Kreu Letërsi Bibliotekë “Ana”, tregim nga Edlira Xhani

“Ana”, tregim nga Edlira Xhani

Ana kishte ikur. Të gjithë po e kërkonin. Më dukej e çuditshme si vijnë ndonjëherë ca gjëra. Ajo ishte fqinja ime e vogël. Na ndante një gardh. Sa herë që kthehesha nga shkolla më shikonte që larg dhe më priste e varur në gardhin ndarës.

– Si je, Ana? – e pyesja gjithmonë, duke u përpjekur të ndaloja ironinë e saj që i vizatohej në fytyrën e bukur. E bëja këtë për t’i treguar se ai vështrim ironik më shqetësonte dhe se duhej të ndërronte sjellje, përndryshe duhej të qëndronte larg meje.

– E mirë! – ma kthente dhe qeshte duke nxjerrë në pah dhëmbët e saj të bukur. – Nuk guxon njeriu të flasë, se ti mërzitesh.

– Ana, nuk jam e mërzitur. Jam e lodhur. Kam provim pas një jave dhe nuk di a do ta kaloj.

Shtrembërova fytyrën duke u përpjekur të hiqja çizmet e mbushura me baltë.

– E, – ma kthen Ana, – je mbushur me baltë? Sa keq, i prishe ato çizme aq të bukura! Nuk e kupton që këtu është fshat dhe zonjusha nga qyteti merr fund. Duhet të veshësh opinga llastiku, të bëhesh kështu si ne.

Qëllon me pëllëmbë drurin e gardhit dhe zhduket brenda oborrit të shtëpisë së saj. Është mbrëmje dhe gjëja e gjallë po kthehet në shtëpi. Netët e dimrit janë të gjata në fshat. Çdo gjë kridhet në një qetësi të frikshme. Drurët lakuriqë duken si gjallesa që kërkojnë mëshirë. Dua ta marr këtë provim me patjetër. Në shtëpinë time është heshtje varri. Të gjithë e dinë rëndësinë e provimeve të mia. Nëna hyn e del pa fjalë, ndërsa babi nuk i shkëput sytë nga një libër që ka pranë.

Ana shtyn derën dhe koka e saj e bukur ndalon për një moment.

– Eja! – i them. – Do të bëj një pushim.

Ajo futet vrullshëm në shtëpi. Ulet e shpenguar në kanape, rregullon bluzën e trashë që ka veshur dhe më drejtohet:

– Hë! Ç’thotë qyteti?

Qyteti? Çfarë pyetjeje?

– Asgjë. Shkollë, konvikt, lexim.

– Jo moj! Kujt do t’ia shkosh ti? Pse nuk e di unë që dilni, shëtisni, kërceni, këndoni, bëni edhe xhuku-xhuku.

– Çfarë është kjo, Ana, se nuk e kuptova?

Pa iu dridhur qerpiku, ma kthen:

– E, keni dashnorë. Kështu thonë edhe për ty.

Ndiej që jam skuqur deri te qafa. Këtë nuk e prisja. Mendoja se askush nuk më kishte parë në atë qytet të madh, të zhurmshëm. Bëhem gati t’i kthej përgjigje, por ajo, si gjithmonë, ma merr me të shpejtë.

– Mos u shqetëso, askush nuk flet keq. Thonë se është djalë i mirë.

– Ana, qepe!

– Në rregull! Në rregull!

Ajo vë duart përpara fytyrës.

– Ana, largohu! Dua të mësoj.

– Po, patjetër! Ju vajzat e qytetit të ndiqni pa bujë, pa sherr.

Ngrihem dhe e përcjell deri te dera, të cilën e shtyj me forcë. Më ka mërzitur.

Ana vjen përsëri pas një ore. Shtyn ngadalë derën dhe ulet afër sobës që ka ngrohur ambientin. Nuk i them asgjë, vetëm përpiqem të jem e përqendruar në shënimet e mia.

– Ne këtu jemi kot fare, – fillon Ana. – Punë, punë. Mua më është mërzitur fshati. Dua të largohem. Nuk jetoj dot këtu. Do të martohem.

– Çfarë? – nuk m’u durua. – Çfarë thua? Si do të martohesh? Mëso, moj, mëso! Ti nuk je me shumë se 14 vjeçe.

– Pse të gjithë kështu jemi, si ti? – ma kthen e nxirë në fytyrë. – Pse kështu jetohet? E di ti si jetojmë ne? Vjen e ikën tërë pordhë si mysafire. I ndërron rrobat, këpucët, si të do qejfi ty. Pse si në ata librat e tu është jeta?

Më shikon gjithë mllef dhe thotë:

– Unë do të largohem prej këtej. Nuk mund ta mbyll jetën mes dhive. Do të iki!

– Je e vogël, Ana. Shikon si shumë televizor kohët e fundit. Pastaj, nuk është faji im që ne jemi kaq larg nga njëra-tjetra.

Kisha vënë re një pajisje satelitore mbi tarracën e shtëpisë së saj dhe shpeshherë nga brenda shtëpisë dëgjoheshin hitet e fundit të muzikës. Nëna ime ankohej dhe thoshte se kjo vajzë i ka trullosur kokën me këtë zhurmë.

– Unë e vogël? – tha dhe me një shpejtësi të habitshme hoqi rrobat. Përpara meje shfaqet një mrekulli. Një trup i drejtë, një qafë e lakuar, dy buzë të fryra, dy sy të gjelbër që xixëllonin…

– Ana! – i ulërij në fytyrë.

Vesh rrobat e saj me një qetësi të habitshme. Më kishte lënë pa fjalë.

– Ana, mblidh mendjen! Janë kohë të këqija. Çfarë nuk dëgjojmë. Të lutem, rritu njëherë. Nuk janë punë të mira këto.

Përpiqesha ta qetësoja atë shpirt të trazuar.

– Mund të flas me prindërit e tu dhe t’u them se do të shkosh në gjimnaz. Hë, si thua? Të ndihmojmë ne.

Ana largohet nga krahu im. Ngrihet në këmbë dhe ma kthen:

– Ti nuk merr vesh fare! Çfarë them unë e çfarë thua ti!

Bën dy hapa dhe kthen kokën nga unë:

– Unë të kam zili! Të dua fort! Çfarë nuk të them dhe ti më duron.

Tunda dorën në ajër si për t’i thënë se mos e vrit mendjen, ti për mua je fëmijë.

Kjo ishte biseda ime e fundit me Anën. Që atëherë nuk e kam parë kurrë. La shumë dëshpërim pas. Dikush e mori dhe e shiti në shtetin fqinj. Ndoshta i tha se do t’i gjente burrë në qytet. Atë mesnatë, kur unë bëja përsëritjet e fundit për provimin, dëgjova ca hapa të mbytur që largoheshin në terr. Ndoshta ishte ajo që shtegtoi për të shkuar nga një mizerje në një mizerje tjetër më të madhe. Thonë se ka mundur të dalë nga ajo rrugë dhe të jetojë si një qytetare e denjë. Dua ta besoj.

Exit mobile version