Kreu Letërsi Shënime mbi libra Zija Vukaj: Kthim në vendin e origjinës si kërkim i kuptimit të...

Zija Vukaj: Kthim në vendin e origjinës si kërkim i kuptimit të jetës

Shkenca e klasifikimit apo “taksonomia” ka raste që bëhet faktor përcaktues në orientimin e vlerësimeve për një vepër. Por ka edhe raste kur një vepër e arrirë i fshin kufijtë taksonomikë dhe “rrengu” i klasifikimit zhbëhet. Ky mendim zë fill e ngjizet pas leximit me një frymë të librit “Porosia e kullës” të autorit Pashko R. Camaj. Kjo për arsye se po ta klasifikojmë këtë vepër, do ta fusnim menjëherë në një zhanër autobiografik, ku edhe qëndron me të gjithë elementët që kërkon ky klasifikim. Pra, një autobiografi, një roman autobiografik, një libër me hapësira të mëdha memuaristike, një kronikë jete individuale në sfondin e kohës dhe të hapësirës së vet etj. Por, a ia jep hakun ky klasifikim librit “Porosia e kullës”, universit të kësaj vepre? Apo ia redukton hapësirat, duke e konsideruar vetëm një narrativë personale? A e tejkalon vepra me arsenalin ontologjik, me mesazhe dhe rrezatim universal, tejhapësinor e madje edhe tejkohor që përmban cilësimin si libër autobiografik? Patjetër që e tejkalon këtë cilësim. Natyrisht, që ky libër nuk duhet as mund të perceptohet me anë klasifikimesh tautologjike. Në këtë rast na vjen në ndihmë porosia e zgjuar e një dijetari të vjetër mistik që shprehej: “O jeto një jetë që meriton të shkruhet; o shkruaj një libër që meriton të lexohet.” Dhe në rastin tonë, të dy krahët e këtij postulati pasqyrojnë esencën e këtij libri, për arsye se jeta e protagonistit- autor, paraqitur me mjeshtri, art, frymëzim, emocion dhe empati të thellë përmban më shumë se një jetë njerëzore. Duke kapërcyer personalen e duke fituar një karakter përgjithësues bëhet një shumatore fatesh të individëve të panumërt, rrugëtimesh e dramash të ngjashme apo të njëjta, në dritëhijet e një kohe dhe vendi plot brenga e pak gëzime, plot vuajtje në kufijtë e mbijetesës dhe shpresa e përbashkët për rrugëdalje thuajse mbinjerëzore. Duke u pozicionuar fort brenda unit të vet, siç ndodh në të gjitha rastet autobiografike, këndvështrimi i autorit Camaj bëhet dora- dorës introspeksioni i çdo lexuesi, sidomos i lexuesve që në formimin e tyre shpirtëror e kulturor kanë spikamat e miteve obsesive tashmë të universalizuara, pasqyruar së pari te narratori, siç janë Malësia, Liqeni i Shkodrës, Kulla, Kulti i babait etj.

Pra, autobiografizmi këtu nuk është qëllim- thjesht është mjet. Një mjet kompozicional mjaft i fuqishëm dhe efikas, pasi dihet efekti i fortë emocional që transmeton veta e parë. Nga ana tjetër, duke qenë se jemi mësuar të lexojmë libra autobiografikë me struktura të varfra kompozicionale, kronika sterile pa stil, thjesht komplekse të rrafshëta lineare informacionesh e gjeneralitetesh, leximi i këtij libri na vë përballë një niveli të lartë artistik të tekstit, që jo në pak raste shfaq cilësi të një proze poetike të arrirë. Struktura e kombinuar dhe mjaft e studiuar e veprës, me një arkitekturë ciklike, arsenali stilematik, depërtimet e thella psikologjike, përshkrimet e gjalla e mbresëlënëse, falë hipotipozave dhe ekfrazës përdorur nga autori, dëshmojnë për eksperienca të mëparshme dhe vokacione të njëmendëta letrare, që doemos i tejkalojnë hapësirat e zhanrit. Kjo duket edhe nga disa zgjidhje të tjera kompozicionale, siç është mekanizmi i narracionit që vihet në lëvizje nga çastet e udhëtimeve dhe fotografitë e së shkuarës. Një tipar që spikat si veçori mjaft origjinale është edhe ndërfutja brenda nyjëzave të rrëfimtarisë edhe e mjaft parashenjave, që ndjellin ngjarje të rënda; ose fanitje imazhesh të njerëzve të vdekur tragjikisht, në mënyrë surreale dhe tronditëse që kufizon me pasazhe të realizmit magjik. Kemi kështu shfaqjen e motrës së mbytur, Dushës, jo në ëndërr por në zhgjëndërr ose dhe parandjenjën e vdekjes së nënës, shfaqur në një ëndërr në trenin e një metroje në Amerikë.

Në vështrimin e përgjithshëm të strukturës kompozicionale libri ndahet në dy pjesë: pjesa e parë hapet me kreun retrospektiv të hyrjes në Amerikë, për të vazhduar me dhjetë kapituj të tjerë, që i kushtohen fëmijërisë, vendlindjes, prindërve, jetës në Malësi me të gjitha variacionet dhe koloritin që e karakterizon. Këtu vlen të citojmë një shënim të autorit neorealist italian Paveze te Zanati i të jetuarit, datë 12 shkurt 1942, ku shkruan: “Arti modern është- në aq sa vlen- një kthim në fëmijëri. Motivi i tij i përjetshëm është zbulimi i gjërave, zbulim që mund të ndodhë, në formën e tij më të pastër, vetëm në kujtimin e fëmijërisë. (…). Dhe në art shprehet mirë vetëm ajo që ishte përthithur në mënyrë të pafajshme. Nuk u mbetet artistëve vetëm të kthehen e të frymëzohen në epokën kur nuk ishin artistë; e kjo është fëmijëria”. Këtu çdo kapitull ka një titull, që përbën një fjalë a togjalësh kyç një koncept simbol, një lloj paswordi që jo vetëm davarit hijezimet e labirinteve narrative, por bëhet edhe një gestalt që lejon transpozimin e këtyre formave- cilësi në një çelës të ri, duke përdorur hijezime krejtësisht të ndryshme e duke ruajtur ende identitetin e vet.

Në peshën specifike të librit kjo pjesë është me një rëndësi bazike. Këtu autori ka ngulitur, përshkruar, përjetuar e perceptuar ato mitet obsesive, që janë pjesa e përbashkët e gjithë lexuesve të lëtij libri. Në botën e brendshme të autorit- protagonist mbetet i pazhbëshëm imazhi i Kullës. Ky mit i dashur dhe aq hijerëndë në përfytyrimin e banorit të saj fëmijë, është një realitet zanafillor, i ëmbël e gati i frikshëm është fillimbota e ekzistencës dhe arena e dinamikave të përditshmërisë. Ky djep i madh e i paprekshëm është institucion, është shkolla e parë e njeriut shqiptar; është tempulli i besës, i moralit, i mikpritjes dhe i sigurisë. Është memoria e breznive dhe streha e shpirtrave të gjithë atyre që kanë lindur e jetuar aty. Është galeria e profileve fisnike të burrave e grave të një familjeje të dinjitetshme që kanë lindur aty ose i kanë përmbyllur jetët e tyre brenda saj. Në perceptimin e protagonistit kulla jepet e animizuar, gjë që spikat fort edhe në titull “Porosia e kullës”. Përshkrimin e strukturës së saj autori Pashko Camaj e ka dhënë mjaft hijshëm. Hijeshia e saj qëndron tek e thjeshta. Një ndërtesë drejtëkëndore, ndërtuar me gurë mali e lëndë pylli, me konstrukt të fortë, pa ndarjet që karakterizojnë banesat moderne. Por aty gjithçka është e tejpashme, e dëlirë, e ngrohtë. Mjedisi i saj ngrohet nga fryma e pastër e banorëve, nga sinergjia e tyre për të përballuar me dinjitet sfidat e vështira të mbijetesës, duke mbetur teatri harmonik i bashkësisë familjare. Prandaj edhe fuqia e saj simbolike është e magjishme, prandaj porosia e saj mbetet testament i breznive.

Duke udhëtuar në faqet e këtij libri krijohet ideja se kjo vepër është “himni i babait”. Camaj ia ka dalë të krijojë një profil të rrallë për babën e tij Rrokun. Në përvijimin e këtij portreti bie në sy jo vetëm dashuria e pamatë për këtë personazh, por edhe aftësia për të qëndruar në ekuilibrat e parimit të arsyes. Ky parim realizmi e ka shpëtuar autorin- protagonist pa rënë në ekzaltime subjektive që do ta zbehnin besueshmërinë ndaj heroit të vet. Babai është një burrë i hajthëm, me probleme shëndetësore, i heshtur dhe tepër modest. E megjithatë pas pamjes thuajse të brishtë të Rrokut, kemi shpirtin titanik të një burri të drejtë, të ndershëm, stoik, guximtar dhe altruist si askush tjetër. Kjo dëshmohet nga përballja burrërore e tij me vdekjen, në emër të jetës së bashkëfshatarëve të tij, duke hyrë mes plumbave që ata i kishin drejtuar njëri- tjetrit, duke shkuar për vete në zgripin e vdekjes e duke u kujdesur heroikisht edhe për pajtimin e tyre. Përfundimisht, babai ishte një burrë me aureolën sublime të një individi model në të gjithë malësinë.

Një vend të rëndësishëm zë në këtë pjesë edhe epifanizimi i shumë gjëmave që i ndodhin familjes, por edhe përshkrimi i çasteve të tjera, duke mos harruar ritualet dhe shumë elementë etnokulturorë që përbëjnë sfondin e ndeshtrashave të jetës. Mbresëlënëse mbeten sidomos tri ngjarje: Vrasja gjyshit, me aureolën e një Priami nga forcat komuniste, vdekja e motrës dhe martesa e Lezes.  Në rrëfimin dhe përjetimet mbi këto ngjarje, autori ka shpalosur faqet më të bukura të librit. Po kështu një vend qendror në libër i rezervohet përndjekjes nga politika, regjimi, shkaqet etnike, që bëhen faktorë të rëndësishëm për të kërkuar e shpresuar rrugëdalje individuale e kolektive të kësaj popullsie të fisme por të shtypur.

Pjesa e dytë përbëhet nga shtatë kapituj dhe i kushtohen përvojës amerikane të protagonistit- autor. Libri tashmë ka kaluar nga atmosfera distopike e një bote dhe jete thuajse pa rrugëdalje, në dritën e shpresës dhe realizimit të ëndrrave aq të natyrshme dhe të merituara për çdo qenie njerëzore, aq më tepër të një djali plot dhunti, që jeta i kishte dhënë fare pak. Kurba e udhëtimit në jetën dhe botën e re, megjithë vështirësitë, mallin, privacionet, ndjenjën e fajit gati biblik të largimit, është në ngjitje. Kjo falë hapësirave që të jep mjedisi amerikan si dhe falë vetive të spikatura të një djali me karakter të fortë e qëllime të qarta. Autori- protagonist Pashko Camaj fiton shumëçka në rrugëtimin e tij: fiton një formim akademik dhe pozicione të rëndësisshme pune, krijon një familje sipas ëndrrës së tij, respekton dhe respektohet nga të gjithë, duke gjetur kuptimin e vërtetë të jetës. Atë kuptim që e pati marrë si porosi nga Kulla e lashtë. Porosia e kullës ishte që bijtë e saj të bëheshin të njohur për fisnikëri, atdhetari, dije dhe moral, duke u bërë trashëgimtarët e vetive më të larta të gjenit shqiptar.

Dhe si për të përmbyllur konceptimin ciklik të kompozicionit, si dhe logjikën e rrugëtimit të vet thuajse të pazakontë autori Camaj nuk mund t’i shmanget kthimit, i cili bëhet semiotika e prekshme e kuptimit të jetës. Është kthimi te miti i tij obsesiv, te Kulla, tashmë e plakur, por shumë e rëndësishme. Dhe natyrisht ky është takim- homazh, takim me pjesën e fjetur të nënvetëdijes: “Rrezet e diellit vërshuan mbi kullën gri e gjysmë të rrënuar. Muret prej guri që rrethonin halinë ishin pothuajse të shembura. Ishin si një guaskë e thatë. Megjithatë, ishin ende aty, duke u përpjekur të sfidonin kohën. Pyesja veten se çfarë do të më thoshin nëse ato mure të shkatërruara mund të më flisninE gjeta veten duke ngjitur shkallët e vjetruara, që tregonin moshën e tyre dhe neglizhencën që solli koha. Ngadalë, si për të kërkuar falje që shkelja në fytyrat e tyre të gdhendura në gurë dhe duke u munduar të mos shkel në lulet e egra që kishin gjetur jetë mes gurëve shekullorë, i ngjita të katërmbëdhjetë shkallët.” Akoma më shumë se nisja, është kthimi miti i vërtetë, ai që në termin grek quhet “nostos”, duke nënkuptuar kthimin në vendin e origjinës si mbërritje e çdo qenieje njerëzore në kërkim të vetvetes e të kuptimit të jetës.

Exit mobile version