Gonxhe Manaku, një artiste e harruar pa të drejtë, lindi në Manastir më 25 korrik 1921. Kemi fare pak të dhëna për të, por dimë se qysh në moshë të re shfaqi pasionin e saj për muzikën. Nuk kemi të dhëna për shkollimin e saj, por dimë se në vitin 1948 doli para mikrofonit të Radio Shkupit si këngëtarja e parë shqiptare që këndoi në gjuhën shqipe në këtë radiostacion. Pionieren e muzikës shqipe në Maqedoni zyrtarisht e “pagëzuan” Manakovska, duke ia shtuar mbiemrit të saj prapashtesën sllave. Nuk dimë pothuajse asgjë për familjen e saj, por fakti që prindërit e kishin pagëzuar me emrin e bukur shqip Gonxhe (ashtu sikurse edhe Nënë Terezën prindërit e saj) flet mjaft.
A ka të bëjë me fotografët e famshëm, vëllezërit Milto e Janaq Manaki, që e sollën të parët kamerën në Ballkan? Nisur nga llagapi ka mundësi, por kjo gjë në këtë rast s’ka shumë rëndësi. Emri dhe mbiemri i saj tregojnë qartë se është shqiptare, kurse formimi i saj shpirtëror se ishte rritur në një familje që këngën shqipe e ka pasur traditë.
Jetoi në një kohë të vështirë, kur shqiptarët përballeshin me trysni të shumta, por, me gjithë vështirësitë, eci me guxim në rrugën e saj artistike.Vetë dalja para mikrofonit në atë kohë ishte një akt guximi. Kur këtë e bënte një grua, për më tepër shqiptare, kjo ishte një heroizëm i vërtetë. Këngët e Gonxhes u dhanë zë shqiptarëve në Maqedoni, kurse ajo dhe shoqet e saj u bënë frymëzim edhe për artiste të tjera në fushën e muzikës, të teatrit etj.
Nga ato pak të dhëna që kemi del se Gonxhe Manaku ka dalë në skenë në të njëjtën kohë me Nexhmije Pagarushën. Të dyja këto këngëtare debutojnë në të njëjtin vit, në vitin 1948, njëra në Shkup, tjetra në Prishtinë. Por ç’ndodhi? Derisa Nexhmija, edhe pse edhe ajo me shumë vështirësi dhe në një mjedis maskilist, u bë vedetë, Gonxhja u harrua gati krejtësisht. Mirëpo, pavarësisht nga kjo anomali, trashëgimia muzikore e Gonxhe Manakut mbeti dëshmi e një periudhe të veçantë në historinë e muzikës shqiptare në Maqedoni.
Të rrallë janë këngëtarët shqiptarë, veçanërisht në kohën për të cilën flasim, që kanë një repertor aq të pasur. Në valët e Radio Shkupit Manaku interpretoi këngët: “Karajfili e zambaku”, “Iptida për të parën herë”, “Diçka due me fillue”, “Qitma moj Naze”, “Ani mori nuse”, “O ti det, o ujë i njelmët”, “Oda me tavan”, “Dashnor t’u bana”, “More Musë, Musa i Vogël”, “Oh, n’at fushë të mejdanit”, “I vujtun jam në këtë jetë”, “Pasha sytë e mi”, “I hypa vaporit”, “Pranvera ka nisë me dalë”, “Dil një herë moj vajzë e bukur”, “Moj e mira” dhe “O krisi pushka”. Këto këngë, të njohura në mbarë hapësirën shqiptare, janë emetuar në valët e Radio Shkupit deri në vitin 1962, kur, për çudi, merr fund karriera e Gonxhes si këngëtare.[1]
Por si filloi kjo karrierë?
Që në Radio Shkup të fillonte edhe programi në gjuhën shqipe, duhet të ketë ndikuar drejtori i parë i këtij institucioni të themeluar në dhjetor të vitit 1944, shkrimtari partizan Vllado Malevski, i cili ishte me origjinë nga Struga, kurse shkollimin fillor, si thuhet në shënimet e tij biografike, e kishte kryer në Shkodër. Edhe një rrethanë tjetër duhet të ketë ndikuar për këtë vendim. Ishte viti 1948. Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, pas një idile disavjeçare, qenë ndërprerë plotësisht dhe pala jugosllave, ku bënte pjesë edhe Republika e posaformuar e Maqedonisë, duhej të tregonte qëndrimin e saj “të drejtë” ndaj “pakicave kombëtare”, përkatësisht “pakicës shqiptare”. Në redaksinë e gjuhës shqipe në Radio Shkupi ishin edhe dy gra, shqiptarja ortodokse Parashqevi Maleska dhe Nermine Keti, kurse si këngëtare, krahas Gonxhes, edhe Evdokija Serafimova. (Sllavizimi i mbiemrave të shqiptarëve, në veçanti atyre ortodoksë, po bëhej praktikë e përditshme në Maqedoni).
Për mua si njeri i letrave, Gonxhe Manaku është një lloj zbulimi. Nuk më vjen turp të them se “e zbulova” me shumë vonesë, në verë të këtij viti. Asnjë nga njerëzit e muzikës në Maqedoni, disa nga të cilët i kam pasur miq (profesorë, kompozitorë etj.) nuk ma ka përmendur ndonjëherë. E para që më foli për të është gazetarja e Radio Strugës, Argjenta Xheladini.
Me Gonxhen, pra, mua më “njohu” Argjenta, kjo vajzë e zellshme, e kulturuar dhe përplot ide për ngjalljen e jetës kulturore në Strugë. Argjenta në të vërtetë është grua, nënë e dy fëmijëve, por unë e quaj kështu, vajzë, jo vetëm pse duket e re, por edhe pse më ngjan si mbesë. Verën që shkoi ajo organizoi mbrëmjen e madhe letrare me krijuesit e vendlindjes “Struga flet me vargje”, që ka gjasa të bëhet tradicionale, për t’u shndërruar gradualisht në një festival poetik, natyrisht nëse do të ketë mbështetjen e duhur të autoriteteve komunale dhe qendrore të RMV-së, si dhe përkrahjen e vetë krijuesve struganë, kudo që janë.
Duke pirë kafe buzë Drinit me të dhe mësuesin e saj të letërsisë në Gjimnaz, “profesor Dinin” (Xheladin Muçën, që është edhe poet), Argjenta ma nisi në celular këngën “O krisi pushka”, të regjistruar gjashtëdhjetë e sa vjet më parë. Qe një befasi e bukur. E dëgjova dhe ridëgjova disa herë, duke ua rekomanduar edhe familjarëve dhe disa miqve të mi. Regjistrimi është i pastër, zëri i qartë, diksioni perfekt. (Kushdo që e ka distribuar këtë këngë në internet meriton mirënjohje dhe respekt). Për më tepër dëgjuesi mund ta ndjekë në ekran edhe tekstin krahas melodisë. “Ani krisi pushka” është një elegji par excellence. Motra vajton të vëllanë e vdekur jo nga vdekja e natyrshme, por tragjike, nga pushka vëllavrasëse. Sulejman Brahimi (si shqiptohet zakonisht ky emër në popull) do të ketë qenë ndonjëri nga vëllezërit tanë, i vrarë në pritë për hasmëri a ndonjë motiv tjetër, kurse vajtojca njëra nga motrat tona të përgjëruara, të tilla siç i njohim që nga balada e Gjergj Elez Alisë e deri në ditët tona. (Teza mbi aluzionin e kësaj kënge te Masakra e Manastirit e vitit 1830 nuk më duket e qëndrueshme).
Aty, në brigjet e Drinit të Zi, që rrjedh prajshëm në shtratin e vet, kjo këngë përjetohet më fort se gjetkë! Shumë pushka ka krisur këtu, edhe në luftë, edhe në paqe. Mjerisht edhe pushka vëllavrasëse! Shumë nëna janë veshur në zi e shumë familje janë ngujuar brenda mureve të shtëpisë shkaku i hasmërisë. Prandaj edhe u desh të bëhej pajtimi i gjaqeve në vitin historik 1990, në Kosovë dhe në viset shqiptare në Maqedoni. Edhe në Luginë e në Mal të Zi.
Në kohën kur këndoi Gonxhe Manaku nuk kishte televizion. Në atë kohë në Maqedoni (veçanërisht te pjesa shqiptare) nuk kishte as koncerte e festivale, kurse tejet i vogël ishte edhe numri i radioaparateve. Edhe në kushte modeste, ajo u bë emblemë e këngës shqipe, artiste. Të tillë e bëri zëri dhe talenti i saj, e as në pamje nuk mbetej pas, një bukuri klasike natyrore joshëse për sy. (Në internet ka edhe fotografi të saj, ndonjë edhe me veshje kombëtare).
Jetëshkrimi i këngëtares Gonxhe Manaku është metaforë e fatit të bashkësisë së cilës i përkiste ajo, komunitetit ortodoks shqiptar në Maqedoni! Mjafton të kujtojmë familjen Qiriazi, që i dha aq shumë kulturës shqiptare. Kohë më parë u nda nga jeta pjesëtari i fundit i saj që deklarohej shqiptar, Risto Qiriazi, me të cilin kam komunikuar kur shkruaja librin për Kongresin e Manastirit (Saga e shkronjave shqipe), ndërsa në celularin tim ruaj ende mesazhe të tij, edhe ato me të cilat ma uronte festën e Bajramit. Shqiptarët e Rekës së Epërme, nga ishte poeti dhe publicisti atdhetar Josif Bageri, janë tretur. (Edhe bardi i poezisë moderne në Maqedoni Mateja Matevski ishte nga kjo trevë). Politika shoviniste maqedonase i asimiloi ata me sistem, por edhe fanatizmi shqiptar, refuzimi për t’i martuar djemtë dhe vajzat me “ata të fesë tjetër”, ka hisen e vet në këtë proces. Përjashtim bën “Xha Brankoja”, Branko Manojlloski, alias Tanashi, si quhej dikur shqiptari nga fshati Kiçinicë i Rekës së Epërme, buzë Radikës, në rrugën Gostivar-Dibër. Jam dëshmitar i gjallë i deklarimit të tij publik si shqiptar. Kam qenë në sallë, në amfiteatrin e Universitetit të Tetovës, kur xha Brankoja, që jeton në SHBA, e shpalli veten shqiptar. Fliste ngadalë, me shqipen arkaike të vendlindjes së tij dhe fshinte lotët me shami. Isha pikërisht përballë tij dhe e shihja e dëgjoja mirë. Pranë meje ishin edhe “baca Adem” (Adem Demaçi), Ali Ahmeti e të tjerë, shkrimtarë, mësimdhënës, studentë. Takimin e kishte organizuar shoqata kulturore “Josif Bageri”, që i pati vënë vetes “mision” kthimin e shqiptarëve ortodoksë që jetojnë në Maqedoni në origjinë! Doli të ishte, fatkeqësisht, mision i pamundur, si të tentosh ta ngjallësh të vdekurin, në një kohë kur ka rrezik të të vdesin të gjallët, kur vendbanimet shqiptare po zbrazen e shkollat po mbeten pa nxënës.
Asimilimi nuk ndodhi për një ditë: ai ishte proces. Në një intervistë dhënë shtypit shqip, njeriu që guxoi ta thoshte të vërtetën për veten dhe të tjerët, Branko Manojlloski, thotë: “Pse s’e dinin rekasit se ishin shqiptarë? E dinin, por ma rehat u vinte t’jen maqedon. Ma rehat rronjin…. Asimilimi osht fuqi e madhe dhe nuk ka zemër… Nuk ka ndjenjë. Shkon, t’mer ndërkom edhe t’mbytën”.
Kësaj vale mbytëse nuk i shpëtoi as këngëtarja e parë shqiptare në Maqedoni, Gonxhe Manaku. Pas një pranie shumëvjeçare në radio, ajo u largua nga skena dhe nuk u pa më. Këngët e saj u arkivuan, kurse emri dhe figura e saj u eklipsuan. Nuk dimë kur vendosi të shpërngulej nga vendlindja dhe përse. Por e dimë se, si shumë të tjerë, nuk u kthye më e gjallë në atdhe. Emigroi në Suedi, ku u shua në vitin 2012, në qytetin Geteborg, tek e ka edhe varrin.
Nuk u tha asnjë fjalë për të ndër ne, as sa ishte gjallë, e as kur iku nga kjo botë. Heshtje e plotë.
Në Suedi ka shumë shqiptarë që jetojnë atje me dekada (edhe në Geteborg). Ka edhe ambasada e konsullata të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut (me titullarë shqiptarë), pa folur pastaj për shoqatat e shumta atdhetare, kulturore, letrare e turlifare, që flasin në emër të kombit, të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare, që të shurdhojnë me muzikë nga makinat e tyre luksoze kur vijnë në vendlindje, me atë muzikë të cilës ia dhuroi dikur, në një kohë të vështirë, zërin e saj vajza nga Manastiri me emrin Gonxhe Manaku. Nuk kemi dëgjuar deri më sot të ketë vënë dikush një kurorë lulesh a qoftë edhe një lule të vetme mbi varrin e saj.
Gonxhe Manaku (Manastir, 1921 – Geteborg, 2012).
Le të jetë ky shkrim një homazh për të dhe një lutje për shpirtin e saj. Amin!
[1] Nga vitet ’60 e këndej, kur shteti maqedon si pjesë e federatës jugosllave u konsolidua, kurse procesi i asimilimit të shqiptarëve ortodoksë qe thelluar, ata, ose duhej të shfaqeshin si pjesëtarë të kombit të sajuar ose s’duhej të dukeshin fare, si të mos kishin ekzistuar.



