Kreu Letërsi Shënime mbi libra Alisa Velaj: Lënda e poezisë popullore në poetikën e Fatos Arapit

Alisa Velaj: Lënda e poezisë popullore në poetikën e Fatos Arapit

Jo rrallëherë, korifenjtë e poezisë shqipe, janë frymëzuar drejtpërsëdrejti nga poezia popullore, duke na dhuruar vargje që do të mbesin ngaherë në kujtesën më të mirë të letërsisë sonë. Në lëvrimin e kësaj krijimtarie, natyrisht që çdo poet ka lënë vulën e pashlyeshme të origjinalitetit të vet. Në botimin e krijimtarisë së zgjedhur poetike (1962-2010), poeti Fatos Arapi ka një numër të konsiderueshëm krijimesh të frymëzuara nga motivet e folklorit të jugut. Përmendim këtu: “Të diel në mëngjes”, “Moj e vogëla sa loti”, “A je brymë moj a je borë”, “Sa qava për ëndrrën moj”, “Pse u deshëm bashkë”, “Udhës shkon një qiparis”, “Balada e Hamides”, “Vaçë ku dahet kësmeti”, “Kujtoja se binte shi”, “Mbiu nerënxa në det”, “Loti çanë gurin”, “Po vjen lumi turbullo”, “Vëre një gur në zemër”. Në të gjitha këto perla poetike, motivet popullore ndërkallen përmes një vargu kyç, i cili më pas e zgjeron frymëmarrjen në krejt poezinë.

“Hëna në zambak të bardhë/ Flet me sy e flet me vetull/ Ti e gjallë e unë i vdekur/ Unë mbi gur varri mbështetur/ qesh e loz me ty një shekull/ Përmbi Vlorë, ndënë kodrat/ si të vdes/ ku t’i lë hokat?/Hanko – shpirt, ku t’i lë lodrat?” (“Hanko mos shkel nëpër varre, se të vdekurit i ngjalle”)

Shohim se në pjesën dërrmuese të tyre, këto poezi janë lirika erotike. Arapi ruan ritmin dhe frymën e vargjeve popullore, por e përpunon motivin sipas të gjitha ligjësive të artit të tij poetik. Në fund të fundit, çdo poet ndikohet nga ajo lloj majaje e folklorit, e cila vendos pikëtakime, pikërisht me atë lëndë që vetë poeti ka ngjizur poetikën e tij. Vjen kështu një bukë poetike, në të cilën motivi popullor dhe poezia e kultivuar bashkohen si një përbërës i pandashëm. Arapi është frymëzuar kryesisht nga ato vargje të folklorit mbarëshqiptar, ku populli i ka kënduar dashurisë së pamundur dhe përmasës së saj tragjike, pikërisht aty ku luhet loja e vdekjes dhe e përjetësisë. Poeti merr prej kësaj poezie dashurinë e jetuar edhe kur të dashuruarit u përkasin dy botëve të ndryshme; njëri jetës e tjetri vdekjes. Sepse dashuria nuk vdes asnjëherë. Ajo vetëm sa kalon nga një jetë në tjetrën. Prandaj përherë duhet dashur “pak më tepër. Përtej kohëve dhe përtej jetës. Në këtë kontekst të fundit,  lënda popullore nuk del më si motiv i drejtpërdrejtë, por si lëndë intertekstuale.

Kapërcej ty e kapërceva veten/ dhe përtej vetes kapërceva jetën/ dhe përtej jetës kapërceva vdekjen/ I hapa krahët të pushtoj ty vetëm/ Ti do t’më dashurosh patjetër!” (“Ti do t’më dashurosh patjetër!”)

“U ngrita, e lashë varrin/ Të lutem, mbushma syrin/ me buzëqeshjen tënde/ Unë për ty lashë varrin” (“U ngrita”)

Ndikimin nga poezia popullore e jugut, e gjejmë në poezinë e Arapit edhe përmes pulsimit të kujës labe apo të të qarës me ligje. Përmendim këtu poezinë elegjiake “Në varrin e Lirisë”. Edhe pse poeti thotë mes vargjesh “motra ime”, duke na dhënë të kuptojmë se ndodhet te varri i së motrës, poezia nuk e ka një poshtëshënim, apo një dedikim nën titull. Prandaj emrin “Liri” mund ta marrim edhe si emër njeriu, edhe si koncept. Kjo e fundit në dy këndvështrime: liri si antipod i tiranisë dhe liri si shkuarje në parajsë, ku jemi të lirë nga prangat tokësore. Që është parajsë nuk ka dyshim, pasi poeti shkruan “terri njeh vetëm gjuhën e dritës”. Arapi përtejbotën (në krejt poezinë e tij) nuk e sheh si përtejbotë të errët, por si përtej-jetë, apo nisje e një jete: përjetësisë. Prandaj njerëzit e vdekur fizikisht janë realë në këtë poezi, ata nuk janë hije. Përtejbota e Vllasit (vëllait poetik e gjenetik të Fatosit) në ciklin poetik “In Tenebris” është e njëjtë si këtu. Nuk ka përmendje hijesh në botën tjetër. Motra e vdekur, Liria është shpirt dhe jeton në parajsën e shpirtrave të gjallë. E qara me ligje e Labërisë ndihet te përsëritja e fjalëve. Ja si vjen kjo përsëritje e fjalëve apo ky refren në poezinë popullore.

“Te plepi i Bilishtit/ Dy martira ranë/ U vranë dy trima/ Manja me Selmanë/ Bir’ o djal’ i nënos /Çdo të qanj më parë/ Njerin e kam nip/ Tjatrin e kam djalë/ U vranë dy trima/ Kushërinj të parë/ Bir, Selman i nënos!/ Ç’do t’u qanj më parë?” (“Bir, Selman i nënos!”)[1]

Në elegjinë “Te varri i Lirisë”, shohim që në fillim përsëritjen dy herë të fjalëve “fryn erë me shi”, e mandej “erë me shi”. Ndërkohë e vdekura thirret plot tri herë. Ajo përmendet në vargun hyrës: “Fryn erë me shi, motra ime”; në trup të poezisë: “u bëmë lot qiriri, motra ime” dhe në vargun përmbyllës të elegjisë: “kërkon lodrën që i ka humbur, motra ime”. Në të qarën me ligje të Labërisë emri i të ndjerit/ndjerës, thirret në fillim të vajtimit, përgjatë vajtimit (jo vetëm një herë) dhe në fund të vajtimit. Fakti që këtu del vetëm një herë në trup të poezisë shenjuesi “motra ime”, e bën poezinë të jetë një lloj përshpirtje e krishterë, por me lëndë të ligjërimit lab. Simbolika e numrit tre lidhet gjithashtu dhe me konceptin e ringjalljes. Ringjallje kujtimi e motrës së ndjerë, thirrje në botën tjetër veçse për pak, si shkak i vajtjes në atë botë të vëllait të saj. Kjo vizitë në botën tjetër ka një traditë të ngulur në odisetë e shumë heronjve në letërsi, kurse ky rikthim, falë të thirrurës të kujton baladat shqiptare. Për rikthimin e të vdekurve në botën e të gjallëve, vetë Arapi studiues shkruan kështu në “Këngë të moçme shqiptare” ndërsa analizon baladën e vëllait të vdekur: “Praktika shqiptare, pra, dëshmon se i vdekuri mund të çohet prej varrit si nga lotët, ashtu edhe nga mallkimi”.[2] Në këtë elegji nuk bëhet fjalë për çuarje të të vdekurve nga varri si në baladë, por shohim se lënda baladeske ndërkallet në poezi vetëm në formë. Lënda tjetërsohet në letërsinë e kultivuar. Këtu është vëllai që vajton për motrën dhe janë lotët e vëllait që niset nga jeta në përtej-jetë, ata që na ngjallin e na përndrisin hapësirat e vdekjes. Paraqitja e tyre si njerëz të gjallë në varr nuk lidhet me elemente fantastike si në epos (këngët “Muji mbas deket”, “Halili mbas deket”), apo në baladat e krijuara në kohërat pagane, por ka lidhje të drejtpërdrejtë me konceptin e ringjalljes në krishterim.

Në një kuptim alegorik, padyshim se ky është edhe vajtim për lirinë. Koncepti i lirisë mbetet koncepti thelbësor për një poet si Arapi, që i këndoi me pikëllim rrokaqiejsh tragjedisë shqiptare në Tiranën e tiranive (në Tiranë ka vetëm tiranë – varg i Arapit). Kemi një motër në sfondin tërësor të poezisë që jetësohet përmes zërit apo dialogut të nënkuptuar me të vëllanë (ti më flet), që herë krijon idenë se është ajo që i tregon të vëllait për të vdekurit e tjerë, herë na duket se poeti i sheh të tërë me sytë e tij, pasi motra e ka mirëpritur në botën tjetër. Atmosfera poetike na shfaq të vdekur të profileve të ndryshme: një plak që kërkon çka humbur (mision i përmbushur jetësor), një poet që ka lënë përgjysmë këngën e tij në botën e të gjallëve (mision i papërmbushur apo i pakuptuar), një nuse (dasmë e përkëmbyer me vdekje) dhe një fëmijë (jetë e pajetuar). A mos është liria atëherë joliri dhe liri e vdekur e një atdheu në tërë fushëpamjet e tij ekzistenciale? Gjëma e burrit te poeti përcjell dashuri jo vetëm për motrën e vdekur, po edhe për tërë të vdekurit e tjerë. Ai kërkon t’i ngjallë të gjithë ata, përmes ndezjes së qirinjve mbi varret e tyre. Me flakëzën e dashurisë së qiriut të motrës, poeti shpall një ringjallje kolektive. Atëherë, themi se ky vajtim është një lloj zie për vdekjen e lirisë, ku thirrjet “motra ime” njëlloj si në të qarën me ligje të iso-polifonisë, i drejtohen motrës së shpirtëzuar, lirisë së Shqipërisë, bash aty ku dergjet, në varrin e saj.

TE VARRI I LIRISË

Fryn erë me shi, motra ime,

u shuan qirinjtë e varreve pranë.

Erë me shi…

Qiririn tënd të ndezur

mbroj në grushtet e mia.

Takohemi vetëm në këtë dritë,

u bëmë lot qiriri, motra ime.

Dridhemi si kjo flakëz e drojtur…

Ti më flet: aty poshtë ka njerëz:

është një plak këtu pranë

kërkon thikën të qërojë mollën

e dot nuk e gjen: ky poet, miku im,

ka lënë gjysmën e vargut pa shkruar:

“Një kafe – pa ty – në Tiranë…”

I ka humbur unaza asaj nuseje,

e kërkon me frikë nusërie.

Errësirë aty poshtë:

terri njeh vetëm gjuhën e dritës.

Me qiririn tënd ndër duar

kaloj varr më varr dhe ndez

qirinjt’ e shuar. Pak dritë prej shpirtit.

Një fëmijë aty pranë,

kërkon lodrën që i ka humbur, motra ime.


[1] Visaret e kombit. Vëllimi III. Tiranë. 1937. fq. 216.

[2]  Fatos Arapi. “Këngë të moçme shqiptare”. Tiranë. 1986. fq. 83.

Exit mobile version