Është e vështirë të ketë një problematikë nga letërsia shqipe, që të mos ketë tërhequr vëmendjen dhe të mos jetë shqyrtuar me kompetencë e thellësi nga kritiku i shquar, Rexhep Qosja. Ky studiues, ka arritur që ta interpretojë nga shumë rrafshe letërsinë shqipe: në sinkroni dhe në diakroni të saj, në zhanret dhe profilet e spikatura krijuese, duke dëshmuar një zotërim si rrallë kush tjetër, të formacionit mjaft dinamik e asimetrik të kësaj letërsie.
Ka botuar disa libra me studime dhe kritikë letrare, nga të cilat, mund të veçojmë: “Dialogë me shkrimtarët” (1968), “Kontinuitete” (1972), “Panteoni i rralluar” (1973), “Shkrimtarë dhe periudha” (1975), “Anatomia e kulturës” (1976) etj. Në këto përmbledhje ka jo pak studime, ku herë pas here shqyrtohen dukuri substanciale të frymës së periudhës së romantizmit në letërsinë shqipe, vështruar ky romantizëm në raportet e tij me poezinë popullore dhe me romantizmin europian. Ky interesim i ngulët për këtë periudhë letrare, duket se buron nga bindja e studiuesit për rolin dhe misionin e madh të këtij formacioni letrar dhe përtej letrar, si pritëse dhe përthithëse e vlerave të mëdha të mëparshme (qysh nga Buzuku, Budi, Bogdani, Variboba) – dhe pastaj si përcjellëse dhe mjaft ndikuese për zhvillimet e mëvonshme letrare.
Por ky përkushtim i R. Qosjes për studimin e romantizmit në letërsinë dhe në kulturën shqiptare, duket se ishte i lidhur ngushtësisht edhe me kushtet e Kosovës aso kohe. Mesazhet identitare, kulturore e letrare të romantizmit rilindas, sigurisht, që gjenin këtu mjaft jehonë dhe referenca domethënëse dhe studiuesi pati intuitën, guximin dhe marrjen përsipër me tendencë të këtij projekti madhor shkencor. Nuk ishte një projekt thjesht dhe vetëm klasifikues i dukurive dhe profileve letrare të Rilindjes Kombëtare, por para së gjithash, ishte një Projekt Njohës, Krenarie dhe Ndikues mes shqiptarëve, rreth atyre vlerave historike, që tashmë natyrshëm merrnin dhe kishin tingëllimë dhe energji aktuale.
Kështu studiuesi po përgatitej dora dorës për realizimin e veprës së tij jetësore, “ROMANTIZMI” (vëllimi I-II-III, 1984-1986), si pjesë e Historisë së Letërsisë Shqipe, të cilën, kishte projektuar ta realizonte në trajtë tërësore viteve më pas. Por dihet se situatat e vështira të krijuara për Kosovën, veçanërisht në fund të viteve `80-të e në vazhdim, atë, ashtu si dhe mjaft inteletualë të tjerë, do ta shtynin për angazhime të tjera, të cilat, ai i dëshmoi me aktivitetin e tij mjaft aktiv politik e shoqëror. Dhe sidomos do të angazhohej me përgatitjen dhe botimin e një mori librash, me analiza dhe ese të thella e të mprehta politike, të cilat, patën rol mjaft të rëndësishëm – për ta bërë të njohur ndërkombëtarisht çështjen e Kosovës, para dhe pas çlirimit të saj.
Pra, në vargun e çështjeve të trajtuara letrare, R. Qosja i ka kushtuar interes të posaçëm periudhës së “Letërsisë Romantike”, duke parë dhe vlerësuar njëherazi atje: zgjim të vlerave të larta artistike dhe zgjim të shpirtit nacional të popullit shqiptar. Romantizmit shqiptar, studiuesi i është referuar në vijimësi dhe gjerazi, duke u ndalur në çështje të rrafshit teorik, por edhe në analiza referuese – mbi vepra të shumë autorëve si: Jeronim De Rada, Zef Serembe, Ndre Mjedja, Andon Zako Çajupi, Pashko Vasa, Filip Shiroka etj. Duhet të kujtojmë se penës së tij të begatë, i takojnë edhe dy vepra të njohura monografike – rreth krijimtarisë së dy prej përfaqësuesve më të shquar të këtij drejtimi letrar: Naim Frashërit (1986) e Asdrenit (1972). Këto studime të gjera monografike, mbeten pa mëdyshje në fondin e studimeve letrare shqiptare – si modele të analizave dhe të sintezave të thella shkencore. Por njëherazi, ato mbeten edhe referenca të forta për çdo studiues tjetër, që do të kishte rastin t`u drejtohej këtyre dy ikonave të ndritura të letërsisë shqipe, Naimit dhe Asdrenit.
Është tashmë e njohur se Romantizmi në letërsinë shqipe, ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve, të cilët, janë ndalur sipas rastit: në premisa të rrethanave të lindjes së tij, të kontakteve e ndikimeve që ai pati prej rrjedhave romantike të letërsive të tjera europiane, të kryqëzimeve e bashkëpraninë, që ai shfaqi me rryma të tjera letrare, të zhanreve zotëruese dhe të caqeve kronologjike të zgjatjes së kësaj dukurie – në rrjedhat vijuese të letërsisë shqipe etj. Janë një varg studiuesish, të cilët, janë marrë në kohë të ndryshme me këto problematika, ku mes tyre, mund të veçohen: Eqrem Çabej, Arshi Pipa, Dhimitër S. Shuteriqi, Jorgo Bulo, Matteo Mandalà, Floresha Dado, Ali Xhiku, Shaban Sinani…etj.
R. Qosja arrin që t`i bëjë një sintezë integrale misionit, funksionit dhe rolit që mbarti romantizmi shqiptar: si vlerë estetike, gjuhësore, por edhe si vizion filozofik, etik, si dhe mjaft frymëzues dhe ndikues për aksionet e lëvizjes së madhe kombëtare rilindase. Dhe sikundër ai thekson, qysh në hyrjen e veprës së tij të njohur Historia e letërsisë shqipe: “Me gjuhën, me gjinitë, me llojet dhe me format, me ligjësitë metriko-ritmike të vargut, me prirjet e saj, me funksionin e saj themelor kombëtar, letërsia e romantizmit shqiptar, objektivisht, është mëma e madhe, në të cilën derdhen rrjedhat më të rëndësishme të së shkuarës letrare dhe kulturore dhe prej së cilës, dalin parimet bazë të së ardhmes letrare dhe kulturore në gjuhën shqipe…”(R. Qosja, Historia e letërsisë shqipe, vëll. I, Toena, 2000, f.9)
Këtu ai pajtohet me pikëpamjen, të cilën e kishte parashtruar dikur edhe Çabej, brenda konceptit të tezës së tij të njohur mbi periodizimin e letërsisë shqipe përmes funksionimit brenda zhvillimit të saj të “qarqeve kulturore”. Sipas kësaj teze, romantizmi i periudhës së Rilindjes Kombëtare, shfaqet si një qark i përbashkët i literaturës nacionale, ku shkrihen e bashkëveprojnë fuqitë e moçme të qarqeve “parakombëtare” – të cilat, derdhen në mënyrë kohezive, në lumin e Letërsisë Nacionale të shekullit të XIX-të (E. Çabej, Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, MÇM, 1994, f.55)
Është me interes të theksohet se R. Qosja, këtë proces letrar, pra romantizmin e lëtërsisë shqipe, e shqyrton edhe me një rol/mision paravajtës, domethënë, që ai do të ishte fort i lidhur me zhvillimet e mëpasme të letërsisë shqipe. Çka do të thotë, se, autorët që do të vinin më pas, do t`i kishin përherë referenca të forta frymëzuese e ndikuese veprat më të shquara të këtij formacioni letrar, sikundër ishin ato të De Radës, Naimit, Ndre Mjedjes… Ky raport nuk do të ndihej vetëm me autorët më të afërt vijues për nga koha, por edhe me ata më të mëvonshmit. Dhe nuk do ta dëshmonin këtë marëdhënie thjesht dhe vetëm disa motive të rimarra prej asaj plejade krijuesish, apo rikujtesa e këtyre personaliteteve letrare, nëpër tema e kredo poetike. P.sh. në fillim të viteve `60-të të shekullit të kaluar, kur dogmatizmi soc-realist kishte nisur t`i sofistikonte territoret e veta të hiperideologjizuara, nuk ishin të rastësishme, veç të tjerash, edhe referencat nga modelet estetike të romantizmit, me tundimin për t`i patur dhe ndjekur ato me tendencë si modele estetike. Veçanërisht ishte e dukshme kjo në vlerësimin që i bëhej një autori si De Rada, dhe sidomos kryeveprës së tij “Këngë të Milosaos”, e cila, rikujtohej qartazi dhe me tendencë si vepra më novatore e letërsisë shqipe dhe se metaforë e “dritares së hapur përkundrejt detit…” (I.Kadare). Duke përcjellë kështu nënkuptueshëm, filozofinë e nevojës së marrëdhënieve e kontakteve mes kulturave dhe jo zbatimin e doktrinës së izolimit dhe mbylljes ndaj tyre, sikundër predikohej nga ideologjia e kohës. (shih: I. Kadare, Duke lexuar Milosaon, gaz. Drita, 6.12.1964)
Edhe një autor modernist bashkëkohor si Martin Camaj, i cili krijoi një model unik në letërsinë shqipe, ku harmonizohej moderniteti dhe bota arkaiko-mitologjike, sikundër e kanë vrejtur studiuesit, përcjell gjithsesi në veprën e tij, diçka prej “dikujt”. Dhe konkretisht nga romantizmi rilindas, poetika e Camajt duket se ka shenja të thellësisë e lashtësisë së fjalëve dhe kuptimeve (prej De Radës), ka kulturën filologjike dhe shijen klasike (prej Mjedjes), ka dhimbjen e thellë të Zef Skiroit dhe ndjenjën e lënduar të Zef Serembes. (Sh. Sinani, Historia e letërsisë shqipe: Çështje të hapura, Naim, 2015, f. 278)
Është me mjaft interes në këtë vepër të gjerë studimore të R. Qosjes, shqyrtimi i romantizmit shqiptar si një formacion letrar, jo vetëm mjaft dinamik e mjaft ndikues në jetën e shoqërisë shqiptare, por që shfaq edhe një tipologji me variacione estetike, çka buron prej ndikimit të mjediseve, ku ajo letërsi krijohej dhe receptohej. Dihet se për rrethanat e njohura të vështitërsive e pengesave nën pushtimin shekullor otoman, letërsia shqipe e Rilindjes, u krijua kryesisht në kolonitë e shumta shqiptare, nëpër vise të ndryshme të botës, prej nga vinin rrjedhimisht edhe specifikat estetike dhe pasuruese të saj, nën ndikimin e letërsive dhe kulturave vendase. Sikundër konkludon studiuesi: ”… Kolonia e Arbëreshëve të Italisë e pasuron rrjedhën e letërsisë shqipe me tipin e romantizmit folklorik dhe veçoritë romantike europiane, Kolonia e Stambollit me racionalizmin dhe iluminizmin, Kolonia e Bukureshtit dhe Kolonia e Kajros me tipin e realizmit të ndrojtur, kurse kolonia e Sofjes me tipin e romantizmit publicistik”. (R. Qosja, vep. e cituar, f.43)
Sigurisht, që formacionet letrare nuk janë të ngrira, ato evoluojnë dhe rimodelohen sipas ligjësive të brendshme të vet këtyre formacioneve. Autori, ashtu sikundër lindjen dhe formimin e romantizmit e shikon te kolonitë shqiptare, po atje e shikon edhe çintegrimin e tij, domethënë lindjen e dukurive të reja posromantike. “Kjo dëshmon, – thekson ai, se struktura ideore dhe stilistike e një letërsie – sikundër edhe e artit përgjithësisht – përbëhet në kohë, por s`mund të jetë as pa vulën e faktorëve kulturorë dhe shoqërorë, që, më në fund, kanë të bëjnë me hapësirën”. (po aty)
Brenda konceptimit të romantizmit si proces dinamik, studiuesi arrin të klasifikojë edhe rrjedhat e tij letrare – përmes dy etapave të njohura historike. Dhe konkretisht: etapa para dhe pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ky klasifikim, në pamje të parë mund të ngjajë si i nisur kryesisht prej premisash jashtëletrare, por në fakt, funksionon brenda përmbajtjes që rrezatoi letërsia shqipe e Rilindjes Kombëtare, e cila, krahas funksionit letrar, njëherazi ishte edhe ideologji kombëtare. Dhe kuptohet se, në strukturën “ideoforme” të kësaj letërsie, Lidhja e Prizrenit, me programin dhe aktivitetin që pati, do të linte edhe këtu gjurmë dhe do të kishte ndikimin e vet substancial dhe aspak periferik.
Në këtë vepër të gjerë studimore, bie në sy se romantizmi shqiptar, shqyrtohet jo me prirjen për nga parashtrime vlerësimesh dhe konkluzionesh të përgjithshme teorike. Kjo do të ishte një rrugë disi komode dhe pse jo, në vështrim të parë – do të kishte efekt sugjestionues/përshtypjebërës, pikërisht për shpalosje informacionesh globale, të cilat, nuk mungonjnë për t`i qëmtuar ato nëpër literaturat e shumta qarkulluese. Por studiuesi ndjek një rrugë tjetër, më të vështirë për nga kahjet hulumtuese, por që bëhet më rezultativ e më bindës për tezat e ofruara. I fortifikuar me formim të thellë teoriko – letrar, ai qaset me përkushtim në tërë procesin e gjerë letrar shqiptar, në tekste dhe kontekste, në prirje dhe individualitete, në autorë të shquar dhe ata minorë (por që ama këta krijojnë sfondin përgatitës dhe nxitës për të tjerët), në mitet dhe ç`integrimet e miteve romanike, në tipologjinë zhanrore dhe në diversitetin e ndikimeve prej kulturash të ndryshme – perëndimore e lindore.
Rol mjaft të rëndësishëm i njeh kësaj letërsie, në përpjekjen obsesive të autorëve të saj për të ashtuquajturin “estetizmin romantik të gjuhës shqipe”, si pjesë e projektit nacional rilindas – për të gjetur te kjo gjuhë shtyllën e fortë, e cila, do të siguronte dhe do të ruante fort themelet e Njësisë së Kombit. (po aty, f.154) Dhe është i njohur vlerësimi venerues e sublimues i shumë poetëve për gjuhën shqipe, duke e vlerësuar atë, si nga më të lashtat mbi dhè, më të bukurat dhe deri thuajse si gjuhë perëndije (N. Frashëri, Gj. Fishta, L. Poradeci, D. Agolli, I. Kadare, Xh. Spahiu…)
Vazhdon ende të mbetet pjesë e debatit shkencor – fryma dhe fizionomia e romantizmit shqiptar, ku janë hedhur teza e pikëpamje për karakterin “përafërues” – apo dhe “largues”, rreth raporteve të letërsisë romantike shqipe me romantizmin europian. Ka patur ndikimin e vet këtu edhe ndonjë paragjykim i nisur nga premisa “etnocentriste”, për ta interpretuar letërsinë shqipe si të vetmjaftueshme e për për pasojë me vlera veçse tërësisht origjinale, sepse ajo u krijua vetëm brenda kornizave të burimeve të saj autonome (!) Por një vështrim i tillë “ishullor” i kësaj letërsie, nuk mundet kurrsesi që t`i sjellë a priori prestigj asaj, sikundër mund të mendohet në një vështrim të parë semplist. Përkundrazi, vlerat letrare e kulturore të popujve, veçse rriten e pasurohen – nga komunikimet e ndërsjellta mes tyre. Izolimet, vetkufizimet konservative e refraktare, veçse do t`i atrofizonin ato gradualisht, që mund të shpinin pastaj deri në shuarje të tyre.
Studiuesi shpalos në studimet e veta një qëndrim koherent, lidhur me “pikëtakimet estetike” të romantizmit shqiptar me atë europian. Ai polemizon me të dy prirjet e skajshme të historianëve të romantizmit shqiptar. Pra, si me ata që e kufizojnë letërsinë romantike shqipe si imitim të letërsive romantike të disa gjuhëve europiane, ashtu edhe me ata, që pohojnë se ajo letërsi, është shfaqur dhe është formuar stilistikisht, jashtë çdo kontakti e marrëdhënieje me to. Për konceptin e drejtë të këtij studiuesi, “veçoritë e përbashkëta”, fare qartazi dëshmojnë lidhjet përvijuese të letërsisë shqipe me letërsinë europiane. Kurse “veçoritë origjinale”, dëshmojnë se edhe shqiptarët, megjithëse një popull i vogël dhe i shtypur gjatë histories së tij, ata janë përpjekur dhe ia kanë arritur me sa ua kanë lejuar kushtet, që ta pasurojnë me veprën e tyre – thesarin e madh dhe të përbashkët të letërsisë dhe të kulturës së popujve të Europës. (R. Qosja, Historia e letërsisë shqipe, vëll. I, Rilindja, f. 379)
Veçoritë e përbashkëta me romantizmin europian, nga aspekti i përmbajtjes tematike dhe kuptimore, studiuesi i sheh para së gjithash, te përjetimi emocional i realitetit nga autorët romantikë shqiptarë, tek kthimi i tyre në të shkuarën, tek vështrimi gjallërues i natyrës dhe pamjeve planetare. Ndërsa si tipare të kompozicionit e të ligjërimit poetik, veçon fatalizmin, lirizmin, fragmentarizmin, lojën e nëntekstit, kombinimet zhanrore, në mjaft prej këtyre veprave. Kurse për nga aspekti i karakteristikave të tij origjinale, romantizmit shqiptar, ai i vë në dukje synimet konstante në krijimin e miteve në lëvrimin e temës historike, në kultin e gjuhës kombëtare, në kultin e ardhmërisë, në mbështetjen e fortë tek thesari i krijimtarisë popullore, në iluminizmin kombëtar, në didaktizmin dhe utilitarizmin e drejtpërdrejtë – për përcjelljen e ideve poetike. (shih po aty, f. 378)
Kontaktet dhe ndikimin më evident të romantizmit shqiptar prej atij europian, studiuesi i vren tek letërsia arbëreshe, e sidomos tek Jeronim De Rada, Zef Serembe e Gavril Dara i Riu. Sigurisht, që vepra deradiane, e përfaqëson në mënyrën më të spikatur këtë dukuri të letërsisë shqipe romantike. E sidomos vepra e tij “Kënga të Milosaos”, sikundër e pati vënë në dukje edhe Eqrem Çabej, për soliditetin artistik që ajo vepër manifeston “…mbetet një nga ato fort të pakta vepra të literaturës shqiptare, që e bëjnë këtë të përfaqësohet në literaturën botërore… “
Veçanërisht kjo vepër, e dalluar qartazi për vlerat e saj të larta artistike, do ta rrëzonte edhe atë pikëpamje tashmë të tejkaluar, për gjasme “romantizmin e vonuar shqiptar”, kur ky romantizëm, rezulton të jetë jo vetëm i njëkohshëm me atë të vendeve të tjera ballkanike, por edhe i denjë për t`u krahasuar me letërsinë europiane, si në rastin e veprës së De Radës. Pra, kjo vepër mund të meritojë që të klasifikohet pa kurrfarë rezerve, jo vetëm si e para vepër në zhanrin e “romanit të parë në vargje” në letërsinë shqipe (1836), por që nga pikëpamja kronologjike, është e njëkohshme me aso modelesh të romantikëve të mëdhenj europianë si: Viktor Hygo, Pushkin etj. (I.Kadare)
Sigurisht, që drejtimi i romantizmit nuk është një proces letrar statik. Ai u përgatit prej traditave paraprijëse, por edhe vet, krijoi premisa për lëvizjet e tjera të reja letrare shqiptare. Autorë të njohur të formatit romantik si: Asdreni, Çajupi, Ndoc Nikaj, Gjergj Fishta, Mihal Grameno, Hilë Mosi etj do të bëjnë sipas rastit, kapërximet e natyrshme estetike drejt krijimtarisë së tyre me prirje sipas rastit: realiste, neoklasiciste, simboliste…Në vitet `20-`30 të shekullit të kaluar, këto prirje të larmishme do të “bashkëzërojnë”, sikundër shprehet figurativisht studiuesi. Dhe ky bashkëzërim, shfaqet dhe është i pranishëm si dukuri: brenda procesit tërësor letrar, apo edhe brenda krijimtarisë së një autori.
Ky dimension “pluri-estetik” i letërsisë shqipe, nga pikëpamja e formacionit të metodave dhe shkollave letrare, i ka dhënë asaj një profil mjaft të larmishëm e origjinal. Vërtet është letërsi e një populli të vogël e me qendra të kufizuara kulturore, por që shfaqet më variacione impresionuese orientimesh stilistike. P.sh Lasgush Poradeci, Fishta, Migjeni, Fan Noli, Mitrush Kuteli, Faik Konica, Koliqi dhe autorë të tjerë, në krijimtarinë e tyre, përpara lexuesit dëshmojnë tekste, që janë të dallueshëm e të largët stilistikisht mes tyre. Edhe pse kulturalisht apo gjeografikisht ata mund të ishin të afërt, në krijimtarinë e tyre, shfaqnin formime dhe interesa të largëta estetike mes tyre dhe ky, ishte një “largim pozitiv”, që i sillte vlerë kësaj letërsie nga aspekti estetik.
Në konkluzion, mund të thuhet se interpretimi i romantizmit shqiptar tek studiuesi Rexhep Qosja, ka arritur që të realizojë një rrokje sa gjithëpërfshirës të këtij formacioni të fuqishëm letrar, aq edhe me sinteza të thella e bindëse. Ato janë piketa të forta e të sigurta për ta njohur dhe për ta interpretuar këtë formacion letrar. Por janë edhe nxitje për t`i çuar më tej hulumtimet rreth këtij argumenti. Duke qënë të autoritetshme për nga thellësia teorike dhe informacioni i pasur referues, këto teza e pikëpamje nuk duket se krijojnë kurrafarë ndikimi frenues. Përkundrazi, ato nxitin dhe ndihmojnë debatin – për kërkime dhe rezultate të mëtejshme alternative. Sepse këto janë teza të begata ndërtuese e jo rrënuese, ku shfaqet filozofia e vështrimit me perspektivë e këtij fenomeni letrar. I cili, si krijimtari e begatë letrare, u krijua nga një varg krijuesish, veçse si projekt fort atdhetar dhe iluminist i realizimit të një endërre.
Pra, i realizimit të një të ardhmeje për shqiptarët.



