Libri i ri i Ahmet Shqarrit është një botim luksoz i Shtëpisë Botuese “Morava”. Brenda një kohe të shkurtër, ai pati një jehonë të gjërë dhe pritje mjaft të ngrohtë nga lexuesit.
Ky është një libër i vecantë, autobiografi, por edhe pasqyrë e një periudhe 80-vjeçare, ku marrin jetë në formë kujtimesh spontane, dhjetra ngjarje, situata, personazhe të njohur, të vërtetë, me emër e mbiemër. Për nga dëndësia është si një roman, jo fiksional, sic janë tërë romanet e botës, por tepër real, shkruar me plot frymëzim dhe dashuri. Kjo, të kujton fjalët e Dritëro Agollit, pedagog e me pas mik i autorit: “Dashuria dhe arti nuk bëhen me urdhër, ashtu sic nuk bëhet me urdhër tështima”..
Libri “Kur ke çfarë të kujtosh” duket sikur është shkruar me një frymë. Rrjedhshmëria e stilit origjinal në të shkruar, të rrëmben e të merr me vete deri në faqen e fundit.
Është meritë e autorit, që ka ditur të ndërthurë e të nxjerrë bukur në pah vlera të vecanta të jetës njerëzore, në kuptimin më të gjërë te fjalës. Në libër “mbretëron” dashuria për vendlindjen, për familjen, për shokët, miqtë dhe kolegët, për profesionin e për marëdheniet me Punën.
Sot vlera të tilla po humbin, po harrohen.
Peqini, magji e fëminisë
Avdyl Frasheri thotë: “Vendlindja duhet, jo pse ështe e madhe apo e vogël, por sepse ështe e jona.”
Ahmet Shqarri përshkruan me pasion dhe përkushtim të vecantë qytetin e tij të lindjes, Peqinin. Ndoshta faqet më të bukura të librit i kushtohen fëmijërise e, direkt apo indirekt edhe qytetit, ku u rrit.
Këtu gjen një rrëfim plot ngjyra, pamje, ngjarje dhe imtësi që të mbeten në mëndje. Janë aq të gjalla kujtimet, sa cdo lexuesi, që ka lindur e jetuar në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, i sjellin ndër mënd jetën dhe vëndlindjen e tij me bukurinë, me vecantitë e ngrohtesinë njerëzore të atyre viteve, por edhe me varfërinë e skajshme, ashpërsinë e sistemit e padrejtësitë e shpeshta. Autori përshkruan me detaje të imta qytetin, lojrat fëminore me topa lecke, kinemanë e vjetër, ditën e verës, tellallin e qytetit, arixhiun me kafshën e tij të madhe, pazarin tërë gjallëri e jetë e deri tek pjekja e gjelave të detit të Peqinit, aq të njohur edhe sot në mbarë vëndin. Sipas aktorit tonë të madh Reshat Arbana, kur shkruan për librin thotë: “Tek fëmijëria e Ahmet Shqarrit në librin e tij, në një farë mënyre unë shoh fëmijërine time. Do të dëshiroja shumë që, kështu thjesht, me stil të bukur dhe të qarte, të shkruaja edhe unë kujtimet e mia…”
Një jetë që rrjedh e bukur dhe e qetë për autorin fëmije, rrethuar me një dashuri të pamatë nga prindërit, vellezërit dhe motrat, por edhe nga të afërmit, shokët dhe miqtë. Për të, Peqini ishte kryeqyteti i botës, vëndi me magjik që mund të ekzistonte, i njëjtë me vëndlindjen e secilit nga ne, që është rritur në ato kohe: “…Nuk dua të habis askënd me këto kujtime…por fakti që shumë gjëra të asaj kohe, që unë e brezi im i kemi kaluar, tashmë ngjajnë si të një bote tjetër, pak si realizmi magjik i ndodhive që përshkruan Gabriel Garcia Markez, aq më tepër që atë botë magjike nuk e shoh të rrethojë fëmijët e sotëm, më bën që ti sjell ndërmend tani…”( F. 38)
Sipas antropologut tonë të shquar Prof. Perparim Kabo, ky libër “…është një magji antropologjike…jeta dhe organizimi i saj, marrëdhëniet ndërnjerezore, epokat, kulturat, aventurat individuale, veshjet, ushqimet, natyra, fëmijëria, një mrekulli më vete. Gjithçka ka shumë dritë, etos njerezor aq të dlirë, pathos aq të ndierë dhe logos krahinor dhe shqiptar…
Dhe me pak meditim, përshkrimi i njerëzve në RTSH është një histori kronike mes punës, arritjeve, frikës dhe ndjenjave….edhe pse me pak rrjeshta, gjithësecili prej tyre ka “mbretërimin” e vet. Dritën, hijet, punët e mira, punët e liga, dhe kontrasti dritëhije antropologjike vjen si një kaleidoskop njerëzor…pak histori por shume të verteta.
Gjithçka si në utopi e ngrohtë…që jeton përtej së keqes…”
Njeriu dhe familja
Po jetojmë në një kohë te cuditshme, ku flitet me të madhe për prindin nr. 1 dhe prindin nr.2, ku familja nga vatër e ngrohtë e dashurisë më të ëmbël që merr njeriu, po kthehet në target numërorësh, gati po kërkohet të robotizohet.
Ky libër është një antidot me vlerë, për të kuptuar se cfarë është familja e vërtetë. Si ajo ku je rritur, po njësoj edhe ajo, që gjatë jetes, e ke krijuar vetë.
E them me plot gojën, libri i ri i Ahmet Shqarrit është një himn për familjen. Autori e ka kryefjalë të librit mardhenien mes pjesëtarve, dashurinë prindërore, ku babai dhe nëna janë të pazëvendësueshëm. Nëpërmjet penës, të mbushur jo me bojë, por me një mall të pashuar vjen nëna, Muma, e dhembshur dhe e shtrenjtë, ku sakrifica e dhëmbja janë fillimi e fundi i detyrës nënësore. Babai me shëmbullin dhe punën e lodhshme është pjesa më e rëndësishme e mozaikut familjar, skalitur “gur për gur” si dëshmi e thelbit të edukatës, dashurisë për punën e të qytetarisë së brezit që vjen më pas.
Po me të njëjtin kujdes e përkushtim, autori shkruan për familjen të cilën me burrërimin e kalimin e viteve e krijoi vetë. Sic thotë Dostojevski “Shpirti, dashuria, Zoti njihen dhe ndihen nëpërmjet zemrës, jo mëndjes. Arsyeja është nje vegël që drejtohet nga zjarri shpirtëror”
Faqet për bashkëshorten, dy vajzat dhe mbesën, Mabelin janë shkruar me zjarrin shpirtëror. Ja vlen ky zjarr kur flitet për Engjëllushe Shqarrin, që sot është përkthyesja më e mirë e gjuhës angleze në gjuhën shqipe. Njohëse e shkëlqyer e të dyja gjuhëve, ajo ka sjellë në shqip, kryevepra të letërsisë angleze dhe vecanërisht asaj amerikane, thesare të vërtetë të letrave botërore. Edhe dy vajzat, Klejtja dhe Marsi, kanë një jetë të pasur aty ku jetojnë, ne Itali dhe në SHBA, pasojë e arsimimit dhe edukimit, e shembullit prindëror.
Puna, shoqëria dhe njeriu
Faqe të tëra të librit i ze me të drejtë ajo që është thelbi i jetës së njeriut: Puna, mësuesit, kolegët e shoqëria.
Fituesi i Oscar-it, regjisori dhe aktori i madh italian Roberto Beninji shkruan: “Mund të mbyllni sytë për gjërat që nuk doni të shikoni, por nuk mund të mbyllni zemrën për gjërat, që nuk doni të ndjeni… ”
Dhe zemra është e hapur për të përmëndur emra tepër të njohur nga të gjitha fushat e jetës e të veprimtarisë shoqërore, që kanë pjesë në rrugën e jetës së autorit. Këtu rol të vecantë, padyshim, ka luajtur profesioni i autorit. Gazetar i mirfilltë prej 57 vjetësh,(jo pak!), Ahmet Shqarri ka njohur e takuar figura të mëdha të vëndit e te botes. Përshtypjet e bisedat me ta kane zënë një vënd të merituar në libër.
Duke filluar me pedagogët e më pas miqtë e tij, të mëdhenjtë e letrave shqipe Ismail Kadare, Dritero Agolli e Jakov Xoxa apo shkencëtarët e shquar të gjuhës Shaban Demiraj, Henrik Lacaj, Anastas Dodi, Remzi Pernaska etj. e deri gazetarët Hamit Borici, Agron Cobani, Petrit Kumi, Ismet Bellova, Besnik Dizdari e shumë të tjerë, emrat e të cilëve i gjeni në libër.
Vënd zenë edhe shokët e rinisë, që më pas u bënë figura të njohura të krijimeve letrare e artistike. Te tillë si Xhevahir Spahiu, Thanas Qerama, Zhuljana Jorganxhi, Paulin Selimi, e të tjerë janë personazhe reale, të përshkruar me vërtetësi dhe dashuri të madhe.
Koha, hapësira dhe njeriu
“Kur ke cfarë të kujtosh” është një libër me 240 faqe. Ai ka nxënë, pa asnjë sforcim, 80 vjet jetë, (jo vetmi, si romani i Markezit) por një jetë tepër të gjallë dhe aktive, plot ngjarje dhe njerëz, të njohur e të panjohur, që vinë në libër si një mozaik, ku secili ështe një gur i vogël për të plotësuar tablonë e një epoke të tërë. Sipas studiuesit poliglot Albert Karanxha: “…Ky liber i jepet në dorë lexuesit për ta udhëhequr në një udhëtim eksplorimi të jetës… Në fillim, tek mahnitja e fëmijërisë, tek formimi i të riut, lexuesit gjejnë gjëra të përbashkëta, por në vazhdim ai futet në hapësira ku HYRJA u rezervohet vetëm individëve me vlera të veçanta. Megjithë vendosjen e çvendosjen e shpejtë dhe e papërcaktuar e “pjesëzave” të kaleidoskopit ku vërehen figura nga më të çuditshmet, realitete që me historinë e tyre i shërbejnë jetës duke ditur të mbajnë drejtimin e rrugëtimit drejt së mires… Në faqet e librit dhimbshëm ndjehet përshkrimi i tjetërsimit të Shqipërisë kur prindërve shembullorë si LALA, të detyruar të luftojnë nën atë absurditet u prishet e u shkurtohet jeta…” Eshtë një kohë e mbushur me ulje e ngritje të shumta, me vite të ngjeshur me gëzime, të papritura të këndshme, por shpesh dhe të hidhura, me shqetësime, e halle. Por mbi të gjitha me punë, sic shkruan një filozof i njohur Henry Ëard Beecher: “Njeriun nuk e vret puna, por shqetësimet”.
Ahmet Shqarri nuk ka ndjerë kurrë lodhjen, kur gjërat që bënte ju shërbenin njerëzve, publikut me të gjërë të mundshëm, sic është ai sportiv. Sic shkruan gazetari i njohur i radios dhe i televizionit Timo Luto…” është një rrjedhë jete me ngjarje pa fund që mbulojnë me plot të panjohura dhe dinamizëm, pothuaj gjithë globin…Femijeria eshte befasia me e bukur e librit, ku e gjitha kalon si në një film, plot mall e nostalgji për prindërit e tij të mirë, për shokët dhe qytetin e lindjes, Peqinin, që megjithëse një qytet i vogël, kishte që ne hershmërine e tij, nje Kala’ e Kulle Sahati, Kinema dhe pajtone për të udhëtuar dhe ku verës vallëzohej allafrënga!.. Me kete liber, Ahmet Shqarri pasuron historine e jetes sone shqiptare, ne nje fushe me mjaft intensitet dhe ndjeshmeri…”
Vetvetiu në libër ka hyrë një hapësire shumë e madhe. Sepse i tillë ka qënë edhe objektivi i profesionit të tij. Si gazetar ai ka lëvizur në katër kontinente. Përshtypjet dhe takimet me personalitete botërore zenë një vend të vecantë, që nga legjenda e futbollit gjerman Franz Beckenbauer e deri tek gazetarët e shquar italiane Bruno Vespa e Sandro Ciotti. Por edhe piktori ynë i madh Ibrahim Kodra, per të cilin ka botuar ndoshta shkrimin me te bukur për të.. Me nje stil tërheqës, flitet për qytete të mëdha e të vogla që nga Neë Jorku deri në Stalingrad e Soci, nga Pekini, Londra e Parisi në Tunizi, Kajro e Dubai. Eshtë një hapësirë aq e gjërë sa i jep librit një dimension të vecantë, tepër tërheqës dhe interesant.
Ahmet Shqarri nuk është vetëm një gazetar sportiv. Asnjëherë nuk ka qëne vetëm i tille. Natyrisht në fushën e gazetarisë sportive ai ka dhënë, një kontribut të madh, të cmuar e të rrallë, si askush tjetër.
Themelues i shumë programeve e rubrikave sportive në radio dhe në televizion, komentator e opinionist i ngjarjeve më të mëdha sportive në vënd e në botë për afro 60 vjet me rradhë ku shkelqen në mënyrë të vecantë emisioni radiofonik i drejtperdrejtë “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, që mund ta quaj pa frikë si gur themeli dhe hapi i parë i lirisë së shtypit në vëndin tonë. Me të drejtë, faqe të tëra i kushtohen në libër këtij eventi, që, për kohën, theu shumë tabu e pengesa teknike e gazetareske, të qëna e të paqëna.
Por, edhe pse thelbësore, kjo ështe vetëm një pjesë e jetës dhe e veprimtarisë së tij.
Ahmet Shqarri është edhe një analist i ngjarjeve shoqërore, kulturore dhe politike, skenarist filmash, ku ka fituar edhe cmime ndërkombëtare (në Milano, në Pekin dhe në Jakutsk të Rusisë, 100 km. larg Polit te Veriut), ideator, drejtues e moderator i një sërë të madhe programesh televizive, autor i shumë shkrimeve, të botuar në gazetat e revistat e shumta, të djeshme e të sotme, dhe, së fundi, edhe autor i dy librave me vlera tepër të vecanta për historinë e sportit shqiptar, por edhe për historinë e Radio Televizionit tonë të 60 vjetëve të fundit.
Librin e tij të ri “Kur ke cfarë te kujtosh” ka nje ndërthurje të bukur e plot kuptim të të dyjave.
Si një kineast i vjetër, gjithmonë kujtoj një thënie të regjisorit të madh italian Vitorio De Sika: “ Nuk ka filma të mirë dhe filma të këqinj, ka vetëm filma të dobishëm dhe të padobishëm”. Kjo mund të thuhet edhe për librat: “Nuk ka libra të mirë e të këqinj, ka vetëm libra të dobishëm dhe të padobishëm” .
Libri i Ahmet Shqarrit “Kur ke çfarë të kujtosh” është një libër shumë i dobishëm.
Për çdo moshë, për këdo.