Kreu In memoriam Anton Nikë Berisha: Ibrahim Rugova studiues modern dhe cilësor i letërsisë

Anton Nikë Berisha: Ibrahim Rugova studiues modern dhe cilësor i letërsisë

Me librat e natyrës teorike, kritike dhe me një varg interpretimesh, që u bëri disa veprave të shkrimtarëve tanë dhe dukurive të ndryshme të letërsisë, Ibrahim Rugova bëri një kthesë në fushën e studimeve tona letrare. Ai kishte një dije të pasur dhe të qëndrueshme për letërsinë, të vjelë nga shumë libra në një moshë kryesisht të re, të thadruar mirëfilli në një mendje të shkathët, që ishte e aftë të verë në përdorim atë dije, po dhe ta zgjerojë e ta thellojë, duke e zbatuar në studimin e veprave të artit tonë të fjalës, përkatësisht të tekstit të tyre, ta studiojë dhe ta interpretojë atë si strukturë gjuhësore shprehëse dhe si shumësi kumtesh poetike.

Rugova e vështroi letërsinë si krijimtari shpirtërore mendore, si art i fjalës, si vetë qenësi dhe vetë ekzistencë e jo si shërbëtore të veprimtarive të tjera brenda superstrukturës, siç thoshte ai[1]. Pra, Rugova iu qas dhe e vështroi letërsinë si krijimtari të mëvetësishme – si diferentia specifica, që lind, funksionon dhe bën ndikimin e saj estetik në mënyrë të pavarur.

Letërsia dhe veprat e saj e përligjin këtë mëvetësi me mënyrën e përdorimit të gjuhës dhe të shprehurit, të shtjellimit të lëndës përkatëse, të tekstit, që jetësohet nga marrëdhënia, nga ballafaqimi dhe nga kundërvënia e fjalëve dhe e kuptimit të tyre. Nga studimet e tij[2] del qartë që përmbajtja e një krijese letrare poetike nuk e përcakton formën e saj, po është e kundërta: forma e përcakton përmbajtjen, rëndësinë dhe vlerën e saj.

Duke qenë i vetëdijshëm për rrafshin teorik që e cilësonte kritikën dhe studimin e letërsisë në botën tonë, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, në fillim Rugova iu përkushtua çështjeve teorike në mënyrë që të hapeshin shtigje për qasje e interpretime të mirëfillta të dukurive e të veprave të veçanta. Pra, ai u paraqit me punime dhe me vepra në kohën kur në kritikën shqipe mbisundonte modeli i kritikës: pak për kushtet në të cilat jetoi shkrimtari (lexo: rrethanat shoqërore), pak për personazhet, pak për stilin, pak për gjuhën e pak për vlerat artistike. Rugova iu kundërvu mënyrës së këtillë të studimit, duke zbatuar njohuritë e studimit të letërsive të tjera në Evropë dhe në Amerikë. Disa nga interpretimet letrare të bëra nga ai hyjnë në punimet antologjike të kësaj natyre brenda letërsisë sonë.

Kthesën kryesore Rugova e bëri me futjen dhe zbatimin e mendimit modern në mendimin tonë kritik dhe teorik. Pikërisht ky veprim solli rezultate të pamohueshme prandaj mund të thuhet se asnjë studiues yni i periudhës, kur ai i botoi frytet kryesore të punës së vet, nuk pati një përgatitje teorike moderne dhe nuk e zbatoi atë dije në interpretimin e veprave e të dukurive tona letrare, ku u dëshmuan mundësitë e shumta të analizës së tekstit poetik, përkatësisht të gjuhës poetike e të ndikimit estetik në marrësin. Kjo ndodhi dhe në përdorimin dhe pasurimin e sistemit përkatës terminologjik, pa të cilin nuk mund të mendohet studimi cilësor modern dhe bashkëkohës. Gjithë kjo i jep veprës së Rugovës një vlerë dhe rëndësi të veçantë. Kështu, duke e lënë anash terminologjinë tradicionale e pozitiviste, Rugova i dha përparësi asaj moderne e bashkëkohore, kur thotë, fjala vjen, “Termi estetikopoetik, që u atribuohet elementeve, këtu merret si një nocion në vete, jo në vështrim të veçantë të estetikës dhe të poetikës, por si përbërës, që përmban elemente të këtyre dy fushave të studimit të letërsisë, si një përbërës i përbashkët në funksionin e tij ndërveprues dhe ndërkushtëzues. Një trajtim i këtillë i këtij termi është i arsyeshëm dhe i mundshëm, kur kemi parasysh korrespondimin reciprok të poetikës me estetikën. Kështu mund të argumentojmë se poetika i afrohet estetikës, meqë nuk e studion vetëm mjeshtërinë e shkrimit, respektivisht konvencionet e shprehjes, por edhe bazat e vlerave letrare[3] dhe elementeve të tjera, që letërsinë e cilësojnë si art[4]”.

Rugova iu qas dhe e vështroi veprën letrare si krijesë artistike, si formësim artistik, që e objektivon botën, jetën e një kohe të caktuar, të dhënë përmes subjektit e të konstituuar në botën e fjalës e që ekziston dhe komunikon si e tillë në planin e një thurjeje, të një gërshetimi që quhet tekst artistik. Në fakt vepra është një krijim artificial, një vepër shpirtërore-intelektuale e njeriut, si veprimtari specifike e tij, e që mund të pohohet kështu vështruar në aspektin e përbërjes dhe të formimit[5].

Pra, Rugova ishte i bindur se studimi i artit të fjalës, letërsisë duhet të bëhet në bazë të vlerave të tekstit e të cilësive të tij poetike, e jo t’i qasemi atij për qëllime jo artistike ose me paragjykim: “Të jemi pa kompleks – duhet të zhvillojmë mendimin, t’i zgjerojmë vazhdimisht hapësirat e tij krijuese. Kuptimi i drejtë historik i pranisë të sjell në krijimin teorik, të lidhë me kohën, me problemin. Apo siç do të thoshte Brechti përmes Barthesit: duhet të teorizojmë e të shmangim (likuidojmë). Kjo është dialektika e mendimit dhe e krijimit[6]”.

Nga punimet dhe veprat e Rugovës del qartazi se vepra letrare poetike duhet të vështrohet në ndërliqësinë teorike dhe të realizimit praktik, në tërësinë e funksionimit, të pranimit e të ndikimit estetik të saj në marrësin.

Duke e parë dhe studiuar veprën letrare si fenomen të hapur e shumësor, Rugova hulumtoi aspektin konotativ – kuptimor, si rezultat i strukturimit të veçantë gjuhësor – poetik, pra vrojtoi çka mund të thotë teksti i një vepre letrare, sidomos formën dhe mënyrën si thuhet ajo në tekstin përkatës. Brenda këtij përimtimi të sajesës letrare dhe procesit të formësimit, Rugova zbatoi sistemin e vet të qasjes, të interpretimit dhe të konkretizimit. Ai e vështroi edhe qenësinë estetike të tekstit, po dhe prapësimin (refuzimin) estetik si përbërës të karakterit të lirë e të gjerë të të shprehurit poetik dhe garanci për veprimin më të madh dhe jetën më të gjatë të një vepre[7], sidomos në rastet e imponimit të jashtëm. Së këndejmi, refuzimin estetik, shkruan Rugova, e konsiderojmë si qenësi të letërsisë, sepse sipas ligjeve të natyrës, e madje edhe të atyre sociale, çdo gjë që krijohet duhet edhe të mbrohet dhe të mbahet në jetë[8].

Të veçantën e studimit të letërsisë dhe të veprës letrare Rugova e shihte në përligjjen e përbërësve poetikë – estetikë, përmes të cilëve përftohet dhe funksionon krijesa poetike, realiteti poetik: “Një argumentim më i arsyeshëm sa i përket artit dhe letërsisë, qëndron në estetikën objektive – ontologjike, e cila, në të përmendur, studion objektin estetik dhe qenien e objektivuar estetike, dhe kjo qenie, si e tillë ekziston në veprën artistike, si realitet. Kjo estetikë është në gjendje ta studiojë letërsinë në aspektin e drejtë – estetik, që merret funksion primar i saj, vepra artistike, letrare ekziston në pavarësinë e vet dhe në këtë ajo bën jetën e saj bashkë me njeriun si qenie shoqërore[9]”.

Në bazë të studimit që u bëri disa veprave të letërsisë sonë Rugova theksoi se në kritikën letrare mbipeshojnë dukuritë që nuk lidhen mirëfilli me poetikën dhe estetikën “Te ne deri tash më tepër është bërë studimi jashtëletrar, meqë edhe letërsia u gjend më shumë në shërbim e nuk ekzistoi për veten dhe si e tillë të jetë më afër njeriut, siç ka filluar të jetë tash. Duhet të orientohemi edhe në studimin e letërsisë si model, si produkt i veçantë, si realitet i veçantë i modeluar me efekt të duhur estetik, ta studiojmë teknologjinë e saj, që përmes kësaj arrin efektin e ri estetik, e jo atë të dikurshmin pasqyrues, po këtë, të sotmin prodhues artistik[10]”.

Dukuritë jashtëletrare Rugova i vërejti sidomos në kritikën letrare, që, sipas Rugovës, ishte kryesisht impresioniste, didaktike e pozitiviste: “Kritika impresioniste – didaktike, lidhet ngushtë me momentet letrare, nuk e ka pavarësinë e vet, nuk mund të lirohet nga gjykimet dhe vlerësimet e marra shpesh apriori e subjektive dhe i trajton më shumë çështjet jashtëletrare; u zhvillua në fillim të formimit të mendimit mbi letërsinë. Me dukjen e kritikës impresioniste-sociologjike, mund të themi se nis themeli i mendimit letrar, por pa një sistem të formuar mirë dhe pa kritere të qëndrueshme e konsekuente. Kjo kritikë, qëndrimet dhe interpretimet e veta i mbështet pak në teoritë bashkëkohëse dhe nuk komunikon sa duhet me mendimin teorik. Termat e saj themeltohen kryesisht në ‘teorinë e pasqyrimit’: pasqyrim i denjë, pasqyrim besnik, pasqyrim subjektiv i realitetit objektiv etj. Si dhe në termat e kritikës impresioniste: i madh, madhështor, entuziast, emocional, i pakrahasueshëm etj., që mban anën e një kritike të konceptit të pakontrolluar. Në këtë përvijim del edhe kritika sociologjike-humaniste, e cila nga letërsia i kërkon dhe thekson vlerat sociologjike dhe humaniste e etike si dhe domethënien e tyre në ekzistimin e njeriut, në formimin e tij të përgjithshëm të kushtëzuar[11]”.

Duke zbritur në rrafshin e konkretizimit  dhe të ndriçimi të kësaj dukurie Rugova do ta përmendë njërin nga ata që këtë kritikë e zbatoi në punimet dhe veprat e veta: “Që në shkrimet e para kritike dhe më tutje R. Qosja do të vërë në interesimin e vet kritik çështjen e angazhimit, si njërën nga premisat teorike për vështrimin e letërsisë. Si dhe kritikët e tjerë të kësaj kohe do të kërkojë që problemin e angazhimit ta kuptojë më gjerë. Kështu kur bën fjalë për autorë të ndryshëm, poezinë do ta quajë “si akt të angazhimit” (E. Mekuli)[12], apo në shkrimin për Mjedjen thotë se ka “angazhim moral e artistik[13]”.

Në vijim të vëzhgimit dhe të vlerësimit të kritikës integraliste të njëjtit autor, Rugova shkruan: “Qasjen e vet që i bën letërsisë, konkretisht veprës letrare do ta thotë me një rast se duhet të kihet parasysh “integraliteti i veprës”. Në të vërtetë në analizën e veprës dhe të letërsisë do të niset nga ky integralit[14]”; kur kërkohet që për letërsinë të “shkruhet në mënyrë artistike[15] ose që kritika të ketë edhe imagjinatë e figuracion dhe emocionalitet. Deridiku lidhet me pikëpamjen e kritikës si art për veprën, si reagim i rrëmbyer për problemet e ndryshme, që shpesh është veti e kritikës praktike aktuale[16]. Duke e ndriçuar më tej natyrën e kësaj kritike letrare Rugova vë në dukje sa vijon: “Pastaj gjatë punës kritike, për arsyetimin apo mbështetjen teorike të pikëpamjeve të veta, ai bën përpjekje të inkuadrojë argumentin. Të shumtën e rasteve këtë e gjen me vend, po shpesh e sjell në kuadër të diversitetit nga aspekte të ndryshme teorike, që nuk përkojnë me problemin që e shqyrton. Edhe në rastet kur i shqyrton çështjet e ndryshme letrare, përkundër argumenteve që i sjell, më shumë del me qëndrim të caktuar duke i mohuar vetë argumentet e sjella. Madje edhe në vlerësimet e ndryshme, si për autorët e traditës, ashtu edhe për ata bashkëkohës, nuk mundi të çlirohet plotësisht nga çështja e dualizmit vlerësues, që ishte e pranishme në kritikën e mëparshme, edhe pse e kundërshtonte mjaft atë kritikë[17]”.

Rugova mendonte se në qendër të kritikës që bëhej ndër ne mbipeshonin sidomos qasjet dhe vlerësimet sociologjike “Nga kjo paraqitje e shkurtër e mendimit mbi letërsinë, del se në qendër të kritikës sonë qëndron elementi vlerësues sociologjik, i cili nuk po thellohet dhe jepet në studimin e drejtë sociologjik bashkëkohës, prandaj shpesh po shndërrohet në sociologjizim, që po e pengon zhvillimin edhe të orientimit tjetër, të studimit shkencor konsekuent dhe atë të sistemit të brendshëm të letërsisë[18]”.

Rugova theksonte po ashtu se disa nga studiuesit tanë të letërsisë, përkatësisht kritikë letrarë kishin bërë hapa të rëndësishëm dhe kishin ndikuar në ndryshimin e gjendjes së studimit dhe të kritikës sonë letrare duke u përqendruar te teksti poetik, përkatësisht te vepra letrare si krijesë tërësore gjuhësore shprehëse poetike: “Në gjashtë-shtatë vitet e fundit nis të zhvillohet një kritikë më ambicioze, më e matur, e cila mundohet të bëjë lidhjen me mendimin bashkëkohës teorik e letrar. Së pari kjo kritikë e bën ndërlidhjen e rëndësishme të kësaj letërsie me letërsinë e përgjithshme shqiptare. E bën këtë duke marrë për objekt vështrimi dhe interpretimi krejt letërsinë shqiptare, me përpjekje për studimin historik të letërsisë për t’i vënë në sprovë vlerat e traditës dhe të së tashmes. Janë përpjekje të një kritike integrale, që veprën letrare, letërsinë e merr në prirje me faktorët jashtë letrarë. Parimi i saj kryesor i qasjes është sintezë-analizë dhe anasjelltas, parim përgjithësues[19]”.

Si u tha edhe më parë, punën e vet në fushën e kritikës dhe të studimit Rugova e përqendroi në tekstin e veprave letrare si përbërësin kryesor nga se ai (teksti) ka qenë dhe do të jetë objekt shqyrtimesh të përhershme nga fakti se është krijesë, shtjellim gjuhësor shprehës i menduar, që përbëhet nga një tërësi marrëdhëniesh të ndryshme të fjalëve, të frazave e të pjesëve më të mëdha tekstore, të cilat të përligjura përmes gjuhës poetike cilësohen gjithmonë me shumësi kuptimore. Kjo dëshmon për natyrën e ndërliqshme të tekstit letrar, duke lënë përherë mundësinë për qasje e për interpretime të tjera deri në pafund. Ngushtë lidhur me këtë Jurij Lotman theksonte me të drejtë se “Teksti artistik është mendim shtjellues i ndërliqshëm. Të gjitha elementet e tij janë elemente kuptimore[20] […] çdo detaj dhe i gjithë teksti në tërësi janë të përfshirë në sisteme të ndryshme marrëdhëniesh dhe njëkohësisht arrijnë si rezultat më tepër se një kuptim[21]“. Duke e studiuar me përkushtim e dije tekstin artistik Lotmani shpreh edhe këtë mendim, që meriton të kihet kurdoherë parasysh kur merret në vështrim teksti artistik dhe synohet të përcaktohen veçantitë e tij: “Tashmë moti është futur në përdorim krahasimi i artit me jetën. Mirëpo, vetëm tash po bëhet e qartë sesa shumë të vërteta ka në këtë krahasim, i cili dikur ka tingëlluar si metaforë. Me siguri mund të thuhet se midis gjithë asaj që ka krijuar dora e njeriut teksti artistik në masën më të lartë ka ato cilësi, të cilat kibernetistin e nxisin të merret me indin e gjallë[22]“.

Studimet letrare të Rugovës shtrihen në gjithë letërsinë shqipe, nga veprat e shkrimtarëve tanë të vjetër e deri tek ato bashkëkohore. Po përmend këtu disa nga punimet e tij për disa nga veprat më të rëndësishme të letërsisë sonë, si ato të Xoxes, Kadaresë, Podrimjes, etj. Thellësia dhe ngjeshësia e mendimit të tij përligjen nga konceptimi, organizimi, shkoqitja – analizimi i fenomeneve që i merr në shqyrtim.

Po përmend se në studimet e veta Ibrahim Rugova nuk i shprehu mendimet në mënyrë të prerë, po si rrjedhojë e studimit dhe e analizës paraprake përkushtuese dhe përherë la dhe mundësinë e vështrimit të dukurive edhe nga pikë vështrime të tjera, madje edhe të ndryshme nga ato që i bën ai. Kjo ndodh ngase vepra letrare është krijesë që secili e lexon dhe vë komunikim në mënyrën e vet, varësisht nga niveli i përgatitjes teorike dhe i njohjes së praktikës letrare, estetikës receptive, por edhe më gjerë. Për këtë arsye nëse me të drejtë thuhet se kritika dhe interpretimi objektiv dhe thellësisht kreativ e zgjeron dhe e thellon kuptimin e ekzistimit e të ndikimit, shpalos strukturimin e botës poetike të veprës letrare, pra të ekzistencës dhe qenësisë së saj, atëherë një gjë e tillë përmbushet në mënyrë të ndjeshme dhe të veçantë në veprat e Rugovës.

Në fund po përmend faktin se me veprat teorike dhe interpretuese që botoi, Ibrahim Rugova përftoi bazën cilësore dhe të ngritur të studimit modern të artit të fjalës në gjuhën tonë.

                          Prishtinë, prill – maj 2026


[1]  Ibrahim Rugova, Kah teoria. Shtëpia botuese Faik Konica, Prishtinë 2005, f. 9.

[2]  Shih veprat e tij Prekje lirike (1971), Kah teoria (1978), Kritika letrare. Tekste. Shënime, Komente (me Sabri Hamitin1979), Strategjia e kuptimit (1980), Vepra e Bogdanit 1675 – 1685 (1982), Refuzimi estetik (1987) dhe Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504 – 1983 (1986).

[3]  Shih Milivoj Solar, Teorije književnih rodova në librin Pitanja poetike, Školska knjiga, Zagreb, 1971, f. 75.

[4]  Ibrahim Rugova, Kah teoria, vep. e përm., 2005, f. 105.

[5]  Ibrahim Rugova, po aty, f. 73 – 74.

[6]  Ibrahim Rugova, po aty, f. 8

[7]  Ibrahim Rugova, Refuzimi estetik. Faik Konica, Prishtinë 2005, f. 26.

[8]  Ibrahim Rugova, Refuzimi estetik, vep. e përm., f. 27.

[9]  Ibrahim Rugova, Kah teoria, vep. e përm., 2005, f. 30.

[10]  Ibrahim Rugova, po aty, f. 18.

[11]  Ibrahim Rugova, po aty, f. 117 – 118.

[12]  Shih Rexhep Qosja, Dialogje me shkrimtarët, botim i dytë, Rilindja. Prishtinë, 1979, f. 215.

[13]  Ibrahim Rugova, Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504 – 1983. Faik Konica, Prishtinë 2005, f. 280.

[14]  Ibrahim Rugova, Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504 – 1983, vep. e përm., f. 280.

[15]  Rexhep Qosja, Dialogje me shkrimtarët, vep. e përm., f. 95-133. Shih dhe Ibrahim Rugova, Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504 – 1983, vep. e përm., f. 280.

[16]  Ibrahim Rugova, Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504 – 1983, vep. e përm., f. 281.

[17]  Ibrahim Rugova, po aty, f. 282 – 283.

[18]  Ibrahim Rugova, Kah teoria, po aty, f. 119.

[19]  Ibrahim Rugova, po aty, f. 117.

[20]  J. M. Lotman, Struktura umetničkog teksta. Nolit, Beograd 1976, f. 44.

[21]  Jurij M. Lotman, Teze uz pitanje ‘Umjetnos u nizu modelnih sustava’. Në “Strukturalizam”. Posebno izdanje. Kritika, Zvezak 4, Zagreb 1970, f. 251.

[22]  Lotman, Struktura umetničkog teksta, vep. e përm., 384.

Exit mobile version