Kreu Letërsi Shënime mbi libra Anja Levanaj: Klasa sociale, dashuria dhe ajo çfarë mbetet e pathënë: një...

Anja Levanaj: Klasa sociale, dashuria dhe ajo çfarë mbetet e pathënë: një lexim i “Njerëz Normalë” të Sally Rooney

Shumë romane e ndërtojnë konfliktin e tyre mbi pengesa të qarta për lexuesin: largësinë midis personazheve kryesore, konfliktet midis familjeve apo vendime që imponohen me forcë mbi jetën e tyre. Njerëz Normalë i Sally Rooney ka një qasje tjetër kundrejt këtyre koncepteve dhe shtjellimit të tyre. Pengesat mes dy personazheve kryesorë, Marianne Sheridan dhe Connell Waldron nuk janë fizike, por psikologjike; ato nuk ndodhin mes tyre si një barrierë e dukshme, por formohen gradualisht në mënyrën se si ata perceptojnë veten dhe se si besojnë se perceptohen nga të tjerët. Pikërisht këtu qëndron edhe veçantia e romanit: ai transformon historinë tradicionale të “dashurisë mes klasave sociale të ndryshme” në një analizë më të depërtueshme ku ndarja e personazheve nga diferenca sociale nuk shfaqet në realitet, por në vetëdije.

Që në fillim, Rooney ndërton me kujdes praninë e klasës sociale si një forcë të vazhdueshme, por jo gjithmonë të dukshme. Fjalë që lidhen me botën materiale, apartamenti, paratë, darkat, biletat e teatrit, sendet, shfaqen vazhdimisht dhe krijojnë një ndjesi të qartë të pabarazisë midis Marianne dhe Connell-it. Megjithatë, ajo që e bën këtë dallim më interesant është fakti se romani nuk e paraqet pasurinë vetëm si realitet ekonomik, por si një përvojë psikologjike.

Nuk është Marianne ajo që mendon vazhdimisht për vlerën monetare, por Connell. Për të, paratë nuk janë një çështje e thjeshtë praktike; ato shndërrohen në një formë ankthi që ndikon mënyrën si ai e sheh veten dhe vendin e tij në botë. Në kontrast, Marianne, nuk pasqyron të njëjtat probleme, pasi ajo jeton e lirë ndaj këtyre kufizimeve. Ajo mund të harrojë menjëherë çështjet që lidhen me shpenzimet apo mundësitë materiale, sepse ato nuk e përcaktojnë përditshmërinë e saj.

Kjo diferencë bëhet veçanërisht e dukshme në përvojën e tyre në Trinity College Dublin. Në Carricklea, qytetin e vogël ku ata janë rritur, Connell ishte ai që përshtatej natyrshëm me botën sociale, ndërsa Marianne qëndronte në periferi të rretheve shoqërore. Kjo dinamikë ndryshon prej momentit që ata shkojnë në universitet. Marianne futet pa vështirësi në botën elitare që e rrethon, ndërsa Connell përballet me një ndjenjë të vazhdueshme mospërkatësie.

Rooney, e njohur për qëndrimet e saj marksiste, nuk e trajton klasën sociale si një ide abstrakte apo thjesht si statistikë sociale. Përkundrazi, ajo eksploron mënyrën se si klasa sociale nuk përcakton vetëm mundësitë ekonomike, por ajo ndikon mënyrën si njeriu ecën, si flet, si hyn në një dhomë dhe, mbi të gjitha, të cilën e reflekton edhe mbi veten.Dhe është pikërisht kjo pasiguri që bëhet pengesa më e madhe mes Marianne dhe Connell-it.

Një nga momentet më domethënëse të romanit është kur Connell ka nevojë për një vend ku të qëndrojë për shkak të vështirësive ekonomike. Ai e di pothuajse me siguri se Marianne do ta ndihmonte pa hezitim. Megjithatë, ai e ka të pamundur t’ia kërkojë. Jo sepse ka frikë nga refuzimi, por sepse vetë akti i duket si një formë varësie ekonomike. Problemi që zhvillohet nuk lind nga përgjigjja e Marianne, por nga mungesa e pyetjes. Me anë të këtij konflikti Rooney ndërton një nga temat më të forta të romanit: komunikimi dhe dështimi i tij.

Marianne dhe Connell analizojnë vazhdimisht njëri-tjetrin. Ata mendojnë, interpretojnë, nxjerrin përfundime dhe përpiqen të kuptojnë emocionet e vetes dhe të tjetrit. Por romani thekson vazhdimisht se të menduarit nuk është e njëjta gjë me komunikimin e drejtëpërdrejtë. Personazhet besojnë se e dinë çfarë po mendon tjetri pa e pyetur asnjëherë njëri-tjetrin.

Në këtë mënyrë, Rooney përdor përsëritjen si një mjet të rëndësishëm stilistik. Kur Connell bind veten se Marianne do të pranonte ta ndihmonte, përsëritja e frazave si “e dinte” apo “ajo do të thoshte po” tingëllon më pak si siguri dhe më shumë si një përpjekje për vetëbindje. Personazhet ndërtojnë skenarë të tërë brenda mendjes së tyre dhe i trajtojnë këto skenarë si realitete të vërteta.

Kjo ndodh vazhdimisht përgjatë romanit. Marianne dhe Connell shpesh arrijnë në spekulime të sakta për njëri-tjetrin, por dështojnë t’i shprehin ato. Ata mendojnë aq shumë për emocionet sa harrojnë hapin më të thjeshtë: të pyesin.

Stili i Rooney-t bëhet po aq i rëndësishëm sa vetë historia. Romani shpesh tregon drejtpërdrejt ndjenjat dhe mendimet e personazheve përmes një rrëfirmëtari në vetën e tretë. Megjithatë, ky stil rrëfimi nuk funksionon si një shpjegim i tepërt për lexuesin; përkundrazi, bëhet mënyrë për të na futur brenda mendjes së Marianne dhe Connell-it. Lexuesi nuk ndjek vetëm ngjarjet, por procesin e vazhdueshëm të analizës, dyshimit dhe vetëvëzhgimit që karakterizon marrëdhënien e tyre.

Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron pyetja më e madhe që romani lë pezull: si mund të jenë bashkë njerëzit? Rooney nuk jep një përgjigje të drejtpërdrejtë, por sugjeron se edhe në hapësirat më intime të jetës sonë, larg syve të të tjerëve, pritshmëritë shoqërore, klasa sociale dhe pasiguritë personale vazhdojnë të ndikojnë mënyrën se si ne lidhemi me njëri-tjetrin.

Për lexuesin shqiptar, një vlerë e shtuar është botimi në shqip nga shtëpia botuese Onufri, me përkthimin e Andreas Dushit. Përkthimi ruan natyrshmërinë e dialogut dhe ritmin emocional të prozës së Rooney-t, duke përcjellë me kujdes nuancat e një romani ku pesha shpesh nuk qëndron te ajo që thuhet, por te ajo që mbetet e pathënë.

Në fund, Njerëz Normal nuk është thjesht një histori dashurie. Ai është një roman mbi mënyrën se si strukturat shoqërore depërtojnë edhe në aspektet më intime të jetës sonë dhe mbi mënyrën se si njerëzit mund të ndihen thellësisht të lidhur me njëri-tjetrin, por të mbeten njëkohësisht të ndarë si pasojë e heshtjes.

Exit mobile version