Kreu Intervista Zuzana Finger: Letërsia bashkëkohore e vendeve shqipfolëse është cilësore

Zuzana Finger: Letërsia bashkëkohore e vendeve shqipfolëse është cilësore

Bisedoi Ledio Hala

Përkthimi, përpos faktit që e bën një vepër të gjallojë në një gjuhë tjetër, ndryshe nga ajo origjinale, është edhe një medium që realizon shkëmbimin kulturor mes kombeve të ndryshme. Pikërisht ky mision i përkthimit, si dhe kjo perspektivë që ofron, e bën rrjedhimisht përkthyesin ambasador kulture, pa të cilin vështirë se do të ekzistonte ndonjëherë komunikimi përmes artit, letërsisë, e kulturës. Kësisoj, jo rastësisht për lexuesin e Ex Libris, do të intevistojmë përkthyesen e mirënjohur, si dhe kryetaren e shoqatës „Martin Camaj“ zonjën Zuzana Finger, e cila përkthen në gjuhën gjermane proza dhe poezi nga shqipja, çekishtja, hungarishtja dhe serbishtja. Zonja Finger në këtë 10 vjeçar të fundit me anë të përkthimeve të saj ka bërë shumë tekste të autorëve shqiptarë të flasin në gjuhën gjermane. Mund të përmendim këtu Musa Ramadanin, Ndriçim Ademajn, Kujtim Paçakun, Darien Levanin, Jeton Nezirajn, Parid Teferiçin, Gazmend Kapllanin, Ridvan Dibrën, Fatos Baxhakun etj.


Kur ka qenë kontakti juaj i parë me gjuhën shqipe, cila ishte shtysa që e mësuat këtë gjuhë, dhe pse vendosët të përktheni letërsi shqipe në gjuhën gjermane?

Kontakti im i parë me gjuhën shqipe ishte në mes të viteve ’80 gjatë një udhëtimi në Kosovë. Që atëherë lindi dëshira ime për të mësuar shqip. Pas kthimit në Berlin fillova të mësoj shqip te prof. dr. Norbert Reiter, i cili ishte udhëheqesi i Ballkanologjisë në Freie Universität në Berlin. Ndërsa për motivimin që të përkthej letërsi shqipe i jam mirënjohëse shoqes sime Neviana Dosti.

Duke ndjekur rrjedhën e përkthimeve tuaja duket qartazi që jeni e orientuar nga autorët bashkëkohorë shqiptarë. Pse kjo zgjedhje?

Pjesa më e madhe e përkthimeve të mia është e lidhur me porosi konkrete p.sh. për lexime në panairin e librit në Leipzig, për antologji, për shfaqje teatrale, dhe në këto ngjarje prezantohen tekstet dhe po ashtu edhe autorët personalisht, të cilët në këtë mënyrë marrin pjesë në dialogun kulturor ndërkombëtar. Domethënë në Gjermani ka institucione dhe lexues, të cilët janë të interesuar të dinë çfarë shkruhet në vendet shqipfolëse sot dhe kush janë dhe si mendojnë autorët shqip me të cilët dëshirojnë të takohen dhe të njihen. Letërsia bashkëkohore e vendeve shqipfolëse është cilësore dhe lexuesit europianë përfitojnë shumë si bashkëkohës.

Cilat janë vështirësitë që hasni në përkthim, e më konkretisht në përkthimin e letërsisë shqipe?

Gjuha shqipe zhvillohet shumë shpejt dhe përkthimi vetëm me fjalorë standardë nuk është i mundshëm, nëse përkthyesi nuk e ka gjuhën shqipe si gjuhën amtare. Për këtë arsye për mua është e domosdoshme të kontaktoj autorët dhe të konsultohem me ta. Arian Leka më ka përkrahur jashtëzakonisht gjatë përkthimeve dhe i jam shumë falënderuese sepse falë tij kam zgjeruar jo vetëm njohuritë e mia të gjuhës shqipe por edhe të albanologjisë. Sfida e dytë e përkthimeve është se secili autor përfaqëson një kozmos estetik të veçantë dhe mua më duhet të krijoj një vepër adekuate në gjuhën e ndryshme. Nuk duhet të jem e dukshme unë si përkthyese. Çdo autor duhet të njihet si një zë individual. Përkthimi është interpretim, njëlloj si interpretimi i një vepre muzikore, si dhe përpjekje e riprodhimit të origjinalit me mjetet e një gjuhe të ndryshme, në sfondin e ndikimeve dhe përvojave të tjera kulturore.

Nga veprimtaria juaj me përkthimin e letërsisë shqipe, a do të veçonit disa tekste letrare që janë më të preferuarit për ju e që vërtet kanë lënë gjurmë në punën tuaj?

Me shumë qejf përkthej drama. Falë zonjës Alida Bremer u krijua para rreth 15 viteve kontakti midis meje dhe Jeton Nezirajt dhe ndërkohë ai është autori im më i përkthyer. Për këtë vazhdimësi jam e lumtur. Njëkohësisht përcjell zhvillimin e tij në zhanerin e dramës, dhe po ashtu edhe zhvilloj aftësitë e mia në gjuhën e teatrit.

Në këndvështrimin tuaj si përkthyese, si e shikoni të tashmen por edhe perspektivën e letërsisë shqipe?

E admiroj dhe e çmoj pasurinë dhe gjallerinë e madhe të letërsisë shqipe, sidomos numrin mahnitës të poeteshave dhe shkrimtareve të reja të shkëlqyeshme. Autorët shqiptarë krijojnë në kushte të vështira, sepse tregu i librave të mirë është i kufizuar dhe rrallëkush lexon poezi. Me krijimtari letrare nuk mund të sigurohet jetesa dhe kjo vlen me disa përjashtime të vogla edhe për Gjermaninë.

Si perceptohet letërsia shqipe nga lexuesi gjerman ose gjermanishtfolës? A ka interes të vazhdueshëm në leximin e saj?

Në përvojën time ka shumë interes për autorët e mirë të letërsisë shqipe sepse ajo konsiderohet akoma si letërsi pak e njohur. Botoj përkthime të poezive shqip në revista të ndryshme gjermane dhe austriake dhe lexuesit i perceptojnë si diçka thelbësore në përmbajtje sepse në to trajtohen çështje të rëndësishme që na prekin të gjithëve. Tendencë inkurajuese është se numri i botimeve të autorëve shqip falë kolegëve të mi përkthyes është në rritje.

Në krahasim me përkthimet nga çekishtja, hungarishtja e serbishtja, a zënë përkthimet nga shqipja pjesën më të madhe të veprimtarisë suaj si përkthyese? Nëse po, ka të bëjë kjo me një preferencë tuajën, apo me një dëshirë të lexuesit?

Në të vërtetë, përkthimet nga shqipja zënë gjithnjë pjesën më të madhe të veprimtarisë sime. Gjatë përkthimit zhvillohen marrëdhënie personale me autorët dhe interesi im për veprat e tyre vazhdon. Në këte mënyre bashkëpunimi me Anna Kove, Blerina Rogova Gaxha, Ardiana S. Prishtina, Shpëtim Selmani, Arben Idrizi, Xhevdet Bajraj etj. ekziston që prej shumë vitesh dhe shpresoj se do të vazhdojë edhe për shumë vite të tjera.

Exit mobile version