Kreu Letërsi Shënime mbi libra Yourgen Zmijanèj: Infiniti i Leopardit në shqip

Yourgen Zmijanèj: Infiniti i Leopardit në shqip

Gjashtë variantet e “Infiniti” të Leopardit

Giacomo Leopardi
L’INFINITO

Sempre caro mi fu quest’ermo colle,
e questa siepe, che da tanta parte
dell’ultimo orizzonte il guardo esclude.
Ma sedendo e mirando, interminati
spazi di là da quella, e sovrumani
silenzi, e profondissima quïete
io nel pensier mi fingo, ove per poco
il cor non si spaura. E come il vento
odo stormir tra queste piante, io quello
infinito silenzio a questa voce
vo comparando: e mi sovvien l’eterno,
e le morte stagioni, e la presente
e viva, e il suon di lei. Così tra questa
immensità s’annega il pensier mio:
e il naufragar m’è dolce in questo mare


PAMBARIMI
Shqip: Ernest Koliqi

Prorë e pëlqeva kët kodrín’ vetare
e kët gardh, qi i a ndalin shikimit
mâ të madhën pjes’ të horizontit t’fundëm.
Por tue ndêjë e tue vrojtun, t’pambarueme
hapsìna përtè saj dhe heshtìna
mbinjerzore e ’i qetsì shum e shum t’thellë
përfytyroj me mênd e n’to mu zêmra
disì m’frigohet. E tue qên’ se erën
ndëgjoj tue frushulit’ nepër kto lândë,
un rrij e krahasoj gjith’ at heshtì
t’pasosun me kët zâ dhe m’përkujtohet
amshimi, t’shuemet stin’ dhe koha e sotme
gjallë, e zhurma e saj. Kështu mêndimi
mue n’at pamatësì kryekput më mbytet:
e mbytja m’ash e ambël në kët dêt.


PAFUNDËSIA
Shqip: Andrea Varfi

Përherë e desha këtë breg të shkretë,
Si edhe këtë garth, që nga shumë anë
M’a ndal vështrimnë e horizontit largë.
Po kur qëndroj e vë rè, më paraqiten:
Hapsira pa mbarime tejë asaj,
E heshtje varri dhe qetsi pa fund:
Ku soje zemra ment më drithëron.
E unë si e ndiej të shushurisë
Ngadalëz erën nëpër gjethe e degë,
Qetsín pa fund me ’të e krahasoj:
Ahere më kujtohet përjetësia,
Dhe koha e vdekur dhe e gjallë e sotme
E zëri i saj. E po kështu në këtë
Pafundësi venitet gjith’ mejtimi:
Në det të tillë e mbytja m’është e ëmbël.


TË PAMBARUEMIT
Shqip: Lazer Shantoja

Daj e desha kët kodër vetmitare,
e njikët gardh qi të malbrêzit megjet
e mbrame bukur gjatë i a mbyll’ shikimit.
Por ndêjë e tue soditun, hapësina
të pambarueme përtej tij, dhe heshtime
përmbinjerzore, e t’thellë tejèt qetì
un trilloj n’mendjen t’ime; ku mue zêmra
më merr gati trishtim. E sikur erën
ndîj kah fërshllon nëpër kta lisa, at heshtje
un t’pambarueme shkoj tue krahasuemun
me njikët zâ: dhe përkujtoj t’amshuemit,
edhe stinat e vdekuna, e të tashmen
e t’gjallë, e t’saj kumbon. Kështu mbytet
mendja e ime në kët pamatësì:
e m’u përmbytun në ket dèt më kande.


PAMBARIMI
Shqip: Nikollë Dakaj

Përherë e desha kët kodër vetmore
edhe kët gardh, që larg e larg shikimit
hovin ia prêt me pàm n’anë të përtejme.
Por, kah rrij e kundroj, të pambarueme
hapsì tej soje e heshtje mbinjerzore
e nji qetí, atje ku asht ma e thella,
unë marr me mendë; e gadi-gadi zemrën
ma pushton friga. E, kah tue fërshellyem
erën ndigjoj përmes ktyne landëve,
unë at heshtí t’pafund me kët fërshllimë
vê ball për ball: e m’kujtohet amshimi,
e stinët që kanë vdekë edhe kjo e tashmja
e gjallë e zani i saj. Kështu mendimi
m’rrin tue ba not në kët pamatuní;
e zemra m’heq me hupë në kët farë deti.


PÂKUFINI
Shqip: Arshi Pipa

Gjithmonë e dashun qe për mue kjo kodër
vetmitare e ky gardh qi horizontin
s’e lên me u pa veç për nji copë nga fundi. 
Por kúr rrij e sodis, të pakufishme
hapsina përtej tij dhe mbinjerzore
heshtje dhe nji qeti e pámbarim:
trilloj ndër mend, kah zêmra gati m’dalet
prej frige. E kúr veshtroj eren qi tash
gjethët e pêm’ve bân me furshullue,
at heshtje pá mbarim shkoj me kto zâne
tue krahazue. E përkujtoj amshimin, 
stinët e vdek’na e t’sotçmen, ktë të gjallën,
me jehonen e saj. Ashtu mendimi
te kjo pamatuní humbon e birret.
Dhe t’âmbël m’vjen të mbytunit n’kët’ dét.


PAMBARIMI
Shqip: Aurel Plasari

Gjithnjë e desha këtë sukë të shkretë 
dhe këtë gardh që m’ia pengon vështrimit 
të fundmin horizont anë e matanë.
Por, tek kundroj këtu i ulur, stis 
me mend hapësira pambarim tej tij
dhe heshtje mbinjerëzore dhe qetësi 
të thella sa në gji zemra mend ngrin. 
Dhe erën ndërsa ndiej tek fërrmon 
mes gjethesh, zën’ e saj e krahasoj 
me heshtjen pa mbarim dhe përjetshmëria
më vjen ndër mend me motet që kanë vdekur
dhe këtë mot të gjallë e këtë kumbim. 
Kështu mendimi mes këtij pambarimi 
më bëhet fir edhe e ëmbël m’është 
si anijethyer të kridhem në këtë det


Me shumë gjasë poezia “L`infinito” e Giacomo Leopardit (1798-1837), duke tërhequr vëmendjen e përkthyesve shqiptarë në kohë të ndryshme, ka shënuar rekordin e gati një duzine variantesh në shqip. Teknika klasike me të cilën janë modeluar vargjet e saj është vetëm njëra anë e medaljes, përsa u përket vështirësive të përkthimit. Anën tjetër të saj e përbën ndikimi klasik në të shkruarit e Leopardit, çfarë nuk është thjesht e vetëm çështje stilistikore, por përkundrazi ka të bëjë me bërthamën e një mendimi të pjekur filozofik. Ky element jo vetëm e detyron përkthyesin e kësaj poezie të jetë vigjilent gjatë përkthimit, por është edhe parakusht ndihmues – në mos i domosdoshëm – për t’i qëndruar besnik ligjëratës poetike.

Në një artikull të shkurtër në revistën Biblioteca Italiana të Milanos, me titull “Mbi mënyrat dhe dobitë e përkthimit”, francezja Madame de Staël polemizonte më 1816 domosdoshmërinë e përkthimit të veprave bashkëkohore romantike në italisht, e shqetësuar nga vonesa e përqafimit të romantizmit europian prej letërsisë italiane. Në këndvështrimin e ashpër të zonjës De Staël klima letrare në gadishull vuante prej kohësh ndikimin paralizues të traditës klasike. Ishte ajo traditë që e pengonte atmosferën romantike europiane, të modeluar mbi physis-in (Φύσις) e filozofëve parasokrarikë, të ndihej lirisht në vend tanimë si ideal i ndjeshmërisë njerëzore. Bashkëkohësi romantik i zonjës De Staël trashëgonte nga Iluminizmi kokëfortësisht bindjen se arsyeja, e vetme përballë mbërthimit kuptimor të fenomenit, është e pamjaftueshme. Mendimi krijues artistik duhej t`u shmangej hijeve që zgjateshin nga klasicizmi i largët, ku ndrinte e gjithëpushtetshme arsyeja, për t`u çliruar nga konfliktet e tij romantike. Kjo situatë e bën më të kuptueshme se përse poezia “L‘infinito”, eshkruar më 1819, reflekton qëndrimin e një mendimtari që nuk arriti asnjëherë të asimilojë shpirtin modern të kohës në të cilën jetoi.

Duke marrë në konsideratë këtë specifikë të përkthimit të infinitit leopardian janë përzgjedhur në këtë vëzhgim, për t’u ballafaquar me origjinalin, gjashtë variante të ndryshme në shqip, që paraqesin interes për qasjet e tyre ndaj origjinalit, si vijon: 1. Ernest Koliqi: “Pambarimi”; 2. Andrea Varfi: “Pafundësia”; 3. Lazer Shantoja: “Të pambaruemit”; 4. Nikollë Dakaj: “Pambarimi”; 5. Arshi Pipa: “Pâkufîni”; 6. Aurel Plasari: Pambarimi”.

Atmosfera ligjëruese e vargjeve të para të poezisë hapet, jo pa qëllim, me kthimin në kujtesë. Poeti përkujton lidhjen e përhershme me një “kodër vetmitare” (ermo colle) dhe me “gardhin” (siepe), fort të dashur për të. Në thelb “natyra” në mendimin e poetit, ashtu si për filozofët e Antikitetit, përcakton realitetin e përhershëm prej nga rrjedh gjithçka. Për këtë arsye të sjellët në kujtesë nuk është kurrsesi në funksion të ndonjë melankolie a ndonjë sentimenti nostalgjik të një medituesi ndaj kohës së shkuar. Përkundrazi, brenda tij përndizet dhimbja e një dëshire të parealizueshme, të pambërritshme, në fakt të penguar. E shoqëruar me ankthin e papërmbushmërisë, që deduktohet në vijim, është pikërisht kjo dhimbje njerëzore – e njehsuar nga studiuesit si “Sehnsucht” – tipari dallues i mendimit bashkëkohor që nxjerr në pah ndikimin romantik në të shkruarit e Leopardit. Po ta trajtosh pa kujdes një tipar të tillë mund ta shfaqësh si gjendje nostalgjie ose ndjesie malli duke e zbehur shkakun e pikëllimit të poetit. Varianti 4 i shqipërimeve, për shembull, dallon për besnikërinë ndaj këtij tipari:

Përherë e desha kët kodër vetmore            

edhe kët gardh, që larg e larg shikimit                             

hovin ia pret me pàm n`anë të përtejme.      

Ndjesinë e të penguarit “të horizontit të përtejmë”, pengesë që për poetin përbën burim dhimbjeje, pothuajse të gjitha variantet e përcjellin nëpërmjet “shikimit” dhe vetëm në variantet 2 dhe 3 propozohet “vështrimi”, për shembull te 2-shi:

Përherë e desha këtë breg të shkretë,      

Si edhe këtë garth, që nga shumë anë

M`a ndal vështrimnë e horizontit largë.

Përdorimi i “shikimit” në  vend të “vështrimit” nuk është çështje thjesht teknike gjatë përzgjedhjes sinonimike nga përkthyesi. “Shikimi” e bën perceptimin vizual sipërfaqësor, fiton një lëvizje të qenësishme që mund të pengohet e deri të ndërpritet nga çasti në çast (“që larg e larg shikimit hovin ia pret”). Ndërsa në variantin 5 kuptimi i pengesës (“dell’ultimo orizzonte il guardo esclude”) vjen i përmbysur. Jo thjesht duke mos i qëndruar besnik vargut në fjalë, por dhe nga mohimi i të pamit nëpërmjet shmangies së emrit (substantivit) dhe shndërrimit të tekstit në situatë foljore:

Gjithmon e dashun qe për mue kjo kodër

vetmitare e ky gardh qi horizontin                  

s`e l ên me e pà veç për nji copë kah fundi.

Për poetin kapërcimi i një pengese të tillë nuk mund të ishte veçse imagjinar. Kjo pikë kulmon me ndryshimin e ritmit të brendshëm rrëfimtar të poezisë edhe si pasojë e një mospërkimi të strukturës sintaksore me atë metrike. Horizonti i përtejmë ndalon së qeni pjesë e natyrës, “nji copë kah fundi”, por shkrihet në të duke lënë pas çdo gjë të fundme. Ky kthim në origjinë, ku mbizotëron “heshtja mbinjerzore”, “e nji qetí atje ku asht ma e thella”, realizohet si një ambient primordial, i cili vjen duke u zbrazur nga caqet: çdo gjë e fundme kryen një rrotullim së prapi, gati metafizik, për t`ju qasur thelbit të vet material. Dhe gjithçkaja pushon në prehje.

Varianti 3 dallon për hijeshinë me të cilën ndërtohet përshkallëzimin drejt pambarimit duke mos humbur përdorimin stilistik të polisindetës (përsëritjes së lidhëzës “e”) në funksion të efektit të saj:       

Por ndêjë e tue soditun, hapësina

të pambarueme përtej tij, dhe heshtime          

përmbinjerzore, e t`thellë tejet qètí                             

un trilloj n`menden t`ime; ku mue zêmra              

më merr gati trishtim.

Në variantin 4, pa i kushtuar rëndësi polisindetës, në vend të “qetí shumë e thellë” (profondissima quiete), përkthyesi ka ndërtuar enkas sipëroren e mbiemrit. Edhe pse nga ato që quhen “tradhti të vogla”, kjo zgjedhje e ruan kuptimin e vargut duke i dhënë emrit (substantivit) ngjyresë metafizike:

Por, kahë rrij e kundroj, të pambarueme

hapsí tej soje e heshtje mbinjerzore

e nji qetí, atje ku asht ma e thella,               

unë marr me mendë; e gadi-gadi zemrën     

ma pushton friga.

Gjendja e re ka si qëllim plazmimin e njeriut, në rastin konkret të vetë poetit, me amshimin pa kufi të natyrës, të realitetit të përhershëm material në të cilin ai do të prehet. Kjo mësohet prej vargut të shtatë, varg sa i diskutuar aq edhe i diskutueshëm:

“io nel pensier mi fingo, ove per poco/ il cor non si spaura”.

Në moshë krejt të re Leopardi ka asimiluar bukuritë e Antikitetit nëpërmjet mësimeve të filozofisë, leximeve të ngulmëta në pasurinë e bibliotekës së trashëguar nga i ati. Mbi këtë bërthamë klasike është modeluar romantizmi i tij dhe janë kultivuar qëndrimet i tij qartësisht refuzuese ndaj nuancave romantike paragjykuese të Antikitetit dhe kultit të tij të arsyes. Veçanërisht në stilin e të shkruarit shfaqet kjo specifikë e romantizmit të tij. Në rastin konkret vargu i shtatë me të tetin lidhen përmes sinalefës, figurë stilistike e huajtur nga metrika greke, që shkrin zanoren fundore dhe atë nistore të dy fjalëve të njëpasnjëshme për t`i përfshirë brenda një rrokjeje të vetme (“io nel pensier mi fingo, ove per poco / il cor non si spaura”), çfarë sigurisht në gjuhët në të cilat përkthehet nuk është e thënë të ruhet.

Është vënë re, në të shumtën e lirikave të Leopardit, përdorimi i qëllimshëm i terminologjisë latine që, edhe pse në gjuhën italiane mund të mos ketë pësuar ndryshime sintaksore ose morfologjike, nga pikëpamja kuptimore nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Folja “fingere”, në vargun e përmendur sipër, ka në shqip kuptimin: me u shtirë, më bë sikur, me përfytyrue. Varianti 6 e ka gjetur zgjidhjen në përdorimin e foljes me stis duke shmangur qëllimisht përdorimin artificial të pësores së saj:

Por, tek kundroj këtu i ulur, stis                                     

me mend hapësira pambarim tej tij

dhe heshtje mbinjerëzore dhe qetësi

të thella sa në gji zemra mend ngrin.                       

Në latinisht kuptimi i parmë i foljes (fingo, fingis, finxi, fictum, fingĕre) jep: me formue, me i dhënë formë diçkaje, me gdhendë, me skalitë ose edhe me ndërtue. Duke kthyer në vëmendje kuptimin klasik të physis-it leopardian, afërmendsh që pësorja e foljes sugjeron plazmimin, formësimin e unit poetik në diçka tjetër. Dhe kjo diçka nuk mund të jetë veçse materie, thelbi i pastër i vetë qenies që i kthehet natyrës: parimit të saj material. Përftesa stilistike e vargut në fjalë (“io nel pensier mi fingo, ove per poco”) është e rrallë për nga eleganca me të cilën kristalizon filozofinë e një poeti si Leopardi: kthimi në physis. Përkatësia ndaj natyrës përbën zanafillën e infinitit të tij. Në variantin 5 ky çast sublim, ndryshe nga origjinali, në dy vargjet e para është dhënë duke kulmuar me një përjetim ndërshqisor: “veshtroj eren”, “gjethët e pêm’ve bân me furshullue”:

E kúr veshtroj eren qi tash

gjethët e pêm’ve bân me furshullue,       

at heshtje pá mbarim shkoj me kto záne

tue krahazue. E përkujtoj amshimin,                   

stinët e vdek’na e t’sotçmen, ktë të gjallën,

me jehonen e saj. Ashtu mendimi

 te kjo pamatuní humbon e birret.

Dhe t’âmbël m’vjen të mbytunit n’kët’ dét.

Ndërtimi i përvojës ndërshqisore nga përkthyesi, për të identifikuar përkatësinë e unit poetik ndaj natyrës, është një zgjidhje e diskutueshme, mbasi mbetet në funksion të përjetimit ndjesor. I njëjti koncept përkatësie për poetin është princĭpĭum, parim arsyetimi filozofik.

Ashtu si natyra (physis), nuk duhet harruar që edhe infiniti të cilit i referohet vazhdimisht Leopardi është një koncept i huajtur prej filozofisë së Antikitetit. Ápeiron (nga greqishtja e lashtë: ἄπειρον) është përkufizimi më i hershëm i infinitit me të cilin Anasimandri i referohej principit që, krahas të qenit i pafundmë e i përhershëm (mos kufizim hapësinor e kohor), është i pakufizueshëm së brendshmi (ἀπεῖραρ). Të qenit i përhershëm nënkupton njëkohësisht zanafillën dhe realitetin e fundmë të gjithçkaje që lind e vdes: “më vjen ndër mend me motet që kanë vdekur / dhe këtë mot të gjallë e këtë kumbim”, që ndizet e shuhet: “mes gjethesh, zën’ e saj e krahasoj / me heshtjen pa mbarim dhe përjetshmëria”. Në variantin 6 ndeshim pothuajse të gjitha cilësimet e àpeiron-it leopardian: mos kufizimin kohor “përjetshmëria / motet që kanë vdekur“, dhe atë hapësinor: “heshtjen pa mbarim”:

Dhe erën ndërsa ndiej tek fërrmon                    

mes gjethesh, zën’ e saj e krahasoj           

me heshtjen pa mbarim dhe përjetshmëria                               

më vjen ndër mend me motet që kanë vdekur       

dhe këtë mot të gjallë e këtë kumbim.                            

Kështu mendimi mes këtij pambarimi            

më bëhet fir edhe e ëmbël m’është                

si anijethyer të kridhem në këtë det.

Në tri vargjet e fundit të origjinalit del në pah aspekti i tretë, ai më thelbësori, i àpeiron-it leopardian: moskufizimi së brendshmi i infinitit. Por këtë radhë ai nuk perceptohet tërthorazi nëpërmjet mbiemrave sinonimikë. Ky rol i besohet fuqisë shprehëse të figuracionit: “Così tra questa / immensità s’annega il pensier mio: / e il naufragar m’è dolce in questo mare”. I gjithë rrugëtimi metafizik i unit poetik udhëhiqet nga mendimi, nga fuqia e trillimit dhe imagjinata e autorit që përhumb “mes këtij pambarimi  /  më bëhet fir”, pra duke u bërë pjesë e pambarimit e duke brendësuar të gjitha vetitë e tij, sidomos këtë aspekt të tretë. Mendimi bëhet fir, e njëkohësisht uni poetik bëhet i vetëdijshëm për gjendjen në të cilën i duhet të kridhet pambarimisht:

Kështu mendimi mes këtij pambarimi              

më bëhet fir edhe e ëmbël m’është

si anijethyer të kridhem në këtë det.

Gjashtë variantet e përkthimit të së njëjtës poezi që u morën këtu në shqyrtim, bashkë me gjashtë a më shumë të tjerat, dëshmojnë që “infiniti” i Leopardit jo më kot i ka joshur shqipëruesit dhe një numër i tillë përkthimesh të së njëjtës poezi nuk është pa rëndësi për të kuptuar evoluimin jo vetëm kohor, por mbi të gjitha gjuhësor, të artit të përkthimit në shqip.

Exit mobile version