Kreu Opinion Andreas Dushi: Mungesa e padurueshme e stendës “Albania” në panairin e Frankfurtit

Andreas Dushi: Mungesa e padurueshme e stendës “Albania” në panairin e Frankfurtit

Në datë 16 tetor, gjatë Panairit të Librit në Frankfurt, autori tejet i njohur Yuval Harari pati një diskutim me filozofin japonez Kohei Saito lidhur me sfidat e bashkëkohësisë dhe mënyrën si duhet të përballemi me to. Mes të tjerash, në një përgjigje që u duartrokit prej publikut, Saito tha se priste të vinte një kohë kur interneti do të mbushej aq shumë me informacione të pavërteta dhe të pabesueshme, saqë njerëzit natyrshëm do ta braktisnin dhe do t’i riktheheshin kërkimit të informacionit te materialet e shtypura, kryesisht ndër libra. Kjo më kujtoi atë çfarë thotë Umberto Eco në dialogun me Jean-Claude Carrière, botuar së fundmi në shqip nga “Dituria”. Sipas tij, libri është një shpikje e përkryer së cilës nuk ke çfarë t’i ndryshosh, pak a shumë ashtu sikurse rrota. Në një perspektivë të tillë atëherë, te libri si e vetmja siguri për përmbajtje të besueshme, pa asnjë nevojë për shpenzime që t’i përmirësohet trajta apo forma në vetvete, si mund të investohet për t’ia çelur shtegun drejt lexuesit? Përkthime, promovime e të tjera e të tjera përmblidhen nën një strehë të vetme: Panairin e Frankfurtit ku edhe sivjet, për të një-Zot-e-di të satin vit, Shqipëria nuk mori pjesë zyrtarisht me një stendë, paçka se në avionin e nisur nga Tirana me datë 15 tetor ishin disa prej botuesve kryesorë shqiptarë.

Nëpër korridoret e pafundme të Panairit, sheh stendat e të gjitha vendeve, një pjesë me dizajnin e konceptuar sipas tematikave përfaqësuese. Mungojnë, bashkë me ne, Palestina që është në luftë, Koreja e Veriut, Turkmenistani, ca vende të Oqeanisë dhe ndonjë tjetër shtet i vogël sa kopsa e xhepit të këmishës në hartën e kontinentit të vet. Dhe kjo, sa vjen e bëhet më e padurueshme!

Shqipëria, një prej vendeve me mbështetjen më të ulët për përkthimin e letërsisë së saj, as në ato raste kur shtëpi të huaja botuese shprehin dëshirën dhe gatishmërinë për ta botuar një autor shqiptar, nuk ua ofron atyre një hapësirë minimale ku të mund të takohen. Se për t’i përfaqësuar apo promovuar, as nuk ia vlen të diskutohet. Ata që ngrenë dhe ulin sipare eventesh bosh si për nga përmbajtja, ashtu për nga pjesëmarrja, me gjasë të lodhur nga kjo punë mekanike ulje-ngritjesh, as nuk e vrasin mendjen se në ngjarjen më të rëndësishme të librit në botë, aty ku misioni i tyre merr kuptim, tregojnë se në fakt as që ekzistojnë.

Po përse edhe sot vazhdon të ndodhë kjo, në një kohë kur Shqipëria është pjesëmarrëse në panaire turizmi apo kulinarie, mode apo teknologjie? Si ka mundësi që vetëm sektori i librit është i përjashtuar nga strategjitë e shtetit për ndërkombëtarizim? Ç’është ky ngut i pashembullt për t’i ndërprerë rrugën çdo mundësie komunikimi të këtij burimi të sigurt informacioni që Saito thotë se do të mbetet i vetmi?

Kjo mosqenie e Shqipërisë në Panair më kujton një pjesë nga poezia e Kadaresë Panairi Ndërkombëtar i Librit në Frankfurt, shkruar më 1981:

Nga të gjitha stendat vetëm njëra ndryshon

Stendë e Kosovës është bosh.

Kalojnë shovinistët,

Buzëqeshin nën buzë.

Pamja, pa dyshim, i josh.

Ëndërr e tyre ta shohin Kosovën kështu

Pa libra, pa art, pa shpirt.

Reporterët erdhën papritur me vrull

Për të filmuar atë shkreti.

Prej vitesh tani jemi në një situatë krejt tjetër, me Kosovën e pranishme në një hapësirë dinjitoze ku përfaqësohen dhe mirëpriten gjithë autorët e saj bashkë me ne të pastendët sa herë kemi nevojë dhe në të njëjtën kohë, Shqipërinë e 2024 të shfaqur si Kosova e 1981, pa libra, pa art, pa shpirt. Veçse, nëse dihet se kush ëndërronte ta shihte Kosovën ashtu, mbetet pa përgjigje pyetja se po tani, kush ëndërron ta shohi Shqipërinë kështu?

Vizatimi nga Anastas Kostandini – Taso

Exit mobile version