Kreu In memoriam Agim Vinca: Tri këngë zie për Kadarenë

Agim Vinca: Tri këngë zie për Kadarenë

Kumti i zi

Dita e parë e muajit korrik, e nxehtë që në mëngjes. Në orën 9.23 minuta, në celularin tim vjen një mesazh. Më shkruan një miku im që më shkruan shpesh (i palodhuri Begzat Baliu) dhe nuk ngutem ta hap. Kur e hapi, ç’të shoh: “U largua nga kjo botë Ismail Kadare”. U shtanga. Nuk e prisja. I kishte kaluar të 88-at; kishte rënë fizikisht, por nuk dukej se ishte kaq pranë vdekjes. (Më vonë marr vesh se vdekjen ia kishte shkaktuar një hemorragji cerebrale). Sakaq ia kthej mesazhin mikut: “Më duket e pabesueshme”, kurse ai, si për ta mbështetur befasinë time, më “replikon”: “Javën e kaluar ishte në Juvenilia”.

Kështu e mësova unë lajmin për vdekjen e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, veprën e të cilit e kam quajtur vite më parë (kur Kadareja u shpall “Doktor Nderi” i Universitetit të Prishtinës) “emblemë e kulturës kombëtare”.

Pothuajse në të njëjtën kohë, në orën 9.49, kryetari i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, Fatos Tarifa, në grupin AKADEMIA në WhatsApp, shkroi: “Pikëllim i madh. Ismail Kadare u nda nga jeta sot në mëngjes. Një humbje e madhe për kulturën shqiptare dhe për krejt kombin shqiptar. Këtë pikëllim të thellë nuk gjej fjalë ta shpreh. Ngushëllimet më të sinqerta Helenës dhe familjes së tij”.

Menjëherë pas kumtit të Fatosit nisën të reagojnë anëtarët e Akademisë: Emil Lafe, Llukan Puka, Arben Baboçi, Marenglen Spiro, Fatos Tarifa (përsëri), Aleksandër Xhuvani, Ksenofon Krisafi, Arjan Gjonça. Shkrova edhe unë, shkurt, dy fjali: “Ditë zie kombëtare. Do të jetojë vepra e tij e madhe”. Kaq për fillim.

Vazhduan reagimet e anëtarëve të tjerë: Anila Paparisto, Kujtim Çashku, Eno Koço, Marta Muço, Luljeta Bozo, Ethem Ruka, Gëzim Hoxha, Diana Çuli, Rami Memushaj.

Të gjithë shprehin pikëllimin për humbjen e Kadaresë dhe vlerësimin për veprën e tij.

Pritet reagimi i prof. Qosjes, që është pjesë e “grupit”. Doli të nesërmen. Një tekst i shkruar me kujdes, siç e do momenti dhe siç di autori i tij. Ngushëllime familjarëve, veçanërisht “shumë të nderuarës e të dashurës Helenë”, të bijave të shkrimtarit dhe të tjerëve. Pasojnë fjalët “emri dhe jetëshkrimi i tij do të jenë të gjithmonshëm” dhe paragrafi ku thuhet: “… mes Ismail Kadaresë dhe meje kohë pas kohe ka pasur edhe gjykime e vlerësime polemike si pasojë e pikëpamjeve tona të ndryshme për çështje të ndryshme letrare dhe kulturore në përgjithësi”.

Dija dhe përvoja e kolegut të letrave dhe bashkëmoshatarit të Kadaresë, Rexhep Qosjes, gjen një formulim të përshtatshëm për ta justifikuar përplasjen e ashpër të vitit 2006 për identitetin e shqiptarëve, por edhe disa fërkime të tjera, më të vogla, më herët dhe më vonë:

“Në letërsinë evropiane është bërë historike bindja e pranuar prej krijuesve më të shquar evropianë se ata që polemizojnë me njëri-tjetrin ata polemizojnë sepse e duan dhe e nderojnë njëri-tjetrin”. (Fjala e Qosjes mirëpritet në Tiranë: botuesi i Kadaresë, Bujar Hudhri, e përmend si shembull pozitiv në një debat televiziv).

Por jo të gjithë e kanë kulturën dhe edukatën e intelektualit të madh dhe njëherësh edhe kritikut të madh të Kadaresë, Rexhep Qosja, i cili di ta përmbajë veten kur duhet; shumë të tjerë, letrarë, publicistë, analistë apo edhe njerëz të thjeshtë nuk arrijnë ta bëjnë këtë: shajnë edhe në ditët e mortit, duke shkelur çdo normë morale dhe njerëzore.

Vazhdojnë mesazhet dhe telefonatat, kryesisht nga gazetarë, që janë vënë në garë kush të sigurojë sa më parë ndonjë njohës të veprës së Kadaresë. Ndër të parët më thërret gazetarja e kulturës e Televizionit “21”, ish-studentja ime, Edona Demaj. Pranoj pa ngurrim dhe në kohën e caktuar, në orën 16, ngjitem në katin e 18-të të godinës së re të “21”-shit, ku shkoj për herë të parë. Rrugës më vijnë në mend vargje të Kadaresë, fragmente nga veprat e tij në prozë, copëza ngjarjesh, emra personazhesh, ndërsa kur arrij në qendër të qytetit, te hoteli “Grand”, më përfton një imazh nga “Krushqit janë të ngrirë”: parulla e përgjysmuar “sova publ”, që në të vërtetë ishte kërkesa kryesore e demonstratave të vitit 1981: “Kosova Republikë”, për të cilën shkohej në burg.

Ish-studentja ime më pret me buzëqeshje. Nuk e kam parë një kohë të gjatë, dy-tre vjet, në mos më shumë, por duket bukur edhe tani që është bërë nënë e tre fëmijëve. Ka lindur tre djem, “drenicakë, profesor”, thotë me shaka; “luftëtarë të lirisë”, ia kthej unë. Nesër ata mund të bëhen “dalzotësit e Kosovës”, togfjalësh që Kadareja e përdori kur doli në skenë UÇK-ja. Uroj të mos ketë nevojë dhe që fëmijët e Edonës e të krejt Kosovës, të rriten në paqe e liri, siç do të donte shkrimtari ynë i madh, që me fjalën dhe veprën e tij luftoi për lirinë e Kosovës.

Në studion e rregulluar bukur flas për veprën e Kadaresë, për temat, idetë, mesazhet dhe risitë që solli ajo në letërsinë shqipe. Për poezinë, prozën, veçanërisht romanet, pa harruar as esetë. Para se të dal nga shtëpia marr me vete, për ilustrim, edhe disa libra, ndër të parët që më zë dora: vëllimin poetik “Shekulli im“, botim i vitit 1961, që bëri kthesë në poezinë shqipe; një botim të “Gjeneralit” në frëngjisht në edicionin “Livre de poche” (Libër xhepi) të vitit 1970, me një kopertinë tejet sugjestive (kapela e gjeneralit me kryqet e varret në vend të fytyrës); ditarin “Ra ky mort e u pamë”, dhuruar nga vetë autori me autograf, me një shkrim gati të palexueshëm, në panairin e parë të librit në Kosovën e posaçliruar: ”Agim Vincës, miqësisht, për kujtim të takimit në Prishtinë. 29. 11. 1999, Ismail Kadare”; romanin “Dimri i madh”, i cili, bashkë me “Koncertin”, janë “romane-epope” e jo romane të tipit “sintezë”, si të tjerët, si dhe librin “Bisedë përmes hekurash”, që është një bashkëbisedim i shkrimtarit me veprimtarin dhe politologun e shquar Ukshin Hoti, i cili pas lirimit nga burgu shumëvjeçar në maj të vitit 1999 u zhduk pa gjurmë dhe as sot e kësaj dite nuk dihet se ç’ndodhi me të. 

Qe paraparë që biseda të zgjaste gjysmë ore, por zgjati rreth 45 minuta, duke u shndërruar gati në ligjëratë si dikur në fakultet.

Kur zbres nga ndërtesa e bllokut që i ngjan një Manhattan-i shqiptar, shoferi i Televizionit “T7” më priste në makinë. Ora i afrohet pesës, por ende bën shumë vapë. Përtoj boll, por, megjithatë, i përgjigjem ftesës, shkoj edhe në këtë televizion, që është pak më larg se të tjerët. Në studion e gjerë më del përpara një fotografi e madhe e Kadaresë dhe një gazetar trupimët, por i zgjuar. Ky, ndryshe nga kolegia e tij e “21”-shit, më shumë se për letërsi është i interesuar për raportin e shkrimtarit me politikën. Studioja është e freskët dhe biseda rrjedh lirshëm. Flasim, ndër të tjera, edhe për Konferencën e Rambujesë, më konkretisht për takimin e Hashim Thaçit me Kadarenë një natë para nënshkrimit të Marrëveshjes.

Vetë Kadareja flet për këtë takim te Ditari i tij për Kosovën, në shënimin e dt. 18 mars. Kryetari i delegacionit shqiptar të Rambujesë, Hashim Thaçi, e kishte barrën më të rëndë për vendimin që duhej të merrej: nënshkrimin e Marrëveshjes për Paqe e Vetëqeverisje në Kosovë, si quhej zyrtarisht, e cila e linte Kosovën nën sovranitetin e RF të Jugosllavisë (Serbi/ Mali i Zi) me një “autonomi substanciale”. Një natë para se të merrej vendimi, Hashimi, i shoqëruar nga Ramë Buja dhe përkthyesja Bukurie Gjonbalaj, nga Kështjella e Rambujesë shkon në Paris. Bisedojnë kokë më kokë, pa praninë e askujt. Duke mos pasur me vete as edhe një copë letër, e interpretoj këtë takim sipas kujtesës. Kërkon përkrahjen publike të Kadaresë dhe ai i thotë se kjo nuk do të mungojë. Me atë rast përmenda fjalën “tradhtar” (a më mbron nëse më shpallin të tillë), për çka reagoi njëri nga ish-anëtarët e delegacionit nga radhët e UÇK-së, Xhavit Haliti. Askush nuk mund ta dijë se çfarë kanë biseduar “kokë më kokë” Kadareja dhe Thaçi njëzet e pesë vjet më parë. Por shënimi vijues në Ditar, i datës 19 mars, tregon se rreziku i shpalljes “tradhtar” ishte real. “Urime për tradhtinë!” i drejtohet dikush  njërit nga anëtarët e delegacionit pas nënshkrimit të Marrëveshjes (shih: “Ra ky mort e u pamë”, f. 49).

“Zeka” ndoshta ka të drejtë, por asnjëri nga njerëzit për të cilët bëhet fjalë nuk mund të na ndajnë “davanë”, sepse njëri është në Hagë, në një gjyq farsë, kurse tjetri në varr!

Komemoracioni i zbehtë dhe sulmet në mort

E martë, 2 korrik. Në orën 10, në Institutin Albanologjik, mbahet mbledhje komemorative kushtuar Kadaresë.

Nga frika se nuk do të gjej vend shkoj 10-15 minuta para, gjë që e bëj rrallë, por kur arrij shoh vetëm 3-4 vetë në sallë. Habitem jo pak, por zë vend dhe pres. “Vijnë më vonë”, them me vete, mirëpo zhgënjehem keq: as gjysma e sallës nuk mbushet dot, as një e treta, madje edhe fotelet e rendit të parë mbeten bosh.

“Kohë pushimesh”, thotë dikush. E vërtetë, por kafenetë e Prishtinës janë plot, edhe ato në afërsi të Fakultetit Filologjik dhe të Institutit Albanologjik. As punëtorët e institucionit ku mbahet mbledhja nuk janë të pranishëm. (Marr vesh se para tri-katër ditësh, po në këtë sallë, njerëzit kanë ndenjur në këmbë për një folklorist lokal).

Po atëherë përse bëhet fjalë: mungesë organizimi, rënie e interesimit, apo bojkot?

Nuk di si ta shpjegoj këtë që ndodhi sot. Ra ky mort e u pamë!

Nga autoritetet shtetërore merr pjesë vetëm Ministrja e Arsimit, zonja Arbërie Nagavci dhe askush tjetër.

Flasin ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit, dr. Lulzim Lajçi, historian dhe studiuesit e letërsisë Emin Kabashi e Arben Hoxha. Fjalët i kanë përgatitur mirë, me përkushtim, secili nga aspekti i vet, por flasin para sallës pothuajse të zbrazët, që të trishton.

Një ditë më parë, më thirri sekretari shkencor i Institutit dhe kërkoi nga unë që të mbaja një fjalë. “Të jeni në panel”, u shpreh ai. “Jo, i thashë, unë do të vij të marr pjesë, por për të folur duhet të flisni ju vetë”.

Pas mbarimit të mbledhjes, gazetarja e RTK-së më kërkon një deklaratë për emisionin e lajmeve. Me të është edhe kolegu i saj nga “Koha Ditore”. Flas para kamerës, pak i indinjuar për shkak të përshtypjes që më la tubimi i sapokryer. Nuk më kujtohet krejt çka thashë, por e di se fjalia e fundit qe: “Kadareja krijoi një perandori të madhe letrare”.

Në mbrëmje, në orën 20, marr pjesë në një debat në KTV, me regjisorin Agim Sopi, njeri që e kupton letërsinë e që shkruan edhe vetë dhe dy të tjerë. Moderatorja e hap emisionin me fjalinë e një analisti nga Tirana: “Ismaili iku, mbeti Kadareja”, në kuptimin iku njeriu mbeti vepra. Për ne në Prishtinë, në ndryshim nga kolegët tanë në Tiranë, ai ka qenë gjithmonë “Kadare” e jo “Ismail”. Disa, madje, kanë pasur problem t’ia shqiptojnë drejt emrin dhe mbiemrin, punë theksi, kurse një kritik letrar i revistave e quante: “Smajl Kadarja”. Edhe në zi lejohet të bësh pak humor, por biseda në studio është serioze. Edhe më “serioze” e bën insistimi i moderatores te raporti ndërmjet “dy gjirokastritëve të mëdhenj”, si thotë: diktatorit Enver Hoxha dhe shkrimtarit Ismail Kadare.

Përpiqem ta kthej vëmendjen kah vepra, por pa sukses. E si mund të zhvillosh debat për letërsinë me njerëz që poezinë e konsiderojnë pjesën më me vlerë të veprës së Kadaresë (!), pohim që do ta skandalizonte vetë shkrimtarin; që  te “Gjenerali” gjejnë “elemente distopike” dhe që veprën publicistike “Mëngjeset në Kafe Rostand” e quajnë roman?!

Kur dëgjon këso qyfyresh pendohesh që ke shkuar në emision, por është vonë.

E pashmangshme është pyetja për Çmimin Nobel, refren. A e mori, pse s’e mori, pse s’ia dhanë; a e ka merituar? Autorja e një emisioni letrar në një nga TV-të e Tiranës, thotë: “Kadareja vërtet nuk e mori Çmimin Nobel, por mund ta fitojë në të ardhmen!”. Sic! (Për ata që mund të mos e dinë, ky çmim u jepet vetëm shkrimtarëve të gjallë).

Varrimi (i përkohshëm) dhe fjala e përzishme

Të mërkurënndjek në TV ceremoninë funebre për Kadarenë dhe fjalimin e KM Rama. Fjalimi i Ramës ishte fantastik. Askush nuk mund të shtyhet me të për fjalime, sepse Edi, para se të hynte në politikë, ishte artist dhe eseist. Edhe fjalën e ka shkruar në këtë frymë: “Ismail, nuk mund ta marrësh me mend se ç’më panë sytë këto ditë për funeralin tënd”. Flet për novelën që do ta shkruante po të ishte gjallë ai që është në arkëmort lidhur me propozimet që i paskëshin ardhur atij si kryeministër për vendprehjen e përjetshme të Kadaresë. (Më i pranueshëm m’u duk propozimi për t’u varrosur te parku buzë liqenit, pranë vëllezërve Frashëri, Abdylit e Naimit, si dhe Konicës e Mid’hatit; emrat e këtyre të fundit Edi i shmangu në fjalën e tij).

Më ngeli në kujtesë fjalia: “Erdhi, shkroi, iku”. Dhe tjetra: “Ti i the të gjitha”. Por përfundimi nuk më pëlqeu. Jo se nuk e dua poemën e famshme të Majakovskit “Re me pantallona”, këtë vepër fantastike të poetit të madh rus, të përkthyer nga Kadareja i ri, por pse në gjithë atë korpus letrar kadarean a nuk mund të gjendej diçka e përshtatshme – dhe origjinale – për këtë rast?! Ja, për shembull, një strofë nga vjersha “Monologu i të vetmuarit”: “Tani unë ngjitem lart dhe s’kam asnjë gëzim./ Këtu ku kam arritur më ftohtë është, më vetmi./ E dija këtë gjë, por padurimi i vdekur/ Më shtynte te ky cak të mbërrij, te kjo kotni”.

Ismail Kadareja do të varroset përkohësisht në varrezat e Tufinës. Kjo do të thotë se një ditë do të zhvarroset (vetë ideja e zhvarrimit është makabre; thuhet: “mos m’i lëkundni eshtrat!”) për t’u rivarrosur në atë “shtëpinë e vetme”, “vetëm për të”, që s’dihet ku do të jetë dhe si do të duket! Po e shoqja, zonja Helenë, ku do të prehet kur t’i shkojë pas “Is-it të saj”? Mos, vallë, bashkë në këtë jetë, veç në tjetrën?! Absurd! (Qeveria shqiptare është dashur të mendonte për këtë qysh më parë, ashtu siç duhet të reflektojë edhe në të ardhmen).

Te poema “Tirana në dimër” (2005) flitet për Tiranën e kohës kur kryebashkiak i saj ishte Edi Rama; në të Edi është personazh. Ja si shfaqet figura e tij në një nga strofat e poemës. “I gjatë, si natë e ankthshme n’udhëkryq/ Shfaqet mes brymës kryebashkiaku”. Në asnjërën nga veprat e periudhës “post” të Kadaresë, as tek ato në prozë (“Lulet e ftohta të marsit”, “Aksidenti” etj.), nuk është dhënë me aq forcë atmosfera e tranzicionit të egër shqiptar. Në mënyrë danteske përshkruhet një ditë e qytetit që shkërben Nju-Jorkun, ku blihen me para titujt kont e baron dhe ku porositen vrasje me pagesë. Çka s’ndodh brenda një dite, nga mëngjesi në darkë, në këtë qytet-fantazmë!

Në Kosovë sot është ditë zie. Radio emeton muzikë funebre. Tre funksionarët më të lartë të shtetit: presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe kryeparlamentari Konjufca janë në sallën e TOB-it, por askush nga institucionet arsimore, kulturore dhe shkencore të Kosovës, madje as nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe PEN Qendra, dy asociacionet letrare të Kosovës.

U dëgjuan shumë pasaktësi e shtrembërime këto ditë, madje edhe gjëra qesharake. Në lajmet kryesore të orës 19.30, gazetari i RTK-së, që raportin nga mbledhja përkujtimore e Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës (ASHAK), thotë se këmba e Kadaresë shkeli për herë të parë në Kosovë në vitin 1980 (!), ndonëse kjo ka ndodhur plot tetë vjet më parë, në vitin 1972, kur Teatri Popullor i Kosovës vuri në skenë “Gjeneralin” e dramatizuar në regji të Piro Manit. Kadareja erdhi në premierë dhe ky qe takimi i tij i parë real me Kosovën, të cilën me imagjinatë e kishte vizituar shumë herë. (Vjersha e parë për Kosovën daton nga viti 1968).

Por padituria falet, pafytyrësia jo. Ç’t’u bësh atyre që shajnë, për turp, në ditën e mortit, siç vepruan vite më parë një skotë lakesh edhe me “Bacën” (Adem Demaçin).

Degradimi ynë moral kurrë s’ka qenë në këtë shkallë!

Me ndonjë nga paraqitjet e mia në medie në këto ditë zie, u ndava totalisht i pakënaqur. Të bombardojnë me mesazhe e telefonata gjatë tërë ditës, kërkojnë të lidhesh me scype dhe kur vjen koha të dalësh në ekran nuk je interesant, sepse flet për veprën letrare! Interesante është kolegia e gazetares, që flet për një takim të rastit me shkrimtarin në Paris – në një katedrale (jo në “Notre-Dame”)!

Për ikjen e Kadaresë nga kjo botë, kombi shqiptar mbajti tri ditë zi, dy në Shqipëri, një në Kosovë. Tri ditë zie për shkrimtarin që është, veç të tjerash, autor edhe i një vepre me titull: “Tri këngë zie për Kosovën”.

Kur doli kjo vepër, në vititn 1998, bëra një shkrim me titull “Beteja kadareane e Kosovës”. Si në të gjitha veprat me sfond historik të Kadaresë në të gërshetohen kohët, vendet, epokat. Mjafton të citojmë një paragraf nga ky libër, për të parë si bashkëjetojnë beteja njëditëshe në mesjetë dhe lufta e fundshekullit të njëzetë:

“Copëra të grisura gazetash, të hedhura nga shtegtarët, lëvizin nga era aty-këtu. Prej tyre qëllon që marr vesh, atë çka ndodh përreth. Emra vendesh e vezirësh befasues. NATO. R. Cook, Magdelain Albrigt. Ploja e fëmijëve në Drenicë. Millosheviç. Mein Kampf. Prapë emri i vezires grua. Herë-herë midis tyre është edhe emri im: Murad I”.

Është monologu i Sulltan Muratit rënë gjashtëqind vjet më parë në Ballkan, që rëndon mbi “Gadishullin e madh”, i cili “U gdhi Evropë e u ngrys Azi”. Libri i Hitlerit “Mein Kamph” (Lufta ime) pranë emrit të diktatorit serb Millosheviç sugjeron karakterin fashist të regjimit të “kasapit të Ballkanit”, kurse shfaqja e emrit të sekretares së shtetit të SHBA-ve, zonjës Ollbrajt, e cilësuar me stilemën origjinale, tipike kadareane “vezirja grua”, nënvizon rolin e saj në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Fluturimi letrar i Ismail Kadaresë si shkrimtar filloi në vitin 1961, me librin “Shekulli im”, ku me një zemërim majakovskian poeti i ri u ngrit kundër konvencave në art dhe në jetë. Dy vjet më vonë, ky libër u pasua nga vepra që e bëri të njohur në botë, romani “Gjenerali u ushtrisë së vdekur”, vepër me një rekord botimesh e përkthimesh dhe nga i gjithë korpusi i tij letrar, i krijuar në vite e dekada, që i dha vulën letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Kadareja foli me shekullin e vet, që shekujt të flasin për të. U bë shkrimtar universal duke qenë dhe mbetur thellësisht shqiptar. Nëpërmjet veprës së tij bota e njohu Shqipërinë dhe shqiptarët, kurse shqiptarët e njohën veten dhe botën.

Exit mobile version