Kreu Histori Andreas Dushi: Shkalla me të cilën matet gjytetnia

Andreas Dushi: Shkalla me të cilën matet gjytetnia

Kleri-katolik

Në Shkodrën e vitit 1907, doli në qarkullim një libër i vogël me 29 faqe titulluar “Komsiia e Kleri Katolik”, shkruar “Prej gni Méshtarit Schyptaar”.  Në një kopje që ruhet pranë Bibliotekës Kombëtare, gjendet një shënim me shkrim dore: “Nikoll bey Ivanajt… Ket veper ja kushton auktori”. Përmbajtja e tij është përgjigjja që “gni méshtar schyptar” i kthen Lirijasit, autor i një artikulli me po të njëjtin titull, botuar po atë vit në nr. 13 të gazetës “Shpnesa e Shcypniis”. Si për subjektin e librit, ashtu edhe për atë të artikullit mund të shkruhet një tjetër herë.

Të dy këto materiale i përmënda për të ftreguar raportin e kohës me të përkohshmet, atëherë të quajtura “fletore”. Kështu, libërthi nis:

Shkalla e ghytétniis e gni komit n’kto moté t’ona mûnnet me u mate sidomòs préje t’perhapunit e t’viejtunit t’flétorévé t’tiia; pse kto jane végla mâa e perdorshmja per me u perhape dija e shllimet e mara, per me u fortsue e dréjta e per me u thye hovi e paudhniia e mâa t’fortit, me gni fjale, per me u siélle t’maret e komévé e t’fisévé.”

Është shumë interesant konstatimi i autorit se shkalla e qytetarisë, në kohët tona (bëhet fjalë për fillimin e shekullit të shkuar) mund të matet sidomos me fletoret e kohës të cilat përrhapin dijen dhe “qëllimet e mbara”… Po sot? Cili është mjeti që përdoret për të tillë arsye?

Fletoret, sipas autorit kanë një fuqi shumë të madhe:

Nieri bleen gni flétoré paa dijtë se shka kaa me u shkrue mrênne; e knoon n’gni kohe ci s’âsht as annerr as xhghanneerr, e masannéj e hjédhe m’gnâne âne paa mênne se shka kaa knnue, por, me ghith kta, kahe e knnon dite e per dite, ato fjale, ato pune  ato shllimé ci ghinnen aty t’shkrueme, i’a lâne gni ghurme kac t’kthéllet n’shpirte e kshtû i’a kthéjne mênnén kréjt préje védit, saa edhè préje knnimevé sado t’forta e t’kthéllta mâa udobisht s’kishté me iu kthye, kac gni fucii t’madhé kan flétorét n’védi.”

Që atëherë vëmë re vetëdijen e njohjes së nënvetëdijes dhe mënyrën se si ajo formohet, edhe nga lexime të bëra as në ëndërr, as në zgjëndërr të cilëve në vetvete nuk u kushtojmë rëndësi: Çfarë lexohet në fletore, e lë gjurmën e saj te lexuesi.

Çështja tani qëndron në përdorjen e kësaj fuqie:

Prannej flétorsit, per n’duen gnimênn me e perdorue ket arme t’forte ci atà kan n’dore per t’miret t’niérximit, per me shperdaa térrin e mixoriin, e per me perhape t’drejten e ghytétniin, e atà do t’mûnnohen me bâa ci fletorja t’jeet enciklopédia e motévé t’ona, due me thâne, ci t’keet mrênne ghithfsre msimésh e t’gnoftunash t’nevojshme per shocnii…

Nëse është vërtetë dëshira e atij që e boton fletoren për ta vendosur këtë të fundit në të mirë të njerzimit, në përmbajtjen e saj duhet të jenë gjithfarë mësimesh e njohurish që i nevoiten shoqërisë… Por a ndodh gjithnjë kështu?

Kaviia praa per t’tsillen do flétoré t’sodshme s’i ghéghen xyrés s’vet t’naltueshmé, t’sillet s’kan tjéter létératyrë a dije, vech flétorét e t’shkarravitmét e veta. E kta niérx saa mâa t’padijshem ci jâne, ac mâa udobisht vêhen me shkrue mii flétoré, e ngréhen mbii tjére per ghyghtare e msuesa e mahen per prîisa komit e per atdhétare t’nnexun.

Ky shkrim i asaj kohe ruan në një konstante të çuditshme aftësinë e përgjithhershme për të qenë aktual, duke treguar fenomene që i përkasin çdo kohe, por edhe duke kujtuar qëllime të cilat shpesh harrohen.

Exit mobile version