Shënime për romanin “Vjeshta e Patriarkut”
të Markezit, përkthim nga Mira Meksi
Murtaja e pushtetit të pafundmë shkakton shumë pagjumësi…. Patricio Aragones, një ish ushtarak që sjell në fillim triumfin për bashkëqytetarët e tij e pastaj vdekjen, është portreti i fortë i një njeriu që parakalon gjithçka, me të gjitha ngjyrat e aftësisë njerëzore për ligësi. Parakalimi i tij është parakalimi i shndërrimit nga një njeri që i duhej vendit, në një person që do atdheun vetëm për vete, në gjithçka dhe me gjithçka. Në rrugëtimin e tij ai ka mik dhe të besuar vetëm gjeneralin Rodrigo de Aguilar, dhe i beson veç tij edhe si Ministër Mbrojtje edhe drejtor i shërbimit dhe kreu i gardës së rojeve. Ndoshta gjenerali de Agilar është më i besuari edhe për faktin se ai ka humbur krahun e djathtë teksa çmontonte dinamit dhe nuk përbën asnjë rerezik për të. Me një krah ai nuk e frikëson kurrë patriarkun ndaj dhe ai është i vetmi vdekatar që i lejohet ta mundë patriarkun në domino.
Markez e ka sjellë “Patriarkun” në mbretërinë e mosbesimit të plotë ndaj gjithçkaje, i rrethuar nga njerëz që kanë veç interes e për shkak të këtij interesi e izolojnë nga realiteti. Në këtë rrugëtim diktatori ndërton “vjeshtën e madhe të vetvetes dhe vetmisë”, një vjeshtë ku dallohet se si bien çdo ditë gjethet nga bota e normales. “.. do të mbaj vetëm gardën presidenciale që janë njerëz të drejtë dhe trima dhe nuk do të emëroj më as kabinet qeveritar, çdreqin duhet, vetëm një ministër të mirë të Shëndetësisë i vetmi që nevojitet në jetë, dhe ndoshta një tjetër që të ketë shkrim të bukur për shkresat që do të duhen, dhe kështu mund të jepen me qira ministritë dhe garnizonet dhe i shkojnë këto para shërbimit… dhe vetëm unë mjaftoj e teproj për të komanduar deri sa të kalojë sërish kometa, dhe jo një herë por dhjetë herë…”, thotë diktatori, që sajon dy herë vdekjen e tij, që të shohë se kush gëzohet, që më pas të pastrojë edhe më shumë udhën drejt shkretëtirës së vetmisë së tij.
Loja e tij me vdekjen ndoshta shënjon edhe atë regjistër të fundmë të lojës vrastare, ku perversiteti bëhet e vetmja udhë për të hyrë e dalë në rrugën e tij, pranë tij dhe me të në përditshmëri. Edhe e ëma, Bendicion Alvarado, që gjithë entuziazëm kish brohoritur në ceremoninë e inaugurimit të tij se “po ta kisha ditur që im bir do të bëhej president i republikës do e kisha dërguar në shkollë”, mërgohet në rezidencën e rrethinave, kur rrit pula që i biri t’i shijojë në kohën kur zhduket nga gjithkush. Ajo i çon lëngun e tamarindave pa zhurmë që i biri të mos dallojë që ajo është me një këmbë në varr e mezi merr frymë. Ndërsa Leticia Nazareno mbetet e vetmja femër që e ka urdhëruar, në të gjithë paudhësitë e tij lakuriqe, por pa e zotëruar në shtrat, ku patriarku kërkon gjithnjë të jetë hipur mbi magjitë e dëshirave dhe imagjinatave të tij.
Gabriel Garsia Markez, me një stil të veçantë, përshkruan thuajse në çdo detaj se si koncerti i zgjerimit të pushtetit dhe koncerti i izolimit nga realiteti shkojnë bashkë në të njëjtën udhë, duke ndërtuar një rrënim dhe rrëzim, gjersa gjithçka bëhet një ushqim për zogjtë dhe vetminë. Çdo mur që ngre nga frika për të mbajtur pushtetin, shton edhe murin e vetmisë së tij, izolimit të tij, siç ndodh rëndom me ata që vijnë në emër të lirisë dhe më pas përfundojnë si diktatorë. Ata që janë rrotull tij nuk duan të shohin, veç së ëmës, që nuk do ta braktisë të birin në një vdekje pa lavdi, në një vdekje mbuluar me turp.
Por murtaja e pushtetit vjen me peshën e fortë të rrëzimit, ku në fund mbeten dritare të hapura që fryjnë, por pa mundur ta zhbëjnë të kalburën, te errëtën, ndërkohë që parakalimi i lopëve në pallatin presidencial plotëson gjithë banalitetin që sjell dashuria e pamatë për sa më shumë pushtet, ku në fund nuk njeh askënd e nuk të njeh askush, sepse je njëkohësisht lart në piedestal, por edhe thellë disa pashë nën errësirën e kohës.
“Vjeshta e Patriarkut” është jo thjesht një poemë në të shkruar, por një poemë e njohjes së karaktereve njerëzore, e një rrugëtimi ku diktatura mposht instinktet më të mira njerëzore dhe nxjerr në pah kafshëroren, perversen, errësirën, humbjen, e mbi të gjitha peshën shkatërrimtare që shkakton dyshimi dhe perversja. “Vjeshta e Patriarkut” është thuajse një fjali e gjatë, me pak rregulla drejtshkrimore, si vetë jeta, ku shenjtat e pikësimit duhet t’i vendosim vetë, ashtu si në jetën tonë, nëse duam t’ia japim kuptim asaj që është e rëndësishme për ne, për botën tonë, për ata që duam.
E ardhur mjeshtërisht në shqip nga Mira Meksi dhe botuar nga “Onufri”, romani “Vjeshta e Patriarkut” është një murale e gjallë e gjuhës dhe mendimit, ku Gabriel Garsia Markez ka arritur të bëjë të mundur shquarjen e të gjitha nuancave ku pushteti kërkon të rrokë dhe mposhtë njeriun, duke tentuar të nxjerrë në pah atë që nuk udhëton përmes besimit, por që pi ujë veç në burimin e dyshimit- një burim që helmon shpirtin njerëzor.
Përmes “Patriarkut” Markez na ka falur mundësinë e njohjes së mizores, që vjen nga dashuria e pamatë për një pushtet ku koha duket se nuk mbaron për shkak se gjithçka është ujitur nga e keqja. “Patriarku” është një rrëfim për të dalluar rrëshkitjen e pandalshme në një vend ku drejtuesi e kthen poshtërimin në art, dhe ku perversiteti mbetet e vetmja muzikë që shoqëron çdo tekst komunikimi që ndërton njeriu.
Eshtë një roman që sjell me zë të lartë paralajmërim se si rrezikojmë të pllakosemi nga murtaja e atyre që të dashuruar pas pushtetit rrënojnë popullin e tyre, gjersa koha i zhyt thellë në harresë.