Ekspozita “Ikonat e Shqipërisë – Thesaret e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës”. Muzeu i Arteve të Bukura, Chambéry
Më 13 qershor ora 11.00 në Muzeun e Arteve të Bukura i Chambéry-së, në Francë, u zhvillua ceremonia e hapjes ekspozitës: “Ikonat e Shqipërisë – Thesaret e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës”. Në këtë ceremoni mori pjesë një delegacion shqiptar i përbërë nga përfaqësues të turizmit dhe të institucioneve vendore, të kryesuar nga Kryetari i Bashkisë së Korçës, z. Sotiraq Filo, Pjesëmarrja e tyre i dha kësaj ekspozite një dimension të veçantë institucional, duke nënvizuar rolin e bashkëpunimit kulturor në prezantimin dhe ruajtjen e trashëgimisë së ikonografisë shqiptare. Hapjen e ekspozitës e përshëndeti Kryetari i Bashkisë së Chambery z.Thierry Repentin, Ambasadori i Shqipërisë në Francë, Paris z. Dritan Tola; Kryetari Bashkisë së Korçës z. Sotiraq Filo; Drejtorja e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjsetar, Korçë znj.Fjoralba Prifti dhe homologu i saj Drejtori i Muzeu i Arteve të Bukura të Chambéry z.Nicolas Bousquet. Ky event kulturor i veçantë u shoqërua nga “Kuarteti i Harqeve i Filarmonisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë (Tiranë)”.
Nga 13 qershori deri më 15 nëntor 2026, Muzeu i Arteve të Bukura i Chambéry-së, në Francë, do të mirëpresë ekspozitën “Ikonat e Shqipërisë – Thesaret e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës”, një nga ngjarjet më të rëndësishme të diplomacisë kulturore shqiptare në Evropë gjatë këtij viti. E organizuar në kuadër të partneritetit ndërmjet qyteteve të Chambéry-së dhe Korçës, si edhe në frymën e afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, ekspozita sjell për publikun francez 49 ikona të rralla të shekujve XIV–XX, të përzgjedhura nga fondi i pasur i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës. Përmes tyre, vizitorët ftohen të zbulojnë një trashëgimi artistike dhe shpirtërore të Ballkanit, ende pak të njohur në Francë.
Një traditë ekspozitash shqiptare në Francë
Kjo ekspozitë vazhdon një traditë të rëndësishme të prezantimit të trashëgimisë shqiptare në Francë. Në vitin 1974, në Petit Palais të Parisit u organizua ekspozita monumentale “L’Art albanais à travers les siècles” (“Arti shqiptar në shekuj”), e cila prezantoi 612 objekte nga historia dhe arti shqiptar. Më pas, në vitin 1993, Muzeu Kombëtar Marc Chagall në Nicë çeli ekspozitën “Trésors d’art albanais: icônes byzantines et post-byzantines du XIIe au XIXe siècle”, kushtuar ekskluzivisht ikonografisë shqiptare. Një tjetër prezantim i rëndësishëm u zhvillua në vitin 2004 në selinë e UNESCO-s në Paris.

Ekspozita e Chambéry-së përfaqëson kulmin e këtij dialogu kulturor. Nga rreth 6400 ikonat që ruhen në Korçë janë përzgjedhur kryevepra të ikonografisë shqiptare: ikona bizantine, vepra të Onufrit, të vëllezërve Zografi, të Konstandin Jeromonakut, Kostandin Shpatarakut, Mësues Konstandinit dhe mjeshtërve anonimë që kanë formësuar historinë e artit kishtar shqiptar.
Një urë kulturore mes Chambéry-së dhe Korçës
Historia e kësaj ekspozite lidhet ngushtë me bashkëpunimin e nisur ndërmjet Chambéry-së dhe Korçës. Në vitin 2020, Bashkia e Chambéry-së vendosi të krijojë partneritete me qytete të vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Korça u përzgjodh për shkak të afërsive kulturore, historike dhe identitare që ndan me qytetin francez.
Marrëveshja zyrtare e bashkëpunimit u nënshkrua në vitin 2024 dhe ka sjellë tashmë projekte në fushat e kulturës, turizmit, arsimit, shkëmbimeve universitare dhe rezidencave artistike. Organizimi i “Sezonit Shqiptar 2026” në Chambéry përbën momentin më të rëndësishëm të këtij partneriteti, ndërsa ekspozita e ikonave shqiptare është padyshim ngjarja e saj qendrore.
Në dosjen zyrtare të ekspozitës, kryetari i Bashkisë së Chambéry-së, Thierry Repentin, e cilëson ardhjen e ikonave të Korçës si “një ngjarje me rëndësi ndërkombëtare”, duke theksuar se ato përfaqësojnë një thesar të mirëfilltë evropian të artit bizantin dhe pasbizantin.
Dy muze, një dialog europian
I themeluar në vitin 1980, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë ruan një nga koleksionet më të mëdha të ikonografisë në Ballkan, me mbi 8200 objekte muzeore dhe rreth 6400 ikona. Ai është rezultat i përpjekjeve të jashtëzakonshme për shpëtimin e trashëgimisë fetare shqiptare gjatë periudhës së ateizmit shtetëror dhe sot konsiderohet një nga institucionet më të rëndësishme të kulturës shqiptare.
Nga ana tjetër, Muzeu i Arteve të Bukura i Chambéry-së, i vendosur në kryeqytetin historik të Savojës, zotëron pas Luvrit koleksionin e dytë më të madh të pikturës italiane në Francë. I restauruar tërësisht në vitin 2012, ai është shndërruar në një qendër moderne ku dialogojnë arti historik dhe krijimtaria bashkëkohore evropiane.
Pikërisht në këtë hapësirë prestigjioze, ikonat shqiptare vendosen në dialog me traditat e mëdha artistike të Evropës, duke dëshmuar vlerat universale të trashëgimisë sonë kulturore.

Një projekt me përmasa ndërkombëtare
Përgatitja e ekspozitës kërkoi rreth gjashtë muaj punë intensive nga specialistët e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës, Genti Proko, Romeo Kallço, Genti Postoli – nën drejtimin e drejtoreshës Fjoralba Prifti. Ekspozita pati mbështetjen e Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme të Francës, të përfaqësuar nga Ministri z. Jean-Noël Barrot, Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministri z. Blendi Gonxhja, si dhe Bashkisë së Korçës, të përfaqësuar nga Kryetari i Bashkisë z. Sotiraq Filo, si dhe nga një komitet shkencor ndërkombëtar ku marrin pjesë studiues të Muzeut të Luvrit, universiteteve të Athinës dhe Tiranës dhe specialistë të njohur të artit bizantin.
Ekspozita ka përfituar mbështetjen e çmuar të Ambasadës së Francës në Shqipëri: Shkëlqesia e Saj znj. Catherine Suard, Ambasadore e Francës në Shqipëri dhe stafi i ambasadës; Shkëlqesia e Tij z. Dritan Tola, Ambasador i Shqipërisë në Francë, si dhe znj. Megi Bode, Sekretare e Parë e Ambasadës së Shqipërisë në Francë dhe stafi i saj.
Komisarët e ekspozitës janë: Nicolas Bousquet, drejtor i muzeve të Chambéry-së dhe Fjoralba Prifti, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës
Projekti u mbështet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit e Shqipërisë, Ministria Franceze e Kulturës, ambasadat e të dy vendeve, si dhe nga një komitet shkencor ndërkombëtar ku marrin pjesë studiues të Muzeut të Luvrit, universiteteve të Athinës dhe Tiranës dhe specialistë të njohur të artit bizantin.
Ekspozita shoqërohet nga një katalog dygjuhësh frëngjisht-shqip, botuar nga shtëpia prestigjioze botuese Silvana Editoriale e Milanos, i cili pritet të mbetet një referencë e rëndësishme për studimet mbi ikonografinë shqiptare.
Përtej ekspozitës.
Përtej ekspozitës “Ikonat e Shqipërisë, thesar i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës”, Muzeu i Arteve të Bukura i Chambéry-së ka ndërtuar një program të pasur aktivitetesh kushtuar kulturës shqiptare. Vizita në muze të komentueshme, konferenca, punëtori krijuese për fëmijë, takime me ikonografë, koncerte dhe mbrëmje tematike do t’i ofrojnë publikut mundësinë të zbulojë historinë, artin dhe traditat e Shqipërisë në forma të ndryshme.
Sezoni kulturor shqiptar do të shtrihet gjatë gjithë vitit 2026 me konferenca mbi historinë dhe integrimin evropian të Shqipërisë nga filozofja Lea Ypi, një fundjavë të dedikuar kinemasë shqiptare, pjesëmarrjen e artistëve dhe ansambleve shqiptare në ngjarje të rëndësishme kulturore të Chambéry-së, si dhe koncerte me emra të njohur ndërkombëtarisht si Tedi Papavrami. Programi do të kulmojë me ekspozitën kushtuar fotografit të madh shqiptar Gjon Mili dhe projekte bashkëpunimi artistik mes të rinjve të Korçës dhe Chambéry-së, duke forcuar dialogun kulturor ndërmjet dy qyteteve dhe dy vendeve.
Në këtë mënyrë, “Ikonat e Shqipërisë” shndërrohet në më shumë se një ekspozitë arti: ajo është një dëshmi e fuqisë së kulturës për të ndërtuar ura dialogu, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi mes popujve, duke e vendosur trashëgiminë shqiptare në qendër të hartës kulturore evropiane.



