Pjetër Bogdani është i lindur në Gur të Hasit, sanxhaku i Dukagjinit, dioqeza e Prizrenit. Megjithë dilemave mes studiuesve për vitin e lindjes, si më pranë së vërtetës duket se mbetet viti 1625. Pra, ka lindur këtu e 400 vjet më parë. Të dhënat dëshmojnë se mësimet e para i mori nga i ungji Andre Bogdani, i cili, arriti të ishte arqipeshkëv i Shkupit. Pas studimeve të larta teologjike e filozofike në Romë, P. Bogdani merr titullin doktor dhe shërbeu si famulltar në Pult e Prizren e më pas ipeshkëv në Shkodër, deri sa e zëvendëson të ungjin në Shkup si arqipeshkëv.
Në studimin e thelluar kritik, që i ka bërë veprës së Bogdanit “Cuneus Prophetarum” (Çeta e Profetëve) botuar më 2015, studiuesja Anila Omari thekson se kjo vepër zë një vend të veçantë, si nga shkalla e përpunimit gjuhësor, ashtu edhe nga përmbajtja e larmishme dhe karakteri origjinal i saj. Prandaj gjykon se “Ajo është mbajtur, me të drejtë, si e para vepër origjinale, që shënoi fillimet e prozës letrare shqipe dhe që luajti rol parësor edhe në formimin e prozës shkencore shqipe.”
Me vlerat letrare që krijoi, P. Bogdani arriti nivelin më të lartë të kohës së vet – pikërisht në fazat më të hershme, atëhere kur nis të krijojë gradualisht profilin e saj letërsia shqipe. Pra, me krijimet e këtij personaliteti të shquar, letërsia shqipe arrin që të fitojë statusin letrar, e për pasojë, të fitojë edhe ritmin dhe modelin referencial të autoritetshëm për procesin letrar të mëpasëm/pritshëm. Që ai proces letrar, të ndiqte e të përcillej dora–dorës në rrjedhat normale të kërkimit e të zhvillimeve drejt hapësirave të reja. Kjo prirje inaguruese e çelur prej veprës së Bogdanit, sigurisht, që vlerësohet si një meritë e çmuar e këtij autori, megjithë modestinë aq prekëse, që ai vet e dëshmonte, kur i drejtohej lexuesit qysh në hyrjen e veprës “Cuneus Prophetarum” (Çeta e Profetëve), me përkujtesën lutëse e përdëllestare: ”… që të më ndiejsh, nde gjeç fjalë, qi të trazon veshët. Por as dielli pa hije, as hâna pa tallaze mbë faqe nuk ânshtë…”
Kjo vepër (Çeta e Profetëve), është e përbërë nga dy pjesë. Pjesa e parë, përmban 182 faqe, kurse pjesa e dytë 162 faqe. Rëndësia e madhe që ky libër shfaq për botën shkencore e më gjerë, duket edhe nga fakti se deri më sot, si rrallë të ketë ndodhur në raste të tjera, kjo vepër ka njohur gjashtë botime, të bëra këto kronologjikisht në rrjedhë të 3-4 shekujve, si dhe në disa vende si: Itali, Shqipëri, Gjermani. Këto botime, kanë ngjallur interes të gjerë dhe janë përcjellë me interpretime të shumta në rrafshin letrar e gjuhësor – nga jo pak studiues të njohur, qofshin këta të huaj, por edhe ata shqiptarë si: Ndre Mjedja, Justin Rrota, Luigj Marlekaj, Ibrahim Rugova, Arshi Pipa, Injac Zamputi, Martin Camaj, Selman Riza, Rexhep Ismajli, Sabri Hamiti, Engjëll Sedaj, Anila Omari, Seit Mansaku etj.
Nga të dhënat e letërkëmbimeve të Bogdanit, dëshmohet se vepra ka qëndruar plot 10 vjet në dorëshkrim, deri në momentin e botimit të saj. Kjo erdhi për shkak të pritjes së lëshimit të lejes përkatëse dhe të sigurimit të fondeve financiare – për ta realizuar/finalizuar botimin e saj. Duket qartazi se autori e ka mbartur në vete për detyrë të rëndësishme dhe imediate përgatitjen dhe publikimin e një vepre të tillë. E vlerësuar si një mundësi kjo, për ta lëvruar dhe për ta mbajtur gjallë dhe të dokumentuar gjuhën shqipe, e cila, përndryshe – do të vihej rrezikshëm në pozita asimilimi, pasi ishte e rrezikuar jo pak kësaj kohe prej ushtrimit të ndikimit mbi të të gjuhëve të shkruara – qoftë të pushtuesit, apo qoftë atyre të fqinjëve. Pra, që shqiptari “…të marrë vesht dijenë mbë giuhë të vet”, sikundër shkruan Bogdani në parathënien e librit.
Të dy pjesët e librit, për vet funksionin e tyre, realizohen natyrshëm sipas koncepsionit të Biblës, duke përcjellë kështu narrativën dhe frymën e njohur teologjike të “Dhjatës së Vjetër” dhe të “Dhjatës së Re”. Por pikërisht vlera letrare e kësaj vepre, qëndron dhe zbulohet në ato pjesë, sado fragmentare qofshin, ku ato i tejkalojnë traditat e përshkrimeve dhe trajtimeve kanonike të librave të shenjtë dhe arrijnë, brenda caqeve/kornizave të tyre, që të modelojnë origjinalisht tekste me prirje për nga struktura të mirëfillta artistike. Në këto raste, figurat biblike dhe ngjarjet ku ata përfshihen, duket se i shpërthejnë kornizat e kohës të temave kanonike të trajtuara dhe fitojnë e përcjellin natyrshmërinë e sjelljeve dhe qëndrimeve reale njerëzore. Kështu, sakrifica biblike e Krishtit, raportet e shenjta të nënës Mari me të, të dishepujve e të kundërshtarëve të tij, është vrejtur nga studiuesit se në mjaft raste, arrihet që ato të jepen në tonet e mjediseve natyrale të jetës së drejtpërdrejtë shqiptare. (Shih: M. Camaj “Albanika” 1990/1, A. Plasari “HDT” 1994/4-5, I. Rugova “Vepra e Bogdanit” T.1990, E. Sedaj “Studime” Pr. 1997/3, S. Hamiti “Letërsia filobiblike”, 2003)
Sidomos cikli i poezive të “Sibilave”, arrin që ta shfaqë në mënyrën më të spikatur aktin krijues letrar të Bogdanit. Sibilat, janë figura femra, që përcjellin këshillat e zotrave dhe vijnë qysh nga mitologjia antike e deri në mesjetë, si profetesha, të cilat, tregojnë/rrëfejnë për çka ka ndodhur e do të ndodhë në fatin e heronjve dhe të vendeve. Edhe në veprën e tij, Bogdani i vendos këto figura, sigurisht brenda funksionit të shtjellimit të temave teologjike, por duke u dhënë këtyre temave ndërkaq një lirshmëri dhe hapësirë më të skajshme, duke u inkuadruar kësisoj në koncepsionin e këtyre teksturave në vargje – drejt ligjësive të krijimit të mirëfilltë letrar. Falë edhe kulturës së fituar e shijeve të tij, vrehet se poezitë, i ka ndërtuar sipas modelit të njohur në poezinë italiane të kohës, me strofa tetëvargëshe, si dhe njëmbëdhjetërrokëshe.
Në ciklin e këtyre poezive, përfshihen njëmbëdhjetë krijime dhe seicili prej tyre, përmban një kallëzim më vete. Të përcjella prej çdo sibile, këto kallzime krijojnë së toku, një lloj tematike si prej mozaiku. Kjo strukturë mozaiku, arrin të krijohet – sepse çdonjera prej poezive, vërtet paraqitet si krijim më vete, por që ndërkaq, ato janë të konceptuara sado që veçmas, por në një trajtë të ndërlidhur, pra, si pjesë të së tërës.
Poezia dystrofëshe mbi krijimin e botës, është pikërisht ajo, e cila do ta mrekullonte aq shumë edhe Lasgush Poradecin, kur ky do të njihej sëpari me të, pikërisht asaj kohe, kur ishte ende student i ri në Vjenë. Në bibliotekat e saj, do ta shihte për herë të parë dhe do ta vlerësonte atë gjithë entusiazëm, madje si të krahasuar denjësisht e pa mëdyshje deri me krijimet e njohura kozmogonike hindase dhe hebraike. “Tekstin e Bogdanit e citova pas disa shënimesh që kam marrë në Vienë, vjeshtën e 1924–ës, kur pata gëzimin t`ia shëkoj me sy … t`ia çik me dorë… t`ia studioj dhe t`ia përpij “Cuneusin”-in në shpirtin tim për herë të parë. Përveç shënimesh të tjera gjuhësore, që më qëndruan për zemre, kam kopjuar një poezi kozmogonike, e cila, nga pikëpamja e koncepsionit origjinal, e idesë së fuqishme dhe e formës së veçantë të saj, jam i mendimit se duhet të konsiderohet si një monument letrar, jo vetëm i gjuhës shqipe, por i republikës së letrarëve përgjithësisht…, do të shkruajë L. Poradeci”. (Revista “Shkëndija”, 1942)
Përmes kësaj poezie, krijimi i botës përcillet nëpër shtjella dhe kontraste të përmasave kozmike, duke krijuar një tension e dramë të thellë – rreth raporteve të nënkuptuara të njeriut me gjithësinë, e cila, ka një pushtet të pazotërueshëm e të paparashikueshëm dot për të. Dhe kjo situatë, krijon atë gjendje të angësht, ku njeriu, me sa duket e ka pastaj fort të nevojshme që të ndërtojë lidhjet dhe referencat e tij me komunikime e besime të caktuara religjioze (apo dhe të tjera përtej tyre), aq të domosdoshme për të. Me qëllim, që ai pastaj të mund që të gjejë dhe të vendosë brenda vetes, paqen dhe ekuilibrin.
“Mbë Qiellt` nuk` ishte, as Yll, as Diellï,
Qi me dritetë vet zbardhen dritë të re,
As Hana delte me dy të rgjanta brï,
As prej Qiellshit vinte ndonji Reze për dhè,
As Dheu si Shqype nalt` qëndron e rï,
As niegullë me shi, as breshen, as Rëfé,
As Deti me Valë epte të madhe gjamë,
As lymenatë me Breg, ishin zanë”.
Át Justin Rrota, është ndër studiuesit e parë, që i është drejtuar shqyrtimit filologjik të veprës së Bogdanit, duke filluar qysh te një nga manualet më të hershme mbi historinë e letërsisë shqipe, të hartuar prej tij. (Át J. Rrota “Letratyra Shqype”, Shkodër, 1925). Si latinist dhe si njohës i thellë i teologjisë dhe i autorëve të vjetër, duke u marrë kohë pas kohe me botimin kritik dhe duke i shoqëruar me komente tekstet e tyre, ai ka meritën edhe për faktin se ka gjurmuar e ka sjellë për herë të parë në Shqipëri, më 1929, tri kopje fotografike të “Mesharit” të Gjon Buzukut. Ndërkohë, ka botuar mjaft studime mbi vlerat e kësaj vepre, si e para vepër e zbuluar deri më sot, e shkruar në gjuhën shqipe.
Duke hulumtuar e verifikuar nepër dokumentacionin e kohës, ai vë në dukje se vepra e Bogdanit, është e hartuar fillimisht në shqip dhe më pas, është përkthyer në italisht po prej autorit të saj, me kërkesën e censurës kishtare, e cila, e kishte të domosdoshme këtë përkthim, se nuk e kuptonte dot veprën e shkruar në gjuhën shqipe – për të gjykuar e vendosur pastaj për dhënien e lejes zyrtare për botimin dhe qarkullimin e saj. Nisur edhe prej vlerave letrare e gjuhësore që përcjell, J. Rrota ka pikëpamjen se kjo vepër: “… âsht monumenti mâ i pari i gjuhës shqype…” Analizat dhe interpretimet e këtij studiuesi, i dalluar për akribi të lartë shkencore, do të vrehen të thelluara më tej edhe te botimi “Shkrimtarët shqiptarë” (1941, I-II), pjesë e kolanës së kontributeve të njohura akademike të “Institutit të Studimeve Shqiptare”. Kjo mbetet edhe vepra e parë mbi historinë e letërsisë shqipe e konceptuar dhe e hartuar në Shqipëri si një vepër kolektive, ku krahas atij vet (J. Rrota), bën pjesë një kastë studiuesish të tjerë mjaft të përgatitur si: Zef Valentini, Namik Ressuli, Karl Gurakuqi, Filip Fishta, Lumo Skëndo, Aleksandër Xhuvani, Rossolino Petrotta etj., nën drejtimin e Ernest Koliqit.
Po ashtu, studiuesi Eqrem Çabej e ka vlerësuar lart figurën e P. Bogdanit, e cila, sipas tij, qëndronte jo vetëm në lartësinë e kulturës teologjike të kohës, por që ai arrin të shfaqet edhe si shkrimtari shqiptar më i rëndësishëm, si nga madhëria e veprës që shkroi, si nga mendimet e thella derdhur në të, si nga gjuha e bukur e përdorur me mjeshtëri të madhe stilistike. E pikërisht prej këtyre vlerave: “…vepra e tij ka siguruar një vend të pavdekur në literaturën t`onë…”, do ta formulojë sintezën e tij Çabej (“Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe”, 1936, f. 29). Pra, ai e vlerëson këtë kontribut bogdanian në dimensionin e shumëfishtë që shfaq, si një aktivitet i pandalur intelektual, që rrezaton njëherazi: dije fetare e filozofike, art, atdhetari, humanizëm dhe vyrtute të larta/përkora njerëzore.
Vepra e Bogdanit mbetet një korpus i pasur vlerash, prandaj edhe studiues të profileve të ndryshme, kanë hulumtuar dhe interpretuar nëpër hojet e saj, ide dhe kontribute të begata. Shtjefën Gjeçovi do ta dallojë mes të tjerëve, duke e shpallur jo pa entusiazëm dhe metaforikisht veprën bogdaniane si: “dritë të litëratyrës shqiptare…”, vepër që ia zbardhi faqen atdheut (HD, 1930/12).
Sipas kompetencave të tyre, studiuesit kanë vlerësuar këtu: kontribute letrare, gjuhësore, historike, kulturologjike, duke evidentuar pastaj sipas rastit, veçori estetike dhe stilistike të poezive origjinale dhe të përkthyera të Bogdanit, koncepte të tij mbi kozmogoninë, mbi humanizmin, mbi elementet didaktike të pëcjella përmes frymës moralistike të kësaj vepre, mbi veçoritë grafiko-ortografike dhe gjuhësore të saj, rreth letërkëmbimeve me hierarkitë kishtare dhe personalitete të kohës… Këto e mjaft këndvështrime të tjera studimore, kanë krijuar tashmë një arkiv të pasur interpretimesh dhe vlerësimesh substanciale mbi veprën bogdaniane, e cila, duket se vazhdon që të mbetet edhe sot e kësaj dite, mjaft grishëse për hulumtime të tjera/reja të pritshme. Sigurisht, që kjo është veti dhe privilegj i atyre veprave, të cilat, kanë mbetur tashmë të përcaktuara si gurë themeli në historinë etnokulturore të kombit. Pra, janë nga ato vepra me peshë të rëndë, që vazhdimisht rrezatojnë dhe vazhdimisht përcjellin nëpër breza vlera të gjithkohëshme.
Por studimi i gjerë monografik “Vepra e Bogdanit 1675-1685” i I. Rugovës, besojmë se mbetet nga studimet më kompleks e mjaft të sintetizuar – në qasjen ndaj kësaj figure dhe përcaktimit të rolit dhe të vendit që ai meriton, në panteonin e botës letrare dhe intelektuale shqiptare.
Duhet kujtuar se në kritikën letrare shqiptare, Ibrahim Rugova është nga zërat më të shquar. Këtë e dëshmon përballimi prej tij i disa prej temave kyçe në studimin e letërsisë shqipe, e dëshmon po ashtu thellësia, kompetenca e fushës, njohja dhe zbatimi i metodave interpretuese më të reja/më bashkëkohëse, si dhe ndjekja sistematike, me shije dhe intuitë selektimi të proceseve letrare. Është nga ata studiues, që tashmë mbetet i shenjuar/përcaktuar me disa arritje antologjike në korpusin e studimeve letrare shqiptare. Këtu hyjnë evidentimi sistematik i konceptit të tij për “refuzimin estetik” në letërsi – si domeni i vetmjaftueshëm për të verifikuar vlerat reale letrare; po kështu ndjekja prej tij e modelit të kritikut që priret për nga dekodimi i strukturave tekstore, duke i parë ato struktura si pjesë të sistemit letrar e jo në qarqe të mbyllura. Rugova është nga ata studiues të rafinuar, i cili, e ka të kalkuluar strategjinë e hulumtimit, me prirjen e modelimit përgjithësisht të një artikulimi në nivel teorik rreth krijimtarisë letrare, si dhe në njohjen dhe përcaktimin e drejtë hierarkik të atyre veprave letrare – që për nga vlerat e tyre përfaqësuese, i kapërxejnë kornizat kohore.
Studimi i tij monografik “Vepra e Bogadanit 1675-1685 (1982)”, do të vinte pas disa botimeve të mëparshme si: “Prekje lirike” (1971), “Kah teoria” (1978) e “Strategjia e kuptimit” (1980). Objekt studimi këtu bëhet vepra “Çeta e profetëve” (Cuneus Prophetarum) e P. Bogdanit, e cila, në botimin e saj të parë, u shtyp në Padova të Italisë, më 1685. Për nga struktura, studimi ndahet në dy pjesë: I. “Gjenetika e veprës” dhe II. “Analitika e veprës”. Seicila prej këtyre pjesëve, përmban një mori çështjesh/ tezash, ku vrehet një informacion i dendur letrar, filozofik, kulturor, religjioz, jetëshkrimor, bibliografik, historik, mjedisor, një informacion ky, që vjen prej kohës së shkrimit të veprës bogdaniane, por edhe i kohëve më të vonëshme, deri në bashkëkohësi. Pra, shqyrtimi i veprës, ndjek një trajektore të hapur, për ta bërë vërtet bindëse tezën e studiuesit se kjo vepër, jo vetëm që arriti t`i shfaqte në nivelin më të lartë për kohën vlerat e saj letrare, por që inaguron edhe themelin e humanizmit shqiptar dhe se në një farë mënyre, ajo mund të përcaktohet/vlerësohet si Komedia hyjnore shqiptare. Sikundër kanë vrejtur studiuesit, te ky studim, rindërtohet gjenetika dhe artikulohet në mënyrë bindëse analitika sistemore e këtij autori të hershëm shqiptar, i cili, me të drejtë, mund të përcaktohet i njëjtshëm me autorët e lëvizjeve humaniste europiane të kohës, qoftë për nga koha kur u shkrua, qoftë për nga idetë qarkulluese në të.
Autori i studimit mbi veprën e Bogdanit, rezulton të jetë sistematik në dhënien e informacionit, duke mos e parë tërë atë rrjet të dendur të dhënash thjesht si një bllok inventarizues, por në funksionin metodik – për t`iu dhënë sa më bindshëm mbështetje tezave e përfundimeve të veta të propozuara dhe ndërkaq, për ta dëshmuar atë përvujtëni të dijetarit, që di t`ua njohë dhe t`ua vlerësojë fort kontributet të tjerëve. Kështu, ai sjell në vëmendje studimet e autorëve të huaj, por edhe atyre shqiptarë përgjithësisht.
Në pjesën e parë të studimit, jepet një informacion i dendur rreth kontekstit historik e kulturor, ku u formua personaliteti i këtij humanisti të shquar, tek i cili, zotëronte një kulturë e pazakontë, pra, mjaft e gjerë, me njohje të thellë të veprave të dijetarëve të kohës, por edhe të qytetërimeve të lashta të lindjes, apo greke dhe romake. Studiuesi sjell në vëmendje dijet e plota që zotëronte Bogdani në filozofi, në kulturë e gjuhë, duke theksuar se ai ndërkaq, njihte gjuhët e vjetra: hebraishten, sirianishten, arabishten, greqishten e vjetër, latinishten, armenishten dhe po ashtu: italishten, gjermanishten e frengjishten. Pra, ishte një personalitet me formim të lartë e solid, tek i cili do të vinte natyrshëm edhe motivimi i shkrimit të një vepre tërësore dhe fondamentale për nga vlerat që ajo mbart, sikundër është “Çeta e profetëve”. Në këtë pjesë sillet informacion i hollësishëm edhe rreth gjashtë botimeve të kësaj vepre, gjatë tre shekujve, duke nisur nga ai i pari – në vitin 1685 në Itali, e deri tek ai më i fundit, i vitit 1977 në Gjermani. Këtu prezantohen fakte rreth situatave që shoqërojnë këto botime, duke nisur me lejet e kërkuara nga sekretaria e Kongregacionit, pastaj me luhatjet e titullit të veprës, me kontratat shtypshkrimore dhe raportet financiare e raportet me censurën.
Kurse në pjesën e dytë të studimit, formulohen disa nga tezat themelore, që besojmë se hidhen për herë të parë rreth veprës së Bogdanit. Kështu, krahas frymës dhe mistikës biblike, te vepra “Çeta e profetëve”, Rugova vren edhe elemente të mirëfillta të ligjërimit artistik, me prirje e forcë abstraguese, emocionale dhe imagjinative, që e shtyjnë studiuesin ta gjykojë atë si “biografi të romanësuar”. Pra, ku shfaqen madje edhe konturet e romanit të parë shqiptar. “Veti kryesore e kësaj proze është se realizohet kryesisht përmes rrëfimit artistik në veta të ndryshme të ligjëratës dhe përmes saj, ngrihet figura e personazhit kryesor dhe e personazheve të tjerë … pastaj vend të rëndësishëm zë përshkrimi si teknikë artistike.” (I. Rugova, “Vepra e Bogdanit 1675-1685”, T.1990, f.193)
Duke e cilësuar këtë vepër si bërthamë të romanit të parë shqiptar, Rugova nxjerr në pah edhe dritën dhe shkëlqimin që shpaloset në të, duke arritur në bindjen se, shikuar në këtë plan, e gjithë vepra duket sëbrendshmi si një metaforë solare (diellore), ku çdo fenomen e gjykim kërkohet dhe vendoset brenda refleksit të dritës, të burimit të saj, diellit.
Një tezë e fortë është ajo e përcaktimit të veprës së Bogdanit si “fundament i modernitetit tonë intelektual e ekzistencial”. Këtë tezë jo pak intriguese, Rugova e argumenton me faktin se kemi të bëjmë me një nga ato vepra, që vërtet vlerësohen se parashtrojnë analiza e zgjidhje të rëndësishme, të cilat, me kalimin e kohës natyrshëm që edhe vjetërohen, por ama, që vlerësohen dhe mbartin vlera esenciale mbi të gjitha për shtytjet apo “stimulanset” paravajtëse, si i quan ai.
Pra, vepra të këtij formati të lartë çmohen për vlerat e pritshme, që ato i përcjellin nëpër epoka. Dhe pikërisht, vepra “Çeta e profetëve” klasifikohet prej I. Rugovës, si vepra që dëshmohet sot për sot si: themeli i humanizmit shqiptar, i modernitetit intelektual, si bërthama e romanit të parë shqiptar, apo edhe deri si varianti – me referenca prej kryeveprash botërore. Prandaj e pati titulluar/shpallur jo pak guximshëm atë si: “Komedia hyjnore shqiptare”. Këto janë teza vërtet të guximshme e mjaft intriguese, të cilat, studiuesi arrin që t`ì përballojë në studimin e tij bindshëm, me një metodikë dhe me një pasion të ngulët hulumtues dhe interpretues.
Kanë kaluar katër shekuj dhe Pjetër Bogdani vazhdon që ta ruajë denjësisht figurën e prijësit të letërsisë shqipe në nivel mirëfilli estetik. Ai do të kujtohet edhe për metaforën ndofta më të hirshme e të pashoqe në meset letrare të përbotshme, për figurën e Krishtit:
“Nji bir të vetemë, qi Ama pat për mall
Se Dvekuni ja kthej, e ndore ja â gjall.
Me Diell veshun`, e mbathunë me Hanë…”