Kreu Arte pamore Xhoan Guga: Një libër i ri për Artin Kontemporan Shqiptar

Xhoan Guga: Një libër i ri për Artin Kontemporan Shqiptar

I konceptuar si një hulumtim gjithëpërfshirës mbi artin bashkëkohor shqiptar sot, botimi paraqet shpirtin e kësaj skene unike, pak të njohur ndërkombëtarisht. I pari i këtij lloji, një përzgjedhje fantastike e pa publikuar me parë, me artistë të rinj por me eksperincë, artistë me karrierë mbresëlënëse, si dhe mjeshtër të konsoliduar. Të gjithë së bashku, në një kapsulë kohore të artit shqiptar në mijëvjeçarin e ri.

Gjatë një periudhë realitivisht të vogël arritëm të thyejmë shumë barriera në të kuptuarit se çfarë është art, siç bëri Kazimir Malevich në ekspozitën e tij të vitit 1915 apo Marcel Duchamp i cili theu barrierën e konceptit, Mark Rothko atë të ngjyrës, Jackson Pollock atë të teknikës. Kjo ndërgjegje / vetëdije e re nuk ka më asnjë kompleks, ato janë thyer nga Andy Warhol me “çdo njeri do jetë i famshëm për 15 minuta” apo shgarravinat shtangëse të Jean-Michel Basquiat. Dhe së fundmi, të gjithë këto barriera dhe komplekse të shkërmoqura, i gjejmë të mishëruara tek Jeff Koons apo Damien Hirst, të cilët me sinqeritetin e tyre të spikatur fëmijëror, e konsoliduan këtë status quo në një makinë prodhimi paraje. Megjithëse nuk është aspak e lehtë të kapërdish tërë këtë vijëmesi për të ardhur me zërin tënd, të gjithë artistët e përzgjedhur në këtë album arrijnë ta bëjnë këtë më së miri me veprat e tyre.

Autori ka bere te pamunduren te përfshij sa më shumë autorë në një album sa më përfaqësues të skenës shqiptare të dekadave të fundit. Artistë të cilët në mijëvjeçarin e ri arritën të vijnë me një frymë koherente, ato që arritën të kërkojnë dhe eksplorojnë rrugët e pafund të labirintit artistik, të ndërgjegjshëm për gjithçka që ka ndodhur në art deri më sot. Ky album është një kush është kush i artit bashkëkohor shqiptar, tani, një gur kilometrik i shtuar në memorien tonë kolektive aq të vyeshme e të nevojshme.

Botimi është një sintezë e skenës artistike të dekadave të fundit. Në këtë mënyrë publiku ka privilegjin, në rehatinë e shtëpisë së tij, të vizitojë një përmbledhje të të gjitha ekspozitave dhe atelieve të artistëve të kësaj periudhe. Ka shumë dashamirës të artit që nuk ndjekin dot jetën artistike po edhe ato më të zellshmit nuk mund ti shohin të gjitha. Pa folur këtu për vepra që nuk i janë paraqitur ndonjëherë publikut shqiptar. Në këtë botim do shihni vepra që kanë lënë tashmë gjurmët e tyre, të reja që po ndjekin këto hapa apo vepra të pa ekspozuara më parë. Punën e vështrirë të hulumtimit dhe përzgjedhjes e kam bërë autori për ju. është një dëshmi magjepsëse e kapacitetit dhe virtuozitetit të artistëve tanë.

Detyra e ketyre botimeve është të bëj artin e aksesueshëm, duke qëndruar në dy shtylla kryesore: ekspozimin dhe dokumentimin e artit shqiptar. Të dyja, elementë shumë të rëndësishëm në mbarëvajtjen e kësaj skene. Ekspozimi është thelbësor për çdo artist, jo më kot themi: ai është artist shumë i njohur, duke përcaktuar kështu rrjedhimisht vlerën e artit të tij, na pëlqen apo jo. Edhe për dokumentimin nuk besoj se ka vend për diskutim, botimi vjen në shërbim të studiuesve dhe artdashësve shqiptar apo të huaj, sot apo pas 1000 vitesh.

Botimi mori rreth 5 vjet për t’u realizuar, pjesërisht gjatë pandemisë së tmerrshme që goditi të gjithë botën, periudhë e cila fatëkeqësisht shkuli dhe mori nga trupi jonë i brishtë, miq dhe artistë të vyer të skenës sonë artistike, duke kujtuar këtu me mall artistin Besim Tula, i cili i mungon skenës së artit si një nga organizatorët e ekspozitës tashmë 25 vjeçare “Nëntori”, të paharruarin, artistin Arben Bajo, si dhe shpirtin e lirë, Lumturi Blloshmin, të tre pjesë të këtij projekti. Veprat e tyre janë të përjetshme, duke bërë që ata të mbeten gjithmonë mes nesh.

Exit mobile version