirike, ironike, ciklike, historike, histerike.

Balta kërkon gjurmë, jo të gishtërinjve,
të të gjithë trupit.


Përshëndetje dhe meteorë

Pluhur ka përshëndetjesh dhe meteorësh,
e gjatë është koha,
koha e një gruaje që me një makinë qepëse të pluhrosur,
tegela u shkon fustanëve të vjetër në një kthinë të vogël.

E shkurtër është koha,
koha e një burri që mbi një xham troket,
të ndjellë një grua si himn.

Në varësi të zogjve, gjetheve, makinave qepëse,
birbove, fjalës ‘brick’ që thuhet për tullat, llojit të mishit,
koha ndryshon brenda për brenda veten e saj,
po një grua dhe një burrë thonë se,
ata mund të krijojnë një njeri të ndryshëm nga vetja,
atje buzë një rruge plot agjensi udhëtimesh dhe spitalesh për
zemrën,
ku një viç i sapo therur si gjithnjë në qetësi varet kokëposhtë.

Jetoj tepër shkurt në këtë qytet,
pa i përmbledhur dot balonat e sapo nisura për më tutje,
ndahet e vërteta ku marr pjesë, nga e vërteta ku nuk marr pjesë,
pluhur ka meteorësh dhe përshëndetj

Exit mobile version