Kreu Letërsi Shënime mbi libra Anton Nikë Berisha: Rrafsh i lartë i studimit të apofonisë indoevropiane në...

Anton Nikë Berisha: Rrafsh i lartë i studimit të apofonisë indoevropiane në gjuhën shqipe

Albert Riska, Gjurmë të apofonisë indoevropiane në gjuhën shqipe. Shtëpia botuese Kristalina- Kh, Tiranë 2022.

Dije e gjerë dhe e thellë në fushën e gjuhësisë

Për dijen sa të gjerë aq dhe të thellë të prof. Albert Riskës në fushën e gjuhësisë u binda pasi lexova librin e tij “Shqipja dhe krishterimi[1]”. Në vështrim të parë titulli nuk të jepte një ide të qartë dhe mirëfilli të përcaktuar të asaj që njëmend ka në qenësinë e vet ky libër. Mirëpo, kur i rashë në fund m’u qartësuan skajshmërisht, pos të tjerash, dy gjëra të rëndësishme.

E para: gjakimin që brenda traditës së krishterë të dëshmohet lashtësia e gjuhës sonë meqenëse na mungojnë dokumentet e shkruara të një periudhe të hershme.

E dyta: përpjekja që përmes disa “vogëlsirave”, fjalëve, të dëshmohet në një mënyrë dhe rrjedha e gjuhës sonë. Libri i tij është fryt i gjurmimit thellësor e jo i fjalëve të mëdha e “patriotike”; studimi i lashtësisë së gjuhës sonë, duhet të mbështetet në të dhëna e në argumente sa më bindëse dhe të përligjur me shembuj, siç ndodh dhe në shkencat e tjera.

Arsyet pse prof. Riska u mor me gjuhën dhe krishterimin lidhet pikërisht me pasurinë e trojeve shqiptare me monumente të lashta të krishtera: “[…] territori i Shqipërisë radhitet ndër territoret më të pasura me monumente të kultit kristian të hershëm[2]”.

Në studimin  “Shqipja dhe krishterimi” prof. Riska veçon dy faza të hershme të përdorimit të greqishtes dhe të latinishtes gjatë predikimit nëpër kisha; e para përdorej para legalizimit të krishterimit, ndërsa e dyta pas[3].

Elementi latin i krishterimit në gjuhën shqipe përligj lashtësinë, siç e kishte thënë më parë edhe prof. Çabej: “Në gjuhën shqipe terminologjia kristiane me gurrë latine përbën shtresën më të moçme të gjuhës fetare[4]”.

Prof. Riska ndriçon rëndësinë e madhe të pranisë së fjalëve shqipe të traditës së krishterë që e kanë burimin te greqishtja e vjetër, çka dëshmon, po ashtu, për lashtësinë e gjuhës sonë: “Prania e fjalëve të tilla, të fjalëve të sferës së besimit të krishterë që e kanë burimin te greqishtja ose që mund të kenë ardhur nëpërmjet greqishtes, është e një rëndësie të jashtëzakonshme për gjuhën shqipe[5]”.

Mbasi i bën një shqyrtim sa të gjerë dhe të thellë fjalës zot, duke e krahasuar edhe me greqishten homerike, prof. Riska shkruan: “[…] fjala zot e gjuhës shqipe është një fjalë e vjetër [6] […] dhe është përftuar nga zhvillimi fonetik i një kompozite që përbëhej nga dy fjalë – rrënjë indoevropiane *djēus +atta apo *dijēus+atta, me kuptimin ati i qiellit ose ati i dritës, apo ati i ditës”[7].

Edhe fjalën Shën të gjuhës shqipe, që është e burimit latin, siç thekson prof. Riska, për shkak të funksionit dhe vendit të përdorimit ka provuar zhvillime fonetike dhe kuptimore të ndryshme dhe është diferencuar si një fjalë me vete[8]. Për fjalët lëmoshë dhe mëshirë studiuesi ynë thotë se të dyja rrjedhin nga fjala e vjetër greke eleemosýne, huazuar edhe nga latinishtja.

Nga gjurmimet dhe analizat e vëmendshme dhe thellësisht profesionale, prof. Riska nxjerr përfundimin: “Gjurmët e zhvillimeve që ka njohur faza e parë (e krishterimit), shekujt I – III, janë shumë të pakta në gjuhën shqipe, megjithatë, e rëndësishme është që ato nuk mungojnë. Nga kjo fazë duhet të jenë trashëguar në gjuhën tonë fjalët: bajëm, djall, djemën, dreq, hir, mëshirë, shaje, tym, si dhe toponimi Fterrë. Mund të përmendim si të kësaj faze edhe disa terma që i kanë përkitur terminologjisë  së paganizmit, por që krishterimi i përshtati dhe i bëri pronë të terminologjisë së vet, si: zot, e enjte, e premte, si dhe ndonjë emër shenjtori, si: Shën Premti dhe Shën Gjini, ndoshta edhe Shën Mitri[9]”.

Studiuesi ynë i ndriçon dhe një varg fjalësh të gjuhës sonë që kanë burim nga latinishtja, që i përkasin shekujve IV – VI, si: fe, prift, meshë, shpirt, ferr, besoj, mallkoj, pashkë, kumbar, shenjt, engjëll, kreshmë. Ungjill, këndoj etj.[10]

Duke folur për krishterimin te shqiptarët prof. Riska shkruan: “Të gjitha elementet gjuhësore që do të lidhen me zhvillime të kësaj periudhe duhen të konsiderohen si elemente të trashëguara për gjuhën shqipe, duke qenë se është fjala për faza që e kapërcejnë kohën e lindjes së vetë shqipes. Këto të dhëna gjuhësore tregojnë se krishterimi ndër shqiptarë është i trashëguar, pra shqiptarët nuk e kanë përqafuar krishterimin vetë, por kanë lindur si një popull i krishterë[11]”.

Në vijim të ndriçimit të dukurive gjuhësore brenda traditës së krishterimit, autori shkruan: “Në shekullin VII nis periudha e dytë e zhvillimeve në sferën e besimit të krishterë. E quajtëm ‘Periudha shqiptare’, sepse jemi në kohën kur duhet të ketë lindur gjuha shqipe dhe elementet leksikore që janë futur në këtë kohë përbëjnë huazimet e vetë shqipes dhe u shtrohen elementeve të trashëguara nga gjuha nënë[12]”.

Përligjje e rrafshit dhe e cilësisë së lartë studimore

U zgjata paksa, siç thonë ulqinakët, rreth librit “Shqipja dhe krishterimi” të prof. Albert Riskës për arsye se i paraprin studimit të tij Gjurmë të apofonisë indoevropiane në gjuhën shqipe[13],  që është pa asnjë dyshim vepra më e vlefshme dhe më cilësore e deritanishme e autorit dhe njëra nga veprat më të qenësishme të gjuhësisë shqiptare që njoh unë.

Kjo gjë përligjet me mënyrën e qasjes së dukurive, me shqyrtimin e ndërliqshëm që u bën nga rrafshe e pikëvrojtime të ndryshme; nga ballafaqimi dhe ndriçimi i tipareve dhe i cilësive që u bën një varg fjalëve dhe formave të tyre nga aspekte të ndryshme dhe, natyrisht, edhe me të mbërrimet (përfundimet) që sjell. Së këndejmi, libri i tij mund të shërbejë si model për punën studimore jo vetëm të gjuhëtarëve të rinj, por edhe të atyre më me përvojë, madje jo vetëm në fushën e gjuhësisë. Them kështu për arsye se nuk më ka rënë ndonjëherë të lexoj një vepër të një gjuhëtari tonë që me kaq dije e ndjesi shkencore t’i qaset një problematike, siç është apofonia indoevropiane në gjuhën shqipe, duke ndriçuar një varg çështjesh sa të rëndësishme, po aq të ndërliqshme gjuhësore, që kanë qenë e do të jenë objekt vështrimesh edhe në të ardhmen.

Prof. Riska në bën të ditur arsyet pse e bëri objekt studimi në rrafshin sa të gjerë aq thellësor dukurinë e apofonisë, qoftë në analizën e fjalëve, qoftë të grupeve (çerdheve) të fjalëve, që kërkon një dije dhe një studim shumë kompleks. Sipas tij apofonia zgjon “[…] kërshërinë e ço studiuesi të historisë së një gjuhe për arsye, si për natyrën e saj, për terrenin morfonologjik ku lind e vepron, për kohën kur ka vepruar, si dhe për vlerat që mbart në sistem. Është një nga dukuritë morfonologjike më të vjetra dhe nga më interesantet që i takon kronologjikisht fazë së përbashkët indoevropiane dhe që ka lënë gjurmë të dukshme në disa gjuhë të familjes, po ashtu dhe në gjuhën shqipe[14]”.

Pra, apofonia e përligj rëndësinë e saj për arsye të shndërrimit fonetik me vlerë morfologjike të fjalëve, por edhe të vështrimit historik. Për disa studiues apofonia më tepër heq peshë në aspektin fonetik, për disa në atë morfologjik[15]. Ndonjëherë këto dy aspekte edhe mund edhe të mos ndahen[16].

Në përcaktimin e prof. Çabejt apofonia është “[…] alternim i rregullt i disa vokaleve të caktuara në fjalë që lidhen etimologjikisht në mes të tyre[17]”.

Është dhe një arsye tjetër që prof. Riska e bëri objekt shqyrtimi apofoninë, që mund të thuhet përmes mendimit të Oswald Szemerényi: “[…] duke qenë se skema bazë e ndërkëmbimeve vokalike funksionon me përkime perfekte në gjuhë të ndryshme dhe, nga ana tjetër, duke qenë se ndërkëmbimet nuk gjejnë shpjegim brenda historisë së një gjuhe të veçantë, detyrimisht duhet pranuar se apofonia është dukuri e trashëguar nga gjuha bazë e familjes[18]”. Kjo ndodh dhe me gjuhën shqipe.

Studimi i mirëfilltë i apofonisë tregon se ajo është një dukuri që ka luajtur rol të rëndësishëm në përftimin e trajtave të fjalëve e të grupeve të fjalëve në gjuhë të ndryshme, po dhe të fjalëve dhe të grupeve të fjalëve të gjuhës shqipe. Së këndejmi, njohja e thelluar e apofonisë nëpërmjet shembujve konkretë të fjalëve shqipe dhe të trajtave që ruajnë ato, do të ndihmojë për të rindërtuar fjalë dhe trajta që do ta pasuronin studimin e apofonisë, por edhe për të krijuar një përfytyrim më të saktë për sistemin e gjuhës shqipe në faza mjaft të hershme të ekzistimit të saj[19]. Prof. Riska e thekson këtë në mënyrë të qartë që në Parathënien e librit: “Shkurt, këtu është fjala për të gjykuar peshën e gjurmëve, natyrën dhe vlerën e tyre, në mënyrë që të mund të tregojmë se gjuha shqipe mund të ndihmojë në njohjen më të thellë apo në përfytyrimin më të drejtë të kësaj dukurie që besohet se duhet të jetë shfaqur që në indoevropianishten e përbashkët[20]” dhe se në bazë të kërkimeve të vëmendshme dhe të vijueshme del se “[…] grupet e fjalëve që do t’i nënshtroheshin skemës  nuk janë të pakta në gjuhën shqipe, çka do të thotë se shqipja është ndër ato gjuhë që ruan shumë dhe shumë mirë gjurmë të dukurisë së rëndësishme indoevropiane të apofonisë. Megjithëse është fjala për një gjuhë që është prekur fort në sistemin e saj leksikor nga ndikimet e huaja, shqipja, me konservimet e veta, mund të ndihmojë për njohjen dhe të kuptuarit e natyrës së dukurisë[21]”.

Në bazë të studimeve të veta të gjera të apofonisë indoevropiane prof. Riska sjell përfundimin: “Pra, nga pozita e shqipes apofonia duhet parë si një mekanizëm, si ndërrim tingujsh me vlerë trajtëformuese dhe fjalëformuese, një tip ‘karakteri’[22]” dhe “Gjithashtu apofonia mund të shihet edhe si një sistem shndërrimesh fonetike në rrënjë të fjalëve etimologjikisht shumë të afërta që i përkasin dy kategorive leksiko – gramatikore të ndryshme, si foljet, nga një anë, dhe emrat përgjegjës nga ana tjetër: lego ~ logos, tego ~ toga, bie ~ bar, vjedh ~ udhë, vjer ~ urë etj.[23]”. Gjithë kjo shërben për të përligjur sistemin se si “[…] janë përftuar fjalë të ndryshme nga një bazë e vjetër indoevropiane[24]”.

Gjatë shqyrtimit dhe ndriçimit të dukurive të apofonisë indoevropiane në gjuhën shqipe prof. Albert Riska zbaton  parime që dëshmojnë punën dhe hulumtimin e mirëfilltë shkencor: i merr në vështrim mendimet e disa gjuhëtarëve nga më të shquarit që janë marrë me dukurinë e përmendur; i ballafaqon ato jo vetëm tek një autor, po dhe tek autorët të periudhave të ndryshme, për të shtuar ose për ta plotësuar me mendimin e tij, qoftë që lidhet me një fjalë të veçantë, ose me çerdhe fjalësh, ku përligjen gjurmë të apofonisë indoevropiane në gjuhën tonë po dhe të formave që gjenden me një varg gjuhësh të tjera evropiane dhe më gjerë, duke ndriçuar ndërliqësinë e çështjeve dhe të ndryshimit të fjalëve që kanë pasur dhe kanë pësuar në rrjedhë të kohëve.

Kur është bindur se studiuesit gjuhëtarë kanë prekur dhe kanë ndriçuar përbërës të qenësishëm, në pajtim me veçantitë apofonike, morfologjike e fonetike ose të ndonjë dukurie tjetër, prof. Riska i përkrah, i përforcon me argumentet e tij, ndërsa kur është bindur se dukuria mund e duhet të vështrohet edhe nga kënde e mënyra të tjera, i pezullon, jo duke i mohuar ato me pohime, po përmes shqyrtimit të përbërësve dhe argumenteve që janë të rëndësishëm. Këtë e bën me maturi e me natyrshmëri për arsye se dukuritë që i studion asnjëherë nuk mund të përcaktohen në mënyrë të prerë; janë procese që kanë ngjarë në rrethana e në kushte të panjohura për gjuhëtarin e sotëm, pra ato vetëm që mund të rindërtohen sipas përbërësve gjuhësorë e gjurmëve të tyre.

Mendimet shtesë të prof. Riskës për apofoninë indoevropiane të një varg fjalësh shqipe ose çerdhe (tufë apo grup) fjalësh shqipe janë rrjedhojë e asaj që del nga ballafaqimi, me një anë i dukurisë nga gjuhëtarë të ndryshme dhe asaj që thotë studiuesi ynë. Pra, apofoninë indoevropiane në gjuhën shqipe, në rrafshin e fjalës ose të grupeve (çerdheve) prof. Riska e vështron natyrshëm, pa krekosje, pa zhurmë, pa qëllim që t’u kundërvihet ose t’i mohojë mendimet e studiuesve paraprakë ose bashkëkohorë, por brenda shtigjeve të hapura prej tyre i ndriçon ato në mënyrë thellësore e të gjithanshme.

Rëndësia dhe ndërliqësia e studimit të apofonisë

Libri i prof. Albert Riskës Gjurmë të apofonisë indoevropiane në gjuhën shqipe është pa dyshim, siç thashë, studimi më i gjithanshëm dhe më i thellë që është bërë në gjuhën tonë rreth kësaj dukurie. Në të autori studion, përveç të tjerash, apofoninë radikale, shkallën zero të apofonisë, marrëdhënien apofonike në grupin e fjalëve në zanoren rrënjësore etj.. Në vepër ai përligj në forma e me argumente të ndryshme dhe me shembuj të shumtë lashtësinë e gjuhës sonë dhe lidhjet e saj të ndryshme me gjuhët indoevropiane dhe me disa gjuhë ende të gjalla, në të cilat gjenden gjurmë të apofonisë indoevropiane.

Në vepër jo vetëm ndriçohen dukuri të rëndësishme që gjuhën tonë e afrojnë me gjuhët e lashta indoevropiane, po dhe dëshmohet ndërliqësia e përbërësve të sistemeve të gjuhëve e të rrjedhave të ndryshimit të tyre. Njëherit hapen shtigje të rëndësishme për thellimin e studimeve më të veçanta, brenda sistemit të fjalëve ose të grupeve të tyre, jo vetëm në rrafshin e apofonisë, duke dhënë pastaj dhe shkallët dhe tabelat për fjalët ose për çerdhen e fjalëve që afrohen  ose largohen mes tyre brenda një gjuhe ose tek disa sosh.

Pra, prof. Riska në hartimin e këtij libri mbështetet në parime që dëshmojnë përparësinë e vështrimit e të analizimit sa më të mirëfilltë të dukurisë së apofonisë, por duke e shtrirë atë dhe në rrafshe e aspekte të tjera, duke theksuar dhe përbërës që nuk janë vërejtur më parë në atë formë ose nuk janë vërejtur në mënyrë komplekse, ashtu siç paraqiten disa dukuri e rrjedha gjuhësore tek gjuhët e lashta, gjurmë të të cilave janë ruajtur edhe në gjuhën tonë shqipe. Në bazë të një varg të dhënash dhe faktesh prof. Rsika u kundërvihet edhe atyre autorëve që për arsye e qëllime të caktuara e mohojnë rëndësinë e gjuhës shqipe në ndriçimin e veçantitë që përmban ajo rreth apofonisë indoevropiane dhe me gjerë, siç ngjet, fjala vjen, Andre Martinet-i i cili thotë “[…] shqipja është nga ato gjuhë që më shumë i paraqesin probleme, sesa i ofrojnë zgjidhje komparativistit[25]”.

Meqenëse dukuritë e vështruara janë të natyrës së ndërliqshme dhe flitet për gjuhë që nuk fliten më, po dhe për dukuri që lidhen me stade, me rrethana e me rrjedha për të cilat studiuesi i sotëm asnjëherë nuk do të mund të depërtojë tek e vërteta e saktë, prof. Riska shpesh dukuritë i lë të hapura. Vepron në këtë mënyrë për arsye se studiuesi i madh dhe dija e tij e thellë gjuhësore nuk e lejojnë t’i përcaktojë në mënyrë të prerë dukuritë që i shqyrton, po gjithnjë e le mundësinë që ai i cili do të merret me dukuritë e tilla t’i thotë se kishte ose nuk kishte plotësisht të drejtë në mendimet dhe në përfundimet e tij.

Po sjell vetëm pak mendime të prof. Riskës që provojnë mirëfilli rëndësinë e librit dhe atë që u tha në punim.

*

“Në këto rrethana bëhet e qartë se analiza etimologjike duhet të mos mbetet në nivelin e marrëdhënive formale. Kjo do të thotë se në analizën e njësive të derivuara, varg, zvarr-, lëvrjerr, lëvare, lëvere, rrënjët e lidhura (primitivët) duhet të meritojnë të njëjtën vëmendje si dhe rrënjët e lira vjer/vjerr-vora, var. Në këtë kuptim do të duhej që për të arritur skemën e plotë të fjalëformimeve të trajtohen si njësi të mëvetësishme dhe të gjykohen edhe për vlerën leksiko – gramatikore, jo vetëm rrënjët e lira, por edhe derivatet dhe, për më tepër, dhe primitivët e tyre[26]”.

*

“[…] rastet darkë ~ drekë, karpë ~ krep e dardhë ~ dredhëz, paraqesin vështirësi në përcaktimin e saktë të shkallës apofonike nga e cila janë zhvilluar, duke qenë se nuk kemi të bëjmë me një çerdhe relativisht të gjerë fjalësh, por vetëm me çifte që nuk mundësojnë perceptimin e plotë e të saktë të skemës apofonike[27]”.

*

“Nga këto të dhëna, nuk ka të dyshuar se, si në aspektin fonetik, edhe në atë semantik, për format karpë e krep do të mund të përligjej ndërtimi i një baze të përbashkët[28]”.

*

“Në marrëdhëniet midis vjedh dhe udhë duket se kemi të bëjmë me një prej rasteve kur përbërësi semantik, që i bashkon këto në një çerdhe fjalësh me lidhje etimologjike, shfaqet më dukshëm te trajta që fonetikisht është zhvilluar nga shkalla zero e lemës, pra udhë[29]”.

*

“Në këtë mënyrë është bërë e qartë se fjalët water dhe wet të gjuhës angleze, pavarësisht dallimeve të rëndësishme që paraqesin, kanë një burim të përbashkët. Ky përfundim do të jetë i rëndësishëm edhe për gjykimin e lidhjeve etimologjike midis fjalëve shqipe që kem në shqyrtim, ujë e vesë[30]”.

*

“Shihet që askush nga etimologët nuk e ka diskutuar faktin që vel nuk del me zanoren rrënjore të diftongut dhe, çka është akoma më e rëndësishme, në të kryerën e thjeshtë (vela), ajo nuk pranon shndërrimin /e/ – /o/, ndërsa vjell e provon atë (volla), sikurse vjel – vola[31]”.

*

Në veprën Gjurmë të apofonisë indoevropiane në gjuhën shqipe prof. Riska e përmend më së shumti prof. Çabejn për arsye se me punën e tij cilësore ai kishte shtuar dhe kishte ndriçuar dukuri të apofonisë dhe të etimologjisë të disa fjalëve shqipe, të cilat i shërbyen autorit të këtij libri  ta shpjerë studimin më tej, duke hedhur sa më shumë dritë që është e mundur në çastin e tanishëm.

Vepra e prof. Riskës mbyllet me Fjalorthin e fjalë rrënjëve me gjurmë të apofonisë.

Nisur nga rëndësia dhe vlerat e mëdha të veprës Gjurmë të apofonisë indoevropiane në gjuhën shqipe të prof. Albert Riskës, mendoj se ajo duhet të përkthehet në gjuhë të tjera, fjala vjen, në anglisht ose gjermanisht, në mënyrë që dija e studiuesve tanë të bëhet sa më shumë e njohur – të depërtojë edhe në kulturat e tjera. Këtë punë duhet ta bëjnë akademitë tonë për të dëshmuar se nuk janë krijuar vetëm të “ndajnë tituj” e të marrin shtesa të veçanta materiale, po të mbërrimet tona shkencore t’i bëjnë të në përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare. Kjo vepër studimore e prof. Riskës e meriton këtë.

Prishtinë, shtator – tetor 2022


[1]  Albert Riska, Shqipja dhe krishterimi. Shtëpia botuese Dituria, Tiranë 2012.

[2]  Skënder Muçaj, Krishterimi në shekujt V-VI dhe roli i tij në proceset integruese në territoret e Ilirisë së Jugut. Krishterimi ndër shqiptarë. Shkodër 2000, f. 139. Shih Albert Riska, Shqipja dhe krishterimi, vep. e përm., f. 33.

Po shënoj këtu se në vitin 313 Konstandini i Madh dhe August Likini e legalizuan krishterimin, ndërsa me Ediktin e Selanikut, në vitin 380, krishterimi u bë fe zyrtare e Perandorisë.

Prof. Riska thekson se procesi i përqafimit të krishterimit nga ilirët duhet të ketë përfunduar diku aty nga shekulli VI. Shih Albert Riska, Shqipja dhe krishterimi, vep. e përm., f. 153.

[3]  Albert Riska, Shqipja dhe krishterimi, vep. e përm., f. 37.

[4]  Eqrem Çabej, Studime gjuhësore IV. Rilindja, Prishtinë 1977, f. 260: shih dhe Albert Riska, Shqipja dhe krishterimi, vep. e përm., f. 43.

[5]  Albert Riska, po aty, f. 48.

Më duhet të përmend një të dhënë shumëfish të rëndësishme të prof. Çabejt që e sjell prof. Riska në këtë libër të vetin: “Nga një shqyrtim historik i organizimit kishtar në Shqipëri rezulton që ky, në kohën e ardhjes së sllavëve, edhe si bashkësi (komunitet) fetare edhe në liturgjinë e tij e në gjuhën e saj, në esencë ishte tashmë i formuar […] në leksikun kishtar të shqipes së përbashkët për mbarë gjuhën nuk ka dhe asnjë huazim prej sllavishtes”. Shih Eqrem Çabej, Studime gjuhësore IV, vep. e përm., f. 261; Albert Riska, Shqipja dhe krishterimi, vep. e përm., f. 54.

[6]  Albert Riska, Shqipja dhe krishterimi, vep. e përm., f. 67.

[7]  Albert Riska, po aty, f. 155.

[8]  Albert Riska, po aty, f. 73.

[9]  Albert Riska, po aty, f. 154.

[10]  Albert Riska, po aty, f. 154.

[11]  Albert Riska, po aty, f. 154.

[12]  Albert Riska, po aty, f. 155.

[13]  E botoi shtëpia botuese Kristalina – KH, Tiranë 2022.

[14]  Albert Riska, Gjurmë të apofonisë indoevropiane në gjuhën shqipe, vep. e përm., f. 11.

[15]  Albert Riska, Gjurmë të apofonisë indoevropiane në gjuhën shqipe, vep. e përm., f. 11.

[16]  Albert Riska, po aty, f. 17.

[17]  Eqem Çabej, Hyrje në historinë e gjuhës shqipe II. Tiranë 1976, f. 242 – 243. Shih Albert Riska, Gjurmë të apofonisë indoevropiane në gjuhën shqipe, vep. e përm., f. 12.

[18]  Oswald Szemerényi, Introduzione alla linguistica indoeuropea. Unicpli, Milano 1990, f. 109 – 110. Shih Albert Riska, Gjurmë të apofonisë indoevropiane në gjuhën shqipe, vep. e përm., f. 23.

[19]  Albert Riska, po aty, f. 21.

[20]  Albert Riska, Gjurmë të apofonisë indoevropiane në gjuhën shqipe, vep. e përm., f. VIII.

[21]  Albert Riska, po aty, f. 10.

[22]  Albert Riska, po aty, f. 34.

[23]  Albert Riska, po aty,  f. 35.

[24]  Albert Riska, po aty, f. 50.

[25]  A. Martinet, Des steppes aux océans. L’indo-europée et les “Indoeuropées”. Paylot, Paris 1986; shih Albert Riska, Shqipja dhe krishterimi, vep. e përm., f. V.

[26]  Albert Riska, po ay, f. 226.

[27]  Albert Riska, po aty, f. 100.

[28]  Albert Riska, po aty, f. 103.

[29]  Albert Riska, po aty, f. 133.

[30]  Albert Riska, po aty, f. 141.

[31]  Albert Riska, po aty, f. 153.

Exit mobile version