Në Muzeun Kombëtar të Artit Modern – Paris mund të shohim Shurrëtoren, veprën e artit të përgatitur nga Marcel Duchamp. Ajo nuk është gjësend tjetër, përveçse një shurrëtore e mbështetur në pjesën që, në përdorim normal rri ngjitur me murin. Por e gjithë kjo nuk vjen rastësisht, por për shkak se arti bashkëkohor ka zbuluar vlerën dhe pjellorinë e lëndës. Kështu, për pjesën më të madhe të artit bashkëkohor, lënda bëhet jo më dhe jo vetëm trupi i veprës, por edhe qëllimi i saj, objekti i ligjërimit estetik.
Në këtë linjë trajtësohet edhe ready made – apo sendi i gatshëm – nën poetikën e të cilit synojmë të vëzhgojmë estetikisht sendin tonë.
Epoka e sotshme, kur kapitalizmi ka vendosur kushtin e konsumizmit si arsye mbijetese për sendin, zhveshja e tij nga funksioni, e zhbën vetë atë, pra sendin. Shijimi i tij, edhe nëse ndodh, bazuar në Shkollën e Frankfurtit, vjen si rrjedhojë e “nevojës së shijuesit” për t’u çliruar nga aktiviteti mekanik a teknik i punës, me arsye që kur t’i rikthehet asaj, ta realizojë sa më plotësisht.
Bota e mallrave ka fituar një aftësi të pamohueshme për të ngopur me figurat e veta ndijimin e njeriut bashkëkohor, cilado qoftë pozita e tij shoqërore.
Ndërsa, në rastin e sendit tonë, duhet analizuar lënda materiale e ndarë nga përmbajtja estetike: shandani me një qiri e humbet vlerën me krijimin e ndriçuesit elektrik. Prandaj, e parë si mall, vepra jonë nuk ia del dot të krijojë një figurë mbushëse të ndijimit. Kjo do të thotë se, veç po të shihet si art, mund të krijojë njëfarëlloj ngacmimi në psikën a shpirtëroren e njeriut duke e nxitur atë të gjejë të bukurën në brendinë e sendit.
Kështu, vënia e sendit në dobi të funksionit, që ndodh qysh nga modernizmi, lidhur me sendin – objektin e kësaj qasjeje estetike – nuk ndodh. Dhe në këtë mënyrë, dalim në konkretizimin e idesë së Marcel Duchamp i cili thotë që, në rast se bukuria e sendeve lind nga procesi i kthimit të tyre në mall, atëherë cilido send i rëndomtë mund të zhvishet nga funksioni i tij si send përdorimi dhe të fitojë funksionin e një vepre arti. Pra, tanimë duke i dhënë një rëndësi të madhe lëndës, duke vlerësuar pjellorinë e saj, sikurse na sugjeron arti bashkëkohor, mund ta “fusim në kuadër” për ta paraqitur si vepër arti edhe sendin tonë, nën titullin Prometeu.
***
Sikurse vërehet, kemi të bëjmë me një shandan i cili, deformohet në momentin e duhur për të krijuar art. Prandaj, analizën le ta fillojmë nga konteksti i krijuar përreth tij:
Bazamenti i bardhë paraqet qetësinë në të cilën zë fill e bukura prej flake. Ajo është e ngjitur në një mur në ngjyrë të verdhë, si prej ari të lirë, pakkaratësh çka synon të zbërthejë forcën e madhështisë (po të bazohemi në konceptet mesjetare se e arta lidhet me madhështinë) që ka objekti artistik në vetvete: shandani. Lart, mbi kokën e shandanit, një tjetër bazament i bardhë. Kuadri në të cilin është realizuar fotografia ilustruese lejon të krijohen horizonte mendimesh të pafundme: Me çfarë kemi të bëjmë: Me tavanin e dhomës, me një pllakë allçie, beton të ngjyer me të bardhë, dru apo çfarëdolloj materiali tjetër… Nën të lëshohet një varg dritash të bardha që përfaqëson vetëm njërin nga elementët e së bukurës aristoteliane . Por kjo nuk do të thotë se kemi të bëjmë me një manifest të së shëmtuarës. Në optikën time vepra jonë e artit synon të na tregojë se mes antonimeve e bukur – e shëmtuar ekziston një botë e pafundme, mbushur plot me një lloj arti të cilin, pakujdesia e një syri indiferent, kaq të pranishëm në botën post – postmoderne dhe post-industrialiste e shpërfill tek e kategorizon jashtë hirearkisë së të mundshmes për t’u analizuar estetikisht, jo pse bazohet në konceptin e Kroçes , pra jo pse e konsideron të shëmtuar. Kjo shpjegohet me anë të ligjit të parë të Fichner-it, atij të pragut estetik sipas të cilit shumë gjëra, megjithëse zotërojnë disa cilësi të afta, të ngjallin te ne kënaqësi apo moskënaqësi, në rrethana të caktuara, na lënë shpërfillës.
Deri këtu, kemi të bëjmë me të njohurën. E bukura qëndron tek e panjohura, a më mirë të themi, e pakapshmja, e parrokshmja nga syri i shpjeguar pak më lart. Ajo qëndron në spontanitetin e krijimit: deformimi i sustës. Pikërisht këtu ruhet i pacënuar një element thelbësor i artit: autenticiteti! Edhe po të kërkosh ta riprodhosh, teknikat e sotshme nuk e kanë të pamundur, sigurisht, por spontanitetin e lindjes së tij nuk mund ta risjellin në po atë mënyrë. Vetë ky spontanitet është një ngritje krye përballë standardizimit të produkteve, pasi njërin nga produktet e krijuara në seri, e ndryshon! Dhe ky ndryshim kontribuon në krijimin e veprës së artit.
Sikurse përgjithsisht ndodh me ready made, artisti nuk është krijuesi i veprës, por zbuluesi i saj. Pra, për shembull, shurrëtorja e Duchamp, si lëndë, nuk është krijuar nga ai, por si art, po, ndonëse e parë ftohtë e objektivisht, nuk vëren asnjë ndryshim. Edhe me rastin e Prometeu-t (titull shpresëdhënës i cili nga përfaqësuesit e Pop – Artit ndoshta nuk do të pranohej dhe me siguri, nuk do të përdorej), ndodh e njëjta gjë: Artisti, pra njeriu nuk dhuron asgjë fizike, mendore a shpirtërore nga vetja për krijimin material të veprës së artit, por e merr atë gati dhe e vendos në një ekspozitor.
Se ku zë fill e bukura, e thamë më lart. Tani, në vijim, fillin e shtrijmë në trajtë lineare, duke filluar nga poshtë, lart. Bazamenti, i konceptuar në tre rrathë, rrezet e të cilëve vijnë duke u ngushtuar, tregon një vijueshmëri të qëndrueshmërisë. Rrezja e rrethit të parë dhe atij të dytë nuk ndryshon shumë, por largësia mes tyre po. Ndërsa rrezja e rrethit të dytë me atë të tretë ndryshon goxha, por largësia, jo. Kështu na paraqitet ideja se, fillimi i asaj çka kemi në vijim nuk ndryshon shumë prej vijimit të saj, deri në një pikë ku lartësia të pësojë thyerjen mbi të cilën paraqitet subjekti.
Mund të duket sikur po bëj një ndarje të shijimit të së bukurës. Jo! Unë i qëndroj idesë se e bukura nuk mund të shihet dot e parcelizuar. Që një vepër arti të provokojë shijim estetik, në tërësinë e saj, duhet të jetë e bukur. Kjo “ndarje” e veprës sonë ndodh për të kuptuar paradoksin mbi të cilin, momenti ia ka dalë të krijojë artin. Dhe, po të shkojmë më tej, mund të vërejmë ekzistencën e një lloj profecie të fshehur në ndërtimin e shkallares së quajtur më lart bazamenti qysh kur krijuesi i materiales kryente procesin mekanik të punës, pa e menduar asfare kthimin e produktit të tij në art. Sipas kësaj profecie, vepra e artit që do të krijohet në të ardhmen do të krijohet në të njëjtën formë me bazamentin: Për një farë kohe, fillimi dhe vijimi është i njëjtë, ndërsa në një çast të vetëm (i quajtur më lart momenti kur ndodh arti) falë një ndryshimi të beftë, krijohet mundësia e të shijuarit të artit.
Dashuria e veprimit sublim që paraqet vepra jonë e artit tregohet në kurorën me lule të kuqe: disa janë të çelura – dashuria është realizuar – e disa, akoma gonxhe – ka prap çfarë të sjellë dashuria. Kryepersonazhi mitologjik i Prometeut, na paraqitet në një tjetër formë, i larguar me kërcim nga Olimpi, një Olimp i përmbysur me majë të sheshtë, jo të thepisur. Olimpi është i tillë si dëshmi e ezaurimit të modelimeve se si ai paraqitet në art si dhe, si kundërshti me artin pararendës i cili Olimpin gjithmonë e paraqet madhështor. Por pavarësisht kësaj degdisjeje kokëposhtë të Olimpit majërrafshët, Prometeu nuk mungon. Madje, është pikërisht fakti se Olimpi është i tillë ai i cili shtyn daljen, ngjitjen, rrahjen e parë të flatrave të Prometeut.
Ai, i shtyrë nga kushedi ç’fuqi artkrijuese, e treguar në deformimin e pësuar nga susta, ngjitet lart me një hov, për t’u drejtuar menjëherë për poshtë, aty ku njerëzit, pa qenë të vetëdijshëm, po presin dhuratën madhështore të marrë nga Dheu i Perëndive.
Zjarrin, Prometeu nuk e ka në dorë, pra në vijë të drejtë me veten, por mbi kokë, duke treguar kështu se misioni i tij nuk është i barabartë me të, por më i lartë, sipëror! Pas tij, dritëzat elektrike, plot ironi e përqeshin në fikje e ndezje të pambarimta, tek e njohin me faktin se në të ardhmen, në sajë të rrymës falë së cilës ato ekzistojnë, dhurata që ai po i sjell njerëzimit, do ta humbasë vlerën e kështu, edhe vuajtja që shoqëron aktin e Prometeut, do ta humbasë rëndësinë, ndonëse prap se prap, ajo nuk do të mbarojë. Vuajtja e tij buron nga dashuria dhe, sikurse më lart treguam, dashuria nuk është realizuar në plotninë e saj.
E bukura në këtë vepër shpërfaqet dendur, në secilin prej ndijimeve që perceptojmë falë saj: vuajtja sublime për hir të dashurisë, në mënyrë të tillë që edhe vuajtja, edhe dashuria janë të pafundme, një dashuri agape, dhuruese, pa pritur gjësend në këmbim, shprehur bukur në thjeshtësinë e një objekti, ndaj të cilit po të qëndrojmë indiferentë, sikurse shpesh ndodh përballë të tillë objekteve, nuk shijojmë asgjë e madje, mund të arrijmë deri aty sa ta hedhim, duke e parë pas optikës së nevojës, çka domosdo do ta karakterizonte si të panevojshme, ose – çka në fakt i ka ndodhur kësaj vepre, sikurse shpesh, shumë shpesh ndodh me sendet e gatshme – të ushtrojmë forcë për ta deformuar artin, me qëllimin ta rikthejmë sendin në të përdorshëm.