Kreu Letërsi Shënime mbi libra Albi Lushi: “Granti”, një roman për njeriun në mes të dy sistemeve

Albi Lushi: “Granti”, një roman për njeriun në mes të dy sistemeve

Vështrim i përgjithshëm mbi romanin «Granti» të autores
Dhurata Haxhiu Kasa (Toena, 2024)

Romani “Granti” është një prozë që sjell një personazh-individ shqiptar të zakonshëm në një mjedis të zakonshëm midis dy sistemeve. Romani përfshin ngjarje të dyzet viteve, kryesisht vitet 70-80 dhe 90-2000-2010-të.

Granti rritet nga gjyshja në një fshat të largët jugor në Voloro, pas një vrasje aksidentale kthehet në Tiranë ku fillon arsimimin. Rinia e gjen me trazimet e ardhjes së demokracisë. Granti shfrytëzon ngjarjet e 97’-ës dhe të firmave piramidale duke e shtruar pasurinë e tij. Është i martuar me Anën dhe ka një vajzë Tean. Fillimi i romanit i gjen në prag divorci dhe në një bashkim të ri me Bean. Granti pas ngjitjes në karrierë deri në postin e ministrit vazhdon duke shfrytëzuar cdo hapësirë për shtimin e pasurisë e më pas të pushtetit deri në postin e deputetit. Raporti i zhdrejtë mes punës dhe familjes shtrihet në tërë romanin.

Në një diskurs ngjarjesh të vendosur në dy mjedise bazë, Tiranë-Gjirokastër, vjen një personazh që është sa larg aq edhe afër kohës sonë. Një vërtetësi e padiskutueshme e njeriut që ngjit shkallët e karrierës ashtu sic ndodh, ashtu si do njeriu ambicioz të ndodhë dhe ashtu sic nuk duhet të ndodhë. Skalitja e njeriut të etur për pushtet kur sistemi ia ofron këtë krijon një raport abstragues ku nuk kuptohet nëse është mjedisi  dhe sistemi që krijon Grantin apo është njeriu që e krijon këtë mjedis dhe sistem.

Një histori në dukje e thjeshtë e cila rrëfen rritjen e Grantit nga gjyshja e tij e më pas ngjitja e shpejtë në karrierë dhe politikë. Granti është një personazh fiksion, rritur në mjedisin diktatorial dhe ndërtuar mbi realitetn e viteve të tranzicionit, në të cilin ai ndërtoi shtratin e tij të fuqisë. Në këtë pikpamje në roman vijnë natyrshëm tabllo të jetës së kohës, përshkrime të shpejta të atij realiteti në një mjedis rural, fiksion edhe ai, Voloroja por në një toponimi gjeografike reale sic është Gjirokastra juglindore.

Fokusimi tek mënyra e rritjes në fëmijëri na jep qartë pikënisjet e edukimit të tij në të cilin kuptojmë lirinë e pamatë nën të cilin rritet Granti. Gjyshja e tij Paro, një nga personazhet më të arrira në roman gëzon të gjithë tipologjinë e shterur të figurës së një plake jugore, e sertë e cila pengun e pamundësisë së rritjes së të birit e realizon tek nipi, Granti. Është një figurë shumë tadicionale me rite, zakone, gjuhën e saj tepër identifikuese për Paron. Mjeshtëria e krijimit të kësaj figure na bën të mendojmë se ky roman mund të kishte edhe emrin e saj. Paro i jep Grantit një liri të paparë në rritjen e tij ku pas cdo veprimi I kërkonte atij mendim. Kjo ngjizi tek ai outonominë e mendimit dhe veprimit. Kjo liri rrit tek ai veprimet dhe iniciativat tepër të lirshme për një fëmijë. Këtë fenomen e hasim edhe sot në edukimin jo produktiv të një pjese të fëmijëve, shkaqe që krijojnë gjasa negative për një agresivitet tek adoleshentët. Parua vëzhgon marrëdhëniet e tërë personazheve karshi saj,  konstaton të vërtetat e frikshme ose jo të relitetit përreth Grantit dhe fokuson vëmëndjen e Grantit aty ku ajo ka ngulmuar, fuqizimin e tij. Por në fund edhe ajo e kupton gabimin fatal që ka bërë duke kërkuar një tjetër Grant, atë me njerëz dhe jo të vetmuar, por tashmë është vonë. Është vonë edhe për Grantin për një rrugë të mesme. Tashmë rruga e tij gjarpëron në labirinthet e dukshme dhe të padukshme,të errëta dhe të ndricuara,të shtruara e të pashtruara për të na treguar rrugëtimin e Shqipërisë  nga mbarimi i regjimit dictatorial deri në këtë periudhë tranzicioni sfilitës në historinë tonë.

Granti është një personazh i veshur mirë artistikisht dhe realisht, ai ka një familje, gruaja e tij Ana është një nga avokatet më të njohura në Tiranë e cila nuk përputhet më me të kur e shikon zhytjen e thellë në të cilën shkon I shoqi. Personaliteti I saj zhvillohet përkundër asaj të Grantit, tashmë ajo jo vetëm që nuk e ndjek më në zgjedhjet e tij por tregon të vërtetën e frikshme drejt së cilës shkon ai. Kosto është e pallogaritshme, tërë ajo shkon tek vajza, Tea e cila tashmë ka lënë mësimet dhe bart cdo ditë tensionin e prindërve. Kemi këtu një familje tipikë shqiptare ku të gjithë pjestarët e saj janë përballë parasë dhe shformimi është kaq i shpejtë sa vetë problematikat ditore. Një raport tjetër është edhe ai I pjesëtarëve të familjes me konceptin e lirisë, një njeri aq i pushtetshëm dhe ambicioz ka kufij të qartë për familjen, kufij këto që shndërrohen në pranga. Jo rrallë e shohim këtë në familjet shqiptare, ku edhe pse zhvillimet sot janë drejt fuqisë së individualizmit përsëri mentaliteti patriarkal fle thellë dhe zgjohet vrullshëm aty – këtu. Por Ana është edhe pjesa më e bukur e Grantit, më e pastër e tij, më e brishta. Kujtimet erotike tregojnë një personazh që ka dashuruar fort dhe pastër dikur por që dshuria nuk mjafton në një mjedis metalistik ku njeriu rend pas parasë dhe zhvlerëson gjithcka. Gjatë rrëfimit të ngjarjeve në libër kemi edhe një Bea që dashuron, edhe ajo sidomos në pjesën  e dytë të romanit bëhet personazh kyc, por është tjetër qasje. Nis si marrëdhënie e shpejtë, interesi dhe vazhdon si marrëdhënie reciptoke ndërvarësie e cila përpëlitet në kufij dashurorë ,por nuk arrin thellësinë e vërtetë. Ekzistenca e lidhjeve të tilla ku interesi është baza e më pas vjen dakordësia e të jetuarit është mëse e zakonshme në botën moderne.

Granti është një personazh sa dinamik aq edhe dramatik. Si individ dinamik ai është i gjallë, lëviz shpejt, synimet i ka të qarta , nuhat rrugët e ngjitjes dhe mënyrat sesi. Për këtë nuk llogarit asgjë,por dalëngadalë thellë në tekst ai është shumë dramatik pasi ai e lë vetë veten të rrokulliset në rrokopujën e pushtetit dhe të rrezikut, ai nuk mund të pranojë kurrësesi të jetë me para dhe pa pushtet, si edhe me pushtet dhe pa para. Ndaj cdo veprim e kryen me vetëdije të plotë. Shëmbëlltyra e realitetit të djeshëm dhe të sotëm njejtësohet në figurën e Grantit, vecse fuqisë shkatërruese të parasë të cilën e pralajmëroi Balzakut kësaj figure I shtresëzohet edhe pushteti i Arturo Ui. Raporti individ-sistem është një nyje që lidhet dhe zgjidhet disa herë në roman. Aktualizimi i saj shkon në koherencë të plotë me kohën, Granti shfrytëzon ngjitjen e tij në pushtet për para dhe fuqi politike. Pasuria e paligjshme, mashtrimet bankare, marrëveshjet e fshehta, janë të gjitha në pëllëmbët e tij. Ai i vesh të tëra më vellon e egoizmit dhe ambicies. Dhe thënia e Balzakut sesa më shumë Rastinjaku ngjit shkallët e karrierës aq më shumë bjerr vlerat e vetes gjen vend edhe për figurën e Grantit për të cilin shtrojmë pyetjen: A mundet që njeriu të ruajë ekuilibrat e duhur gjatë ngjitjes në pushtet? Të ketë një familje të qetë e të rregullt. Të ketë parametra drejtësie në profesionalizmin e tij? Të ruajë vlerat shoqërore dhe morale të shoqërisë? Granti vërteton që nuk mundet. Ose mundet kur sistemi funksionon dhe kur njeriu i di caqet e tij ligjore dhe morale.

Ky roman bart një histori të vetme por me degëzime të shumta, një problematikë kyce, atë sesi formësohet njeriu nën trysninë e pushtetit dhe parasë me problematika të tjera të jetës së përditshme si adoleshenca dhe dija, adoleshenca dhe kufijtë e veprimit, rinia dhe vendimarrjet, divorci dhe morali, tradita dhe modernizmi, vlerat dhe parimet e karakterit të njeriut që janë të patjetërsueshme etj. Të gjitha këto trajtohen nën aureolën e njeriut nga lart, raportit të tij me tërë jetën. Marrëdhëniet në cift jepen në ulje në këndshikimin Grant-Anë dhe në ngjitje në ciftimin Grant-Bea. Cili është dallimi mes tyre? Është i dukshëm, në njërën kemi përplasje parimesh, vlerash ndaj nuk mund të ecet më tej, tek tjetra kemi rrugëtim ekzistence brenda së cilës bashkohen interest dhe më tej përbashkësitë. Cila e ka qënësinë më të fortë? Këtë e vërteton realiteti. Ndaj në libër autorja le shumë hapësira në pikëpyetje ku lexuesi mund të përfshihet,të fantazojë madje hera-herës të bëhet edhe personazh I tij.

  Rrëfime jetësore shtrohen një mbas një në roman , histori që preken nga personazhi kryesor në një mënyrë apo një tjetër. Një shok rinie që shndërrohet më shumë se aq, zbërthen ciklin e marrëdhënies mes bashkëpunëtorësh, deri ku arrin besimi, dhe besëprerja në tehun e parasë. Dy bashkëpunëtorë të etshëm për para ruhen dhe ruajnë njëri-tjetrin, japin dhe marrin kosto të pallogaritshme nga veprimet të diktuara nga situata dhe grackat në të cilat gjenden. Ata janë shokë por edhe konkurentë, janë miq por edhe armiq, janë bashkëpunëtorë por edhe individualistë. Granti dhe Turi një dubleks njerëzish që hasen rëndom, askush nuk vepron vetëm dhe mëkati asnjëherë nuk është vetëm i një personi. Ata zhyten thellë nën vorbullën e njëri tjetrin saqë nuk arrijnë të kuptojnë më kufijtë e vetes, vetëm paraja e bën këtë dallim mes tyre. Kjo dyshe është figura reale ku njëri rri lart dhe tjetri punon dhe vepron nën rrogoz,por qëllimin e kanë të përbashkët dhe interest reciproke të tyre shkelin mbi cdo normë,vlerë dhe ndershmëri për të zhvatur gjithcka që nuk i takon dhe që nuk u përket atyre.

Po ashtu historia e një emigranti në kalvarin e ecjes, po një tjetër emigrant në shfrytëzimin e situatave duke u bërë pjesë e qerthullit korruptiv. Interesante vjen edhe historia e bankierit Italian Gaetano në bashkëpunimin e të cilit autorja na zbërthen funksionimin e sistemit bankar, të transfertave korruptive dhe fuqizimin dhe mbulimin e parave të pista. Problematika e romanit I kapërcen kufijtë duke u shtrirë edhe jashtë kufijve. Guxohet të lidhen edhe marrëveshje dhe pakte të fshehta të shtrira këto në hapësira dhe në territore të largëta.Kjo e bën romanin më gjithpërfshirës dhe më aktual.

Gjuha në roman është një pasuri e arrirë pasi autorja kapërcen kufijtë e gjuhës letrare duke future bindshëm leksikun dhe frazeologjinë e zonës së Gjirokastrës e cila identifikon fuqishëm dy personazhet kryesore Grantin dhe Paron, dhe jo vetëm. Edhe Zhargonet dhe fjalët me ngjyrim negative aty këtu japin tablone e realitetit njerëzor në të cilin komunikojmë cdo ditë. Ka një realizëm të qartë të gjuhës komunikative të njerëzve sot, këtu autorja nuk lëshon pe.

Mjedisi ku zhvillohen ngjarjet është sa i prekshëm dhe ndjellës. Ecejaket Tiranë, Voloro, Gjirokastër krijojnë një panoramë të sigurtë, lagjet, rrugët, sheshet e Tiranës bëjnë që edhe lëxuesi të ecë mbi to bashkë me personazhet. Toponimia e zgjedhur është shumë identifikuese për personazhet, sidomos mjedisi ku vepron Parua, Voloroja. Karakteristika gjeofizike që lidhet edhe me titullin e romanit është shumë intriguese. Kalimi në vende të ndryshme të Evropës është një kuriozitet që i shtohet lexuesit mbi vende , hapësira sidomos kulturore dhe atraktive në të cilat na fut autorja. Luksemburgu me sheshin e piacës ku puqen dy lumenjtë Petruse dhe Alzete apo sheshi Navona në Romë, ku është shatërvani I famshëm  “Fontana Del Kuatro Fiumi”

Referencat e përdorura si teoria e Hal Variant në mikroekonomi, Sinfonia e pestë e Bethoven, teoria e Dostojevskit apo ajo e Max Veberit janë një gjetje që e bën lexuesin të marrë informacion dhe të mendojë njëkohësisht. Autorja nuk ngurron të prekë si referencë edhe orët e mitologjisë shqiptare, dhe jo vetëm. Në 17 kapituj njëri është përkundër të gjithave i tëri fantastik, vdekja e Paros. Autorja na jep ritualin imagjinar të vdekjes sipas botës së të vdekurve. Një pikëtakimi me Markëzin por risia më e vecantë është Ora e Paros e cila e shoqëron atë në 60 minutat e fundit të jetës. Si figurë mitologjike orën e gjejmë tek cikli i kreshnikëve dhe më tej tek Gjergj Fishta. Një trajtim fantastik i momenteve të fundit të Paros ku bashkohet teknikisht realizmi magjik me atë mitologjik.

  Si përfundim mund të themi se ky roman erdhi si një botë e tërë e asaj cka jeton njeriu. Vecojmë opinionin e lexueses së parë brenda 24 orëve, “ e lexova dhe përjetova shumëcka në romanin tuaj, lexova rrjedhshëm dhe me kënaqësi”. Nga sa thamë mësipër por edhe ato që me dashje nuk i përmendëm,unë mendoj se ky roman është një risi në prozën shqiptare për vetë paraqitjen e ngjarjeve,historive të shumta në cdo kapitull dhe sinqeritetin që mbizotëron në cdo fjali gjë që ë bën këtë libër të lëxohët shpejt dhe të përftohet prej tij një shije e mirë si ajo kafja e fortë pa sheqer nga vetë dinamika e personazhit kryesor. Kur shkon në faqe e fundit ,ajo që më ndodhi mua konkretisht është që nuk po doja të mbaronte dhe nisur nga kjo shpreh domosdoshmërinë e një vëllimi të dytë të këtij libri i cili të paraqesë pjesën e mbetur të jetësimit të Grantit,këtë herë duke luajtur më tepër me imagjinatën,fantazinë,trillerin dhe parashikimin për të na dhënë të përfunduar këtë vepër që shpresoj të bëhët kryevepra jote. Jam i bindur që përvoja dhe kritika për këtë roman,ka shtruar udhën për përsosjen në vazhdim të prozës se gjate dhe stilin unik të shkrimtares Dhurata Kasa Haxhiu që në vazhim të  rënditet me dinjitet krah emrave të nderuar të autorëve dhe librave shqip.

Exit mobile version