Kreu In memoriam Agim Vinca: Te varri i poetit

Agim Vinca: Te varri i poetit

Me duart e mia i kam mbledhur copat e mermerit te varri i poetit Lasgush Poradeci në Pogradec në maj të vitit 1991. (E kam mbajtur sekret këtë vaki plot 15 vjet, por, tani kur në shoqërinë shqiptare nuk ka mbetur më pothuajse asnjë fshehtësi, kujtoj se ka ardhur koha ta bëj publike).

Pata shkuar me familje nga Struga në Pogradec për piknik ditën e Një majit, kur u lejua, për herë të parë pas gati gjysmë shekulli, kalimi i kufirit me leje të njoftimit dhe puna e parë që bëra, pas vizitës në familjen e mikut tim të vjetër, doktor Mistos (Mirosh Markajt, nip i Kutelit dhe mik i Lasgushit, edhe vetë shkrimtar), qe një homazh te varri i poetit, i cili, para se të vdiste, e la me gojë që ta varrosnin në vendlindje.

Edhe me aktin e fundit të jetës së tij, poeti poradecar dëshmoi se ishte shumë i lidhur me qytetin e tij të lindjes, Pogradecin, ku kishte ardhur në jetë në vitin e fundit të shekullit XIX dhe, madje, veç dy ditë para se të agonte shekulli i ri, i njëzeti

Pas një jete të gjatë e plot peripeci (sidomos në periudhën e pasluftës), Lasgushi mbylli sytë përgjithmonë në Tiranë, më 12 nëntor 1987, në moshën 88 vjeçare. U varros me nderime në Pogradec, sipas porosisë së tij lënë të bijave, Kostandinës dhe Maries, aty ku vite më parë qe kallur në dhe edhe shoqja e tij e jetës, Nafija, ajo grua e urtë dhe e përvuajtur, humbja e së cilës e goditi rëndë.

Kisha dëshirë, e edhe një çikë mburrje, që ime shoqe dhe fëmijët e mi ta shihnin me sy varrin e njërit prej poetëve më të mëdhenj të kombit, kurse ime bijë, Doruntina, e cila atëbotë ishte në klasë të tretë të shkollës fillore, të vinte një tufë lule mbi të. Për ta bërë këtë akt edhe më simbolik kishim marrë me vete një degëz molle nga kopshtet e Strugës. E kishim mbajtur me vete nga Struga në Pogradec, në veturë, për t’ia blatuar “poetit të luleve”, kur ç’të shohësh: pllaka e mermertë mbi varrin e poetit qe bërë copë e grimë!

Mbetëm pa fjalë, unë me të mitë dhe shoqëruesi ynë, doktor Mistoja. Çile gur gojën! Shumë gjëra të pahijshme ndodhnin ato ditë në Shqipëri, por se mund të pësonte edhe varri i poetit, as që na kishte vajtur mendja! Befasia dhe zhgënjimi ynë s’kishte skaj!

Dhe për të qenë çudia më e madhe, askush nuk dinte, askush nuk kishte asnjë njoftim, për këtë dëmtim të varrit të poetit, për këtë akt barbar, për të cilin diku tjetër do të ishte alarmuar edhe qeveria e jo më një qytet i vogël si Pogradeci. As miku im dhe njëri nga miqtë e afërt të poetit, pogradecari i vjetër, Misto Marko, nuk dinte gjë. Madje, as rojtari i varrezave (një burrë i zeshkët, me gjasë jevg) nuk ishte në gjendje të tregonte tamam se kur dhe si kishte ndodhur ky turp. Na tha se kishte të ngjarë që kjo thyerje të ishte bërë natën pa qëllim nga njerëz që kishin dashur ta vidhnin rrethojën e hekurt të varrezave që ndodhej sipër varrit të poetit, i cili, bashkë me dy të tjerë, varrin e dëshmorit të LNÇ-së, Reshit Çollaku, heroin e poezisë Balladë poradecare dhe të një personi tjetër, që s’ia mbajta mend emrin, është në hyrje të tyre.

Vandalizmi një emër ka, edhe kur bëhet me çekiç e vare, edhe kur vjen nga padija, smira e zilia ose, siç do të thoshte vetë Lasgushi, me gjuhën e trevës nga vinte, nga nakari.

 “Ha! se në kaq ndryshmësira m’u duk vetë Shqipëtari

 Ndaj shëmton fjal’ e të folur nga padija, nga nakari”.

I mblodhëm copat e thyera të mermerit (mermer i kuq i vendit, me damarë), duke i bërë bashkë germat që sajojnë emrin e poetit: LAS-GU-SH PO-RA-DE-CI. I vumë edhe lulet – atë degëzën e mollës të sjellë nga Struga përtej  liqerit – sipër copëzave të ribashkuara si një mozaik që duhet të ribëhet dhe ikëm të heshtur e të thyer si copëza mermeri.

Kur u ktheva në Strugë e paskëtaj në Prishtinë, pata bërë një shënim në fletoret e mia të shumta, ku herë pas here derdhi helmin me të cilin më gostit jeta – për këtë përjetim jo të zakonshëm. U fola për këtë thagmë edhe disa miqve të mi shkrimtarë, por sa “prej vetvetiu”, siç do të thoshte Lasgushi, e sa me sugjerimin e tyre, hoqa dorë nga ideja për ta bërë publike atë që kisha parë. Atëherë ende kishim iluzione për ruajtjen e prestigjit të “Shqipërisë-mëmë”; kujtonim se duke i fshehur gjërat, që një ditë edhe ashtu do të dilnin në shesh, do t’i bënim shërbim të mirë Shqipërisë dhe kombit shqiptar në përgjithësi.

Ndonëse të dëshpëruar nga ajo që pamë, pas vizitës te varri i poetit të pavdekshëm, dolëm në qytet, tek të gjallët. Pimë kafe, takuam miq pogradecarë e korçarë, por edhe të ardhur nga Tirana. Shëtitëm buzë liqenit. Shkuam edhe në Drilon e Tushemisht. Pamë Shëndaumin hijerëndë tutje dhe larg, larg, në sfond, Malin e Thatë, ku veç sa s’kishte fluturuar shqiponja e arratisur e poetit. Pasdite vonë morëm rrugën për Qafëthanë dhe pasi pritëm rreth një orë në kufi, aty ku ndahet “zemra prej zemrës”, vazhduam rrugën për në Strugë. Dielli tashmë kishte perënduar, kurse horizonti ende i kuq flakë pasqyrohej në syprinën e qetë të liqenit. Muzgu po binte ngadalë si një napë e bardhë. Dhe ndërsa gruaja e fëmijët humbën në  turmën e korzos së famshme të Strugës, unë preferova t’i prisja te parmakët e urës, aty ku “Drini plak e i përrallshëm nis udhëtimin mengadalë mes-për-mes në Shqipëri”… Përsërisja me mend vargjet e Lasgushit dhe sodisja kalimtarët që shkonin në punë të vet me barrën e halleve mbi shpinë atë ditë maji të vitit 1991, kur po merrte fund një epokë dhe pritej fillimi i tjetrës.

Një vit më parë, në verë të vitit 1990, nga Tirana më kishte ardhur një fotografi (bardhë e zi), ku miqtë e mi nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë në Tiranë, gjuhëtari Remzi Përnaska dhe studiuesi i letërsisë Jorgo Bulo, tok me kolegët e tyre Seit Mansaku e Enver Hysa, kishin vënë, në emër tim, si thoshin ata, një tufë me lule mbi varrin e Lasgushit. Remziu, me shkrimin e tij të bukur, gotik, më kishte shkruar në shpinë të fotografisë: “Një tufë zambakë mbi varrin e poetit poradecar nga poeti veleshtar”. Kjo fotografi, e cila arriti tek unë nëpërmjet sime motre, Vaes, që kishte pasur rastin t’i takonte miqtë e mi në plazhin e Durrësit, u bë shkas për lindjen e poezisë sime Të shkosh në Pogradec, të cilën kritiku i ri poradecar, Neli Naço, do ta krahasonte me poezinë Poradeci të Lasgushit. (“Poezia Të shkosh në Pogradec është një poezi antologjike, me vlera të rralla, e denjë të qëndrojë pranë poezisë Poradeci të krijuar nga Lasgushi“).

Do të kalojnë plot pesë vjet nga ajo ditë maji e vitit 1991; do të rrjedhë shumë ujë Drinit tatëpjetë e do të rrokullisen shumë ngjarje, të gëzuara e të trishtuara, kur Pogradeci, vendlindja e poetit, do të bëhet djep i një manifestimi të madh letrar me emrin “Ditët e Lasgushit”, i cili, fatkeqësisht, u mbajt vetëm një vit dhe nuk bëri traditë.

Ishte maj ose prill i vitit 1996 kur në Pogradec do të takohen poetë nga mbarë hapësira shqiptare, për të nderuar kujtimin e poetit dhe për të nxitur e kultivuar fjalën poetike në frymën e traditës lasgushiane. Aktiviteti zhvillohej kryesisht në sallën e shtëpisë së kulturës “Mitrush Kuteli”, kurse poetët mysafirë ishin të vendosur që të gjithë në hotelin e bukur të qytetit buzë liqenit “Enkelana” (dikur: Guri i kuq).

Këtë manifestim, që zgjati dy ditë, e organizonte Lidhja e Shkrimtarëve dhe Ministria e Kulturës. Në program, pos leximeve letrare dhe takimeve me publikun, ishte paraparë edhe një diskutim për poezinë e Lasgushit dhe, si zakonisht, në fund, ndarja e çmimeve dhe një darkë lamtumirëse. Por organizatori nuk ishte kujtuar për një detaj “të vogël”: vizitën te varri i poetit. Prita mos po kujtohej kush, qoftë edhe ndonjëri nga ata që e mbajnë veten “lasgushologë”, por më kot. Të dehur nga takimet me njëri-tjetrin, askujt nga poetët tanë nuk i binte në mend “takimi” me poetin e vdekur. Kur e mora fjalën, pasi fola për sistemin poetik të Lasgushit, për Vallen e Yjve e Yllin e Zemrës, për bukurinë e vargut të tij, për dashurinë e tij për Naimin dhe gjuhën shqipe, për kontaktet e Lasgushit me simbolizmin frëng etj., propozova në fund që, ashtu siç ishim, të gjithë së bashku, të bënim një vizitë te varri i poetit. Propozimi, natyrisht, u mirëprit, edhe pse nuk mungonin me siguri në sallë as ata që mund të rrudhnin turinjtë e të thoshin me vete: eh, ç’po na mërzit! 

Ne ngrinim teori pas teorie për artin poetik dhe citonim emra pa fund poetësh e kritikësh anembanë botës, e nuk kujtoheshim për atë që na kishte ofruar këtë shans. Sikur kishim harruar kush na kishte sjellë aty dhe në emër të kujt bëhej ajo dafrungë. Cinik siç ishte për së gjalli, Lasgushi tallej me ne mbase edhe në varr. Në mesin e atyre që rrihnin gjoks për poezinë, kishte edhe të tillë që po t’i dëgjonte do të thoshte me siguri se nuk dinin as sa Cuci i tij, qeni legjendar i poetit, i cili i qëndron tek këmbët në monumentin e ngritur për nder të tij në Pogradec, në qendër të qytetit, pranë liqenit.

Pa humbur kohë, po atë ditë, karvani i poetëve mori rrugën për tek varrezat në periferi të qytetit. Ishin aty, sa mbaj mend, asët e poezisë së sotme shqipe : Fatos Arapi, Azem Shkreli, Ali Podrimja e Din Mehmeti (mungonin Kadareja e Agolli); ishin veteranët Pano Taçi, Muzafer Xhaxhiu e Murat Isaku;  ishte aktori i madh i teatrit dhe i filmit, por edhe i deklamimit të vargut, Kadri Roshi; ishte poeti fjalëxhevahir, Xhevahir Spahiu – Xhevoja i pashmangshëm me këngët, recitimet dhe dollitë e tij; ishin poetët “lasgushianë” Jorgo Bllaci e Koçi Petriti; ishte “motra” ime korçare, poetesha e njohur Natasha Lako; ishin studiuesit e veprës së Lasgushit: Sabri Hamiti e Aurel Plasari (i pari edhe poet, i cili, në rini, ishte munduar ta imitonte Lasgushin jo vetëm me vargje, por edhe me pamje; mjafton të kujtojmë portretin e hershëm të Lasgushit me flokë të gjatë, që kishte nxitur shumë poetë tanë të rrisnin flokët për t’i ngjarë); ishte, sigurisht, edhe kryetari i atëhershëm i Lidhjes, poeti Bardhyl Londo; edhe autorja e librit Me Lasgushin në Pogradec, Meri Lalaj, e cila, në faqen e parë të librit Dialog me Alain Bosquet-në, që asokohe  sapo pat dalë nga shtypi në botim të “Onufrit”, shkroi “përgjigjen” e vjershës sime Të shkosh në Pogradec;[1] edhe poetët Visar Zhiti, Eqrem Basha e Basri Çapriqi; shumë poetë e poetesha nga Tirana, Korça, Pogradeci dhe nga mbarë Shqipëria; disa poetë nga Maqedonia (nga Shkupi e Tetova, por edhe nga Struga ime, fqinje me Pogradecin, që i bashkon i njëjti liqen); ishin, doemos, të bijat e poetit: Kostandina (e urtë) dhe Maria (e sertë); nuk mungonte miku i poetit, doktor Mistoja dhe pogradecari tjetër simpatik, thuajse vazhdimisht i pirë, shkrimtari i humorit, Niko Nikolla (me origjinë nga Belica e Epërme). Ministri i kulturës, shkrimtari Teodor Laço, mori pjesë vetëm në hapje, natën e parë dhe pastaj u kthye në Tiranë për shkak të obligimeve të veta.

Kishte edhe miq e të njohur të poetit nga Pogradeci, mësues të letërsisë nga ky qytet, intelektualë, studentë etj. Nuk di në kishim me vete kurorë apo jo, por mbaj mend se dikush mbajti një fjalë të shkurtër, e ky ishte laureati i takimit, poeti Fatos Arapi, ndërsa ne të tjerët rrinim të heshtur.

Edhe kur, me propozimin tim, shkuam për vizitë te varri i poetit, tashmë të rregulluar, unë s’bëra zë për atë që kisha përjetuar gjatë vizitës sime private më 1991. S’i thashë askujt asnjë fjalë për atë që kisha e parë me sytë e mi pesë vjet më parë! Mermeri i thyer tani ishte ngjitur, kurse kujtimi im i hidhur qe zbehur “në remin e kohës”, siç do të thoshte Kuteli i Xha Brahos.

Pata filluar ta harroj këtë “përjetim”, kishte filluar të më shlyhet nga kujtesa, kur, papritmas, lexoj e dëgjoj se në Shkodër është dëmtuar rëndë nga njerëz të panjohur busti i Migjenit, ndërsa në shkrime të botuara në shtyp e periodik, si ai i një dinjitari të klerit katolik, mons. Zef Simonit: “Përkrahës i një bote pa zot e i një shoqërie pa religjion”, zhvlerësohet krijimtaria e poetit. Varri dëmtohet, busti prishet, poeti anatemohet. Lexoj dhe nuk u besoj syve. A është e mundur? Si mund të ngjajë kjo në një qytet me traditë si Shkodra dhe, madje, në “erën e demokracisë”?

Dy poetët tanë më të mëdhenj të shekullit XX, Lasgushi dhe Migjeni, njëri në Jug e tjetri në Veri, bëhen pre e vandalizmit në “demokraci”, qoftë në formë të kritikës keqdashëse e denigruese, qoftë në formë të përdhosjes së varrezave. (Dy nga pararendësit e tyre të mëdhenj, Bogdani dhe Fishta, madje, nuk kanë varr fare, njëri për shkak të pushtuesve turq, që ia nxorrën eshtrat nga varri dhe ua hodhën qenve rrugëve të Prishtinës, kurse tjetri për shkak se emisarët e “pushtetit popullor”, me të ardhur në pushtet, ia ndaluan veprën dhe ia zhbënë varrin, ngaqë shihnin tek ai një kundërshtar të pakompromis të ideologjisë së tyre).

Në vitin 2005 pata rastin ta vizitoja në Paris varrezën e famshme Père Lashaise, ku prehen përjetësisht njerëzit e mëdhenj jo vetëm nga Franca, por edhe nga mbarë bota: Molieri, Lafonteni, Balzaku, Floberi, Koleta, Oskar Uajldi, Prusti, Aragoni, Sadek Hedajati, Xhimi Morrisoni etj. etj. Për të hyrë në të vizitori duhet të blejë në hyrje biletë, kurse për t’u orientuar si duhet, duhet të ketë skicë në xhep. Gjithçka aty i ngjan një qyteti me rrugica, mure, rrethoja, alé, buste e lule. Veçse ndryshe nga qytetet, që janë të zhurmshme, në Père Lashaise mbretëron një qetësi absolute. Dhe ndërsa endesh në atë botë të amshimit, ku çdo gjë është e rregullt, e pastër dhe solemne, s’ke si të mos e ndiesh veten keq kur të kujtohet mjerimi i varrezave tona. Pa le pastaj sjelljet vandale si ato që përmendëm më sipër.

Dikush ka thënë me të drejtë se shkalla e emancipimit të një shoqërie shihet, veç të tjerash, edhe nga kujdesi e respekti që tregojnë pjesëtarët e saj ndaj varreve, aq më shumë kur në ato varre flenë njerëzit e mëdhenj të kombit, që me punën dhe veprën e tyre ia kanë zgjuar ndërgjegjen, ia kanë ngritur moralin, ia kanë pasuruar shpirtin dhe ia kanë rritur lavdinë atij.(2005)


[1]  Ende i ruaj si kujtim, në dorëshkrim, në librin Dialog me Alain Busquet-në, këto vargje të Meri Lalajt. “Edhe sikur të mbarohej nafta krejt,/ Sikur asnjë vapor të mos dilte në det/ Edhe sikur të mos ishin shpikur fare:/ Vetura, trena, avionë, binarë/ Ju duhej të vinit patjetër këtu/ Ne duhej të vinim patjetër tek ju./ Hipur mbi qilimin fluturues/ Apo mbi kalin gërmuq/ A me ndonjë mjet tjetër përrallor/ Ju kemi pritur orë për orë… / Ju duhej të vinit patjetër këtu/ Ne duhej të vinim patjetër tek ju./ Sepse jemi i njëjti mall,/ Sepse jemi i njëjti zjarr…”. Sipër si titull, me shkronja të mëdha, është vënë fjala: PATJETËR. Vite më vonë këto vargje, autorja M. Lalaj i botoi, pa asnjë ndryshim, por me titull tjetër: Përgjigje poetit Agim Vinca, në gazetën “Drita”  (20 korrik 2003).

Exit mobile version