Libri me ese i Lindita Arapit “Identitete”, Onufri, 2025
1. PARAFJALË
Titulli në thonjëza i këtij shkrimi është një përshtatje kontekstuale e vargut të njohur të poetit nobelist grek Jorgos Seferis («Όπου και να ταξιδέψω η Ελλάδα με πληγώνει»/ Ngado që të udhëtoj, Greqia më plagos). Sepse libri me ese që marrim në shqyrtim, merret pikërish plagën dhe plagosjen tonë të shtrirë ndër dekada.
Autorja e librit, Lindita Arapi, njihet, së pari, (pavarësisht tërheqjes së saj në heshtjen dhe largësinë e saj jashtë vëmendjes protagoniste) si një nga poetet më të veçantat në poezinë shqipe të pas viteve 1990, dhe mandej romanciere po aq e njohur, e përkthyer jashtë. Po ajo është dhe një esiste e shkëlqyer që prek disa nga nyjet më të mundimshme të pengjeve tona. Si çdo shkrimtar i mirë, që shkrimin nuk e ka hobi, apo ambicie për garaniturë personaliteti faqe publikut, diskursiviteti tematik i saj shtillet rreth përvojës e vëzhgimeve mbi gjërat thelbësore ontologjike gjatë përplasjes së pareshtur të bëtës së saj (tonës) me “botën e madhe”.
Në këtë kuptim, tre nivelet e shkrimit të Lindita Arapit, poezia, proza dhe proza eseistike, përplotësojnë afreskën e ankthit të përhershëm të qenies shqiptare që fërgëllon e përpëlitet – mes qëndresës për rrënjët dhe truallin zanafilor – dhe frikës e dyshimit për furinë e pashmangshme të ndryshimit, që mund të shpëlajë zanafillën e mund të sjell tjetërsim.
Libri i saj më i ri me ese “Identitetie”, mbase për vetë natyrën e zhanrit, merret me përkthjellimin meditativ të disa prej këtyre nyjeve torturuese identitare, duke na afruar një lëndë të pasur e të larmishme krahasuese, referenciale dhe thjesht, etyde të paharrueshme biografike. E kam çmuar shumë poezinë e Lindita Arapit, sikundërse më vonë tre romanet e saj, por proza e saj eseistike, ravgimi për t’i shkuar deri në thelb problemeve dhe përfytyrimeve tona të traumatizuara në atë përplasje të gjatë mbi “të qenët i/e huaj”, më përfshiu në përsiatje, gjithsesi të trishtuara, por jo doemos të dëshpëruara. Meqë ra fjala, para shumë vitesh Lindita Arapi ka shkruar një ese me titull “Mbi të qenët e huaj” (më erdhi keq që nuk e pashë të përfshirë në këtë vëllim esesh), ku shtjellon në ndjesitë vetjake gjendjen e pezullt, pluskuese, torturuese e sizifiane në kërkim të kufirit përcaktues, kur ndjen se përpara teje kufinj të rinj shtrihen e ndjellin rrejshëm përpara dhe të vjetrit largohet e treten. Po të njëjtën ndjenjë e frymë, me mjete të tjera shprehje e gjejmë të ngjeshur në një nga poezitë e saj:
I huaj
Një gjethe lënë erës
Pa peshë, për rrjedhojë pa humbje!
Luhatet në ajër
Pa e prekur dot tokën e sigurtë.
E pambrojtur
Mbetet edhe po të prekë dheun
Që premton shpresën
Nuk mund të ulet në asnjë strehë.
Është gjethe e ardhur nga larg.
E huaj.
Vërtitet ajo vërtitet
Brenda boshësisë së ajrit
Era bëhet udhë
Ndërsa liria pa qëllim
Qorrsokak.
Por nga përvoja e vëzhgimeve të saj, Lindita Arapi e njeh mirë psikologjinë e emigrantit dhe brengën e identitetit të tij që fluturon drejt një peshku, që nuk është as mish, as peshk. Këtë brengë e ka mbërthyer bindshëm shkrimtari e filozofi Amin Malouf: “Ëndrra e pashpallur e çdo emigranti, është që ta marrin për vendas. Tundimi i tyre fillestar është imitimi i vendasve, dhe nganjëherë ia dalin mbanë. Por në të shumtën e rasteve s’arrijnë dot. Nuk kanë të folurën e natyrshme të vendasve, as ngjyrën e lëkurës, as emrin e as mbiemrin, as letrat që duhen, dhe shumë shpejt stragjisë së tyre i del boja. Shumë prej tyre e dinë fare mirë që nuk ia vlen barra qiranë as ta provojnë dhe fillojnë të tregohen, nga krenaria dhe kapadaillëku më të ndryshëm se ç’janë” (Identitete vrastare 2: 40).
2. NJË NJERI I ÇLIRUAR NUK ËSHTË NJË NJERI I LIRË
Por jemi tek libri i saj me ese “Identitete”, një titull sa modest aq dhe pretencioz, nëse abstragojmë nga përvojat personale. Por jo, Lindita Arapi rrallë herë lëshohet në filozofime mbi universalitetin kategorial të identitetit nën trysninë e ndryshimit apo shprishjes në botën e huaj; atë e intereson, madje me një habi, trishtim e dyshim që s’ka të sosur – vetja e saj, bashkëatdhetarët dhe përgjithësisht, raportet tona vertikale me Atdheun (mitet, ritet, indoktrinimi, ëndërrimet, varfëria, mallkimi me njollë në biografi, etj) dhe fashitja e përftimi i një distance në kushtet e një përditshmërie, tashmë të digitalizuar.
Në esenë e tij “Gjendja që ne e quajmë emigrim” nobelisti Josif Brodskij prek një pikë tmerrësisht goditëse që sidomos ne shqiptarëve na dhemb: “një njeri i çliruar nuk është një njeri i lirë”. “Megjithatë, – thotë Brodskij, – nëse duam të luajmë një rol më të madh, rolin e njerëzve të lirë, atëherë duhet të mësojmë, ose të paktën të imitojmë, mënyrën se si njeriu i lirë e pranon humbjen. Njeriu i lirë, kur pëson humbje, nuk fajëson askënd”. Epo kjo është po aq dostojevskiane. Ai na thotë se liria nuk është një dhuratë që ta dhënka një pasaportë e re apo një sistem i ri politik, por është një disiplinë e brendshme, shpesh e dhimbshme, ku njeriu duhet të mësojë të pranojë humbjen pa u bërë viktimë dhe pa fajësuar të tjerët.
Por të mos harrojmë: autorja e këtij libri me ese, është, para së gjithash, një poete, një njeri i lindur e i formuar që në fëmijërinë e saj idilike e të trishtuar (shihni esenë “Lule bliri për libra”) me përfytyrime dehëse mbi të ardhmen e bukur, larg asaj mizerjeje tokësore, të pashpjegueshme e alogjike. Dhe ngado që ta rrotullosh, asnjë recetë e vjetër ngushëlluese nuk e qetëson përfundimisht një poet nga tretja e vagëllimi i atdheut. Dhe prandaj drama më e madhe e një poeti, për më tepër e një poetje të shkëlqyer e origjinale, si autorja, në rastin konkret, është drama e ndarjes nga gjuha, frika se mos ajo, arma bestytënore e mrekullibërëse e saj pëson çmagjepsje, ftohet.
Pse? Ndoshta, një e vërtetë shtesë qëndron në faktin se mërgimi ngadalëson evolucionin stilistik të shkrimtarit, se ai e bën atë më konservator. Brodski thotë te e njëjta ese: “Stili — nuk është aq njeriu, sesa nervat e tij, dhe në tërësi mërgimi u ofron nervave njerëzorë më pak ngacmues sesa atdheu. Kjo gjendje, duhet theksuar, e shqetëson jo pak shkrimtarin e mërguar, jo vetëm sepse ai e konsideron ekzistencën “atje” më të mirëfilltë në krahasim me të vetën, por edhe sepse në mendjen e tij jeton dyshimi për një varësi si prej lavjerrësi, ose raporti, midis ngacmuesve të atjeshëm dhe gjuhës së tij amtare”. Të gjithë e simë se ngacmuesit nervorë për gjuhën në atdhe, janë më të fortë, më pikantë e gjithnjë në dinamikë të çmendur, gjë që nuk ndodh me realitetin e huaj që shtrihet para teje. Sepse rruga e autonomisë të çon ose drejt çmendurisë, ose drejt asaj shkalle ftohtësie që asociohet më tepër me banorët vendas zbehtakë sesa me një mërgimtar të zjarrtë. Ai realitet i huaj perceptohet disa pa kontur, disi përgjithësisht, jo ngacmues, sikundër i percepton, fjala vjen fytyrat në një varg poezie poetja: (“…janë gjermanë, të gjithë me fytyrë shiu”).
Për njeriun e profesionit tonë, gjendja që ne e quajmë mërgim, – thotë Brodskij është para së gjithash një ngjarje gjuhësore: “…i dëbuar nga gjuha amtare, ai tërhiqet mbrapsht brenda saj. Dhe nga shpata e tij, le të themi, gjuha shndërrohet në mburojën e tij, në kapsulën e tij. Ajo që nisi si një lidhje private, intime me gjuhën, në mërgim kthehet në fat — madje përpara se të bëhet fiksim apo detyrë. Gjuha e gjallë, sipas përkufizimit, ka një prirje dhe një forcë centrifugale; ajo përpiqet të mbulojë sa më shumë hapësirë dhe të mbushë sa më shumë zbrazëtira”.
Gjithsesi në esetë e librit “Identitete”, raportet mes personales dhe transpersonales kundrohen me një habi e përsiatje shumë më të gjerë shoqërore dhe kryesisht, Lindita mundohet të vizatojë dramën e përjetshme të përpëlitjes së emigratit midis atdheut pas shpine dhe dheut të huaj përpara. Një pjesë e eseve ilustron më së miri me botën shqiptare të identitetit në emigrim, atë që e ka fiksuar Amin Malouf në librin e tij “ Identitete vrastare”:
“…statusi i emigrantit nuk i takon më asaj kategorie njerëzish të shkulur nga origjina e tokës së tyre, ai ka firuar vlera të veçanta. Është pikërisht ai viktima e parë e konceptit “fisnor” të identitetit. Nëse do të duhej të kishte një përkatësi të vlefshme, nëse me të vërtetë i duhet të zgjedhë, atëherë emigranti e ndjen veten të përçartë e të paqartë, i dënuar të tradhtojë ose vendlindjen e tij ose vendin pritës, një tradhti që patjetër do të shoqërohet me hidhërim e zemërim”. Mandel Malouf jep përkufizime të prera e të prekshme:
“Para se të bëhesh një i ardhur, duhet të jesh një i ikur; para se të mbërrish në një vend, duhet të lësh një tjetër, dhe ndjenjat e njeriut ndaj tokës që ai ka lënë nuk janë asnjëherë të thjeshta. Nëse largohemi, atëherë ka gjëra që i kemi hedhur poshtë – shtypja, pasiguria, varfëria, mungesa e një perspektive. Por ndosh shpesh që ky lloj refuzimi shoqërohet me një ndjenjë faji. Ka të afërm që nuk duam t’i braktisim, një shtëpi ku jemi rritur dhe shumë e shumë kujtime të këndshme. Ka gjithashtu edhe lidhje që s’këputen, ato të gjuhës apo të fesë…”.
Një pjesë të këtyre raporteve identitare Lindita Arapi i përimëton në esenë “Nga vjen? Ku është atdheu yt?” Në këtë ese, Lindita Arapi zhvendos boshtin e diskutimit nga përpjekja mbrojtëse për të arsyetuar largimin, te një bisturi e ftohtë, kirurgjikale, e vetë nocionit të “rrënjës” dhe “shtëpisë”. Nëse te poezia e saj gjetja e “gjethes që luhatet në ajër pa e prekur dot tokën e sigurt” ishte një metaforë e dëshpërimit nga pesha e munguar, në këtë ese gjetja merr një kthesë ontologjike tjetërsoj: ajo nuk kërkon më ngushëllim, por çlirim nga tiranija e esencializmit.
Këtu vërehen disa nyje thelbësore që autorja i përimëton me një sinqeritet të pamëshirshëm:
a) “Ceni” i dyfishtë: Nga “Mbesa e armikut” te “E ikura”
Gjëja më tronditëse që zbulon Arapi në këtë strukturë meditative është vijimësia e padukshme e përjashtimit. Me një qartësi tronditëse, ajo na tregon se si ndjesia e «të qenit e huaj” nuk lindi mbi asfaltin gjerman apo nëpër linjat ajrore të Europës. Ajo lindi në qytetin e saj të vogël në Shqipëri, aty ku si “mbesë armiku” ecte në bulevardin e vetëm e perceptuar si një trup i huaj, i njollosur. Këtu fshihet një nga paradokset më të dhimbshme të identitetit shqiptar: atdheu si asfiksi primitive. Kur kthehet sot si “emigrante”, ajo ndesh të njëjtën logjikë përjashtuese — jo më me biografi të dëmtuar nga diktatura, por me biografi të dëmtuar nga largimi. Për mjedisin monolit të vendlindjes, ai që ikën ka humbur “patllakun” e identitetit, është bërë një “mishmash”, një “gardh i shkulur”. Këtu Lindita prek pa dorashka atë që Tonio Hölscher e quante “tradicionalizëm joproduktiv”: një shoqëri e ngurtësuar që ngren mure idilike për të mbrojtur iluzionin e homogjenitetit, duke e parë ndryshimin jo si pasurim, por si tradhti.
b) Paradoksi i “Anijes së Tezeut” dhe Iluzioni i Monolitit
Duke huazuar nga Plutarku paradoksin e famshëm të Anijes së Tezeut — së cilës i ndërrohen të gjitha pjesët gjatë lundrimit derisa nuk dihet më se çfarë mbetet nga e para — Arapi shtron pyetjen ekzistenciale për secilin prej nesh: A jemi të njëjtët pas stuhive të jetës, madje edhe pa u larguar kurrë nga vendlindja? Arapi sulmon idenë e “shqiptarit të papërzier”, atë mitologji të rreme të ngurtësuar gjatë izolimit komunist, ku ideologjia u pleks me një nacionalizëm grotesk. Ajo e krahason njeriun e kyçur brenda perimetrit të vetëm me “një flutur të balsamosur në qelq”. Çrrënjosja nuk është vetëm humbje; ajo është pashmangshmëri evolutive. Shtëpia nuk mund të jetë më një adresë postare apo një certifikatë origjine, por një rrjetë e hapur përvojash, ku “përzierja” e Rushdie-t apo pluraliteti i Walt Whitman-it (“I contain multitudes”) shndërrohen në të vetmen mburojë dinjitoze.
c) Çlirimi nga lidhëzat përçarëse “Ose… Ose”
Një nga arritjet më të bukura stilistike dhe konceptuale të kësaj eseje është momenti i kapërcimit të dikotomisë. Për një kohë të gjatë, mërgimtari jeton nën presionin e padukshëm të rrethit shoqëror: “Ose je me ne, ose je e paatdhe; ose shkruan në gjuhën amtare, ose nuk je më pjesë e jona.” Arapi refuzon të zgjedhë. Ajo çlirohet nga kjo pengesë përmes vargut të Whitman-it, duke kaluar nga njëjësi i asfiksuar te shumësi i pasuruar. Atdheu për të nuk është më një shtet-komb me kufij politikë apo retorikë patriotike çirrmash, por një humus ndjesish: aroma e luleve të blirit në fshat, nëna e saj e paepur që përgatit përsheshin e mëngjesit, deti Jon te Uji i Ftohtë, por njëkohësisht edhe krishtlindjet me fëmijët gjermano-shqiptarë apo shëtitjet në pyjet e Gjermanisë.
d) Gjethet përkundrejt Lisit
Në mbylljen e esesë, Arapi i përgjigjet me një ironi elegante e diskrete metaforës politike gjermane mbi “lisin” dhe “bambunë”. Lisi – si simbol i palëkundshmërisë, i ngurtësisë dhe i rrënjëve të thella – mbetet iluzioni i atyre që besojnë te e patundshmja. Por autorja zgjedh diçka më organike, më njerëzore dhe më poetiko-filozofike: ajo zgjedh të jetë gjethet. Gjethet që rriten, përkundren nga era, bien në vjeshtë dhe ringjallen sërish në pranverë.
Kjo zgjedhje e mbyll ciklin e meditimit të saj në mënyrë të përsosura: gjethe e ardhur nga larg (si te poezia e saj e hershme), por tashmë jo më një gjethe e dëshpëruar që vertitet në boshllëkun e ajrit pa prekjen e tokës, por një gjethe që pranon stinët e vetë ekzistencës, duke e mbajtur Atdheun jo si një prani gjeografike apo si një gjykatës ideologjik, por si një plagë të fisnikëruar që bartet me dinjitet ngado që shkon.
3. DIALOG I HESHTUR MES PARMENIDIT DHE HERAKLITIT
Te eseja hapëse “Guri dhe lumi”, Lindita Arapi gjen ndoshta metaforën më të arrirë të të gjithë librit. Ajo nuk e trajton më identitetin si një nocion abstrakt, por si një zgjedhje ekzistenciale midis dy mënyrave të të qenit. Guri dhe lumi nuk janë vetëm dy simbole poetike; ato përfaqësojnë dy mënyra të ndryshme të banimit në botë. Guri mishëron qëndrueshmërinë, kujtesën, vijimësinë, vendin ku gjuha, zakonet dhe rrënjët krijojnë ndjenjën e sigurisë. Lumi, përkundrazi, është ndryshimi i pandërprerë, rrjedha, përvoja, lëvizja, pranimi se identiteti nuk është një substancë e ngrirë, por një proces.
Në dukje, autorja anon nga lumi. Ajo e pranon ndryshimin si kusht të jetës moderne dhe e sheh emigrimin jo si fatkeqësi, por si mundësi njohjeje. Megjithatë, lexuesi i vëmendshëm kupton se kjo zgjedhje nuk është as triumfale, as e qetë. Sepse lumi nuk e zhduk mallin për gurin. Përkundrazi, sa më larg të rrjedhë, aq më fort e ruan kujtesën e vendit prej nga buron. Në këtë kuptim, metafora e saj e kapërcen proverbin shqiptar “guri i rëndë në vend të vet”. Arapi nuk e rrëzon urtësinë popullore, por e vendos përballë një kohe tjetër, ku miliona njerëz jetojnë larg vendlindjes dhe ku identiteti nuk mund të matet më vetëm me qëndrimin fizik mbi një truall.
Në thelb, pa e shqiptuar me patjetër në terma të ngurtë akademikë, autorja e ndërton gjithë esenë mbi një nga opozitat më ontologjike të mendimit perëndimor: dialogun e heshtur mes Parmenidit dhe Heraklitit. Guri është Parmenidi — Qenia është e pandryshueshme, identiteti është konstante e palëkundur, statike. Lumi është Herakliti — gjithçka rrjedh (panta rhei), identiteti është shndërrim i pashmangshëm. Arapi, si poete që shkruan nga përvoja, refuzon të zgjedhë diktatin e njërit apo tjetrit; ajo i vë të dy në një bisedë të tensionuar e të dhimbshme, duke e kthyer metafizikën e lashtë në mish e gjak, në një përvojë të gjallë njerëzore.
Pikërisht këtu eseja fiton një përmasë universale. Nuk është më fjala vetëm për shqiptarin emigrant, por për njeriun bashkëkohor, të cilit i duhet të jetojë njëkohësisht me rrënjët dhe me rrjedhën. Në fund, guri dhe lumi nuk përjashtojnë njëri-tjetrin. Ndoshta identiteti i vërtetë lind pikërisht nga tensioni midis tyre: nga nevoja për të ruajtur kujtesën pa refuzuar ndryshimin dhe nga guximi për të ndryshuar pa humbur burimin.
Dhe pikërisht këtu fshihet një nga idetë më të bukura e më të thella të gjithë librit Identitete: atdheu nuk është më vetëm guri ku ke lënë fëmijërinë, por ajo pjesë e brendshme e vetes që arrin ta mbash të paprekur, ndërsa varka jote kalon e trazuar nëpër rrjedhën e pambraur të jetës.
4. TRIUMFI BRUTAL I KËSHTJELLËS
Nëse nuk e kam thënë, po e theksoj fort: estë e Lindita Arapit në këtë libër janë të një zhanri letraro-filozofik. Janë letrare, sepse përmbajnë epizode tipike, origjinale e aq të njohura, sa ndryjnë përbrenda gjithë atmosferën dhe përbërësit e një novela a romani të mirëfilltë. Janë filozofike për perspektivat e mendimit që nxisin. Prandaj leximi i tyre është sa përvojë meditative, aq dhe përvojë emocionale. Le të marrim dy prej tyre në këtë vëllim.
1. “Sorollatjet me lutje të tim eti” – Kështjella shqiptare dhe kaligrafia e mbijetesës
Nëse te “Guri dhe lumi” Lindita Arapi eksploronte metafizikën e vendit dhe të rrjedhës, te “Bittgänge – Sorollatjet me lutje të tim eti” ajo zbret në ferrin më konkret e më mbytës të përvojës shqiptare: marrëdhënien e njerëzve të brengosur me Kështjellën e Pushtetit Totalitar.
Eseja funksionon si një projektim i përsosur i romanit të Franz Kafkës në realitetin shqiptar të viteve ‘80. Përputhja nuk është teorike apo abstrakte; ajo është ekzistenciale. Seksioni i Arsimit, biografia me cen, makina e bardhë Peugeot e Sekretares së Parë, hijet e “armiqve të klasës” (hija e varur e Hamit Matjanit) dhe “njolla” mbi biografinë përbëjnë teksturën e një makthi ku rregullat nuk thuhen kurrë qartë, por zbatohen me një pamëshirshmëri absolute.
Në këtë rrëfim, autoria ndërton dy figura kyçe dëshmuese që, për mua, përbëjnë një skelet romani:
a) Vajza kaligrafe: Fëmija që ngjyen stilografin në bojë për të shkruar letra të njëpasnjëshme drejtuar «Atyre Lart». Ajo është mjeshtrja e formës, por edhe viktimë e një «loje kukafshehthi me gjuhën». Shkrimi këtu nuk është mjet lirie, por punë e sforcuar mbijetese, një përpjekje dëshpërake për të «peshuar fjalën në kandarin e diktaturës». (Vë re, se një rol të ngjashëm kaligrafi në fëmijëri, për lutjet “Lart”, ma kishin ngarkuar dhe mua në shtëpi).
b) Ati tragjik (K. i provincës shqiptare): Babai që gatuan plane ireale, që fal gjelin e detit e damixhanat e rakisë, e që ushtron në oborr fjalinë e përkyer për t’ia thënë Sekretares së Parë. Ky atë nuk është dorëzuar nga leshtësia, por nga pafuqia e thellë e prindit që sheh se si “njolla” e tij po u pret krahët fëmijëve.
Pika kulminante e esesë, e cila ka një dendësi skenike gati kinematografike, është përballja te shkallët e Komitetit të Partisë. Babai që guxon të përdorë si mburojë vetë fjalën e Enver Hoxhës (“…nëse një familje ka dhjetë fëmijë e të gjithë janë me nota dhjeta, le të studiojnë...”), merr mbrapsht jo një refuzim me fjalë, por diçka më mbytëse: një vështrim dy-tri sekondësh nga lart-poshtë. Sekretarja e Parë nuk e dënon, ajo thjesht nuk e regjistron si qenie njerëzore. Ajo e sheh atë “si të shohësh një pemë apo një ndërtesë që ndodhet aty në rrugën tënde të përditshme”. Ky është triumfi brutal i Kështjellës: mosnjohja e ekzistencës tjetrit.
Në mbyllje, eseja bën një kapërcim të fortë midis kohëve. “Kështjella ra. Erdhi viti 1990…” – shkruan Arapi. Por trauma e atyre shkallëve nuk zhduket me rënien e regjimit. Plaga e identitetit të nëpërkëmbur shpërfaqet në zakon modern: “Po ende edhe sot nuk trokas me dëshirë në dyert e pushtetit.”
2. Elegji e heshtur për një klasë të tërë nënash shqiptare
Në pamje të parë, eseja “Lule bliri për libra” rrëfen një episod nga gjeografia e varfërisë shqiptare të viteve të diktaturës: një nënë dhe e bija ecin pesëmbëdhjetë kilometra në këmbë drejt pyllit të Gramiturit për të mbledhur thasë me lule bliri, shitja e të cilave do të mbulojë blerjen e librave shkollorë. Por Arapi nuk shkruan vetëm kujtime sociale. Varfëria këtu nuk është subjekti i vetëm; ajo është thjesht trualli i ashpër mbi të cilin formohet një vetëdije letrare.
E gjithë eseja ndërtohet mbi një kontrapunkt fantastik, gati biblik në strukturë:
Në njërën anë është nëna, krejtësisht e tokës, praktike, e pamëshirshme me degët e blirit, e paaftë për sentimentalizma. Për të, pylli nuk është poezi apo soditje, por punë e rëndë, mbijetesë dhe buxhet familjar. Në anën tjetër është vajza, e cila ecën në të njëjtin pyll, por banon në një univers tjetër: ajo sheh zanat, Driadat e mitologjisë, ngjyrat e agut, nepërkat, frikën dhe fantazmat e Martin Idenit. Nëna pret degët; vajza ndërton metafora.
Ky është, në të vërtetë, konflikti i parë dhe më i thellë i identitetit: jo midis Shqipërisë dhe Europës, por midis realitetit brutal dhe imagjinatës çliruese.
Megjithatë, madhështia e kësaj eseje qëndron te mënyra se si ky konflikt shpërbëhet në fund. Vajza e fëmijërisë përjeton një lloj zhgënjimi kur dëgjon nënën t’i thotë: “Do të të plasin trutë nga gjithë ato budallallëqe…” Por lexuesi i sotëm kupton diçka që fëmija nuk mund ta kuptonte atëbotë: nëna nuk beson te librat, por beson aq shumë te e ardhmja e fëmijëve, sa e financon ëndrrën e tyre me trupin e vet. Ajo nuk ka gjuhën e kulturës, por ka urtësinë e thellë se kultura është e vetmja trashëgimi e vërtetë që mund t’u lërë. Njëra flet gjuhën e sakrificës, tjetra gjuhën e letersisë.
Këtu eseja kapërcen autobiografinë dhe kthehet në një elegji heshtur për një klasë të tërë nënash shqiptare. Gra që nuk patën mundësi të arsimohen, që nuk lexuan kurrë Dostojevskin apo Virginia Woolf-in, por që, mbi kurrizin e tyre të kërrusur, edukuan gjeneratën e profesorëve, poetëve dhe shkrimtarëve të sotëm. Arapi nuk u ngre monument me patos; ajo bën diçka shumë më të vështirë e më fisnike: u kthen jetën dhe djersën në letërsi.
Përmes këtij procesi, Arapi realizon një shndërrim pothuajse alkimik: puna fizike kthehet në kapital shpirtëror. Lulet e blirit nuk shiten për bukë apo rroba, por shndërrohen në libra. Pylli mitik e i frikshëm i fëmijërisë shndërrohet vetvetiu në një bibliotekë gjigante — jo sepse ka libra brenda, por sepse prej tij lindin librat. Më tej akoma, aroma e luleve të thara në çarçafët e gjyshes përzihet me aromën e bojës së shtypshkronjës mbi librat e rinj të mbuluar me letër të bardhë.
Kur Lindita Arapi shkruan se “Librat ishin e vetmja urë që më lidhte me botën”, ajo formulon pa dashur çelësin e të gjithë ekzistencës së saj. Më vonë ajo do të largohet nga Shqipëria, do të jetojë e madje, përpos gjuhës amtare, do të shkruajë dhe në një gjuhë tjetër, por ura e saj mbetet e njëjta.
Identiteti i saj nuk lindi në Gjermani apo në emigrim; ai u ndërtua shumë më herët, në pyllin e Gramiturit, në ecjen pesëmbëdhjetë kilometërshe me të ëmën, në ceremoninë e vetmuar të mbështjelljes së librave shkollorë. Gjermania thjesht e vuri në provë këtë identitet, por nuk e krijoi atë. Prandaj zëri i saj kritik e letrar nuk tingëllon kurrë si zëri i një njeriu me rrënjë të shprishura kujtese, por si artikulim i pjekur i dikujt që i njeh rrënjët e veta aq mirë, sa mund t’i marrë me vete ngado që të shkojë.
Lindita ARAPI: Guri dhe lumi
Gur i rëndë në vend të vet apo lumë që rrjedh paprerë, asnjëherë më i njëjti? Në kopshtin para shtëpisë së fundit në rrugicën time ka një gur në cep të bordurës prej betoni që kufizon barin. Skulpturë e natyrës. Nuk më bie ndër mend që kur, por sa herë kaloj e shoh në të njëjtin vend. Fqinjin rreth të nëntëdhjetave që jetonte aty e përshëndesja sa herë e shihja kur e shtynte me karrocë kujdestarja trupvogël aziatike. Ai vetëm më buzëqeshte dhe ngrinte dorën. Fqinji im ka ndërruar jetë ndërkohë, por guri është aty. E do të qëndrojë ndoshta përgjithmonë, nëse nuk e lëviz dora e njeriut. I patundshëm. I patjetërsueshëm. Dëshmitar i vjetër i historisë së kësaj familjeje dhe kushedi sa familjeve që kanë jetuar në këtë rrugicë, kanë ndërruar shtëpi e janë larguar, ai mbart në heshtje e me qetësi stoike historitë. Të hareshme e tragjike, nga njerëz shpirtvegjël e shpirtmëdhenj, kushedi sa prej tyre guri nuk i sheh më. Një ditë edhe mua. I pafrymë, pa asnjë vramendje. Ky gur më bën të ndihem e dobët, më kujton përkohësinë time. Në fund të fundit, ai do të bëjë rojë mbi kokën time kur të mos marr më frymë. Gur varri. Unë nën të. Annie Dillard, poetja dhe eseistja amerikane e nderuar me çmimin “Pulitzer” për vëllimin me ese Të bësh një gur të flasë (Matthes & Seitz Berlin), rrëfen për një burrë në një ishull që do ta bëjë gurin të flasë. Larry jeton në një kasolle në ishull bashkë me gurin që e mban mbuluar me një copë lëkure të paregjur mbi dhogë, të cilën e heq vetëm kur i jep mësim. Disa herë në ditë. Larry tallet nga banorët e ishullit. E çfarë historish do të rrëfente një guralec deti, aq i madh sa e zë edhe pëllëmba e dorës? Asgjë. Gurit nuk i bëhet vonë për Larryn, nuk ka shpirt, mbetet memec. Po Larry i merr seriozisht ritualet e tij me të, madje do t’ia lërë këtë detyrë edhe djalit që jeton me nënën e ndarë. Ndoshta ai nuk pret që guri t’i rrëfejë historitë, por beson te mençuria e heshtur e zallit. Nuk dihet nëse Larry ka lexuar shkrimtarin gjerman Ernst Jünger që u kushton gurëve një ese me të njëjtin titull, por Ernst Jünger i flet Larryt nga shpirti kur shkruan se ata, gurët që kanë mbijetuar katastrofat dhe stuhitë, ndoshta “nuk rrëfejnë ndonjë histori, por fshehin një të vërtetë më të thellë, një të vërtetë që ndodhet përtej fjalëve”. Guri i rëndë në vend të vet është mençuria shqiptare për vendlindjen. Metafora e vijimësisë dhe qëndresës. Simbol stabiliteti, force. Aty ku flitet gjuha amtare. Aty ku njihen sinorët dhe mosndryshimi i tyre është siguria jote. Aty ku shihesh shpesh me të njohurit mëngjeseve në lagjen e qytetit, këmben dy fjalë njerëzisht dhe vazhdon më tej ditën, edhe nëse me hallin më të madh. Rruga e lagjes dhe rrugët e vendlindjes janë degëzime rrënjësh që të mbajnë të mos rrëzohesh kur jeta do të të flakë përtokë. Po guri që mbetet gur në vendin e vet njeh vetëm një botë. Atë që mbaron aty ku zhduket vija e horizontit. Për botët e tjera përtej saj dëgjon vetëm nga të tjerët, si guri i Larryt që ka “dëgjuar” prej shekujsh historitë e sjella me vete nga të ardhurit në ishull, por botët e këtyre të ardhurve mbeten të panjohura për të. Nuk i ka përjetuar, nuk i ka “dëgjuar” zhurmat, nuk është “rrokullisur” nëpër rrugët e tyre e duhet një imagjinatë e fortë që të mund t’i përfytyrosh prej gjendjes statike. Sa herë e kam dëgjuar, të shoqëruar gjithmonë nga një psherëtimë, proverbin e vjetër “guri i rëndë në vend të vet”. E gati gjithmonë o nga prindërit, o nga ndonjë i afërm i moshuar. Ndoshta mosha luan një rol dhe e bën njeriun si gurin që zë vend diku dhe nuk lëviz më. Rrit fëmijët, ata marrin flatra, largohen, ti ngulesh aty duke i pritur të kthehen, të dëgjosh historitë që vijnë nga botërat e tjera, në pamundësi të shtegtosh dhe të endesh në botë të reja. Pa dyshim, edhe historia aty ndryshon, pasurohet, mbushet me shumë rrëfime, edhe aty vjen bota. Po më duket se është një ndryshim brenda rrethit. Pa rrjedhje. Rrjedhja është lumi. Unë dua lumin që rrjedh, kohën dhe jetën bashkë me të, transformimin e vazhdueshëm. Ujërat që të marrin me vete dhe të çojnë në vise të reja. Lumi është përmallim për të panjohurën. Mund të ulesh në breg të tij, të ngulesh për ca kohë të shijosh qetësinë, natyrën, të reflektosh për kohën dhe jetën, por ndërkohë nuk je më para të njëjtit lumë. Lumi është gjithmonë i ri. “Askush nuk hyn dy herë në të njëjtin lumë, se nuk është më i njëjti lumë dhe nuk është më i njëjti njeri”, – shkruante Herakliti, filozofi i Efesit. Shelgjet që varen në anë janë ndoshta e vetmja konstante. Të duash lumin, do të thotë të mësosh të jetosh me pasigurinë. Të duash të zbresësh në porte të reja, të njohësh botë të reja, të takosh njerëz të rinj, të marrësh diçka të re me vete dhe të lësh diçka prej teje. Me lumin je gjithmonë në udhë, po kush ka frikë nga ujërat e ndryshimit, më mirë të zbresë në një port. Se me gjithë metaforat që i kanë thurur prej shekujsh, të mos harrojmë, lumi ka rreziqet e veta, mund të vijë i mbarsur nga shirat, të të përpijë. Kush e përjeton ndryshimin si humbje të identitetit, ndihet si një i rrëmbyer papritur nga ujërat. E lumi një destinacion njeh, ai rrjedh drejt detit të madh e të paanë. * * * Qindra-mijëra shqiptarë të larguar në vitet e eksodit të madh shqiptar, që filloi më 1990 dhe ende nuk është platitur, ndoshta e lënë si gurin edhe lumin në vendin e vet, nuk e brejnë veten me pyetje që, në fund të ditës, nuk derdhin asgjë në xhirollogari. Po në fundin e ditës, kur janë lënë mënjanë çekanët dhe mistritë në kantieret e ndërtimit të Europës, janë mbyllur kasat në qendra tregtare, janë futur në depo kovat e pastrimit apo është kyçur zyra e sipërmarrjes së re të një shqiptari, i vjen shpesh radha WhatsApp-it dhe video-telefonatave me atë që shihet si e patundshme, familjen shqiptare, me të afërm e miq. Kthim virtual i përditshëm në atdhe, që shuan nevojën për ngrohtësi për ata që janë larg. Emigranti i sotëm nuk është i mërguari i dikurshëm. As mërgimi nuk është më një rrugë pa kthim, pa kontakt, me lajme shumë të rralla. Vaji për mërgimtarin se po ikën në kurbetin e zi apo malli për djemtë në kurbet mund të shërbejë më shumë për koncerte folklorike dhe nostalgjinë e një të shkuare që nuk është më si dikur. Nuk ka më dramacitetin epik si në këngën e Shkurte Fejzës: edhe malet po lotojnë/ edhe kepat po rënkojnë/ për do turma pa mbarim/ kah po nisen për mërgim. Lot nënash derdhen ende apo një peng në zemër mbetet, por emigranti i sotëm e kërkon me vetëdije ndryshimin, i hyn madje me dëshirë sfidës së shkeljes në një territor të ri dhe në realitete tërësisht të tjera sociale e teknologjike. Emigrantët kanë një gjë të përbashkët, të thjeshtë. Ata nuk janë më në vendlindje. Guri ka lëvizur nga vendi i vet. Jeta është bërë ai lumi që rrjedh, asnjëherë më i njëjti.



