Kreu Arte pamore Xhyher Cani: Gëzuar ditëlindjen, Ingres

Xhyher Cani: Gëzuar ditëlindjen, Ingres

Në qershor të vitit 1924, tre vjet pas mbërritjes në Paris, Man Ray realizoi Violina e Ingresit, një nga krijimet më të shquara në historinë e fotografisë

Emmanuel Radnizky (1890-1976),  i njohur me emrin  Man Ray, ishte një artist modern me interesa të shumëfishta, që krijoi me talent në fushën e pikturës, skulpturës dhe kinemasë, por, mbi të gjitha, ishte vepra e tij fotografike ajo që do të pushtonte botën.

I përfshirë fillimisht në grupimin artistik Dada dhe më vonë në lëvizjen surealiste, fotografi dhe piktori amerikan ushqeu artin e tij me të dyja metodat artistike. Krijimet e tij reflektojnë botën e tij të brendshme, ai fikson çfarë sheh, çfarë mendon dhe çfarë dëshiron. I mirëpritur nga Marcel Duchamp-i, me të cilin ishte njohur që në Nju Jork, Man Ray vendoset në vitin 1921 në kryeqytetin francez dhe i bashkohet grupimit artistik surealist. Në fakt, njohja e fotografisë si art  nis me lëvizjen surealiste dhe identifikohet me emrin e Man Ray-it, që solli një frymë të re, duke thyer normat tradicionale.

Në vështrimin artistik, për të, fotografia ishte një mjet shprehjeje për të realizuar atë që nuk mund ta bënte në pikturë. Megjithatë ai kurrë nuk pushoi së pîkturuari.

Më 1921, dadisti Man Ray bëhet fotograf profesionist. Në këtë periudhë Man Ray  përdorte retushin shpesh e më shpesh, madje edhe në autoportret. Përdorimi i mjeteve shtesë në lëvizjen surealiste dhe ndryshueshmëria e këndeve të ndriçimit vërtetojnë një përpjekje artistike, ku rastësia dhe improvizimi nuk janë veçse fasadë.

Me mbërritjen në Paris, Man Ray bëhet një fotograf i modës, pastaj shumë shpejt një fotograf në modë, ku porositë në masë për të realizuar portrete e bëjnë të famshëm. Ai arrin të përdorë përvojën e efekteve speciale, kompozimet e guximshme, solarizimet që i jepnin formave efekte  ireale dhe tërheqëse.

Fotografitë në gjininë e modës karakterizohen nga përdorimi i një gjuhe piktoreske moderne, që është një nga prurjet madhore të fotografisë në artin e shekullit XX.

Karriera artistike e Man Ray-it në fushën e modës qe e shkurtër, pothuaj 18 muaj, por i parapriu rolit vendimtar të fotografisë për të tërhequr një publik universal. Në këtë optikë, ashtu si në pîkturë, modelet e tij fotografike përfitonin përmasa artistike shtesë në  kontekstin e realizimeve të tyre. Në ato vite urat  e bashkëpunimit mes botës së artit dhe asaj të modës po shumëfishoheshin dhe personalitete të tilla krijuese, si Gabrielle Chanel dhe Salvador Dali, Sonia Delaunay dhe Tristan Tzara, si dhe Magritte dhe shtëpia e modës Norine, frymëzonin dhe realizonin projekte të përbashkëta.

Man Ray është një krijues i vërtetë novator dhe kurrë i zhytur në rrëmujë nga përdorimi i teknikës. Në kontekstin e raporteve të tij me surealistët, i përballur me fotografinë piktoraliste tashmë në grahmën e fundit, Man Ray-it nuk i mbeti zgjedhje tjetër, veçse të shpîkte një stil origjinal.

Si fotograf, Man Ray përgjithësisht nuk ka punuar me porosi nga muzetë ose galeritë, por për tregun, ku ecejaket mes eksperimentimit dhe përdorimit tregtar ishin trampolinë për thyerjen e rregullave.

Në panteonin e artistëve dhe njerëzve të famshëm të fotografuar nga Man Ray, si Marcel Duchamps, Salvatore Dali, Andrea Breton, Tristan Tzara, Max Ernst, Paul Eluard, Ernest Heminguej etj., duhen shtuar edhe njerëzit e zakonshëm të cilëve Man Ray u pëlqente portretin dhe me ta realizoi punime që ishin mjaft sfiduese nga niveli artistik.

Man Ray përfitoi shumë shpejt nga porositë në fushën e modës për t’u identifikuar me stilin e tij artistik surealist, që përdorte me guxim armën e tij të provokimit. Ky stil i zotëruar në përsosmëri, i korrigjuar me tone të klasicizmit, i shoqëruar me një erotizëm të lehtë, largohet nga funksioni komercial, për t’u përjetësuar në art. Man Ray rinovon përfundimisht fotografinë që deri atëhere kishte qenë dokumentare dhe hedh një vështrim mbi gruan ku ngjizet realiteti dhe imagjinarja.

Fotografia bëhet përfundimisht një art që e zotëron plotësisht, duke i siguruar atij një kapacitet krijimi dhe ndërtimi të imazheve, duke e bërë një mjeshtër të vërtetë ikonash fotografike.

Në qershor të vitit 1924, tre vjet pas mbërritjes në Paris, Man Ray realizoi  Violina e Ingresit, një nga krijimet më të shquara në historinë e fotografisë dhe provë se çfarë mund të bënte surealizmi në fotografi. Fotografia  e  pagëzuarViolina e Ingresit është padyshim vepra më e famshme dhe më e rallë e Man Ray-it  që ka hyrë në imagjinatën kolektive.

Në maj të vitit 2022, vlerësimi i origjinalit të kësaj fotografie nga shoqëria Christie’s, arriti në një çmim unikal  në tregun ankand të veprave të artit në Nju Jork, duke “fluturuar” në shumën 12,4  milion dollarë ose rreth 11,9 milion euro.  Një rekord absolut për artistin, por gjithashtu edhe për tregun e artit, duke u ngritur në majë të shitjeve botërore të fotografisë. Një shumë marramendëse për këtë gur të çmuar të gjerdanit artistik të Man Ray-it, që u ngrit në statusin e ikonës surealiste.

Në komunikatën e shoqërisë Christie’s, lidhur me shitjen astronomike të negativit të fotografisë Violina e Ingresit, thuhet tekstualisht; “Eshtë një nga veprat më të rëndësishme të shekullit XX. […] Ky imazh surealist dhe joshës është rezultat unik i një procesi në dhomën e zezë dhe i manipuluar me dorë. Rëndësia dhe ndikmi i imazhit njëkohësisht romantik, misterioz, jetësor dhe lozonjar, intrigon që prej njëqind vjetësh. Si vepër fotografike, ajo nuk ka precedent në treg”.

Për realizimin e kësaj vepre fotografike Man Ray  u frymëzua posaçërisht nga dy veprat e piktorit Ingres, La Baigneuse de Valpinçon (1808) dhe Le Bain Turc (1859), ruajtur dhe ekspozuar në muzeun e Luvrit.

Në fakt, togfjalëshi popullor që shërben si titull i fotografisë sugjeron në të njëjtën kohë referencën pikturale të Jean-Auguste Ingres-it në tablotë e cituara më lart, si edhe faktin  e ngjashmërisë që shpina e Kikit ka me instrumentin e  violinës që simbolizon trupin e femrës. Kjo mendësi artistike pasqyrohet te të gjithë surealistët, saqë në numrin e parë të Revolucionit Surealist, më 1924, citohet për shpjegim  fraza e famshme e Charles Baudelair-it: “Femra është  qenia  njerzore që projekton hijen më të madhe ose dritën më të madhe në ëndërrat tona”. Violina e Ingresit e cila pozon në shpinë, lë të supozohet atë çfarë fsheh trupi i adhuruar i Kikit, duke zgjuar në këtë mënyrë imagjinatën tonë.

Në negativin e rrallë për nga vlerat artistike është fokusuar një grua nudo, e ulur në shpinë, me kokën të kthyer nga e majta, ku shijohet një pjesë nga bukuria e fytyrës, me ije të mbuluara nga një cohë e lehtë dhe një turban oriental që mbështjell flokët e saj. Trupi i saj, i zhveshur në rrafshin e pasëm, kontraston hijshëm në një ndenjëse të katrorizuar. Pjesa e poshtme e shpinës dhe të pasmet janë lënë të dukshme, edhe pse mbi to bie një lloj veshjeje që formon një kurorë rreth trupit.

Plastika e modelit të fotografuar spikat në format e saj femërore. Mbi këtë negativ artisti ka vizatuar me bojë kine fjongot  e një instrumenti  muzikor të familjes së violinës. Qëndrimi i përshtatur nga gruaja e re, duart dhe këmbët e fshehura brenda vetes nuk janë pa analogji me format e instrumentit të violinës, ku fjongot e violinës lejojnë “shpërthimin” e valëve sonore të instrumentit. Bëhet fjalë për një artefakt të thjeshtë, një fotografi bardhë e zi, ku sfondi i fotografisë është në të zezë, ndërsa një dritë nga e djathta ndriçon shpinën, si dhe nuancon me dritë dyshemenë dhe murin. E bardha e shpinës kontraston me fjongot e zeza dhe me sfondin e errët të gjithë skenës.

Kjo grua nuk është një model anonim, por një personalitet i Parisit të viteve të gumëzhimta; apo siç janë thirrur në metaforë “të çmendura”; bëhet fjalë për këngëtaren dhe aktoren Kiki i Montparnasit – me emrin e saj të vërtetë, Alice Prin (1901-1953), që ishte gjithashtu në pesë vite muza dhe partnerja e fotografit. Magjepse për nga bukuria, ajo frymëzoi gjithashtu edhe artistë të tjerë të mëdhenj, si fotografin  Brassai, piktorët Modiglianie Foujita, apo skulptorin Calder.

Fillimisht, ajo nuk donte të pozonte për të realizuar fotografinë. Bukuroshja Kiki dyshonte, se regjistrimi fotografik do të prodhonte një fotografi vulgare. Ajo e kishte pozuar trupin e saj me pasion dhe me talent  para piktorëve dhe skulptorëve, por jo para një makine, edhe pse ajo ishte në duart e të dashurit  të saj. Por këmbëngulja e Man Ray-it dhe shpjegimi i tij pse duhej të pozonte për realizimin e këtij kompozimi artistik, shprehin thelbin e kredos artistike të tij: “Jo, unë nuk fotografoj  natyrën, por vizionin e saj. Unë fotografoj ashtu siç do të pikturoja, duke e transformuar subjektin, siç do të bënte një piktor. Ashtu si ai, unë idealizoj apo deformoj subjektin tim”.

Violina e Ingresit ilustron besnikërisht këto fjalë, duke përcjellë te ne një fotografi  mes pikturës dhe një riprodhimi mekanik.

Një tipar shënues i këtij montazhi fotografik është karakteri i tij abstrakt, ngaqë subjekti është i izoluar nga mjedisi rrethues. Montazhi të jep përshtypjen se artefakti egziston pavarësisht kontekstit.

Trupi joshës i Kikit në shpinë, pozicioni i kokës i saj dhe flokët lidhur në një turban të kujtojnë gratë që lahen, të piktorit Ingres, në dy tablotë e tij. Në sajë të vizatimit të dy fjongove, trupi femëror metamorfozohet në violinë, duke zbuluar erotizmin e gruas së re.

Trupi femëror është një nga subjektet e parapëlqyera të Man Ray-it. Gratë janë shumë të pranishme në jetën dhe veprën e tij. Duke njohur mirë surealizmin ëndërrimtar të Rene Magritti-t apo të Joan Miro-së, Man Ray priret drejt çlirimit të nënvetëdijes në një raport tejet frojdian. Ai paraqet sensualitetin dhe ekspresionin e dëshirës njerëzore. Fotografia i jep privilegjin të tregojë një rilexim të trupit femëror, duke kapërcyer vizionin klasik. Artisti jep një perceptim modern  dhe do të nxjerrë në pah jetësoren. Ai vë në skenë modelet me kompozime artistike, duke  rimodeluar dritën, hijet, ngjyrat dhe kuadratet. Thjesht artisti vë në plan të parë një trup femëror, një vështrim, një gjest.

Shprehja a emërtimi Violina e Ingresit që është popullarizuar në shekullin XX dhe sot përdoret në kahun figurativ e ka origjinën e përdorimit në një objekt real, në violinën e portretistit të famshëm neoklasik Ingresit (Jean-Auguste Dominique Ingres) që jetoi në harkun historik të viteve 1780-1867. Artisti në fjalë, krahas penelit zotëronte me aq mjeshtëri dhe instrumentin e violinës që iu bë pasioni i tij i dytë, duke u afirmuar për disa kohë si violinë e dytë në orkestrën e Kapitolit të Tuluzës, ku luante me talent muzikën e Mozartit, Glukut, Bethovenit dhe Hajdenit.

Fillimisht e përdorur për të kumtuar vetëm aktivitetet artistike, kjo shprehje a emërtim u shtri në rrafshin semantik të përkushtimit dhe kalimit të kohës së lirë me një interes më të gjerë. Larousse, kjo shprehje përcaktohet si talent i një personi që kultivohet paralelisht me aktivitetin e tij kryesor.

Më 1924, Andre Breton-i publikon Manifestin e surealizmit, ku përcakton lëvizjen artistike si “automatizëm psikik të pastër, […] në mungesë totale të kontrollit të ushtruar nga arsyeja dhe jashtë çdo shqetësimi estetik ose moral”. Surealizmi përdori botën reale, për ta transformuar në botë imagjinare.

Artistët surealistë u formuan duke u nisur nga shpirti i revoltës që karakterizonte avangardistët europianë të viteve 20 të shekullit të kaluar. Të dominuar nga personaliteti i Andrea Breton-it, surealizmi fillimisht si lëvizje letrare, u shtri shpejt edhe në artet plastike, në fotografi dhe kinema.

Tentativa e ndërtimit konceptual të automatizmit psikik nga Andrea Breton-i është skicuar më së miri në veprën e Man Ray-it, ku fotografia kontribon në ndërtimin e nocionit të automatizmit si proces krijimi, ku mediumi është betejë kundër “tiranisë së logjikës”, dhe ku takohet plot sens e mrekullueshmja me të përditshmen.

Fantazia vizuale e një trupi femëror, tjetërsuar në violinë, ilustron parimin e takimit artistik të brishtë te surealistët. Në këtë vështrim, kjo fotografi është publikuar për herë të parë në qershor të vitit 1924 në faqet e revistës Litterature të surealistëve. Më pas, Man Ray autorizoi ribotimin disa herë të ekzemplarëve të tjerë dhe fotografia pushtoi botën.

Man Ray e transformoi fotografinë e shekullit XX, duke e ngritur në nivelin e arteve të tjera, si piktura dhe skulptura. Ai gjithashtu tregoi që fotografia nuk është gjithmonë një riprodhim i thjeshtë i realitetit, por ajo që mund të japë në esencë të gjitha ëndrrat dhe të zhvendosë objektet dhe trupat në një realitet të ri.

Andre Bretoni, duke folur për  Man Ray-in në Surealizmi dhe piktura, shkruan se fotografia e tij është si “objekt shkëmbimi” mes shkrimit dhe botës.

Për faktin se çfarë përfaqëson vepra e tij fotografike, Man Ray do të mbetet një figurë qendrore në sagën artistike surealiste. Imazhi ikonik i  Violinës së Ingresit është larg imazheve banale të fotografive të grave dhe i bën homazh erotizmit femëror.

Një analizë më e detajuar e  domethënies së këtij artefakti bëhet përmes një kalimi nga syri te shpirti, mbas një numri të shumtë leximesh që rrezatojnë në mënyrë intensive dhe ndryshojnë vazhdimisht sensin semiotik dhe  artistik të veprës fotografike.

Askush nuk mund të konludojë, se simbolika e Violinës së Ingresit është ezauruar, sepse një histori tjetër ka nisur: ajo se si ne e lexojmë dhe e interpretojmë  këtë  artefakt edhe pas një shekulli.

Nga një fotografi ku modelja hezitonte për ta realizuar, Violina e Ingresit u kthye në një univers dedikuar fantazisë erotike. Kjo kryevepër e Man Ray-it tregon forcën dhe talentin e tij për të përjetësuar magjiken. Ndaj edhe në 100 vjetorin e lindjes së saj bukuroshja Kiki vazhdon të na befasojë.


Burimet e konsultuara

Bate, David, “The Oriental signifier”, Photography & Surrealism, London, I.B. Tauris & Co.

Emmanuelle de l’Écotais et Katherine Ware, Man Ray,  Köln, Taschen, 2004.

Laurent Le Bon (dir.), Chefs-d’œuvre ?, Éditions du Centre Pompidou, Metz, 2010.

Filippe Secuer, Man Ray Photo Poche, Actes Sud,  Paris,  mars 2005.

Le dictionnaire Larousse, Paris, 2009.

Julie Guillaud, “Le Violon d’Ingres de Man Ray”, Le Figaro, 18 février 2022.

 Vincent Brocvielle, “Man Ray. Violon d’Ingres. Femme objet”, dans Pourquoi c’est connu ? Le fabuleux destin des chefs d’oeuvre du Centre Pompidou, Centre Pompidou, 2020. 

Exit mobile version