Kreu Letërsi Bibliotekë Alban Tufa: Tepria që mungon (poezi)

Alban Tufa: Tepria që mungon (poezi)

Alban Tufa

QYTETI I KRYQËZUAR NË “T”

Krejt jashtë më nxjerr ky qytet,
si gruaja burrin që s’e do.
As unë s’bëj dot ta dua,
veç ta kundroj i përjashtuar
si një vajzë që vështirë ta njohësh
por të cilës i kushton poezi lirike
subjektivisht korrekte.
Ta dua dot nuk mundem
se referencat i kam të dobëta,
lidhjet janë tëhollur:
zhurma,
makina,
kafene,
urbanë,
dhe shtëpi të marra (sa më lirë) me qera,
tek i kujton lagjeve kur shkel rastësisht:
“këtë pallat e njoh”
“aty kam jetuar dy vjet”
“këtu kam kaluar aq kohë”
gjendje që më dëftojnë sa i panjohur jam.
Shtëpitë të cilat i morëm me qera,
duke lënë to, veç lekëve dhe veten.
Aty lamë çdo përpjekje për të ndërtuar shtëpinë tonë,
që kurrë se patëm.

Kur e mendoj kam më shumë njohuri për botën
se sa për këtë qytet të murrmë
ku mbijnë çdo çast pallate
distancash
buzë më buzë me fqinjët.
Njerëz që s’duan ta dinë për njeri,
të cilët i përafron veç Ezani,
a Kamban,
me tingujt që treten pallateve
duke dorëzuar monopolin e qiellgërvishtjes.

E diela,
dita e krahasimit të vetes me veten që do.
Dita kur kupton sa i përjashtuar je nga qyteti,
larg të shkuarës, larg të tashmes, larg vedi,
duke u shembur, sa zë e rritet, njëfarë [identiteti]
i mbërthyer keqas në kllapa.

Përfundshkurt 2021


NE I VRASIM ATA QË DUAM

Ne i vrasim njerëzit që duam
duke i dashtun shumë,
i vrasim duke i lënë të presin,
i vrasim duke i dashur më pak,
i vrasim
sidoqoftë.

Ne i vrasim njerëzit duke iu dhënë vëmendje
duke iu premtuar fjalë, duke iu dhuruar sende.
I vrasim duke iu marrë kohën.
Po, po i vrasim,
çdo ditë nga pak.
I vrasim duke lënduar veten,
duke dashtun jetën,
duke puthur vdekjen.

Jo se duam,
por kështu u lidhën menteshat e kësaj bote.


TEPRIA QË MUNGON

Jam tash ndryshore e veteve që humba
kujtimesh që ngucin ngulmët si thumba

dhe pulsi i dhimbjes që veç më dëfton
timpanin e shpirtit tek rëndë sëmbon.

Jam shumë larg asaj vetes që deshta:
shumë te pranvera, pjestim jam te vjeshta,

zhbërje te vera, minus jam në dimër,
lypës i vetes, më dhashtë Zoti ymër,

i rënë jam në çark, dorëzuar jam te kushtet,
derdhja e kupës që kurrë s’po mbushet.

Jam, pra, tepria, që rëndomë na mungon,
zbrazëtia pingule që përmbush çdo hon,

harresa e vetes që gjendet pasazheve,
dyst i ndalesave, peng i mirazheve.

Jam çfarë nuk deshta, jam çfarë s’arrita
të bëhesha për ty, uji, fryma, drita.

Jam tash ndryshore e veteve që humba
kujtimesh që palosa ngulmët si trumba.

Jam vetja që vetes s’i dhimbsem aspak
për ty dhe për botën tretem nga pak.

Veç doja të thosha, ky jam pak a shumë:
ajër në tokë dhe flluskë në shkumë.

Tiranë, Nëntor 2020


ËNDRRAT TONA

Ëndrrat tona janë të veçanta,
të prekshme
janë tokësore,
ato nuk flasin për flladin
për ujin,
për gjethet,
për mrekullitë,
as për udhëtime në vende të largëta: Roma, Athina, o Stambolli .
Ëndrrat tona janë nëse mund të shprehem këshu, shumë praktike,
ëndrra me këmbë në tokë.

Ëndrrat tona janë më shumë dëshira.
Dëshira pa ëndrra në fakt,
të gjitha të bëshme,
të gjitha të pa bëshme.
Nuk flasin për hënën,
as për qiellin,
aq më pak për udhëtime në vende relativisht të largëta: Tahiti, Xhamajka a Majorka.
Dëshirat tona janë të gjitha të zvogëlueshme.

Dëshirat tona janë nevoja, po ta mendosh,
të cilat nuk flasin për yjet,
e aq më pak për hënën.
Nevoja tona dikur dëshira janë të prekshme:
një punë,
ca lekë,
një shtëpi,
një makinë.
Nevojat tona janë të gjitha të ngjeshme.

Nevojat tona janë të domosdoshme:
një punë për bukë dhe ujë,
bukë dhe ujë për punë,
bukë dhe ujë – shkak e pasojë,
pra ëndrrat tona i përmbledh një gojë.

Ëndrra: punë
dëshira: punë
nevoja: punë
domosdoja: punë
e gjitha lipsur me përdhunë.

Tiranë, Nëntor 2020,


RRASA E TULTË

Ti do, e mendjen ta gërric një duhmë e athtë ambicieje-
tejpërtej tash iu shkon rrathëve metafizik të çështjeve.

Të duket e ëmbël rrasa e tultë, gatuar kutrum prej rasteve,
e tultë apet të gjet, e rrafshët sa s’ka, pamja në ngasjet e çasteve.

E ëmbël është nisja- mbetet veç aq: pikë e lënë pas shpine.
Tash kujt po i mbrumet Pritja e Fundme tutje tokës së përhime?!

Për besë (!) ia beh papritun fundi, s’ka më ngasje të athtë ambicieje,
tejpërtej iu shkon rrathëve fizik, të vdekjeve, të ngjizjeve.

Peshkopi, Korrik 2018

Exit mobile version