Kreu Opinion Andreas Dushi: Realizmi magjik i Marquez-it si postmodernizëm funksional

Andreas Dushi: Realizmi magjik i Marquez-it si postmodernizëm funksional

Marquez

Për shumë studiues, letërsia postmoderne e ka origjinën në Amerikën e Jugut, fillimisht me Broghesin e mandej, me të tjerët të cilët i veshën letërsisë petkun e realizmit magjik. Terziu i parë i këtij manteli ishte Juan Rulfo me romanin e tij “Pedro Paramo” e pas tij, një yjësi e tërë shkrimtarësh të mëdhenj mes të cilëve, më së shumti ndriçon Gabriel Garcia Marquez.

Lexuesit e tij, mes të tjerash ndahen në dy kategori të mëdha. Ata që parapëlqejnë “Dashuri në kohërat e kolerës” dhe ata që parapëlqejnë “100 vjet vetmi”. Sipas studimeve, preferencat përzgjedhëse mes këtyre dy teksteve lidhen edhe me tipare psikologjike të lexuesit, por kjo analizë mbetet për t’u bërë tjetër herë e sigurisht, prej tjetër kujt.

Unë do të ndalem në një vështrim vertikal të veprës, duke synuar të arrij në thellësitë e kuptimeve për të kërkuar mjetet postmoderne që përdoren si themelet e ngrehinës së tekstit.

Fillimisht, qysh në fjalitë e para të tekstit “100 vjet vetmi”, vëmë re raportin mes shkencës dhe supersticionit. Me natyrshmëri të pambuktë, Marquezi na thotë se makina që prodhonte akull, banorëve iu dukej diçka që buronte nga magjia, ndërsa zbulimet shkencore, si për shembull ai i Jose Arcadio Buendia-s se bota e ka formën si portokall, ishte çmenduri. Pra, zbulimet shkencore nuk mund të ishin fryt i punës mendore të individit, por veç i magjisë ose i çmendurisë.

Për të gjithë, është krejt e pranueshme ngritja e Remedios Bukuroshes në qiell, aq lart sa nuk mund ta arrinin “as zogjtë e kujtesës”, por askush nuk pranonte se Melquiades-i kishte vënë proteza në vend të dhëmbëve. Në këto pjesë dhe shumë të tjera, vëmë re dukurinë e ekletizmit, tipar i letërsisë postmoderne. Në Macondo, e vërteta dhe e moralshmja nuk ishte njëlloj si në vende apo kohëra të tjera, pra ekzistonte në marrëdhënie me kulturën dhe shoqërinë e vet. Kështu, kuptohet se asnjë doktrinë përfaqësuese e së vërtetës apo së moralshmes në postmodernizëm nuk është absolute.

Origjinaliteti i Marquez-it është i padiskutueshëm, edhe pasi një brez i tërë shkrimtarësh është ndikuar dhe vijon akoma, nga mënyra e tij e të shkruarit. Por kjo nuk do të thotë se në veprën e tij nuk gjejmë ndikime apo intertekst. Për shembull, në një leksion të mbajtur në 2015, Selman Rushdie mes të tjerash thotë se Macondo ka brenda pak Yoknapatawhpa të Foulkner-it (çka e pranon edhe Marquez në dialogun letrar me Llosa, duke shkruar edhe më tej tek thotë se çdo shkrimtar amerikano-latin është i ndikuar prej Foulkner-it), pak Comdla të Rulfo-s, udhëtimin për arritjen e Kështjellës së Kafkës e të tjerë. Duhet të jetë e qartë se intertekstualiteti nuk cënon origjinalitetin e shkrimtarit, por përkundrazi, e përsos atë.

Sipas Ihab Hassan, mes të tjerash, tipar i postmodernizmit është vendosja në vend të qëllimit/finalitetit (çka i përkasin modernizmit) e lojës/kaosit. “100 vjet vetmi” është tipikisht një përmbysje e vlerës së arritjes së synimit duke e kthyer të gjithën në një kaos pa rrugëdalje. Mbërritja e Jose Arcadio Buendia-s, çmenduria e tij, luftrat e Kolonel Aureliano Buendia-s, marrëdhënia e dy vëllezërve me Pilar Ternera-n, dëshira e Ursula Iguaran-it për ta bërë papë Jose Acadio-n dhe kaosi i jetës së tij duke mos arritur kurrë qëllimin, ikja e Shën Sofisë së Mëshirës, varrosja e Pilar Ternera-s ulur në divanin e saj etj., përfaqësojnë praktikën e pateori të udhës drejt rënies së qëllimeve. I vetmi destinacion final i ruajtur është vetmia çka në vetvete nuk përfaqëson kurrë një qëllim, por një përçmim e gati tallje të fatit me familjen e Buendiave që pi kafe të fortë shqeto. Këtu, as vdekja nuk i lihet rastësisë! Amaranta Ursula thur qefinin e saj përgjatë viteve, duke ruajtur një komunikim të vazhdueshëm me vdekjen dhe veç kur ngul gjilpërën e fundit, është gati të vdesë. Madje, merr edhe porosi nga të gjallët, çfarë duan t’u komunikojnë të vdekurve të cilët e presin në përtejbotë.

Marquez-i është ndër shkrimtarët e parë që përdor veten si personazh, duke u bërë pjesëmarrës në tekst. Shoku i ngushtë i Kolonel Aureliano Buendia-s ka të njëjtin emër si gjyshi i Marquez-it, ndërkohë që Gabriel Marquez-i është shoku i Aureliano Jose-së. Më vonë, këtë dukuri e gjejmë edhe te Michel Houllebecq apo Orhan Pamuk si dhe në letërsinë shqipe te Ridvan Dibra dhe Andreas Dushi.

Teksti nuk ka një kod themelor, por luan me gjuhën duke përdorur pa e vrarë mendjen kohët e foljeve edhe në dobi të digresionit historik. Vepra fillon në gjysëm, kthehet me anë të retrospektivës në fillim, pastaj ecën normalisht drejt së ardhmes deri në një farë pike kur shkaqet e së ardhmes kapërcehen duke na u dhënë pasoja e prej saj, kthehemi sërish pas. Ky është një tipar stilistik i Marquez-it i cili në “100 vjet vetmi” del qartë nga mënyra se si Aureliano Babilonia lexon dorëshkrimet e Melquades-it, por vihet re edhe po të lexojmë “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”, “Për dashurinë dhe demonë të tjerë” apo tregimet e “Dymbëdhjetë tregime pelegrine”.

Karakteristikë e tekstit është mungesa e vazhdimësisë. Mjaft të studiojmë kompleksitetin e karakterit të Kolonel Aureliano Buendia-s dhe do të shohim se si personazhi postmodern nuk ecën në rrugën që merr kur niset, por endet sa andej, këndej dhe mund të ndryshojë kyrekëput. Metamorfoza e tij nga një luftëtar i zoti (por i palavdishëm), guximtar dhe i fuqishëm, në një njeri pa asnjë qëllim i cili e vret kohën duke bërë cironka ari, shkrirë dhe ribërë, mbyllur brenda një rrethi vicioz, tregon qartë shpërbërjen e dëshirave dhe të ëndrrave, kur ato manifestohen si të parealizueshme dhe heqjen dorë nga idealet kur njeriu lodhet.

Interes të veçantë shfaq mungesa e ruajtjes së qëllimeve të personazheve (përveç rastit të Ursula Iguarin-it) kur përballë u vihet ekzistenca e qëllimeve të sendeve dhe ngjarjeve.  Për parantezë duhet thënë se realizmi magjik nuk është thjesht lojë magjike në hapësirë realiste, por ujitja e rrënjëve të realizmit me ujin e magjisë. Prandaj, vdekja e Jose Arcadio-s duket e pakuptimtë, por kuptimi i saj qëndron në qëllimin që ka gjaku i dalë nga plaga. Rrjedha e tij (pra e gjakut) thuajse fiton një jetë të pavarur, krejt ndryshe nga zotëruesi i deriatëhershëm i tij. Pra, gjaku duhet të jetojë deri kur t’i japë Ursula Iguarin-it lajmin e trishtë të vdekjes së të birit. Dhe ia del, duke u kthyer në një ndër të paktët komponentë të tekstit (gati personazh i tij) që ruan qëllimin e vetëm falë të cilit ekziston, duke u kthyer nga një element magjik, në një element real falë të cilit, e gjithë situata merr një ngjyrim tejet të trishtë.

Ironia, mes të tjerash qëndron në hiperbolat e përdorura prej autorit. Ka një inflacion “magjik” të numrave. Për shembull, 36 vezët për të bërë bukën, 32 luftra pa asnjë fitore, 17 djemtë e Aurelianos, mbijetesa e Kolonelit mbi  40 atentateve etj.. “Lufta” e Marquezi-it fshihet nën domosdoshmërinë e personazheve për të bërë një jetë normale duke punuar, luftuar dhe martuar. Nëse ato nuk “kryejnë” gjithçka historia dhe shoqëria ka quajtur si mënyrë e drejtë për të jetuar, destini është vetmia apo vdekja pa lavdi.

Për ta mbyllur, dua të përdor një argumet të Rushdie-s. Roberto Bolano thotë se realizmi magjik kutërbon, duke harruar se Hamleti komunikon me një fantazëm, luftëtarëve brenda kalit të Trojës u rrënqethen mishtë sapo Helena prek kalin dhe se Don Kishoti, mullinjtë e erës i shihte si përbindësha. Prandaj, letërsia e Gabo-s është bijë e Shekspirit, Servantesit dhe Homerit, çka (shtesë imja, jo pjesë e argumentit të Rushdie-s) tregon se, sikurse thotë Eco, çdo epokë ka postmodernistët e vet.

Exit mobile version