Kreu Letërsi Shënime mbi libra Albert V. Nikolla: Halit Beu kërkon të shpëtojë perandorinë e gjëmës

Albert V. Nikolla: Halit Beu kërkon të shpëtojë perandorinë e gjëmës

“Kur gjelat këndojnë”, paralajmërojnë një ditë të re. “Kur gjelat këndojnë ndryshe”, një botë po shembet pa kthim. Kjo është domethënia e një romani të “tjerrur në fillin e mendjes” së shkrimtarit Artur Spanjolli, i cili vihet para sprovës së madhe: përballë lexuesit të kualifikuar, filozofëve dhe kritikeve, dhe lexuesit të apasionuar, atë që duan të përjetojnë kalime nga një jetë në një jetë tjetër paralele, me anë të romaneve të lexuara. Perandoria gjigante Osmane po vdes, dhe bashkë me to po vdesin edhe popuj, histori dhe individë që mishërojnë perandorinë me ekzistencën e tyre. Halit Beu, ashtu si dhe perandoria nuk ka pasardhës. Gjëma e shterpësisë, trupi i këtij njeriu nuk prodhon dot gjenin e trashëgimisë. Dhe pronat që do ti gëzojë dikush tjetër, jo krijesë e gjakut të beut tonë, beut të përndezur pas nuseve të plakura të haremit të tij. Figurën e “babait primitiv” e hasim tek Sigmund Freud, por figurën e babait primitiv në tentativën, ose figurën e një babai të pa bërë baba, e hasim në romanin e Artur Spanjollit. Një mashkull që dështon në misionin e tij për të qenë baba. “ Babai primitiv i origjinës ishte një krijesë me ligësi të pakufizuar, më pak i ngjashëm me zotin sesa me djallin” -Kjo frazë e Frojdit shpjegon pse individë të tillë si Halit Beu janë të lidhur shpirtërisht me babanë a madh “Sulltanin” dhe shumë me pak të lidhur shpirtërisht me Evolucionin e Species njerëzore. Ata janë viktima të sindromës së Stokholmit dhe Liria për ta është me e tmerrshme se Robëria. Kemi kështu përmbytje të ligjeve të natyrës. “Sigurisht, nuk është e lehtë të zbulosh në jetën psikike të një njeriu trajtat e koncesioneve satanike të babait” vazhdon Freud në Librin e tij “Një nervozitet astanik në shekullin e XVII-të” . Imazhet e botës së vjetër që shuhen njëra pas tjetrës, në atë quhet lufta mes jetës dhe vdekjes. Janë miliona shpirtra që jetojnë brenda perandorisë pa e zgjedhur fatin e tyre. Ndodh, dhe kjo jo rastësisht, të ketë individë të cilët mbartin pa e ditur fytyrën e perandorisë….dhe kur perandoria shembet, shembet edhe maska e njeriut mbartës të maskës. Deri më sot bota nuk ka njohur ndonjë perandori të pashterueshme.

Perandoritë bien, sepse ato bëhen të rënda, të ububujshme… dhe pasi hanë me mijëra jetë njerëzore në ingranazhin e tyre, dhjami jua pushton zemrën dhe ngadalë gjithë trupin dhe i asfikson. Historia është mbushur me rënie të vazhdueshme perandorish , siç ka qenë rasti i Perandorisë Babilonase, Perandorisë Hitite, Egjiptiane, Romake, Kartagjenase Bizantine, Osmane dhe Angleze. Të gjitha kanë rruar diku aty rreth pesë shekuj, pastaj janë vetë shkatërruar nga lodhja. Të tjera kanë shterpëzuar papritur dhe kanë përfunduar në arkivolin e historisë duke lënë pra popuj të ndryshuar, të zhdukur, të harruar. Po ashtu dhe njerëz kufoma, si Halit Beu!

Psikoanalisti Carl Gustav Junk, në librin e tij “ Jeta ime: Kujtime-ëndrra-mendime” një ribotim i Gallimard, 1973. Faqe 184, duke përshkruar debatin e madh që kishte me Frojdin, rreth problemit të “Perceptimit të njeriut si kufomë që jeton”, shprehet : “Interesi im e nervozon Frojdin: “ Kush jua sjell këto kufoma”- më pyet ai shpesh. Dukshëm ky subjekt e irritonte, dhe përgjatë bisedës ballë-për-ballë, pati madje edhe një rënie asfiksie. Më vonë, më tha se kishte qenë i bindur se ky lëshim i beftë përballë prezencës simbolike të kufomave, tregonte se unë e dëshiroja vdekjen e tij. U ndjeva shumë i shtypur nga ky konstatim. Isha i frikësuar për shkak të densitetit të imagjinatave të tija, të cilat mund të më vendosin në gjendje kllapie”.

Gjatë rënies së perandorisë osmane , gjithë populli shqiptar u gjend në gjendje kllapie, dhe tendenca për ta zgjuar atë e rilindësve, dhe e burrave të kombit, binte ndesh me teorinë e qejfit e rehatit të kastës të “Dumbabistëve”. Por gjithmonë kishte një lloj eteri eternel kozmik, që si gjithmonë aktivizohej për ta shpërtuar këtë popull të vjetër, nga rrënimi përfundimtar, që armiqtë e tij e prisnin me padurim. “Arnautët” vazhdonin të jetonin, që para 6 mijë viteve, në saj të përshtatjes dhe marrëveshjes së tyre me pushtuesit, sado mizorë që të ishin ata. Marrëveshja më e fundit ishte ajo e nënkuptuara mes Senjorëve të ballkanit- shqiptarëve të pasur dhe Portës së lartë. Fillimisht ata kishin qenë urryer dhe bënin luftëra pafund mes tyre, sepse popujt e lavdishëm janë në gjendje të bëjnë luftëra, por në një moment lodhje nga të dyja palët kishin qenë në gjendje të bënin dhe paqe, të vendosin të bashkëjetonin, bashkë-qeverisnin por asnjëherë të bashkë-vdisnin bashkë…. Kjo është një histori sa e lavdishme aq edhe e mistershme, e cila ka inspiruar prozatorin Artur Spanjolli , që në mënyrë simbolike të përshkruajë rënien e Perandorisë nga një provincë kufitare të saj në perëndim të ballkanit…

Çfarë na propozon Artur Spanjolli? Një vizion të tij mbi Shqipërinë e “ububushme” të para rënies së perandorisë turke. Një Shqipëri të kalbur, të nëpërkëmbur të poshtëruar dhe krimbat që ushqehen mbi trupin e saj, dhe shpresojnë që metastaza e kësaj krijese të zgjasë sa më shumë deri në shuarjen e saj. Kemi në këtë rast një përafrim “metapsikik” , të një realiteti hipokrit, në kohën kur bota perëndimore shijon frytet e humanizmit dhe të dijes. I lidhur me “kauzën natyraliste” të përshkrimit të realitetit dinkishotesk, me një romanicitet të shpenguar, autori i shikon krijesat e tij që lëvrijnë në atë botë obskurantiste “me një estetike intelektuale”, dhe shënjestrën sencin e ngjarjes… ngjarja eshtë jeta e përditshme e Beut që nuk prodhon asgjë, veçse një shpresë të vagët që ajo Nëna Osmane e Bosforit do të mund të mbijetojë, që të mund të mbijetojë edhe Beuci shqiptar në brigjet e Adriatikut. Kemi të bëjmë me një cirk të mbyllur, që kërkohet të hapet nga xhelozia dhe negativiteti i femrave të haremit të Beut.

Asnjë njohje objektive, nuk mund të krijojë një vlerë, sepse vlera është e rrethuar në në gjitha drejtimet nga mbingarkesa e negativitetit dhe Koshienca e shpikur shpërndahet përtej realitetit. “Në mënyrë të pakthyeshme asnjë bashkim vlerash historike, nuk mund të shkojë përtej ligjeve shkencore, që do të thotë se e vërteta, nëse shfaqet në histori është një urdhër krejtësisht johistorik”-shprehet Serge Doubrovsky në veprën e tij « Pse një kritikë e Re » publikuar nga Edicioni Mercure -Francë në vitin 1967.

Kjo do të thotë se personazhet që vijnë nga një botë e vjetër, bëjnë gjithçka që bota e vjetër të mos ndryshojë, dhe refuzojnë të vërtetën dhe evolucionin drejt së vërtetës. Halit Beu, “Sulltani i vogël i Shqipërisë së mesme” ka rënë në trishtim të madh. Ka shatë gra dhe shumë prona, por sorollopi i tij po shuhet. Jeton në pasuri të pafundme, në harbime seksuale por prap është i vetmuar, i dhunshëm ndaj bujqërve dhe i pafuqishëm përballë Allahut. Shtatë qejfleshat nuk i mjaftojnë për të lindur më në fund, djalin trashëgimtar të ëndërruar. Dhe këto shejtanesha po përgatiten, komplotojnë për t’i bërë të pabërën beut, që dikur ishte drita e osmanisë në pjesën evropiane të perandorisë. Ai e dinte dhe e mërmëriste atë shprehen e famshme popullore: “Atë që ta bëjnë gratë s’ta bën as hasmi”. Por kishte raste kur atë na e zinte zilia e të qenurit Evropian, por jo në dije. Të qenurit evropian për të ishte vajtja në bordellot e Parisit dhe Romës. Për këtë ai merrte shpesh “pamporrin”, dhe kalonte detin, duke e mbajtur frymën nëpër kabaretë e Parisit e të Romës. Më pas, kur Roma e Parisi e mërzisnin dhe shumat e mëdha nisnin e mbaroheshin, shante botën e çthurur allafrënga dhe vendoste të kthehej në kotecin e pulave të tij plot melankoli e nostalgji. Lloje të tilla personazhesh gjejnë kuptim tek shprehja e kritikut J. Starobinski, « Ankthi i melankolisë »: “ Ka shumë të ngjarë që melankolia është e lidhur me një eksperiencë të dhimbshme që shtohet me kohën, me një kllapi të pafund pas diçkaje që nuk arrihet” të cilin Freud e lidh me “Vajtimin e Humbjes”, shprehet mendimtari J. Starobinski, në një nga shkrimet e tij titulluar: « Ankthi i melankolisë »,

Beu i librit të librit të Artur Spanjollit është “miniatura njerëzore e perandorisë Osmane që nuk arrin më të prodhojë asgjë të re, dhe si rrjedhojë po kalbet brenda vetes pa lënë asnjë lloj trashëgimie me vlerë”… një bej i kamur dhe injorant, është pronar i shtatë kodrave, i shtatë fshatrave, i shtatë liqeneve dhe i shtatë pyjeve. Si në përrallat e motshme shqiptare, në shekullin e ri, ndërkohë që e gjithë bota po ndryshon me të shpejtë, (jemi ne dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit të kaluar, në një vend të papërcaktuar të Shqipërisë së mesme). E megjithëse e di se bota ku ai jeton po shkon dretj zhytjes në kënetat e historisë, beu gjithsesi është i vendosur ta mbrojë perandorinë osmane, nën kupolën e artë të së cilës, ka jetuar për shekuj të tërë, familja e tij e madhe siç e tregonin Tefterët në Stamboll. Më shumë se herò, personazhi i librit është një anti-herò. Më shumë se përparimtar, ai është fanatik i epokës së dovletit. Më shumë se patriot a nacionalist, ai është një nostalgjik i Anadollit. Më shumë se njeri me mënd, ai na del fare i shthurur, qejf shprishur dhe kapadai.

Të shkruash siç shkruan Arturi « është njësoj sikur të hysh në hapsirat e vdekjes, thjesht që nata të rihapet dhe jo pa të drejtë – për ta lënë të mbyllet brenda nesh. Kjo është mënyra poetike “par excellence” e “daljes nga errësira, shprehet filozofi , G. Didi-Huberman, “Sortir du noir”, një publikim i Éditions de Minuit, 2015, p. 41.

Gjithashtu edhe libri, më shumë se roman historik, është një “përrallë”, e cila ka për qëllim të na bëjë të reflektojmë. Nga po shkon Shqiperia, nga do të shkojmë dhe nga duhet te shkojmë: drejt Lindjes a Perëndimit?! A mos do zhduket ajo me zhdukej e perandorisë Osmane? Duke injoruar krejtësisht traditat dhe zakonet e feudalëve fisnikë shqiptarë, romanin jep, shpërqendrimin dhe dekadencën e cila në të vërtetë ishte dhe shkaku që perandoria e ububujshme dhe gati e pafundme nuk arrin të sigurojë mbijetesën e saj . Rënia e një mënyre jetese parazitare dhe pa ideale, i ka rrënjët në rënien në gjumë dhe paaftësinë e Perandorisë osmane per tu reformuar dhe modernizuar. Në këtë rënie, a mos dhe shqiptarët kanë “mëkatet” e tyre?

Autori e ka shkruar këtë roman, në shatori të vitit të kaluar, dhe frymëzimi që i i ka falur puna, duket në mjeshtërinë krijuese, e cila duket qartës se ka qenë aq e madhe. Asnjërit nga lexuesit e këtij romani nuk më shqitet nga mëndja figura dominuese, e tejmbushura, kapriçioze e e beut trim të prapambetur njëkohësisht, një Don Kishoti i markës Anadollake. Një figurë, sa provinciale, po aq edhe magjepsëse. Autori i librit duke punuar, duke manipuluar përbërjen e shtresës më arkaike të memories së tij personale: atë orientale, na jep si përfundim këtë përrallë reflektuese, e cila shprehet me figurën kontradiktore të Halit beut. Një figurë aq e mbrapshtë dhe anadollake, por gjithashtu, aq edhe e lidhur me zjarrin e jetës dhe sidomos me të shkuarën e tij.

Duke mos dashur të zbuloj fillin narrativ të romanit, që do të shuante kuriozitetin e lexuesit, fundi tragjik i Halit Beut, i cili për të mbrojtur botëkuptimin e tij “absurd”, i jepet hijes së zezë të dhunës, ose merr rolin e “djalit simbolik të djallit “ , dua të shtoj se të gjitha perzonazhet që nuk arrrijnë të evoluojnë mendërisht, dhe i mbeten besnik “kohës së abuzimit me pushtetin” janë të destinuar të përfundojnë në varrezat e “namit të keq”.

Mendimtari, C. Simon, në veprën e tij “Diskursi i Stokholmit”, (Faqe. 22) e shpreh qartë këtë destinacion të pashmangshëm të injorancës njerëzore: “ Ankthi është i madh nga mungesa e varrit, nga mungesa e një mbishkrimi, dhe rishkrimi shkakton kllapi” . Halit Beu, do të përfundojë varrhumbur, jo vetëm se nuk la dot trashëgimtar, por mbi të gjitha sepse humbi vetveten në përpjekje për të shpëtuar rrënimin e një perandoria të kalbur në zemër të saj.

Jam i bindur se beu i Artur Spanjollit, me namuz, mustaqe-misër dhe sarhosh, do t ju argëtojë dhe do t’ju bëjë gjithashtu edhe të reflektoni. Do të ndjeni shijen e kohës që ka ikur, falë edhe turqizmave që janë futur në tekst, por sidomos, romani, shkon deri tek skajet më të largëta të së mundshmes, duke e shfrytëzuar fantazinë, me një liri ekstreme dhe duke i dhënë historisë një shije ekzotike, kryekëput orientale. I cili është i vetmi luks pa çmim, që i lejohet shkrimtarit.

Exit mobile version