Kreu Letërsi Bibliotekë Ardian Ndreca: Zhegu në Shkodër

Ardian Ndreca: Zhegu në Shkodër

Leximet ma të mëdhaja në fëmijni i kam ba në zheg. Libra të tanë të përpîmë ratë në nji dyshek të hollë të shtruem përtokë për me u mbrojtë prej të nxehtit. Në gjysëmterrin e freskët të odës me sytë e lotuem prej leximit, me krahun e qafën të mpimë. Kishte libra ku përshkrimet e stërhollueme i kaloja se më mërzisnin. Me mend fluturoja larg, herë në anije me kapitenin Hateras, herë me Nemeçekun e ndonji herë në udhtime ma të ndërlikueme si ai me Ana Kareninën.

Zhegu i verës në Shkodër asht nji institucion që kushtëzon jetën publike dhe private. Edhe revolucion me qenë në zheg bahet armëpushim, zbatica tërheqë ndër shtëpia të marrë e të urtë, rrugët shkretohen. Qëllonte mes muresh të nalta të ndonji rrugice me ndeshë ndokend që si i trumhasun kërkonte mrizin e vet. Diktatura e zhegut i mbledh të gjithë, ma keq se murlani në dimën. Qyteti heshton. Por përtej kopshteve të blerta, mbas dritaresh, andrra me ikë gjallon dhe filozofia e padurimit merr krahë. Ata që si un e kanë vuejt kohën e zhegut e kuptojnë se çka due me thanë. Minutat s’kalojnë kurrë, libri që ke në duer s’të tërheqë ma e mendja shkon fluturim në breg të liqenit, nën hijen e ndonji mrine që lëshon aromë, ndërsa prej malit të shogët era e trumzës dhe e sherbelës e nxitun prej vapës zëvendëson repertorin e ernave të drandofilleve e karajfilave që mundesh me ndie në oborr.

Zhegu asht nji institucion pse ai e ngurtëson qytetin, e laton simbas dëshiret. As shteti s’ka mujtë ndonjiherë me iu imponue shkodranëve aq sa iu asht imponue zhegu i ditëve të verës. Mandej, si mos me pasë ndodhë asgja, njerzit zgjohen, por jo të gjithë, për nji pjesë zhegu s’mbaron kurrë. Rrugët mbushen plot, makina e ujit mbushë flegrat e hundëve me erën e pluhnit, që në qytetin tem dimën verë asht në gjendje lufte me ujin. Rikthehet ancien régime, due me thanë regjimi i zakonshëm i jetës. Zhegu asht si pauza në muzikë, ata që e njohin e dijnë se çka vjen mbrapa, të tjerët e jetojnë me ankthin e pritjes, kështu e kam jetue edhe un gjithmonë.

Marrë nga libri Pa pikë pa presje,

Onufri, Tiranë 2020.

Exit mobile version