Përkthyer dhe përgatitur nga Aurel Plasari
Po kaloj te çështja e “krijimtarisë” letrare të Anna Ahmatovës. Veprat e saj, kohëve të fundit, shfaqen në revistat leningradase në trajtë “ripunimesh të zgjeruara”. Kjo është kaq e çuditshme dhe e panatyrshme sikur dikush sot të vihej e të ribotonte veprat e Merezhkovskit, Vjaçesllav Ivanovit, Mihail Kusminit, Andrea Bjellit, Zinaida Hipiusit, Fjodor Sollogubit, Zinovjeva-Anibalit etj., domethënë të të gjithë atyre që letërsia jonë dhe opinioni ynë publik përparimtar i kanë mbajtur gjithnjë për përfaqësues të obskurantizmit reaksionar dhe të tradhtisë në politikë e në art.
Gorki, në kohën e tij, ka thënë që dhjetëvjetëshi mes 1907-s dhe 1917-s meriton të quhet si më i turpshmi e më mediokri në historinë e inteligjencies ruse, kur mbas revolucionit të vitit 1905 një pjesë e përfillshme e inteligjencies i ktheu shpinën revolucionit, rrëshqiti në batakun e mistikës reaksionare e të pornografisë, shpalli si flamur të vetin paideshmërinë, duke e maskuar tradhtinë e vet me fjalinë “e bukur”: “Dogja gjithë sa adhuroja, adhurova gjithë sa dogja.”
Pikërisht në atë dhjetëvjetësh u shfaqën vepra të tilla renegate, si Kali i zbehtë i Ropshinit, veprat e Viniçenkos dhe dezertorëve të tjerë nga kampi i revolucionit në kampin e reaksionit, që nxituan t’i diskreditonin idealet e larta për të cilat luftonte pjesa më e mirë, ajo përparimtare, e shoqërisë ruse.
Dolën në dritë simbolistët, imazhinistët, dekadentët e të gjitha ngjyrave, që mohonin popullin dhe shpallnin tezën e “artit për art”, që lavdëronin paideshmërinë në letërsi, duke e maskuar korrupsionin e vet ideologjik dhe moral me kërkimin e formës së bukur pa përmbajtje. I bashkonte të gjithë tmerri i egër nga revolucioni proletar që po vinte. Mjafton të kujtosh që njëri prej “ideologëve” madhorë të këtyre rrymave ishte Merezhkovski, i cili e përcaktoi revolucionin proletar që po vinte si “ardhja e Kamit” dhe i cili e priti Revolucionin e Tetorit me një mllef shtazarak.
Anna Ahmatova është njëra nga përfaqësueset e këtij bataku letrar, reaksionar dhe të paide. Ajo i përket të ashtuquajturit grup letrar të akmeistëve, që dolën në kohën e tyre nga radhët e simbolistëve, dhe është njëra ndër flamurtaret e poezisë aristokratike të sallonit, një poezie të zbrazët, të paide, kryekëput të huaj për letërsinë sovjetike. Akmeistët përfaqësonin në vetvete prirjen më individualiste të artit. Ata predikonin teorinë e “artit për art”, të “së bukurës për të bukurën”, dhe as donin t’ia dinin për popullin, për nevojat dhe interesat e tij, për jetën shoqërore.
Për nga origjina sociale kjo ishte një rrymë aristokratike-borgjeze në letërsi, kur aristokracia dhe borgjezia i kishin ditët të numëruara dhe kur poetët dhe ideologët e klasave sunduese rrekeshin t’i iknin realitetit të papëlqyeshëm për t’u ngjitur në lartësitë transcendentale dhe në mjegullat e mistikës fetare, në përjetimet vetjake mjerane dhe në rrëmimin e shpirtrave të tyre të vegjël e meskinë. Akmeistët, si dhe simbolistët, dekadentët dhe përfaqësuesit e tjerë të ideologjisë aristokratiko-borgjeze në shpërbërje e sipër, qenë predikues të dekadentizmit, të pesimizmit, të besimit në një botë të përtejme.
Tematika e Ahmatovës është fund e krye individualiste. Deri në mjerim i kufizuar, diapazoni i poezisë së saj është ai i poezisë së një zonjëze të mllefosur që vetevjen mes buduarit dhe dhomës së lutjes. Thelbi i poezisë së saj janë motivet erotiko-dashurore, të pleksura me motive trishtimi, brenge, vdekjeje, mistike, fataliteti. Ndjenja e fatalitetit, – ndjenjë e kuptueshme për ndërgjegjen shoqërore të një grupi në hjekë e sipër, – tonet e errëta të dëshpërimit në prag vdekjeje, përjetimet gjysmë mistike e gjysmë erotike, kjo është bota shpirtërore e Ahmatovës, një nga partallet e botës së kulturës së vjetër artistokratike të kredhur pakthyeshmërisht në amshim, botë e “të mirit mot të shkuar të Katerinës”. A murgeshë, a lavire, por më shumë murgeshë e lavire bashkë, tek e cila lavirllëku është i shkartisur me lutjen.
Të bëj be për kopshtet engjëllore,
Për ikonën e mrekullisë të bëj be,
Për dehjen e netëve tona të flakërore…
(Ahmatova, Anno Domini)
E tillë është Ahmatova me jetën e saj vetjake të vogël, meskine, me përjetimet e saj pa pikë rëndësie dhe me erotizmin e saj mistiko-fetar.
Poezia ahmatoviane është krejtësisht larg popullit. Është poezia e dhjetë mijë zotërinjve të mëdhenj të Rusisë së vjetër aristokratike, që kanë marrë fund, të cilëve nuk u ka mbetur veçse të psherëtijnë për “të mirin mot të shkuar”. Pallatet e çifligarëve të kohëve të Katerinës me rrugina shekullore gjithë blirë, me shatërvanë, me shtatore dhe harqe të gurta, me oranzheri, me kioska dashuriçkash dhe me stema të rrëgjuara ndër portat e mëdha. Pjetërburgu artistokratik; Carskoje Sjello; stacioni i Pavlovskut e të tjera relikte të kulturës aristokratike: e gjitha kjo ka perënduar në një të shkuar pa kthim! Partallet e kësaj kulture tanimë të largët, të huaj për popullin, që për kushedi ç’mrekulli qenkëshin ruajtur deri në kohët tona, nuk kanë ç’bëjnë më, veçse të mbyllen në vetvete e të jetojnë me kimera. “Gjithçka e plaçkitur, e tradhtuar, e shitur”, – kështu shkruan Ahmatova.
Njëri nga përfaqësuesit më të spikatur të këtij grupthi, Osip Mandelshtami, pak para revolucionit shkruante për idealet politiko-shoqërore dhe letrare të akmeistëve: “Akmeistët bashkojnë dashurinë për organizmin dhe organizimin me një mesjetarizëm fiziologjik…”. “Duke e përcaktuar mbas mënyrës së saj peshën specifike të personit, mesjeta e ndjeu dhe e njohu atë te çdokush, krejtësisht në mënyrë të pavarur prej meritave të tij…”. “Po, Europa ka kaluar nëpër labirintin e një kulture të rafinuar e nazike, kur qenia abstrakte, ekzistimi aspak i zbukuruar individual, çmohej si arritje e madhe. Këtu e ka burimin intimiteti aristokratik që i lidh të gjithë njerëzit dhe që është aq i huaj për nga fryma ndaj “barazisë dhe vëllazërisë” së revolucionit të madh…”. “Na është e dashur mesjeta, sepse ajo zotëronte në shkallë të lartë sensin e masës dhe të caqeve…”. “Një përzierje fisnike racionaliteti dhe mistike, si dhe të ndjerët e botës si një ekuilibër i gjallë, na qas tek ajo epokë dhe na nxit të marrim fuqi nga veprat e letërsive që lulëzuan në truall roman gjatë shekullit XIII”. Në këto deklarime të Mandelshtamit janë shpalosur aspiratat dhe idealet e akmeistëve. “Mbrapa drejt mesjetës”, – ky është ideali social i këtij grupi aristokratik salloni. Mbrapa drejt majmunit: ia mban ison Zoshçenkoja. Duhet thënë që si akmeistët, edhe Vëllezërit Serapionë e zënë fillin e tyre te stërgjyshër të përbashkët. I par’ i fisit, si për akmeistët, edhe për Vëllezërit Serapionë, ka qenë Hoffmanni, njëri prej themeluesve të dekadentizmit e të misticizmit aristokratik të sallonit.
Përse qe e nevojshme krejt papandehur të popullarizohej poezia e Ahmatovës? Ç’lidhje ka ajo me ne, me njerëzit sovjetikë? Përse u duhej vënë një tribunë letrare në dispozicion gjithë këtyre rrymave letrare dekadente dhe thellësisht të huaja për ne?
Nga historia e letërsisë ruse dimë që jo një herë a dy rrymat letrare reaksionare, të cilave u përkisnin edhe simbolistët dhe akmeistët, janë orvatur t’u kundërvihen traditave të mëdha revolucionare demokratike të letërsisë ruse, eksponentëve të saj përparimtarë; janë orvatur t’ia heqin letërsisë domethënien e saj të lartë ideore e sociale, për ta tërhequr në moçalin e paideshmërisë e të vulgaritetit. Të gjitha këto rryma “në modë” janë kredhur tanimë në harresë e janë flakur në të shkuarën tok me klasat ideologjinë e të cilave shprehnin. Nga tërë këta simbolistë, këta akmeistë, këta jelekverdhë, këta fantër karo, këta hiçër, çfarë ka mbetur në letërsinë tonë ruse, sovjetike? Asgjë prej gjëje, ndonëse fushatat e tyre kundër përfaqësuesve të mëdhenj të letërsisë demokratike-revolucionare ruse – Bjelinskit, Dobroljubovit, Çernishevskit, Hercenit, Salltikov-Shçedrinit – qenë përgatitur gjithë zhurmë e bujë. Mirëpo me të njëjtin efekt edhe dështuan.
Akmeistët shpallnin: “Mos i bëni asnjë modifikim qenies dhe mos u merrni me kritikën e saj.” Përse ishin kundër çfarëdolloj modifikimi të qenies? Sepse atyre u pëlqente mënyra e vjetër aristokratike, borgjeze e të qenit, ndërsa populli i qe vënë shkatërrimit të asaj mënyre të qeni të tyre. Në tetorin e 1917-s u flakën në koshin e plehrave të historisë si klasat sunduese, edhe ideologët dhe këngëtarët e tyre.
Mirëpo ja ku papritur, në 29-vjetorin e revolucionit socialist, shfaqen përsëri në skenë do rrallësi muzeale nga një botë hijesh dhe fillojnë t’i mësojnë rinisë sonë se si duhet jetuar. Para Ahmatovës çelen më kanat portat e një reviste të Leningradit dhe ajo lihet e lirë të helmojë ndërgjegjen e rinisë me frymën e qelbur të poezisë së saj.
Në revistën Leningrad, në njërin nga numrat, është botuar diçka si njëfarë përmbledhjeje e veprave të Ahmatovës, të shkruara në periudhën nga 1909 më 1944. Aty, tok me të tjera rraqe, është një poezi e shkruar në evakuim, në kohën e Luftës së Madhe Patriotike. Në atë poezi ajo shkruan për vetminë e saj, të cilën i duhet ta ndajë me një maçok të zi. Maçoku i zi e vështron si syri i shekullit. Tema nuk është e re. Për një maçok të zi Ahmatova shkroi edhe më 1909. Gjendjet e vetmisë dhe të parrugëdaljes, të huaja për letërsinë sovjetike, karakterizojnë gjithë rrugën historike të “krijimtarisë” së Ahmatovës.
Çfarë ka të përbashkët mes kësaj poezie dhe interesave të popullit tonë dhe të shtetit tonë? Asgjë prej gjëje. Vepra e Ahmatovës është çështje e një të kaluare të largët; ajo është e huaj për realitetin sovjetik bashkëkohor dhe nuk mund të tolerohet në faqet e revistave tona. Letërsia jonë nuk është sipërmarrje private për të kënaqur shijet e ndryshme të tregut letrar. Nuk jemi aspak të detyruar t’u japim vend në letërsinë tonë shijeve dhe zakoneve që nuk kanë asgjë të përbashkët me moralin dhe cilësitë e njerëzve sovjetikë. Çfarë mësimi mund t’i japin rinisë sonë veprat e Ahmatovës? Asnjë, përpos dëmit. Këto vepra mund vetëm të mbjellin shkurajimin, demoralizimin, pesimizmin, dëshirën për t’u ikur problemeve të qenësishme të jetës shoqërore, për të braktisur rrugën e gjerë të jetës e të veprimtarisë shoqërore për hir të botëzës së ngushtë të përjetimeve individuale. Si mund të lihet në duart e saj edukimi i rinisë sonë?! E megjithëkëtë, Ahmatovës i është botuar me gatishmëri të madhe, si në revistën Zvjezda, edhe në revistën Leningrad, madje edhe në vëllim. Ky është gabim i rëndë politik.
1 Nga Raporti i Andrej Zhdanovit për revistat “Zvjezda” (“Ylli”) dhe “Leningrad” në mbledhjen e Arkivit të Partisë dhe në mbledhjen e Shkrimtarëve të Leningradit. Fjala e marrë me stenogram u botua në gazetën “Pravda”, nr. 225 (10307), të datës 21 shtator 1946. Në atë kohë Andrei Zhdanovi (1896-1948) kryente funksionin e kryetarit të Presidiumit të Sovjetëve të Bashkimit Sovjetik. Nikita Hrushçovi ka treguar në Kujtimet e veta që Stalini e kishte llogaritur Zhdanovin si pasardhësin e vet. Raporti u shoqërua edhe nga Vendimi i Byrosë Politike të KQ të Partisë Komuniste (Bolshevike) të BRSS i datës 14 gusht 1946. Përpos masave ndaj revistave në fjalë, Vendimi njoftonte përjashtimin e shkrimtares Anna Ahmatova dhe të shkrimtarit Mihail Zoshçenko nga Bashkimi i Shkrimtarëve të Bashkimit Sovjetik. Me këtë Raport dhe me Vendimin vijues filloi në BS ndaj autorëve që nuk i konformoheshin “realizmit socialist” reprezalja e njohur si “vitet e zhdanovshçinës”, sikurse e ka përmendur edhe vetë Ahmatova në shënimin hyrës të veprës së saj Requiem. Veçan mbi poeten binte prej atij viti censura e egër, duke pasur parasysh edhe faktet që të shoqin, poetin gjithashtu akmeist Nikollaj Gumiljov, ia kishin pushkatuar qysh më 1921 me akuzën e “veprimtarisë kundërrevolucionare”, ndërsa të birin, shkencëtarin Lev Gumiljov, ia kishin arrestuar dhe burgosur. Dokumentet në fjalë u botuan edhe në Shqipëri dhe patën ndikimin e tyre fillzi në farkëtimin e kritikës dogmatike të modelit zhdanovist ndaj shkrimtarëve dhe artistëve në vend. Prej vitit 1947 zhdanovshçina u propagandua në mjediset e shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë nga funksionarë partiakë, si Nexhmije Hoxha, Liri Belishova etj. Më 1988 në Bashkimin Sovjetik Vendimi i përmendur i 14 gushtit 1946 u cilësua “i gabuar” dhe i anuluar.
2 Në kuptimin e popujve orientalë, që mendohej se vinin prej Kamit, njëri prej bijve të Noes.
3 Akmeistët: Lëvizja letrare ruse e njohur si akmeizëm e merrte emrin nga termi akmé (ακμή), që në greqishten e vjetër kishte kuptimin e kulmit, të majës. Lindi si kundërvënie ndaj simbolizmit, duke i vënë theksat e krijimtarisë poetike te një stil i ri shprehës, më i qartë e më konkret, si dhe te vlerat formale të vargut. Kreu i saj mbahet poeti Nikollaj Gumiljov, bashkëshorti i pushkatuar më 1921 i Anna Ahmatovës, e cila qe gjithashtu përfaqësuese e spikatur e lëvizjes akmeiste, tok me të tjerë emra të shquar, si Osip Mandelshtam, Mihail Kuzmin etj. E lindur më 1909 ose 1910, pavarësisht peripecive për shkak të dhunës dogmatike të kritikës zyrtare sovjetike, në Rusinë sovjetike lëvizja ia doli të mbijetonte deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore…
4 Fr. boudoir: sallon i vogël intim zonjash.
5 Rus. “Fshat i carit”: quhej kështu rezidenca verore, në trajtë kompleksi pallatesh, e carëve në afërsi të Pjetërburgut.