Kreu Intervista Adil Olluri: Kam shkruar për një frikë të zakonshme në një të...

Adil Olluri: Kam shkruar për një frikë të zakonshme në një të pazakonshme, siç ishte lufta e fundit në Kosovë

ADIL-OLLURI

Bisedoi Andreas Dushi

Vitin e kaluar është botuar në Tiranë romani juaj “Bartësi i shpirtrave të përzënë”, pas botimit të parë në Prishtinë. Duke qenë se trajton temën e luftës, a u prit ndryshe në Kosovë e ndryshe në Tiranë?

Botimin e romanit tim edhe në Tiranë nga shtëpia botuese “Onufri” e konsideroj si një gjë shumë të mirë e të vlershme që i ka ndodhur rrugëtimit tim letrar. Nuk do të doja të bëja një krahasim të pritshmërisë në Prishtinë dhe Tiranë. Nuk besoj që më takon mua një gjë e tillë. Për mua Prishtina dhe Tirana janë pjesë e një areali të njëjtë kulturor dhe ndihem i dëshiruar dhe i mirëpritur në të dy kryeqendrat shqiptare. Një vepër e arrirë letrare besoj se do të duhej të pritej njëjtë në të dy qytetet e lartcekura.

Vetëm pak shkëputemi nga ky libër… Ju jeni përkthyer e botuar edhe në gjuhë të huaja. Meqë po flasim për horizontin e pritjes, si është raporti mes pritjes që mendonit dhe pritjes që vërtetë ju bëri lexuesi i huaj?

Shkrimtari do të duhej që krijimin e tij artistik ta përjetojë si një zog shtegtar dhe kudo që ka hapësirë për të fluturuar ta shohë si qiell të tij. Shkrimtari do të duhej që krijimin e tij artistik ta përjetojë si një zog këngëtar dhe kudo që i lejohet dhe mundësohet t’ia thotë këngës ta ndjejë si tokë të tij. 

Tregimet e mia janë të përkthyera në disa gjuhë, ndërsa romani ende jo. Përkthimi në gjuhën italiane mund të them se është pritur mjaft mirë. Libri im me tregime u botua me titullin “La fiera dei sogni” dhe për të lajmëruan gazetat e mëdha, si “Corriera della serra”, “La Republica” dhe “Il Manifesto”. U shkruan mjaft recensione vlerësuese në gazeta e revista kulture. Një gazetë online (“Wordnews.it”) nga Napoli e kishte shpallur libër të muajit (mars, 2020). Po ashtu, u shpërbleva me “Premio Ostana Internazionale” dhe në cilësinë e fituesit m’u dha mundësia që ta shkruaja një ese të shkurtër për “La lettura”, që është shtojca për kulturë e gazetës “Corriera della Serra”. Pra, mund të them se tregimet u pritën mirë dhe do të dëshiroja që edhe romani, nëse jo më shumë, ta ketë së paku këtë pritje që kishte proza ime e shkurtër.

Përpos në gjuhën italiane, tregimi im u përkthye edhe në gjuhën gjermane dhe si rrjedhojë aktorët e teatrit të qytetit të Grazit (Austri) e inskenuan atë (“Kthimi i babait”) në një radiodramë, që u transmetua në valët e radiostacioneve austriake. Po ashtu, pati vlerësime të mira edhe në gjuhë të tjera në të cilat prozës sime iu mundësua shtegtimi.

Luftën ju nuk e shihni as nga pozita e fituesit, as nga e humbësit, por nga ajo e të frikësuarit. Pse pikërisht ky këndvështrim?

Lufta është një gjë e shëmtuar. E papastër dhe e fëlliqur në vetvete. Si e tillë, ajo ka pak fitues, disa humbës e shumë të frikësuar. Unë kam vendosur të shkruaj për ata që më së paku shkruhet, për të shumtët, për ata që janë viktima të një ploje që nuk duan ta kujtojnë. Kam shkruar për një frikë të zakonshme në një pazakonshme, siç ishte lufta e fundit në Kosovë. Mendoj se shkrimtarët shqiptarë të Kosovë është mirë të shkruajnë edhe më shumë për luftën, sepse është një temë e gjallë, një motiv letrar që i fton vazhdimisht të flasin me të e për të. Personazhet i kemi mes nesh, i kemi miq, fqinj dhe të afërm që herë pas here na tregojnë për gjëra që mund ta krijonin një prozë të mirëfilltë artistike. Nëse jo për gjë tjetër, së paku për një arkivim shpirtëror të kujtesës është e udhës që t’i kthehemi herë pas here luftës.

Lufta për shqiptarët e Kosovës është një e kaluar që nuk po kalon dot. Kështu që, asnjëherë nuk është vonë të shkruajmë për të.

Mendoni se letërsia shqipe, ajo e shkruar gjatë realizmit socialsit në Shqipëri si dhe ajo e lindur menjëherë pas lufte në Kosovë është e mbingarkuar me qasje epike të betejave, ku heroi e lufta mistifikohet?

Nuk është e udhës ta gjykojmë prodhimin letrar në tërësinë e tij. Unë nuk jam ithtar i këtij pozicioni që e vlerëson një zhvillim të tërë letrare me një prerje thike, duke ngulmuar se kjo ka qenë e mirë e kjo është e keqe. Një gjë e tillë do të na bënte moralizues dhe jo vështrues objektiv të artit letrar. Pozicioni heroik e epik nuk është apriori i keq, përndryshe nuk do të shkruheshin epet që i kanë qëndruar kohës me mijëra vjet. Kjo nuk do të thotë që nëse shkruan një roman për një hero e ke humbur “lojën” që në fillim. Po ashtu, edhe brenda realizmit socialist kemi vepra të arrira letrare, sikurse që vlen ta përmendim Jakov Xoxën, që është një shembull i bukur i prozës artistike shqipe. 

Po “Bartësi i shpirtrave të përzënë”, përvese si vepër me estetikën e vet unike, mund të shihet edhe si një lloj kundërshtie e asaj letërsie për të cilën folëm më lart?

Unë kam zgjedhur për të rrëfyer, jo për t’iu kundërvënë një doktrine a fenomeni letrar. Nuk do ta bëja këtë në asnjë mënyrë. Unë e kam zgjedhur atë mënyrë rrëfimi që mendoj se më përfaqëson mua më së miri. E kam zgjedhur atë mënyrë rrëfimi që i shkon për shtati, fundja, edhe natyrës sime, karakterit tim dhe mënyrës se si unë i shoh dhe përjetoj gjërat. 

Nuk është në dorën time, por nuk do të doja që romani im të lexohej dhe trajtohej si një armë kundër letërsisë me rrëfim heroik. Mendoj se ka vend për të gjithë në botën e letrave, si për heroiken, po ashtu edhe për joheroiken dhe secilën qasje tjetër tematike e estetike. Fundja, një gjë e tillë nuk mund të vendoset nga unë dhe janë të tjerët, lexuesit që mund të vijnë pas shumë e shume vjetëve, të cilët mund ta lexojnë dhe shohin  romanin tim si të duan. Jezusi ishte paqësor e paqedashës, por emri i tij u përdor si motiv i madh nxitës për lufta e kryqëzata të kobshme.  

A mendoni se proza juaj artistike është vlerësuar sa duhet dhe siç duhet nga kritika letrare shqiptare?

Për dy përmbledhjet e mia me tregime (“Shumë rrugë dhe një rënie”, “Kthimi i profetit”) dhe romanin tim (“Bartësi…”) kishte mjaftueshëm shkrime kritike e interpretuese, që u shkruan nga studiues, profesorë universitarë, po ashtu edhe nga shkrimtarë dhe publicistë të ndryshëm, të cilëve u kishte pëlqyer proza ime dhe thanë atë që menduan se është e vlershme për artin tim. Por, halli është se kritika nuk e ka më rolin e saj të dikurshëm dhe nuk është më nxitëse për leximin e një vepre nga grupe të ndryshme shoqërore. Kritika letrare sot nuk provokon mendim e diskutim rreth një romani a një vepre letrare dhe kjo është për keqardhje. Kritika letrare sot nuk është as promovuese e një vepre të bukur e as sqaruese e goditëse për të metat e një vepre. Pra, ajo sot as nuk promovon e as nuk parandalon gjë. Nuk e di saktë se kush ia ka marrë sot këtë rol, sepse nuk jam sociolog i kulturës për ta dhënë një mendim cilësor për këtë, por që sot kritika më nuk ka ndonjë peshë në zhvillimin e letërsisë, për këtë jam tejet i sigurt, sepse një gjë të tillë e shoh dhe e ndjej.

Si e shihni zhvillimin e letërsisë së sotme shqipe, konkretisht të prozës artistike?

Proza e sotme shqipe ka një zhvillim të lakmueshëm, me të cilin nuk mund të mos jemi të kënaqur. Sot kemi prozatorë dhe romancierë që pa asnjë dyshim janë të krahasueshëm me të ngjashmit e tyre në vende e kultura të tjera evropiane. Kam lexuar mjaftueshëm shkrimtarë të sotëm nga vende të ndryshme ballkanike dhe mund të them se në shumë pika qëndrojmë më mirë. Ajo që i nevojitet prozës së sotme shqipe është përkthimi dhe promovimi i saj në gjuhët e mëdha, si anglishtja, gjermanishtja, frëngjishtja, italishtja etj, por edhe në gjuhët e fqinjëve tanë. Një përkthim cilësor i prozës së tashme shqipe, një shtëpi e mirëfilltë botuese, një promovim i mirë do t’i radhiste një pjesë të prozatorëve tanë (një pjesë, jo të gjithë) krahas atyre evropianë. Por, para se ta shtrojmë çështjen e  përkthimit dhe promovimit të jashtëm, është e udhës të flasim për një promovim dhe nxitje të leximit të prozatorëve tanë nga lexuesi shqiptar. Ky i fundit, i nxitur nga shumë arsye, ku njëra ndër to mund të jetë edhe paragjykimi për vlerat letrare, si duket i ka braktisur paksa krijuesit e sotëm shqiptarë. Kjo gjendje ka nevojë për një shpjegim kulturor. E kemi shumë të nevojshme t’i bindim lexuesit se edhe në mesin tonë kemi krijues të mirëfilltë, të cilët e meritojnë leximin dhe vëmendjen. E kam thënë në një bashkëbisedim letrar me shkrimtarin Virion Graçin, në po këtë gazetë letrare, se kultura dhe shoqëria shqiptare jonë ka nevojë për më shumë kënde ku promovohet leximi i letërsisë shqipe dhe promovuesit e saj të sotëm janë patriotë në kuptimin sublim të fjalës.

A ka nevojë sot kultura jonë për më shumë organizata e klube të shkrimtarëve apo për klube të lexuesve?

Dikur kam qenë ithtar i organizimit të shkrimtarëve në klube e organizata të pavarura letrare, të cilat mendoja se mund ta luajnë një rol qenësor në zhvillimin  dhe promovimin e letërsisë së tashme shqipe. Ndërsa, sot mendoj se shoqëria dhe kultura jonë ka nevojë për sa më shumë klube të lexuesve të letërsisë shqipe, të cilët do të mund të organizoheshin në mënyrë të pavarur nga shkrimtarët, botuesit, kritikët e profesorët e ndryshëm të letërsisë. Kemi nevojë për klube të dashamirësve të librit shqip, të cilët janë lexues të pasionuar dhe dashamirës të pasherrë të krijuesve të sotëm shqiptarë. Do të gëzohesha nëse në të ardhmen do të shihja themelimin e tillave klube të lexuesve që nuk kanë pretendime për t’u bërë edhe vetë shkrimtarë, kritikë a botues, gjë që në vendet tona të tillët është vështirë për t’i gjetur.   

Përveçse shkrimtar, ju jeni edhe studiues, veçanërisht i letërsisë postmoderne shqipe. Me këtë term sot abuzohet shumë, ku kategorizimi apo vetëkategorizimi si i tillë mbështjell me mister shumë shkrimtarë. Nuk e di, cili është mendimi juaj për këtë?

Në vitin 2013 e kam botuar në Prishtinë librin tim studimor “Romani postmodern shqiptar”, e që pas dy viteve u ribotua në Tiranë nga UETpress. Me këtë vepër doja ta bëja një studim evidencues që dëshmonte praninë e një formacioni a modeli të ri letrar mes nesh. Në të i trajtova një sërë romanesh që kanë natyrë dhe elemente përbërëse të poetikës së postmodernizimit. Ndoshta kam lënë jashtë trajtimit disa romane shqipe që i përkasin kësaj poetike, por qëllimi im nuk ishte ta bëja një studim shterues, por më shumë një studim që dëshmonte praninë e postmodernizimit në letërsinë shqipe me të gjitha tiparet që i ka kjo poetikë. Në vitet 2011-2013, kur shkruaja më shumë rreth teorive letrare dhe kisha më shumë nxitje prej studiuesi, bëhej shumë zhurmë rreth postmodernizimit, si në Tiranë, po ashtu edhe në Prishtinë. Kritikë që nuk kishin njohuri të thella teorike i cilësonin si postmoderne romane që nuk ishin të kësaj natyre, duke menduar se me këtë cilësim po i vlerësonin ata. U përpoqa ta dëshmoja se epiteti postmodern është epitet formal dhe jo aksiologjik. Qëllimi im ishte që ta sqaroja sa më shumë këtë model letrar dhe të dëshmoja se postmodernizmi ishte një yrnek letrar me përbërësit e tij të dallueshëm. Nuk e di sa ia kam arritur këtij qëllimi, sepse ende shoh ngatërrime të tilla, natyrisht jo në masën siç ngjante dhjetë vite më parë.

Të them të drejtën, i dashuri Andreas, unë kam më shumë vepra studimore se sa artistike, por botimet, ribotimet, përkthimet e prozës sime artistike, shkrimet dhe recensionet e shumta për të, sikur i kanë lënë nën hije librat e mi studimorë. Mendoj se mirë kanë bërë. Kam bindjen se shoqëria shqiptare më shumë më ka pranuar dhe mirëpritur si prozator, si krijues, dhe kjo nuk ka asgjë të keqe. Ne nuk mund të vendosim se cila vepër të na vlerësohet e cila jo. Fundja, letërsia artistike në çdo vend lexohet, diskutohet, komentohet dhe vlerësohet më shumë.

Është pyetje e zakonshme dhe e bezdisshme për këdo shkrimtar, por duke qenë se ajo pjesë e bibliotekës ku gjenden librat tuaj nuk numëron shumë tituj, vjen natyrshëm: keni diçka tjetër në dorë këto kohë? Nëse po, çfarë mund të thoni për të?

Jam duke punuar në romanin tim të ri, të dytin më radhë, dhe shpresoj që nëse jo më shumë, së paku të mirëpritet sa “Bartësi i shpirtrave të përzënë”. Gjithsesi, nuk është autori ai që vendos për këtë. T’ia lëmë kohës, sepse ajo është gjykuesja më e mirë e gjërave. 

Exit mobile version